Frashëri: Nuk kërkoj apologji për shqiptarët

 "Fati i Shqipërisë", një përmbledhje me ese me autor Mid'hat Frashërin, është rezultat i një pune kërkimore, klasifikuese dhe mbi të gjitha, punë me përkthimin që Aleko Gjergo, kryetar i Shoqatës së Mendimit dhe Kulturës Kombëtare "Lumo Skëndo", ka bërë prej pas nëntëdhjetës.

Janë shkrime që botohen për herë të parë të qëmtuara nga shtypi i kohës dhe nga botime që Frashëri ka bërë jashtë kufijve të Shqipërisë në gazeta të huaja.

"Fati i Shqipërisë" që mban titullin e një eseje të shkurtër, të cilën po e botojmë më poshtë, na njeh me një personalitet politik, i cili prezantimin e botës shqiptare e bën, së pari, me një kulturë gjuhe edhe kur është në një regjistër administrativ, me një gjuhë lakonike, me densitet të mendimeve, me një stil që e imponon autorin e radhëve tek letërmarrësi apo lexuesi i tyre.

Një seri shkrimesh që janë të mbushura me dritë, të qarta, sepse autori ka një vetëdije jo të qorruar kur shkruan për bashkëpatriotët e tij, nisur nga dija, nga kultura, nga mendja e ndriçuar.

Nëse është ky nacionalizëm, atëherë Mid'hat Frashëri është një nacionalist me një ndërgjegje aspak ekspansioniste me apologjitë për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë dhe shqiptarëve, "këtij populli të lashtë".

Ai mbron çështje të kufijve, argumenton qëndrimin e fqinjëve, të ndërkombëtarëve po ashtu, përballë të cilëve është bashkëbisedues që rri në të njëjtën shkallë kur vendi i tij rri në një botë poshtë këtyre shkallëve, në gjendje aspak të favorshme.

Gjergo e quan "zëdhënës të nacionalizmit shqiptar dhe vepra tij, qoftë publicistike, qoftë politike, ka në bazë nacionalizmin. Mid'hat Frashëri fliste dhe shkruante për një Shqipëri të orientuar drejt Perëndimit".

Është gjysma e parë e shekullit të njëzetë dhe Shqipëria ishte një vend pak të thuash i prapambetur.

Frashëri kërkonte shkaqe të kësaj prapambetjeje, dhe në disa shkrime të përmbledhjes "Fati i Shqipërisë" ai hyn thellë në histori, udhëtim që i shërben për të lexuar konflikte të reja, duke shkuar drejt origjinës së tyre.

Gjergo, thotë se mënyra se si i ka shkruar Frashëri këto ese ia ka lehtësuar shumë punën me përkthimin - disa prej eseve i ka përkthyer Rafael Floqi. "Frëngjishtja e Mid'hat Frashërit është ekselence, aristokrate, e pasur, njëkohësisht e thjeshtë", - pohon Gjergo.
Përmendim esetë "Shqipëria dhe shqiptarët" botuar në Lozanë më 1918, "Shqiptarët në vendlindje dhe në mërgim", "Popullsia e Epirit" botuar më 1915-ën, "Çështja e Epirit", "Shqipëria dhe Adriatiku", "Lindja e Shqipërisë", "Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha", "Shqiptarë dhe sllavë", "Burimet e konfliktit italo-shqiptar 1912-1920". Siç shihet, temat sugjerojnë çështje të natyrës historike, të etnogjenezës dhe çështje mirëfilli politike.

Sot, shumëkush i jep të drejtë vetes të mendojë se pushteti i vërtetë i një politikani është politika e tij, se asgjë tjetër nuk mund të ketë përgjegjësitë që ka politika.

Duke lexuar Frashërin vë re dallimin: politikanët e sotëm shqiptarë e njohin kaq pak vendin ku ushtrojnë pushtetin, prandaj e drejtojnë keq atë, aq keq sa kanë bërë aksidente të rënda që e kanë gremisur këtë vend.

Jo vetëm kaq. Sot po fryhet një opinion (e proklamonte para do ditësh këtë opinion të ripërtypur në ekrane dhe skena publike si në një spektakël, një aktore e sapozgjedhur deputete) se forma më e lartë e përmbushjes së detyrës qytetare dhe e mbrojtjes së të drejtës qytetare na qenkësh politika dhe kjo nëpërmjet politikanit, duke e paraqitur gati-gati si mision të një race të bardhësh në një atdhe zezak.

Në një mbyllje të një prej eseve, Frashëri shkruan: "Akoma dhe një fjalë i dashur lexues, para se të ndahemi. Nuk kemi dashur aspak të bëjmë me këto fjalë një apologji të shqiptarëve.

Ky nuk është një lavd ditirambik për ta, por vetëm e vërteta. Është shkruar shumë pak për shqiptarët dhe mund të shkruhet më tepër. Ata vetë e kanë neglizhuar mjaft publicitetin dhe ky ka qenë një gabim i tyre."

Fati i Shqipërisë Mid'hat Frashëri

Më lejoni t'ju shkruaj disa rreshta për Shqipërinë, sepse mendoj se paqja e Ballkanit do të varet mjaft nga zgjidhja që do t'i jepet kësaj çështjeje.
Zgjidhja është fort e thjeshtë: të konfirmohen të drejtat që Fuqitë e Mëdha i kanë njohur Shqipërisë më 1913-ën në Londër.

Duke qenë se gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipëria qëndroi asnjanëse, dhe askush nuk i mohon këto të drejta ndërkombëtare, ishte e natyrshme që Konferenca e Paqes dhe Konferenca e tanishme e ambasadorëve në Paris, të njihnin një fakt të ndodhur dhe një të drejtë të fituar.

Fatkeqësisht, që prej dy vitesh e gjysmë që kjo mbledhje po merret me fatin e popujve, Shqipëria po konsiderohet si një mall tregu, si monedhë shkëmbimi, për të kapërcyer vështirësitë që Fuqitë e Mëdha po ndeshin në vende të ndryshme dhe ndërmjet tyre. Dheja tani, në vitin 1921, Konferenca e Ambasadorëve parashikon të marrë një vendim, sipas të cilit Shqipëria të ndahet e tëra ndërmjet Serbisë dhe Italisë!

Meqë copëtimi nuk mund të bëhet hapur pa shkaktuar skandal, po ndiqet një mënyrë e tërthortë: Italisë t'i njihen disa "të drejta" mbi Shqipërinë dhe, Serbisë t'i jepen disa pjesë të kësaj Shqipërie, ndonëse këto zona janë krejtësisht shqiptare dhe pika strategjike të një rëndësie të veçantë, çka do t'i shërbejë Serbisë për të terrorizuar ditë dhe natë shqiptarët.

Me fjalë të tjera, të dobësohet Shqipëria duke e gjymtuar edhe një herë tjetër, duke ia nënshtruar atë pjesërisht rrezikut serb dhe t'i jepet Italisë mundësia që të ndërhyjë në Shqipëri, ose të dy shtetet armiq (Serbia dhe Italia), të kërkojnë të rregullojnë hesapet midis tyre, duke nxjerrë telashe të mëdha.

Në rast se një projekt i tillë do të realizohet, e ardhmja e Shqipërisë do të rrezikohet së tepërmi, gjë që nuk do të kalonte pa zhvillime të ngatërruara ndërmjet vetë fqinjëve të saj (serbëve, grekëve dhe italianëve). Kështu, paqja do të kishte mjaft për të humbur dhe drejtësia asgjë për të fituar.

Për të ndrequr këto vështirësi me serbët dhe grekët, Shqipëria i është drejtuar Lidhjes së Kombeve, ku ajo është anëtare, por Fuqitë e Mëdha nuk kanë lejuar që Lidhja të merret me këtë çështje.

Ato ia kanë deleguar të drejtën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të Shqipërisë e Fqinjëve të saj në lidhje me kufijtë, vetëm Konferencës së Ambasadorëve. Për shqiptarët këto kufij ekzistojnë dhe janë të padiskutueshëm tashmë qysh nga viti 1913.

Tani, duke pritur që ambasadorët të marrin një vendim në Paris, serbët, që kanë pushtuar qysh nga viti 1918 një pjesë të mirë të Shqipërisë, e sulmojnë Shqipërinë edhe përtej vijës së kufirit të vendosur në vitin 1913, bombardojnë fshatrat dhe shkaktojnë humbje të mëdha në njerëz.

Zoti Spalajkoviç, delegat i Serbisë në Lidhjen e Kombeve, ka deklaruar më 26 shtator përpara komisionit të të Gjashtëve se ushtria serbe qëndron në Shqipëri sipas urdhrit të gjeneralit Franchet D'Espery, komandant i vjetër i ushtrisë Lindore dhe se nuk do të lëvizë që andej pa një urdhër tjetër.

Delegati i Francës, senatori Reynald nuk e ka denoncuar këtë deklaratë kaq të paturpshme.

Është e qartë se gjenerali francez nuk mund ta miratojë qëndrimin e serbëve në Shqipëri, por mbas një deklarate të bërë nga një i dërguar zyrtar, nuk ka vallë Franca detyrimin moral që të ftojë qeverinë e Beogradit për t'i larguar nga një territor i huaj i pushtuar, ku serbët vitin e shkuar kanë shkatërruar 150 fshatra?

Shqiptarët e presin këtë përpjekje, ashtu si edhe konfirmimin e të drejtave të tyre nga Fuqitë e tjera të Mëdha, sepse është në interes të paqes dhe të moralit ndërkombëtar.
Ka dy vjet që Shqipëria është bërë një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.

A nuk duhen ndihmuar ata në veprën e tyre dhe t'u lehtësohet barra, në vend që t'u nxjerrësh pengesa? Për më tepër, tani është vështirë të ndalohet kjo Shqipëri që të jetojë dhe shqiptarët shpresojnë shumë se Konferenca e Ambasadorëve nuk do të vonojë të japë verdiktin e drejtë, të bazuar në ruajtjen integrale të ekuilibrit, duke bërë që të respektohen të drejtat e Shqipërisë nga serbët, grekët dhe italianët.

4 Komente

zëdhënës të nacionalizmit shqiptar dhe vepra tij, qoftë publicistike, qoftë politike, ka në bazë nacionalizmin. Mid'hat Frashëri fliste dhe shkruante për një Shqipëri të orientuar drejt Perëndimit

Ja, vetem 2 pika duhen... per cdo drejtez!

Rruga02, FLM per prurjen!

 Në një mbyllje të një prej eseve,.......

   Vini nga nje date kur e  ka shkruar ky kete dhe postin publik qe ka patur ! Del shume me e qarte pyetja ... Perse perdor penen , kujt i shkruan ? Perse nuk perdor aksionin ??? Mbase e larteson me shume figuren e ketij Nacionalisti !

Vini nga nje date kur e  ka shkruar ky kete dhe postin publik qe ka patur

Dikur ne 1921.

Po kujt i shkru ky  ??  Nga shkru ky ?  C'fare perfaqeson ky ne ate kohe kur "ne 1920 kerciste dyfeku" ? Nga njehere merr dhe formen e  nje  "ditari " si pjestar delegacioni ne bisedime . Pastaj duket sikur ja referon Kabinetit per te marre vendimet perkatese .  E ka dite ai qe ne vijshim si "rob me pushke ne krah " " Pse ere nuk mjaftonin shkresat e I.Qemalit drejtuar Fuqive te Medha dhe Aqif Pashe Elbasanit ? 

Ne gjyshi im pas 1912 ka thone mes fshatit ... "Na shpetuan djemte nga Misiri . Me se fundi i hodhem syte nga Europi , aty ku kemi rrenjet "

Qafo falem per pergjigjen por jo vetem e pa plote por edhe e natarrume per daten !!!!!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).