Greqia në zgjedhje të parakohshme

Kryeministri grek Kostas Karamanlis ka deklaruar të mërkurën në mbrëmje shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, duke e arsyetuar vendimin e tij me nevojat për përballimin e krizës ekonomike.
 

Dy vjet pas zgjedhjeve të parakohshme të shtatorit 2007, grekët po përgatiten përsëri që t'u drejtohen kutive të votimit.

Kur Kryeministri Kostas Karamanlis iu drejtua qytetarëve me një mesazh televiziv, pakkush ishte kurreshtar mbi përmbajtjen e tij.

Përmbajtja ishte marrë vesh që në mesditë dhe kryeministri vetëm sa e arsyetoi shkurt, vendimin e tij për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

"Kërkoj një mandat të freskët popullor. Në mënyrë që me programin konkret që do të paraqes, të përballojmë pasojat e krizës ndërkombëtare, duke krijuar në të njëjtën kohë baza të forta për ekonominë, që do të garantojnë një progres afatgjatë për vendin tonë", tha zoti Karamalis.

Në fillim të mesazhit të tij, kryeministri grek pohoi se vendi ndodhet, siç tha, në një udhëkryq kritik.

Pasojat e krizës ekonomike janë të qarta dhe e vërteta është se kemi përpara dy vite të vështirë, tha kryeministri.

Por më shumë se krizës ekonomike, kryeministri ia atribuoi qëndrimit të partisë më të madhe opozitare, PASOK, vendimin për të kaluar në zgjedhje të parakohshme.

Ai tha se parakusht për realizimin e reformave që do të nxirrnin vendin nga kriza, ishte ekzistenca e një klime të mirë politike.

"Por kjo klimë nuk ekziston, sepse lideri i opozitës ka deklaruar në mënyrë tëpërsëritur se do të provokojë zgjedhje të parakohshme pas disa muajsh, me shkas zgjedhjen e presidentit të republikës", tha kyeministri dhe shtoi.

"Vendi nuk duron, posaçërisht në rrethanat e sotme, një fushatë parazgjedhore deri në muajin shkurt. Dhe sidomos me një opozitë që për fat të keq bën politikë me mungesë përgjegjësie dhe populizëm", tha kryeministri.

Ai ia kaluar pasën liderit të opozitës, Jorgos Papandreu, i cili u paraqit dhe ai nga selia e partisë, menjëherë pas mesazhit të kryeministrit.

"Sot, nuk ballafaqohen thjesht partitë, por dy politika dhe alternativa diametralisht të kundërta. Një alternativë neoliberale, me administrim klientelist dhe pa tansparencë të vendit, që na solli në krizën e tanishme tragjike dhe zgjidhja progresiste e PASOK-ut, për një ecje tjetër të vendit, të bazuar në vlerat dhe parimet e së drejtës", tha zoti Papandreu.

Ende pa u shpallur data e zgjedhjve, fushata elektorale filloi ndërkaq të mërkurën në mbrëmje nga dy liderët.

Demokracia e Re e Kostas Karamanlis erdhi në pushtet në mars të vitit 2004, duke dërguar në opozitë socialistët që kishin qeverisur për njëmbëdhjetë vite rresht.

Në shtator 2007, Karamanlis shpalli zgjedhje të parakohshme, që i fitoi me një maxhorancë shumë të brishtë, ndërkohë që gjatë qeverisjes se dytë dolën në dritë shumë skandale ku ishin implikuar ministra dhe deputetë të partisë në pushtet.

Muaj pas muaji popullariteti i konservatorëve ra në mënyrë të ndjeshme dhe tani, rreth një muaj para zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme sondazhet rezultojnë me një avantazh më shumë se 6 pikë në favor të PASOK-ut opozitar.

3 Komente

Eh, prape ne pushtet do jete nje shqiptar qe do vazhdoje te kerkoje Vorio Epirin dhe qe do coje ksenofobine e nje populli agorafobik ne nivele te reja.

Shqiptar?

po, si puna e ketij kellires qe po iken.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).