Etika e suksesit

 “Wall Street Journal”

Gjenialiteti i Amerikës në fillimi të shekullit të nëntëmbëdhjetë, mendonte Tocqueville, ishte se ajo ndiqte “industrinë produktive” pa rrëshqitur në materializmin vdekjeprurës. Pas veprimit të balancuar të Amerikës, vërejti francezi pionier i mendimit shoqëror, gjenden një sërë virtytesh civile që nderonin, jo vetëm punën e madhe, por edhe suksesin, integritetin, mbështetjen në forcat e veta dhe modestinë - virtyte që u zhvilluan nga besimet e shumta, të cilat Tocqueville i quan “institucionet e para politike (të Amerikës)... morali i shkëmbimit” të demokracisë dhe tregut të lirë amerikan. Rreth 75 vjet më vonë, sociologu Max Weber i emërtoi cilësitë që vëzhgoi Tocqueville si “etika protestante” dhe i konsideroi ato si guri i themelit për një kapitalizëm të suksesshëm.

Çfarë do të mendonin për Amerikën e sotme Weber ose Tocqueville? Në vendin e suksesit ata do të gjenin një vend borxhlinjsh, që vuajnë nën peshën e kredive të marra me pretendime false. Në vendin e një akumulimi të qëndrueshëm dhe me durim të pasurisë, ata do të gjejnë bankierë dhe financierë me një perspektivë aq të shkurtër, saqë nuk marrin frymë të mendojnë pasojat ose rrezikun e shitjes së siguracioneve që nuk i kuptojnë. Në vend të një shteti ku gjithë çfarë një njeri kërkon nga qeveria është “të mos shqetësohet në punën e tij”, siç e thotë Tocqueville, ata do të gjejnë një shtet qiradhënësish që kërkojnë subvencione nga qeveria për të blerë shtëpi, për të nisur biznese të reja ose të shpëtojnë të vjetrat. Ata do të gjejnë atë që Tocqueville e përshkruan si “rrethin fatal” të materializmit - rrethi i zotërimit dhe kënaqësisë, që i çon njerëzit drejt një zotërimi më të madh dhe në fund minon demokracitë e prosperuara.

Dhe ata do t’i kuptonin shkaqet. Pas lulëzimit për tre shekuj në Amerikë, etika protestante nisi të zhbëhet, elementë kyç të saj u zhdukën nga shoqëria moderne amerikane, nga shkolla, nga biznesi, nga kultura popullore, duke na lënë me një sistem ekonomik të çliruar nga kufizimet e virtyteve civile. As Adam Smith - i cili, tek e fundit, ishte filozof moral - nuk e kishte imagjinuar kapitalizmin të vepronte në një vakuum të tillë etik. Plani për shpëtimin e kredive, skemat e reja të rregullimit dhe lëvizjet e politikave monetare nuk do të mjaftojnë për të nxitur ripërtëritjen afatgjatë dhe të shëndetshme të mundësive ekonomike amerikane pa rirespektimin e asaj që dikur njihej si etikë pune - jo vetëm punë e shumtë, por edhe grupin e virtyteve shoqëruese, rolin kyç të të cilave në zhvillimin dhe ruajtjen e tregut të lirë tani e kujtojnë shumë pak vetë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).