Kali

Kali i kooperativistit B. ishte bërë një rrezik serioz jo vetëm për të mbjellat në fshatin e tij, por edhe ne fshatra përreth të kooperativës së bashkuar. “Çudi! - thoshin njerëzit. - Si ka mundësi?!„

Çuditeshin për disa arsye.

Së pari. Të zotët e kalit nuk ishin të kamur sa të mos pyesnin për gjobat që duhej të paguanin herë pas here për dëmet që bënte kali në pronat e kooperativës. As për rrezikun që vinte nga të lënët “hazat„: nga bishat natën apo nga njerëzit, të cilët mund ta vrisnin në inat e sipër për dëmet që u shkaktonte.

Së dyti, mendonin njerëzit, të zotët e kalit nuk dalloheshin për njerëz beribatë e të papërgjegjshëm, sa të mos reagonin për sjelljen e pahijshme të kalit të tyre të llastuar dha çamarok.

Së treti, të zotët e kalit, nuk njiheshin për aq trima, sa të mos pyesnin për grindjet në të cilat i fuste kali i tyre me dëmet që bënte.

Eshtë e vërtetë që kishin patur “mbështetje„ dikur, kur kishte qenë kryetar një kushëri nga ana e nënës. Mirëpo e keqja vazhdoi edhe kur kryetari i kooperativës u ndryshua dhe në vend të tij u vu një tjetër me të cilin të zotët e kalit kishin patur probleme pikërisht për shkak të kalit.

Shumë herë ishte bërë problem në organizatat e masave në këshillin popullor, në organizatën bazë të partisë dhe në kryesinë e kooperativës. Në organizatën e rinisë i kërkohej llogari vajzës që ishte nxënëse në shkollën e mesme bujqësore. Tre djemve u kërkohej llogari në organizatën e tyre të rinisë dhe gruas i kërkohej llogari në organizatën e gruas. Ndërsa të parit të shtëpisë i kërkohej  llogari në këshillin popullor dhe kryesinë e kooperativës.

Por ndërsa fëmijët dhe gruaja kritikoheshin herë pas here në organizatat e tyre përkatëse, kryefamiljari thirrej në këshillin popullor vetëm një herë; sa herë që vinte ndonjë kuadër i ri në kooperativë (sekretar byroje a kryetar kooperative) dhe nuk e njihte problemin. Vetëm një herë dhe fitonte “imunitetin„.

Ja ç'u thoshte ai:

-Unë rrjedh nga një familje e varfër fshatare. Në kohë të Luftës kemi strehuar partizanët. Familja ime para çlirimit ka jetuar në mjerim. Kjo parti dhe ky pushtet e nxorri familjen tonë nga varfëria në dritë. E ku bëhej fjalë në të kaluarën e hidhur që familja ime të mbante kalë? Por ja erdhi ditë e bardhë dhe për familjen time. Këtë ditë e solli Partia dhe Pushteti Popullor.

-Po ç'hyn kali në këtë mes? - i thoshin.

-Hyn. Si s'hyn, - u përgjigjej ai. - Fisi ynë, për shkak të varfërisë, e kishte vështirë të gjente nuse për djemtë. Ky koncept borgjezo-revizionist vazhdon edhe sot. Shikoni djemtë e mi. Më kanë mbetur pa martuar. Nga kali do të marrin vesh që ne jemi bërë të kamur.

Mirëpo heroizmat e kalit vazhdonin dhe djemtë e të zotit s'po fejoheshin. Një sekretar i Komitetit të Partisë të Rrethit, që i kishte rastisur të njihej me problemin, kishte bërë një sugjerim origjinal:

-Ti, i tha sekretarit të byrosë, - do të gjesh një nuse për djalin e madh. Ti, - i tha kryetarit të kooperativës, do të gjesh një nuse për djalin e dytë. Dhe ti, - i tha kryetarit të këshillit të bashkuar, - do të gjesh një nuse për djalin e tretë. Punoni “kokë më kokë„ me njerëzit!

I pari që e realizoi detyrën ishte sekretari i byrosë, i cili punoi “kokë më kokë„ me një kandidate partie. Kryetari i kooperativës punoi “kokë më kokë„ me nje brigadiere. Kryetari i këshillit të bashkuar nuk arriti ta realizonte detyrën. (Ai nuk dallohej për fjalë bindëse në punën “kokë më kokë„.)

E vërteta është se djemtë i kishin gjetur vetë nuset e tyre të ardhshme. Por kjo s'kishte shumë rëndësi. Pozita e kalit ishte tronditur seriozisht. Ndonëse djali i vogël ishte akoma zog i lirë, pa nuse.

Disa herë kryeveqili kishte zbritur në qytet për ta shitur por ishte kthyer prapë me të. Herën e tretë, që ishte edhe e fundit, e shoqja e kishte pyetur:

-Prapë nuk e shite?

-Po unë me ç'farë do kthehesha nga qyteti? - i kishte thënë.

Nuk i ishte zbrazur mendja që shtëpia s'mund të bënte pa kalë. Vetëm se, këtej e tutje, pa “heroizma„, si ato të deritanishme.

 

(C) A. Kozmai

-----------------------

Foto: http://travel.webshots.com/photo/2194758550095256518gCJohD

9 Komente

Way to go Hurbi, tjeter here me djale smiley

Hurbi, sorry!

Nabokovi do thoshte: c'perdorim brutal i fjales dhe fjalise!!

 Po ta kthesh kete tregimin mbrapsh se nuk te pelqeu, a te kthen njeri mbrapsh kohen e humbur?

Vetem nga ky komenti i lexova, dhe jam plotesisht dakort me ty. smiley

po, por duhet te shkosh tek Djalli se ai eshte llogaritari i kohes se humbur.

Kam pershtypjen se nuk e ke mbaruar fakultetin e kafshologjise i nderuar twintip. Kjo te ka shtyre qe te biesh nje tregim te papertypur mire , pasi nuk i njeh Kuajt megjithse rralle kam ndigjuar te quhen Kozmej ose Andrju ! smiley

Kali nuk shpjegohet se cfare eshte ( kale shale , kale ngarkese apo kale karroce ) . Nje kal nuk mund te beje te pasur nje familje. Se fundi por jo e fundit : Kal privat ne kooperative nuk ka patur. Ekzistonte vetem nje i tille ne te gjithe rrethin e Elbasanit , ne Katund te Ri . Per kete kam deshmitare dhe Bedrijen smiley . Ndoshta treguesi ka njohur kuaj te tjere nga rrethe te tjera . Ketu nuk heq kontra por duhet specifikuar rrethi i kalit.

O Idris verejtja jote u shenua, mund te fusesh llapen brenda tani.

Ne fakt kuajt ne ate kohe perdoreshin si simbol alegorik,epitet apo metafore ..Thua te perdorej edhe si simbol i genjeshtert pasurie e begatie aq sa mund te te siguronte edhe nuse?! Bah!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).