Gjirokastër, "avioni spiun" rihap debatet

Gjirokastër, "avioni spiun" rihap debatet

Një tabelë sinjalizuese hedh dyshime rreth origjinës dhe vërtetësisë së objektit muzeal

 

Prania e atij që njihet si aeroplani spiun, në mjediset e kalasë së Gjirokastrës, ka kthyer edhe një herë debatin e vjetër rreth historisë së tij dhe faktit nëse ai duhet të qëndrojë apo jo në atë vend që mbetet pika më e vizituar nga turistët dhe vizitorët vendas në qytetin e Gjirokastrës. Pak kohë më parë, është realizuar projekti i vendosjes së tabelave informuese në mjediset e brendshme të kalasë së Gjirokastrës, tabela sinjalizuese dhe informuese që ndihmojnë dhe lehtësojnë për orientimin e vizitorëve në këtë monument që është më i madhi dhe më dominuesi në ansamblin muzeal të Gjirokastrës. Në një prej tabelave të kësaj sinjalistike moderne të projektit të financuar dhe realizuar nga Fondacioni për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike (G.C.D.O), është vendosur një fjali, përmbajtja e së cilës vë në dyshim faktin historik të këtij mjeti fluturues. Deri para vendosjes së këtyre tabelave turistët dhe vizitorët që përballeshin me këtë objekt nga ciceronët e muzeut mësonin se bëhej fjalë për një "aeroplan spiun", armë trofe të kapur nga forcat ajrore të ushtrisë shqiptare gjatë Luftës së Ftohtë. Mirëpo tabela e re e vendosur së fundmi në afërsi të këtij objekti muzeal e shpreh hapur dyshimin ndaj versionit dhe motivimit të mëparshëm, pasi qysh në rreshtin e parë të informacionit të titullit të saj shkruan: "Një avion spiun amerikan?", duke hedhur hapur hijen e dyshimit mbi një fakt që deri pak kohë më parë është konsideruar dhe servirur si një e vërtetë e padiskutuar. Lidhur me këtë fakt, Raimond Kola, drejtori i Zyrës për Administrimin dhe Koordinimin e qytetit muze të Gjirokastrës, thotë: "Problemi i përcaktimit të origjinalitetit dhe historisë së këtij objekti është më pak shqetësues, se fakti që ky objekt është kthyer në një rrezik për vizitorët dhe sidomos fëmijët për shkak të degradimit fizik të tij, në pjesë të ndryshme të krahëve dhe trupit të aeroplanit. Realizuesit e projektit të sinjalistikës së kalasë, me informacionin e paraqitur kanë mbajtur një qëndrim jo fort të përcaktuar për historinë e aeroplanit, por mesa di unë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, për sa i përket këtij avioni ka dokumente dhe dëshmi të plota që japin sqarime e shpjegime të sakta". Sipas drejtores së Muzeut të Armëve në Gjirokastër, Teuta Kallajxhi, aeroplani amerikan është ekspozuar në këtë pjesë të kalasë së Gjirokastrës diku nga viti 1973 dhe shumë herë prania apo largimi i tij ka qenë objekt i debateve dhe analizave të mbledhjeve të strukturave të pushtetit vendor, por deri tani gjendja e tij nuk ka ndryshuar. "Nisur nga gjendja dhe shkalla e lartë e dëmtimit të aeroplanit, ne si Zyrë për Administrimin dhe Koordinimin e qytetit muze të Gjirokastrës nuk e kemi përfshirë aeroplanin, në listën e objekteve që duhet të vizitohen në kala. Për sa i përket autenticitetit dhe origjinalitetit të tij, kjo është punë që u përket historianëve dhe muzeologëve" thotë drejtori i kësaj zyre, Raimond Kola. Pika ku qëndron aktualisht aeroplani është shumë pranë mureve të kalasë së Gjirokastrës nga ku shpaloset një peizazh mahnitës dhe spektakolar i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve përreth. Panorama që ofron, nxit pothuajse të gjithë vizitorët dhe turistët, të hipin në krahët dhe trupin e aeroplanit për të pozuar para kamerave dhe aparateve fotografikë. Në rrjedhën e shekujve, Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman në fund të shekullit XIV u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg. Në vitet ‘30, në kala italianët ndërtuan burgun sipas kërkesës së mbretit Zog, i cili u mbyll në vitet 1960. Ndërsa regjimi komunist e shpalli monument kulture dhe burgun e kalasë e ktheu në Muze Kombëtar të Armëve.

Objekti

Bëhet fjalë për një aeroplan amerikan të tipit "Lockheed T-33", i cili qëndron prej afro 35 vjetësh pranë mureve që shohin mbi qytet, në sheshin përpara galerisë dhe burgut të kalasë. Ky objekt i vendosur aty qysh në vitet e regjimit komunist, paraqet mbetjet e një avioni amerikan mbi të cilin disa vjet me parë dallohej qartë edhe një mbishkrim "United States Air Force", dhe që sipas një eksperti shqiptar të aviacionit, ai është një "Lockheed T-33" stërvitor dyvendësh. Sipas versionit zyrtar të asaj kohe, mjeti fluturues është pjesë e Muzeut Kombëtar të Armëve, pasi aeroplani u detyrua të ulej nga dy aeroplanë ushtarakë shqiptarë MIG në Aeroportin e Rinasit, më dhjetor të vitit 1958, që në atë kohë ende nuk kishte përfunduar së ndërtuari.

Zanafilla e debatit

Debati është hapur së pari në vitin 2000, në kohën kur kryetar bashkie në Gjirokastër ka qenë Ylli Asllani, sot këshilltar i Kryeministrit Berisha. Ai paraqiti një projektvendim në këshillin e atëhershëm bashkiak për ta larguar aeroplanin nga kalaja, pasi kjo relike ishte nonsens me faktin që SHBA ishin dhe janë partnerët dhe aleatët më të afërt të shtetit shqiptar, por projekti nuk u miratua nga anëtarët e këshillit bashkiak në atë kohë.

 

 

6 Komente

Kala, 1. Shtator 2009 :

"Vetëm kutia e zezë mund të na tregojë çfarë ka ngjarë me avionin Lockheed T-33" - tregoi për agjensinë tonë të lajmeve, Hava Limani shefe e rregullim-pastrim-gjelbërim territorit në Bashkinë e Gjirokastrës. Në këtë bashki, ka rreth 35 vite që inventarizohet avioni, i cili në kohët e demokracisë është përdorur në mënyrë të paligjshme si bar-bufe nga L. M., një himariot i dyshuar edhe për kontrabandë cigaresh me filtër.

Zonja Limani tregoi se është kontaktuar edhe American Airlines, të cilët kanë shfaqur interes për rindërtimin e avionit në fjalë "me forcat e tyre" siç citohet të ketë thënë Samantha Fugees Wilkinson. "Do të bëjmë ç'është e mundur të rindërtojmë avionin nga e para. Ideja jonë është të mbulojmë transportin turistik Gjirokastër - Tomorr, gjatë kohës së pelegrinazhit të përvitshëm bektashi. Fotografitë live të gjurmës së këmbës së Abaz Aliut do të ofrohen nga fotografi i mirënjohur i lartësive Alket Hatlla, i cili do të ofrohet si pjesë e paketës turistike".

i cili në kohët e demokracisë është përdorur në mënyrë të paligjshme si bar-bufe nga L. M., një himariot i dyshuar edhe për kontrabandë cigaresh me filtër.

gjyq. permbarim. prone. sapo u kthye nga italia vajza e pronarit te fabrikes se lekureve, zotit Mark Karllashi. me kete rast po japim orarin e targetit "la vikinga". njoftoj se numuri i fundit i gazetes ka dale me gabime shtypi ngaqe kam qene i semure nga stomaku. kryeredaktori. smiley

ps. o lostT-o!

 

Histori qesharake por gjithashtu edhe nje pike e rendesishme per tu debatuar. si ka mundesi qe interpretimin historik te nje pasurie si kalaja e Gjirokastres e ben nje fondacion i pa njohur dhe jo institucioni zyrat qe eshte MInistria e Kultures?

 

ky eshte thelbi i problemit mendoj une

Eshte halli i "biografise" Auron, s'ke c'i ben smiley

per kuriozitet u interesova ne vendet fqinje  dhe pashe qe ata kane nje raport shume te rrepte me interpretimin e qendrave historike. asnje lloj fondacioni kushdo qofte mund te interpretoje nje site arkeologjik ne greqi italia  apo qofte edhe ne mal te zi. shteti nepermjet strukturave te saja interpreton qendrat historike.  vetem ne shqiperi ndodh nje gje e tille ku nje fondacion livadhis si te doje ne qendrat tona arkeologjike 

Pse nuk e tregojne ate historine e avionit amerikan? Nuk ka ndonje gje te keqe se nuk eshte ndonje problem i madh, qe dy avion shqiptare detyruan te ulet ne token shqiptare nje avion amerikan qe pa dashje kishte shkelur hapsiren ajrore,ata e quajten spiu ,por ja qe tani ai nuk eshte me spiun,eshte miku yne.

Ka ndonje gje te keqe ta thone si ka qene e verteta , apo ka qene genjeshter?

Apo e di Partia edhe kete histori me Saline ne krie!

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).