Historia si proces revizionimi

Berndt Fischer, një prej historianëve albanologë më të njohur bashkëkohës, në një intervistë dhënë shtypit të këtushëm, i pyetur se si duhej të silleshin dijetarët me të shkuarën, është përgjigjur se çdo brez ka të drejtë ta rishkruajë historinë, sepse vetë kuptimi i së kaluarës ndryshon bashkë me ndërrimin e brezave. E tillë është nga thelbi i vet shkenca e historisë: në një proces revizionimi të përhershëm, jo vetëm për shkak të mendësive të ndryshme të brezave, jo vetëm për shkak të zellit të fitimtarëve për të ndryshuar përfytyrimin për të shkuarën dhe për ta projektuar ardhjen dhe fitoren e tyre nga thellësia e historisë, por, mbi të gjitha, sepse vetë burimet që dëshmojnë procesin historik shtohen e zgjerohen vazhdimisht.

Autori i studimit monografik "Shqipëria politike: 1912-1939", prof. Arben Puto, në të vërtetë nuk është përfaqësues i atij brezi të ri historianësh që, sipas albanologut Fischer, u ka lindur e drejta dhe përgjegjësia ta rishkruajnë historinë. Ai është një usta i urdhrit të historianëve tradicionalistë. Autor i disa studimeve me karakter monografik, për rolin e diplomacisë europiane dhe ndërkombëtare për shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së shtetit shqiptar; për përplasjen historike të parlamentarizmit, revolucionit, republikanizmit, monarkisë dhe totalitarizmit të djathtë në më pak se tri dekada histori të paraluftës në botën shqiptare, ai rikthehet në mjediset shkencore me një vepër të re, sintetizuese, e cila të kujton proverbin latin "Finis coronat opus" - t‘i vësh punës kurorë.

Me sa duket, shtendosja e historisë së kohës së re të Shqipërisë, vullnet politik e shkencor i gati dy dekadave, do të jetë edhe për ca kohë përgjegjësi e atij brezi studiuesish që ndryshimet politike në vend i gjetën profesionalisht të gatshëm, të formuar, brez të cilit i takon dhe prof. Arben Puto.

Për të njëjtën periudhë (1912-1939), autori i këtij libri, gjatë dekadës së fundme, ka drejtuar grupin e punës dhe ka bërë redaktimin shkencor të vëllimit të tretë të "Historisë së popullit shqiptar", botim i Institutit të Historisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Disa kapituj të këtij vëllimi janë hartuar prej tij. Mirëpo ky botim është një vepër kolegjiale, akademike, me konvergjencë pikëpamjesh shkencore, përgjithësisht me një disiplinë tjetër krahasimisht me "Shqipëria politike: 1912-1939", e cila është shkruar me përgjegjësi individuale, me liri akademike, me më pak kanone dhe rreptësi formale. Pikërisht ky dallim i jep veprës një vlerë shkencore të pacenueshme.

A ka ndryshuar qëndrimi i prof. Arben Putos ndaj historisë së re të Shqipërisë? Ka ndryshuar, por jo në mënyrë vullnetariste. Ka ndryshuar sepse deri para dy dekadash ishte vetë autoriteti i shtetit që vigjilonte për të sekretuar një pjesë të historisë, dhe ky faktor nuk është më. Ka ndryshuar sepse vetë historianët, në emër të një shkence atdhetare, për të mbrojtur nderin e kombit, qenë të prirur për ta paraqitur të shkuarën kryesisht në anën monumentale të saj dhe për t‘i heshtur disa të vërteta të frikshme, që kishin të bënin kryesisht me sovranitetin e kufizuar të shtetit dhe pavarësinë e kontrolluar të vendit për një kohë të gjatë dhe nga një periudhë në tjetrën. Ka ndryshuar sepse në fund të fundit vetë historia është një tinëzare e madhe, ajo është e prirur ta fshehë një pjesë të vetvetes, ta shqiptojë ndryshe nga thelbi i vet ngjarjen e ndodhur, të ndajë atë pjesë të rrjedhave të historisë që "presenta" (paraqet) nga pjesa më thelbësore e saj, që "rapresenta" (përfaqëson); të ndërkalojë prej asaj që latinët e quanin "signas" (angl. "signifier&quotsmiley tek ajo që ata e quanin "signatum" (angl. "signified&quotsmiley; të bëjë të shqiptueshëm kuptimin e fshehtë.

Ndryshimi para së gjithash vërehet në burimet e shfrytëzuara dhe të shpallura. Një pjesë e madhe e tyre, kryesisht të huaja, kanë qenë edhe më parë në vëmendjen e historianëve, por nuk mund të përdoreshin prej tyre, për shkak të vetëveçimit politik të vendit. Mirëpo historia politike e një shteti nuk mund të jetë kurrë e plotë dhe e vërtetë vetëm me burimet vendëse. Pikëpamja e tjetrit, sidomos e fqinjit, por edhe e atyre mjediseve ku rezervohej një e drejtë vendimmarrjeje për të tjerët, të vegjlit, si Shqipëria, është ajo që e verifikon dhe e certifikon një proces historik. Prof. Arben Puto është një prej atyre historianëve që, sadopak, e ka pasur mundësinë të shohë edhe nga dritarja e tjetrit, duke këshilluar drejtpërsëdrejti një pjesë të mirë të burimeve britanike, për shembull. Por vetëm tani këto burime ai mund t‘i shfrytëzojë me liri të plotë akademike. Përjashtimi i burimeve dhe pikëpamjeve të tjetrit, pavarësisht se cila mund të ishte arsyeja: qëndrimi politik apo prejardhja e autorit, thjesht djallëzimi i "armiqve të shumtë" që rrethonin nga afër dhe nga larg Shqipërinë, e pati varfëruar shumë vet kuptimin e historisë kombëtare. Njohja e gatshme që kishte prof. Arben Puto për këto burime dhe vështrime, në kushtet e një lirie tashmë të paskajuar, i ka shërbyer autorit si një epërsi në punën e vet. Duke qenë një cilësi e munguar për një kohë të gjatë, rikthimi i vullnetit shkencor për të dëgjuar tjetrin, sidomos fqinjët, mund të quhet një virtyt intelektual i këtij studimi. Duket se shkenca e historisë po shkon tashmë me vetëdije të formuar drejt bindjes se historia e Shqipërisë, megjithëse vendimet për të janë marrë diku më larg, është shkruar kryesisht në kryeqytetet e vendeve fqinjëve të drejtpërdrejtë dhe ruhet në arkivat e Athinës, Romës, Beogradit, Vjenës dhe Stambollit, arkiva që deri tani janë prekur shumë pak.

Vetë titulli i monografisë shpreh një ndryshim të rëndësishëm metodologjik. Autori merr përsipër të propozojë vetëm një histori politike të Shqipërisë shtetërore prej shpalljes së pavarësisë deri në pushtimin fashist në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai nuk tërhiqet pas vështrimeve të përgjithshme të historisë. Kjo shënjon një progres të dijes historiografike. Pas një historie politike të shtetit ndoshta do të ketë kushte dhe njerëz për të përgatitur të tjera histori tematike: të sistemit politik, të traktateve dhe akteve të tjera ndërkombëtare të caktimit të kufijve, të parlamentarizmit. Në të vërtetë vetëm kështu mund të rishkruhet historia e Shqipërisë: duke ndjekur rrugën prej së përpjesshmes tek e përgjithshmja.

Një përmirësim cilësor të një rëndësie parësore në shkencën e historisë prof. Arben Puto sjell me veprën e vet nëpërmjet një mendësie të re, që mund të quhej çmilitarizuese, sepse e shkuara e vendit nuk shihet vetëm si një varg ngjarjesh, protagonistësh e rrjedhash që konfliktin e kanë pasur modus vivendi, por edhe si një trashëgimi që ka pasur paqet e veta, vlerat e veta qytetëruese, ato të pakta lëvizje mendimi që janë dëshmuar, jetën e gjallë si përvojë njerëzore. Kjo është një sjellje e re në dije. Historiografisë shqiptare i ka munguar ai "vështrimi nga poshtë" i njeriut që nuk ka qenë as në pushtet, as në zyra e funksione të larta, por e ka jetuar si dëshmitar i padyshimtë kohën. Prof. Arben Puto, me studimin e tij "Shqipëria politike: 1912-1939", paraqet gjithashtu një hierarki tjetër të të bërit histori: jo vetëm përmes pakteve e traktateve, jo vetëm prej konferencave e konventave, jo vetëm përmes ligjeve e urdhrave, por edhe prej subjektivitetit të njeriut të pranishëm në histori, prej dobësive të pashmangshme të individit si qenie, prej gjendjeve shpirtërore e psikologjike të tyre, prej simpative dhe antipative vetjake. Pikërisht kjo e shpëton studimin nga një vështrim historicist hermeneutik, që shpesh është shpërfaqur në studimet e traditës. Popujt, ashtu si dhe individët, kanë komplekse dhe psikoza, kanë rënie e ngritje historike, kanë virtyte e dobësi. Milan pl. Å ufflay, një prej dijetarëve albanologë më të virtytshëm, shkruante në fillim të shekullit të 20-të: "Dy janë format e lëngatave të popujve: trupore dhe shpirtërore. Por shpirtëroret janë dyfishe, sepse janë të ndjenjës dhe të intelektit" ("Dvie su vrsti bolesti naroda: tjelesne (fizioložke) i duÅ¡evne… DuÅ¡evne se pako bolesti diele u dvie skupine: u bolesti cuvstva i bolesti intelektata&quotsmiley. Jashtë kësaj ligjësie nuk gjenden as shqiptarët. Në studimet albanologjike, sidomos në ato të shkollave perëndimore, gjatë shekullit të 19 dhe shekullit të 20, për shkak të romantizmit apo thjesht të ekzotikës, për shkak të zbulimit të së shkuarës së vet te shqiptarët bashkëkohës, këtyre shumë shpesh u është ledhatuar pikërisht e keqja: prapambetja u paraqitej si fisnikëri, ndarja prej rrjedhave të qytetërimit si virtyt e kalorësi, gjakmarrja dhe rendi fisnor si mbijetesë, kryemëvetësia dhe shpirti kryengritës si heroizëm. Në dekadat e para të shekullit të 20 pati madje albanologë që i propozuan Perëndimit të subvenciononte prapambetjen shqiptare dhe gjithë vendi të kthehej në një muze demografik të "nderit kalorësiak". Mjaft studime historiografike vendëse të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar fatkeqësisht nuk arritën të dilnin jashtë këtij kurthi. Studimi i prof. Arben Putos i ndahet kësaj tradite, duke e refuzuar monumentalizmin fals dhe duke mos ngurruar të shqiptojë dobësitë individuale e kolektive të shqiptarëve, të cilëve për një kohë të gjatë, pjesa e hidhur e së vërtetës thjesht u perifrazohej ose nuk u thuhej fare: prej protokolleve që vendosën fatin e kufijve të gjymtë të Shqipërisë, disa prej të cilëve nuk janë botuar ende të plotë; tek aktet ndërkombëtare që e përcaktonin shtetin shqiptar gati si nënshtet, te paktet vetëndëshkuese të nënshkruara me korrespondencë, deri te përjashtimi prej nismave rajonale dhe izolimi ndërkombëtar i monarkisë shqiptare proitaliane.

Libri i prof. Arben Putos "Shqipëria politike: 1912-1939" ka rihapur shkencërisht diskutimin për rinjohjen në tërësi e në detaje të së shkuarës, duke pasur si besojmë ("credo&quotsmiley të vërtetën, të vërtetën që duhet shqiptuar ashtu si ka ndodhur, nëse nuk duam të mbetemi robër të një historie "me sikur", si do ta dëshironim dhe jo si ka ndodhur, në emër të "erzit kombëtar" apo të druajtjes së keqpërdorimit të fakteve prej shkencës së tjetrit. Në këtë kuptim libri i prof. Arben Putos shpreh dhe një ndërgjegje intelektuale të re, ndërgjegjen kritike e vetëkritike, vetëdijen se të këqijat e historisë nuk mund të shpjegohen mjaftueshmërisht duke iu referuar antagonizmit me fqinjët dhe lakmive territoriale të tyre, tradhtarëve të brendshëm, grupeve e klasave reaksionare apo të shitura; sepse këto të këqija shpesh herë janë prurje të turbullta të vetë shpirtit dhe mendjes së një populli, i cili, ashtu si përparon, ndonjëherë edhe gabon kolektivisht dhe ka nevojë të njohë vetveten për të shkuar përpara, nëse përparimi është tendosja historike e tij.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).