Java e shërbimit Mozilla

 

Pjesëmarrësit dhe vizitorët e PPU-së janë pa dyshim persona të familjarizuar jo pak me Internetin. Nga ana tjetër, prania e tyre dëshmon dëshirën për t'i parë e bërë gjërat më mirë se ç'janë. Këto mund ta bënin bashkësinë e PPU-së të afër me Javën e Shërbimit Mozilla.

 

 

Mozilla është një bashkësi globale vullnetarësh, përkushtuar bërjes së Internetit më të mirë, me një të kaluar të lavdërueshme në veprimtarinë e vet në këtë fushë, krijuese e disa prej programeve më të sukseshme me burim të hapur, me mijërat e personave të përfshirë në përmirësimin e web-it, e që punon pandërprerë për përhapjen dhe vënien në jetë në fushën e Internetit të ideve të transparencës, të qenët krijues, pjesëmarrjes dhe kontrollit të përbashkët.

Java e Shërbimit Mozilla organizohet për t'i dhënë një shtysë gjithë kësaj, edhe te përdoruesit e thjeshtë e në nevojë për pak ndihmë teknike, si një fushatë për afrimin e individëve, apo organizmave të afta për të ndihmuar, me të tjerë të tillë, në nevojë në fushën e Internetit. Fushata është menduar si një veprimtari njëjavore, gjatë së cilës individë të ndryshëm mund të dalin vullnetarë dhe, duke përdorur Web-in, të bëjnë diçka të re, për ta bërë bashkësinë e tyre më të mirë. Shtysa për Javën e Shërbimit Mozilla vjen nga bindja se Internetin duhet të dijë ta përdorë cilido, të ketë mundësi të hyjë lehtë në të, dhe të gëzojë punim të kënaqshëm ndërkohë që gjendet online. Duke përdorur bujarinë dhe talentet e bashkësisë Mozilla për shkrim, skicim grafik, programim, zhvillim faqesh Interneti, dije të përgjithshme teknike dhe dije rreth Internetit, Web-i mund të bëhet një vend më i mirë dhe më i dobishëm për këdo.

Mozilla synon të nxisë sa më shumë persona që të jetë e mundur të dhurojnë kohë dhe energji nga e tyrja gjatë Javës së Shërbimit Mozilla. Po qe se dëshironi të punoni për të mirën e bashkësisë suaj vendore, mos ngurroni. Përdorimi i Internetit ua bën më të mirë jetën njerëzve, në gjëra të mëdha, por edhe në ato të vocklat. Nuk ka pse të dini të programoni apo të hartoni programe: mund t'u hyni në punë njerëzve përmes plot aftësish të tjera. Për shembull, mund t'i tregoni dikujt se si të përdorë Skype-in, se si të kryejë blerje online, se si të regjistrohet për një llogari poste webmail, ose se si të marrë email-e në celular. Rrugë për vullnetarizëm ka plot. Këto gjëra mund të duken të vogla, por mund të sjellin një ndryshim të madh në botën online të dikujt.

Mendimet dhe këshillat tuaja mund t'i jepni edhe te blogu i hartuar për këtë rast.

 

12 Komente

po ti thush te perdori chrome a lejohet smiley

Sigurisht! JSHM-ja nuk organizohet thjesht e vetëm për produktet e Mozilla-s. Dhe as vetëm për punë programesh. Synimi është tërheqja e njerëzve në veprime konkrete.

Nuk kam ç'të shtoj për cilësinë e Operas si program. A bëjmë dot gjë që Opera të njihet më tepër te përdoruesit? A mund të krijohet një bashkësi përdoruesish që provojnë përkthimin në Shqip të Operas, për ta përmirësuar? Për gjëra të tilla, dhe të tjera, është fjala.

opera nuk eshte opensource, e nuk ja vlen

ti nuk mund te dish se cfare ka te fshehur nen kodin e operas, mbase ka edhe nje troian qe te kontrollon kompiuterin ne distance...

firefox dhe chrome jane open, dhe kodi i tyre kontrollohet nga komuniteti per te verifukuar qe te mos kete asnje rresht qe ben gjera te panevojshme...

Mirë e ke që e merr nismën B, por vullnetarizmi është tepër elitar për ne shqiptarët smiley Të kishim ndonjë javë grindjesh po!

Jemi pak më të mefshtë se të tjerët në këtë fushë, dori, për arsye të stërthëna. Por as gjermanët, as frëngjt, e as italianët,  deri në këtë çast që po përgjigjem, nuk kanë të afishuar asnjë nismë apo shembull të lidhur me JSHM-në. Nuk jemi ne më të këqijtë. Më nevojtarët po. Por do të kalojë edhe kjo. Që të kalojmë gjendjen kritike në të cilën ndodhemi, vullnetarizmi veçse na ndihmon.   
 

Opera shkarkon torrente pa qene nevoja te shkarkosh programin??? Si eshte e mundur?

Kurse per te tjerat deri tani mozilla eshte ajo qe une perdor kurse explorer te shkakton probleme her pas here.

Ka nje klient torrenti brenda por nje gje te tille mund ta besh edhe ne firfox me ekstensione te ndryshme...

Nese opera nuk behet open eshte e destinuar te vdese, pasi ska merkaten e microsoft qe te mbijetoje...

Opera eshte lider vetem ne mobile, por edhe ajo do ndryshoje, pasi sisteme si htc (andoid me chrome) , nokia (mamemo me teknologji mozilla), iphone(maxos me safari) po dergojne ne pension celularet aktuale..

dori,

Si shumë koncepte të tjera, të domosdoshëm për një bashkësi, edhe ai i vullnetarizmit është shkallmuar pa të drejtë. Ca nga shformimi i thelbit të tij dje (fushata të shumëllojta të detyrueshme), e ca nga individualizmi i skajshëm sot. Megjithatë kjo nuk e bën të padobishëm. Mjaft të kujtojmë që Peshku vetë funksionon mbi një platformë (drupal.org/) të krijuar dhe mirëmbajtur nga një bashkësi vullnetarësh...

Ose, ç'të keqe ka nëse një peshk, (muzikant në profesion), do të dilte vullnetar për krijimin e një liste Youtube interpretimesh nga kitaristë të tjerë nga ata që përmenden te Peshku, laj-thaj, sa herë që bëhet pyetja "Kush është kitaristi më i mirë në botë?" (Mora kitarën si shembull, se për të qe pyetur te Peshku dikur...)

Ose, pse duhet t'i vijë turp dikujt të nisë një fushatë për të krijuar një faqe internet për Petro Rucin apo Arben Mingën, apo Kujtim Majacin, apo shumë futbollistë të tjerë, nga ata që nuk rrojnë më e nga ata që janë gjallë.

A nuk është për të ardhur keq që konferencën e parë për softet e lira dhe me burim të hapur në Kosovë e organizoi një shtetas jo shqiptar, krejtësisht në baza vullnetarizmi? E që në Shqipëri një e tillë nuk dihet se kur do ta shohë dritën e diellit? Apo që edhe shpalosja e shembujve të tillë të vullnetarizmit na rëndet, lere më pjesëmarrja në to?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).