Gjykatës nga BE për dënimin e shqiptarëve në Maqedoni

Së shpejti përfaqësues të Gjykatës së Strasburgu do të vijnë në Maqedoni. Në mesin e tyre është edhe një vajzë me origjinë shqiptare. Ata më kanë njoftuar se do të kërkojnë të dhëna, fakte, dhe informacione shtese për rastet në fjalë, për të zbardhur të vërtetën për fatet e njerëzve që po kalben nëpër burgjet e Maqedonisë.

Lajmi bëhet i ditur nga Forumi Ndërkombëtarë për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IGFM) me seli në Frankfurt të Gjermanisë. Kjo organizatë kohë më parë i ka dërguar pranë Gjykatës së Strasburgut rastet e njohura të dënimit me qindra vite burg të shqiptarëve në Maqedoni.

“Lëndët janë pranuar nga Gjykata e Strasburgut dhe se së shpejti përfaqësues të këtij institucioni të drejtësisë do ta vizitojnë Maqedoninë, për të grumbulluar fakte dhe informacione shtesë për këto lëndë, saktësisht për Rastin e Sopotit, Brodecit, dhe Manastirit”, ka theksuar Idriz Sinani, nga përfaqësia e IGFM-së në Maqedoni.

Rasti i Brodecit dhe Sopotit janë të njohura për opinionin, ndërsa rasti i Manastirit ka të bëjë me një rast të montuar për vrasje, ku si të akuzuar dhe të dënuar me nga 12 vite burg janë vëllezërit Klenja nga Manastiri.
Kryetari i IGFM në Maqedoni, Idriz Sinani ka deklaruar për agjencinë e lajmeve INA se këtyre ditëve ka marrë një telefonat nga Strasburgu përmes së cilës është konfirmuar se kërkesa për shqyrtimin e lëndëve të lartpërmendura është pranuar, por se nevojiten informacione shtesë.

“Së shpejti përfaqësues të Gjykatës së Strasburgu do të vijnë në Maqedoni. Në mesin e tyre është edhe një vajzë me origjinë shqiptare. Ata më kanë njoftuar se do të kërkojnë të dhëna, fakte, dhe informacione shtese për rastet në fjalë, për të zbardhur të vërtetën për fatet e njerëzve që po kalben nëpër burgjet e vendit”, ka nënvizuar Idrizi.

Prania e përfaqësuesve të gjykatës ndërkombëtare do të nxjerrin fakte dhe dëshmi lidhur me këto raste, që u ndoqën me dënime të larta për shqiptarët, të akuzuar për vepra terroriste. (ina/start)


 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).