Komisioni i Ekonomisë miraton pr/ligjin: Pronat e sindikatave i kalojnë shtetit

TIRANË - Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar sot projektligjin për kalimin e pronave të sindikatave në pronësi të shtetit. Në këtë mënyrë të gjithë kontratat që sindikatat kanë me investitorët bëhen të pavlefshme.

 

Në bazë të projektligjit që kalon së shpejti në Parlament shteti bëhet pronar i qindra objekteve, kryesisht ish-shtëpitë e pushimit që tashmë janë bërë hotele në të cilat investitorët kanë kryer miliona lekë investime. Në bazë të ligjit të ri, investitorët duhet të kompensohen nga sindikatat. Në shumë raste çështjet pritet të shkojnë në gjykatë. Siç dihet sindikatat nuk kanë para dhe investitorëve mund t'iu shkojnë dëm miliona lekë investime, pasi tashmë të gjitha objektet janë pronë e shtetit.

Hartuesit e këtij projektligji iu janë referuar një ligji të miratuar në vitin 1998 për të njëjtën çështje sipas të cilit, pas marrjes së pronave nën administrim, sindikatat nuk kanë të drejtë që të bëjnë tjetërsim të tyre deri në vitin 2020. Nëse të ardhurat që lëvrohen nga marrëdhënia sindikatë-investitor kalojnë në favor të shtetit, situata ndryshon në qoftë se vetë sindikata është debitore kundrejt një investitori. Në këtë rast shteti nuk njeh asnjë përgjegjësi për shkak se sipas relacionit shpjegues të projektligjit, sindikatat nuk kanë qenë pronare të ligjshme të këtyre pronave.

 

Nga të dhënat e ofruara nga hipoteka një pjesë e mirë e pasurisë së sindikatave janë shitur, një pjesë janë lëshuar me qira, ndërsa ka edhe prona të tjera mbi të cilat nuk është kryer asnjë veprim duke i lënë në gjendjen e fillim viteve 90-të. Për sa i përket këtyre te fundit, kryeministri Berisha deklaroi se do të jetë shteti ai që do të investojë mbi to ndërsa më pas do t'ua shesë aksionet investitorëve të interesuar. "Që në momentin që ato do të rindërtohen, shteti është i gatshëm t'i shesë aksionet" - tha ai dy ditë më parë.

 

Krahas pronave që janë nën administrimin e investitorëve, një pjesë tjetër e tyre që deri në miratimin e këtij projektligji ishin nën administrimin e sindikatave do të vihen në dispozicion të fondit për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Për identifikimin e tyre, është ngarkuar Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike. Ky proces duhet të përfundojë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij projektligji ndërsa për të gjithë procesin do të raportojë para Këshillit të Ministrave. Nga ana tjetër, brenda një afati kohor 60 ditë nga marrja e të dhënave, qeveria miraton fondin e pronave të paluajtshme të cilat vihen në dispozicion për kompensim fizik ndaj pronarëve sipas ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" dhe i ve në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave.

1 Komente

Hosana!

A do ta beje vertet, passi beri gjithe ate kokodash me sindikatat qelbesira?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).