Humbi Glover, fitoi Grosruk

E njëjta gjuhë, të njëjtat konkluzione. Si në 1992, si në 2001, 2005, 2007 apo dikur tjetër në trajektoren e çuditshme kohore të demokracisë shqiptare. Bashkësia ndërkombëtare e dha më në fund notën e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, me gojën e ODIHR-it. E bëri duke i dalë në krah, ashtu si në të gjitha rastet e mësipërme, atyre që kanë fituar zgjedhjet. Një ide komode adoptimi me situatën, e cila fiton mbi tendencën e evidentimit dhe të theksimit të anëve të errëta të procesit elektoral. Raporti i sapo publikuar na tregoi edhe një herë, në rast se e kishim harruar, se Shqipëria dhe shqiptarët janë të destinuar të shihen në Perëndim si një popull dhe si një zonë gjeografike ku ideja e stabilitetit do t’i lerë edhe për shumë kohë mënjanë standardet dhe kërkesat që vendet demokratike kanë për administrimin e votës.

Këto zgjedhje s’kanë qenë si të tjerat nga pikëpamja aritmetike. ODIHR bën sikur s’e kupton këtë, duke servirur në raportin e tij të njëjtin metër gjykimi shabllon dhe thellësisht skematik, edhe në kushte tejet specifike, kur palët i ndanë veçse një grusht votash. Është thënë dhe stërthënë këto muaj të nxehtë, se rezultati i 28 qershorit ishte unik dhe i papërsëritshëm në llojin e tij. Kur mes bllokut opozitar dhe atij qeveritar vendoset shenja e barazimit numerik (70 mandate secila pal&eumlsmiley, sa dhe si kanë influencuar problemet dhe defektet që nënvizon raporti, për ta anuar gjilpërën e peshores (dhe të pushtetit) nga njëra anë tek tjetra?! Kjo duket pyetja delikate, të cilën raporti nuk e merr parasysh, duke u fshehur pas fotografimit formal dhe teknik të procesit zgjedhor.

Raporti final i zgjedhjeve na thotë se këto votime ishin më të mira se të mëparshmet. Një përcaktim i nënkuptuar qysh në krye të herës. Në një pikëpamje të përgjithshme, e cila lidhet me linjat e mëdha të organizimit dhe mbajtjes së një procesi zgjedhor, këto zgjedhje s’mund të ishin veçse më të mira se ato të mëparshmet. Mjafton të shohësh që u adoptua regjistri kombëtar i zgjedhësve dhe që votuesit u pajisën me letërnjoftime elektronike, për të kuptuar se procesi ishte qysh në fillim i destinuar për t’i tejkaluar standardet e zgjedhjeve të mëparshme, që bazoheshin mbi sistemin e dështuar të certifikatave. Në këtë aspekt, të krahasosh këto zgjedhje me ato paraardhëset, është njëlloj si të krahasosh trenat me avull, me linjat e shpejtësive të mëdha.

Çështja e vërtetë që fshihet pas këtij kapërcimi real pozitiv, është të shihet se a krijoi një qeverisje legjitime votimi në kushtet e reja? A i shmangu ai pretendimet për blerje, vjedhje dhe manipulim të votës? A janë shifrat që na dhanë këto zgjedhje fryti real i vullnetit të shqiptarëve? Në këtë pikë problemi merr formën e një rrethi vicioz, pasi akuzat e opozitës (të djathtë dhe të majt&eumlsmiley ndaj qeverisë, konsistonin në faktin se vetë ndryshimet pozitive që u kryen në infrastrukturën zgjedhore në muajt e fundit, u përdorën nga PD dhe Berisha për të manipuluar nën rrogoz rezultatin. Mjafton të kujtohen rastet e shtetasve që shkonin për të votuar dhe që mësonin se kishin votuar një herë, ose akuzat për shpërndarje kartash identiteti jashtë sistemit.

Nëse e shohim kështu, raporti i ODIHR që marrim në dorë, është ai që ka qenë. Pra një dokument kompromisi, ku standardet vlejnë vetëm relativisht dhe ku ideja e stabilitetit me çdo kusht duket si qëllimi kryesor dhe i vetëm. Pra, më mirë më standarde të munguara, por me qeverisje stabël, sesa e kundërta. Një qëndrim i dyzuar dhe një ide e vjetër, të dyja të dëmshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Teksti i raportit që sapo ka parë dritën e publikimit, është një ushtrim perfekt ekuilibri dhe kompromisi, nga ata që dinë të bëjnë vetëm organizmat e mëdha ndërkombëtare. I gjen aty të gjitha, edhe vërejtjet për përdorimin e administratës dhe nxënësve në mitingjet e qeverisë, edhe manipulimin me inaugurimet e veprave të infrastrukturës, edhe kërcënimet për heqje nga puna, edhe faktin që kutitë e votimit nuk u rinumëruan, paçka se këtë e kërkonte Kodi Zgjedhor. Por gjen edhe përcaktime ngjyrë rozë, që të thonë se në përgjithësi punët shkuan mirë dhe se nuk u regjistruan probleme. Mjafton të shohësh dyzimin e çuditshëm që të ofron raporti, mes përcaktimit se “në 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave, procesi i numërimit u përcaktua si i keq apo shumë i keq” dhe frazës pasardhëse se “nuk pati prova për numërime të parregullta apo për manipulime”. Ky lloj baleti i vështirë dhe madje i shëmtuar është kontributi më i keq që OSBE dhe ODIHR mund të japin për vijimësinë normale të klimës politike në Shqipëri, sepse formulime të tilla ambigue dhe të mjegullta krijojnë amulli dhe kaos, më shumë sesa sjellin elemente racionale për të gjykuar për zgjedhjet e 28 qershorit. Zgjedhjet ku një e treta e votave janë numëruar “keq ose shumë keq” nuk mund të jenë as të rregullta dhe as të ndershme. Ato janë numerikisht të devijuara, pasi vetëm kështu mund të jetë një rezultat, i cili është numëruar me defekte në 33% të tij.

Nga ana tjetër, të falenderosh Ministrinë e Jashtme dhe KQZ për mikpritjen dhe ndihmën e dhënë ndaj misionit të OSBE-ODIHR është natyrisht një formulë e gatshme mirësjelljeje, që e gjen në të gjitha dokumentet e këtij lloji. Por ama ajo që ka ndodhur pikërisht me këto dy institucione të shtetit shqiptar, kur u përpoqën zyrtarisht dhe hapur që të largonin kreun e misionit vëzhgues, është diçka që nuk e gjen as në dokumentet dhe as në precedentët elektorale të OSBE. Të paktën jo në këtë pjesë të botës dhe jo në Shqipëri, qysh nga mbajtja e zgjedhjeve të para pluraliste.

Në bazë të raportit final të OSBE-ODIHR, zgjedhjet e qershorit ishin edhe të mira, edhe të këqija, edhe të numëruara keq, edhe të pamanipuluara, edhe të dominuara nga përdorimi i pushtetit qendror dhe i parasë publike, edhe të ndershme. Si të thuash për shembull, se një supë me lëng mishi është shumë e mirë, edhe pse i ke hedhur brenda një lugë vajguri. Duke i hedhur një sy tekstit të raportit, nuk mund të mos vëresh se në luftën e padukshme mes atyre që kanë pasur (dhe ndoshta kanë sërish) rezerva mbi sinqeritetin dhe transparencën e kryeministrit aktual, dhe atyre që këtë të fundit e konsiderojnë si një mik që duhet ndihmuar dhe mbështetur me çdo mjet, fituan këta të dytët. Si të thuash se në hartimin e faturës finale të zgjedhjeve shqiptare humbi Glover, britanikja që Berisha deshi ta përzinte dhe fitoi Grosruk, babaxhani austriak që ende mendon, ndër të tjera, se votimet e vitit 1996 ishin perfekt.

 

9 Komente

C'jane keto pacavure o Skendo!

ODHIR eshte nje organizate qe dihet qe anon majtas,por keto votime ishin aq te mira sa qe ata nuk kishin cte thoshin.Harruat ODHIR ne 1996 kur nuk e permendte fare bojkotin e papergjegjshem te opozites?Po ne 1997 kur pozonte me Zan Caushin?Po ne 2001 kur tha qe zgjedhjet 6 javeshe ishin perfekte?Ju ka mbajtur ODHIR me te mire sa here qe ju ka dashur qefi,por tani qe po e shihni qe humbet dhe ai miku yt duhet te jepte doreheqjen nga Partia (se ashtu ishte zotuar) na e nxirrni ODHIR te djathte!!!

Por kur zgjedhjet dhe numurimet behen para kamerave nje per nje cdo vote, kur procesverbalet firmosen nga te gjithe komisionere te majte dhe te djathte,kur rezultati final votohet unanimisht 7-0 nga te majte dhe te djathte,atehere edhe ODHIR qe eshte i shquar per tendenca te majta nuk mund tju mbroje dot!

Mjaft me kete mbrojte qesharake qe po i beni kryetarit tuaj te mjere, se me keq eshte!

ODHIR eshte nje organizate qe dihet qe anon majtas...

Si e llogarit ti kete Soli, duke e imagjinu ODHIR-in perballe apo perbri vetes?

Ka shprese ka 5*!

Te falenderoj per kurajon zoteri.. In plain english:  Whitewash Report!!!

A disgrace!

TE HAPEN KUTITE :

Do dalë nje karrike me shume per PS ne Berat, e nje tjeter ne Shkoder

Ne Tirane, Meta do ta humbe mandatin (nuk ka fituar, ja kane dhene me hilé komisioneret e PS, ne ujdi me te PD-se).

Per kaq behet qameti ??  smiley

Kot me te pyet, po ti nga e di?

Hajde mbase del nje mandat tjeter i PS ne Berat, po ne Shkoder eshte shume me afer PD per mandat tjeter ndersa PS mijera vota mbrapa!

Po Meta me cfare llogjike e paska vjedh mandatin, duke dit qe ai as komisioner nuk kishte???

Akoma nuk e kuptoni qe e gjitha kjo loje eshte. As PS nuk do me i hap kutite, se maksimumi del qe komisioneret e te dyja partive i kane ndare votat e te voglave. Ne cdo komision ka pas 3-4 komisioner vetem te partive te medha, se si mund te vidheshin votat sy me sy akoma asnje nuk e shpjegon. Vetem me qene Sala vllai i Lupenit t'i vjedhe votat pa e pa njeri fare.

Edi e perdor kete vetem per te mbajtur karrigen e per ti thene bazes 'shifni si po luftoj une' ndersa Sala eshte i kenaqur qe LSI i ka dhene vetem 3 poste e jo 4-5 sic do i jepte nqs del ndonje mandat tjeter i saj apo i ndonje partie te vogel tjeter qe mund te kishte ndonje deputet.

SHBA: Vota përfaqëson vullnetin e shqiptarëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmojnë qëndrimin e tyre pozitiv ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Pas Ambasadës Amerikane në Tiranë, është misioni i SHBA-së në OSBE, i cili përmes një deklarate për shtyp vlerëson procesin e fundit elektoral. “Shtetet e Bashkuara përshëndesin qytetarët dhe Qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009. Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim dhe për zhvillimin paqësor dhe me rregull të zgjedhjeve. REZULTATI I VOTES PERFAQESON QARTE VULLNETIN E POPULLIT SHQIPTAR”, thuhet në deklaratën e misionit të SHBA-së në OSBE. Duke iu referuar raportit përfundimtar për zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, misioni amerikan bëri të ditur se zgjedhjet, ndërkohë që nuk shfrytëzuan potencialin e plotë të Shqipërisë, megjithatë arritën shumicën e angazhimeve të OSBE-së dhe demonstruan përmirësime thelbësore në procesin e regjistrimit të zgjedhësve, kornizën ligjore, në votim, numërim e votave dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore. “Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë të besueshme në zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit 2008, patën vlerë në reformimin e procesit zgjedhor. Nxjerrja e listave të zgjedhësve nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte gjithashtu një zhvillim domethënës dhe pozitiv. Gjithashtu, duhen lavdëruar përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përgatitur dhe administruar zgjedhjet me profesionalizëm dhe transparencë”, thuhet më tej në deklaratë. Përsa i përket fenomeneve negative në këto zgjedhje, misioni i SHBA vuri theksin te njëanshmëria e medias dhe politizimi i procesit të votimit dhe shkeljet gjatë fushatës elektorale, të cilat minuan besimin e publikut në këto zgjedhje. “Ne kemi besim se Qeveria dhe populli i Shqipërisë do të studiojnë me kujdes rekomandimet e gjithanshme të dhëna nga ODIHR-i në Raportin e tij Përfundimtar dhe do të promovojnë ndryshimet e nevojshme për Shqipërinë për të realizuar potencialin e saj për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike”, thuhet më tej në deklaratë.

Nuk humbi asnjoni,fitoi Shqiperia qe ai psikopati Ed Rama nuk u be kryeminister.

Berisha humbi 20% te pushtetit. meta humbi dinjitetin. (a kishte?) rama humbi. standarted humben. Shqiptaret s'bejne dot zgjedhje OSBE humbi kohen kot.

Eshte e vertete se perendimoret kenaqen apo mjaftohen me stabilitetin ne Shqiperi, si dhe duan qe situata te mos dali jasht kontrrollit. kaq u duhet per Shqiperine. Se drejton X apo Y  nuk ka shum rendesi per ta.

Artikulli, mendoj se  - eshte shum e rendesishme -  duhet te perkthehet ne gjuhet anglisht dhe frengjisht. 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).