Inkurajimi i pavetëdijshëm i Berishës për Edi Ramën

Kryeministri Berisha paralajmëroi dje një ftohje të pritshme të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, për shkak të asaj që ai e quan si objektiv personal politik të Edi Ramës pas zgjedhjeve problematike të 28 qershorit. Në një akt të paprecedent politik, kryeministri i vendit doli dje para medieve për të komentuar zhvillimet e kongresit të partisë së opozitës, ndërkohë që vetë ka prodhuar prej vitesh një model antidemokratik dhe madje fyes për çdo rregull sado banal që mund të vendoset në jetën politike.

Por nga gjithë çfarë mund të lexoje mes fjalëve, shpesh të pavetëdijshme, ndjehej qartë një lloj alarmi që vinte nga ftohja e mundshme e Brukselit me Tiranën pas formimit të qeverisë. Aksioni politik i paralajmëruar nga opozita, i cili duket se po fokusohet tek hetimi i procesit zgjedhor dhe sidomos materialeve zgjedhore të disa qarqeve problematike që kanë bërë diferencën, si dhe hetimi parlamentar për lirimin e të burgosurve që u përdorën si skifterë për zgjedhjet, ngjalli me sa duket alarm te kryeministri, i cili e di se ç’del pas kësaj historie. Për këtë arsye reagimi i djeshëm i Sali Berishës është dhe inkurajimi më i madh që i është bërë ndonjëherë opozitës për të vazhduar në këtë rrugë.

Për ta bërë sa më dramatik efektin e aksionit opozitar, Berisha theksoi se qëllimi i këtij aksioni të Edi Ramës është “të bllokojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve”!!!

Koshienca për atë që ka bërë dhe për atë që e pret nga një shkuarje deri në fund e ndriçimit të skutave ku krimi u përdor kundër lirisë themelore të shqiptarëve për të votuar, duket se e detyron të thotë fjali të tilla banale. Por në të vërtetë nuk janë banale. Nëse ndriçohet kjo histori, nëse shpjegohet publikisht pse kriminelë që kanë vjedhur, vrarë dhe trafikuar drogë, ishin të lirë më 28 qershor, nëse shikohet se si në Kukës, Paskuqan apo Shkodër një njeri ka votuar për 20 vetë, atëherë bllokimi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve mund të ndodhë vërtet. Dhe në këtë pikë Sali Berisha nuk bën shaka. Ai thjesht gënjen për përgjegjësinë e vërtetë të kësaj pasoje, që është ai vetë dhe jo lideri i opozitës.

Sali Berisha dje na paralajmëroi se ne qytetarët shqiptarë do mbeteshim brenda kufijve pa viza, pa të ardhme evropiane, pa aplikim për anëtarësim në BE… etj., etj., pasi opozita po kushtëzonte hyrjen në Kuvend, dhe sidomos po e akuzonte Berishën si aleat të botës së krimit në vend. Ky qëndrim fyen mes të tjerash dhe institucionet evropiane, Bashkimin Evropian dhe ata që merren me dosjen e Shqipërisë, pasi i konsideron ata jorealistë dhe joseriozë, dhe sidomos të manipulueshëm nga opozita.

Nëse Sali Berisha ka bërë proces transparent zgjedhor, siç pretendon, nëse ai nuk ka liruar të burgosur, siç pretendon, nëse ai është i vendosur t’i çojë para drejtësisë ministrat hajdutë si Lulzim Basha apo përgjegjës masakrash si Fatmir Mediu, nëse ai ka fuqi të tërheqë emërimet e djalit apo vajzës së tij, që kanë themeluar një shtet të ri hajdutësh tribalë, nëse ai nuk bën presion mbi mediet dhe kundërshtarët e tij politikë në biznes, atëherë ai s’ka pse i trembet aksionit opozitar kundër tij. Nëse Edi Rama nuk ka të vërtetën me vete, ai do të ngelet i vetëm dhe Berisha do të ketë mbështetjen e shqiptarëve dhe të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye ai nuk ka përse trembet nga aksioni i paralajmëruar i opozitës. Problemi është se ai e nisi dje konferencën për shtyp pikërisht nga ajo çfarë mund të pësojë ai dhe qeveria e tij nga bllokimi i liberalizimit të vizave, nga izolimi ndërkombëtar dhe të gjitha këto ia dedikoi aksionit opozitar të lajmëruar nga Edi Rama. Unë nuk di ndonjë mënyrë më të mirë për të inkurajuar një opozitë për t’u hedhur në sulm, nëse nga koshienca jote e inkriminuar i tregon shoqërisë fatin tënd të keq nga ky aksion opozitar.

4 Komente

dakort, por pse thu  "i pavetedijshem"  ??

Dikur, E. Hoxha i drejtohej popullit te tij privat me fjalet se "ne edhe bar do te hame, por parimet marksiste - Leniniste nuk i shesim". Sot mbas mese 30 vitesh, E.Hoxha i riu paralajmeron popullin te vet se "ne pa dale jashte shtetit do te mbetemi, por legjitimitetin e zgjedhjeve nuk e diskutojme jo vetem me opoziten, por edhe me nderkombetaret.

Sic duket kafsha e ka marre mesh, ose e ka ndjere qe raporti i nderkombetareve per zgjedhjet e Qershorit do te jete mjaft kritike dhe kerkon qe kete gje tia faturoje Edi Rames.

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Stuart Jones deklaroi sot se mirëpret bashkëpunimin me qeverinë e re të kryeministrit Berisha si dhe siguroi për mbështetjen e SHBA-së në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian. Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, gjatë punimeve të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha zhvilloi një takim edhe me Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Stuart Jones. Ministri i Basha bëri një ekspoze të zhvillimeve para dhe pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri. Ata biseduan edhe për bashkëpunimin e deritanishëm dhe perspektivën e mëtejshme të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA si dhe për zhvillimet rajonale. Përgëzime për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri si dhe për fitoren e tyre nga Partia Demokratike, ministri Basha mori dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, z. Marc Perrin de Brichambaut.

luli vocer ne tur boteror...

byrek byrek o usta murat...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).