E shkuara, vështruar jo vetëm si një çështje muzeale

Para disa ditësh dëgjova në një stacion televiziv disa të huaj, italianë dhe anglezë, që teksa dilnin nga Muzeu Kombëtar në nuk ngurruan të bëjnë me dije se ishin ndjerë të zhgënjyer prej vizitës për shkak se aty, në Muzeun tonë Kombëtar mungonin stendat për kohën e diktaturës. “Është pjesë e historisë 50-vjeçare të një populli, pastaj ne jemi shumë kuriozë të shohim” - thanë hapur e pa drojë turistët, - se si ka pas qenë jeta, shoqëria, njeriu dhe Shqipëria në këtë periudhë”…Njëri syresh madje shkoi edhe më larg, kur shtoi se do të ishte kureshtar të shihte edhe ndonjë prej monumenteve të diktatorit…
Por, asgjë e tillë nuk ekziston më në Shqipëri. Të gjitha monumentet e diktatorit dhe simbolet e diktaturës u thyen dhe u fshinë me rrënjë e me degë, a thua se duke shkulur, thyer e përdhosur ato do të shkulej e do të çrrënjosej me rrënjë e me degë e për më tepër brenda një nate, edhe fara e komunizmit…Shenjat e asaj kohe, bashkë me huqet, statutin, cilësitë e komunistit, zakonet dhe rregullat e ngulitura për afro 40 vjet te “njeriu i ri”, tashmë janë rrafshuar jo vetëm në mendësi, po edhe në urbanistikë, në arkitekturë, nëpër rrugë, në muzera e në tekstet shkollore, në folklor e në art, në formë dhe në uniformë, bashkë me klishetë e së mirës dhe të së keqes, të atij që quhej patriotizëm dhe të asaj që quhej punë armiqësore apo vullnetare. Tani, fatmirësisht nuk ka më raport strikt mes partishmërisë dhe shqiptarisë, mes interesit të përgjithshëm dhe vetiakësisë, për të shkuar deri te standardet e modës, të moralit, të barazisë e pabarazisë, që janë në invers…Sot më shumë flitet për kodin e vdekjes se për kodin e familjes, për kodin e tradhtisë se për kodin e besës, por as kjo nuk bën më përshtypje…
Në këto fusha e mbi këto raporte, ajo që dje quhej e mirë, sot quhet e keqe dhe anasjellas. Me një shpejtësi drite njeriu shqiptar jo vetëm në pamje e në sjellje, në veshje dhe në mënyrën e jetesës, po kryesisht në mendësi e në marrëdhënien e tij me pronën. dhe sidomos me komunitetin (njëri-tjetrin) ka pësuar një transformim të paimagjinueshëm e thelbësor. Krahasuar me të gjitha vendet e Lindjes, madje edhe me fqinjët, transformimi rrënjësor në Shqipëri është total dhe ndjehet sa shkel në kufi e sapo bie në kontakt me peizazhin, me policin, a doganierin… Shqipëria është bërë vërtet tjetër Shqipëri, shqiptari është një tjetër shqiptar, natyrisht jo vetëm nga markat luksoze të makinave e nga vilat, porse e djeshmja, njëlloj si e nesërmja, janë të pafuqishme përballë nevojës së ditës për mbijetesë dhe për përfitim të atypëratyshëm, sa më të shpejtë e sa më të kollajshëm.
Prandaj, rreziku i kthimit prapa në sistemin e kaluar, tani është po aq i pamundur sa edhe instalimi i komunizmit në SHBA. Kultura e politikës së ditës ka ndikuar thekshëm e lehtësisht në kulturën e jetës së mbarë shoqërisë, asaj urbane dhe asaj rurale, asaj qytetare dhe asaj katundarërore, paçka se vetë politika në thelb nuk ka ndryshuar, apo më saktë, ka ndryshuar vetëm mjetet, kostumin, fasadën dhe fjalorin, por jo demagogjinë, qëllimi i së cilës ka qenë dhe ka mbetur sundimi me çdo mjet e me çdo kusht i Njëshit…Tashmë e kaluara, më shumë prej politikës sonë azmatiko-ballkanike se sa prej njeriut të zakontë e hallexhi, po vërtitet si një hije fantazme hamletiane jo poshtë, në terren, po lart, në kupolë; jo në dysheme, po në tavan të shoqërisë politika e vjetër vazhdon të bëjë incest me politikën e re pa e ndryshuar as shoqërinë, as veten…
Frikën e rikthimit e mbajnë gjallë qëllimisht politikanët, më shumë si një armë kundër njëri-tjetrit se sa si një mundësi; ndërsa qytetarët e kanë ndarë veten dhe i kanë larë duart nga e kaluara, kjo nuk ka ndodhur me klasën politike…Nostalgjia tani shërben vetëm si një mënyrë e kollajtë krahasimi, po jo si një rrezik për kthim prapa, edhe pse mesa duket, krerët tanë nuk e kanë ndarë veten nga klishetë e së shkuarës, sepse ata si shembull të vetëm të drejtimit të shtetit apo të partisë kanë shëmbëlltyrat e ish-ëve të djeshëm të diktaturës. Edhe kur janë në opozitë, edhe kur janë në pushtet, edhe kur janë socialistë, edhe kur janë demokratë, edhe kur janë të vjetër, d.m.th “xhaketa të vjetra”, madje - dhe kjo është më e trishtueshmja! - edhe kur janë rishtarë (pionier&eumlsmiley të njërit apo tjetrit kryetar partie, krerët tanë janë si matrioshkat ruse që futen te njëra-tjetra dhe bëhen njësh, ndërkohë që janë të ngjashëm…Sepse, partia dhe partitizmi, ndonëse kanë pësuar tkurrje dhe shthurje, gjithsesi vazhdojnë të luajnë rol parësor në të gjitha aspektet e shoqërisë.
Kështu p.sh, këto ditë mund të dëgjosh tezat e vazhdimësisë, të unitetit, të rrethimit nga armiku, duke përsëritur me një gjuhë primitive idenë e vjetër se udhëheqësit e sotëm janë gjithaq të pazëvendësueshëm, që do të thotë edhe të lavdishëm, ndaj do të vazhdojnë të pushtetërojnë deri në vitin 2023, dhe se njëlloj si pararendësit e diktaturës, edhe ata, për të mirën tonë po kërkojnë të bindin qytetarët se ikja e aksh kryetari nga pushteti do të ishte dëmi më i madh për Shqipërinë! Njëjtësimi i kryetarit me partinë dhe më pas edhe me Shqipërinë, është gur themeli i çdo lloj sistemi diktatorial. Kjo mendësi dhe kjo praktikë mesa duket ende nuk ka dhënë shpirt, pra nuk ka vdekur në Shqipëri, pavarësisht nëse simbolet e diktaturës, bashkë me parullat dhe statujat e diktatorëve i kemi fshirë gjithandej nëpër mure, në kujtesë dhe nëpër muzera! Kemi varrosur statujat, por kemi harruar mishërimin e tyre të gjallë.
***
E vetmja dëshmi e kulturës dhe e artit të periudhës së komunizmit në Tiranë e paprekur është mozaiku në ballinën e muzeut kombëtar, si një dëshmi e kulturës dhe e vulës së asaj kohe. U bë shumë zhurmë e përpjekje për ta fshirë edhe fasadën ballore të muzeut e nuk dihet përse ajo nismë spastrimi përfundimtar u la pakryer, ndoshta pse ishte lart e nuk arrihej dot nga shkatërrimtarët e luftës së re të klasave, po dhe pse lipseshin fonde për restaurim, ndaj edhe kjo vepër e realizmit socialist do të kishte shkuar me vakt e me kohë me të shumtët…Tashmë vetëm kronikat dhe dokumentarët e Kinostudios kanë mbetur si dëshmi “të gjalla” të asaj kohe, që kur i shikon sot të ngjajnë si ca gjallesa të pakuptueshme të një bote tjetër që nuk ka asnjë lidhje me ne…
Duke fshirë e rrafshuar çdo shenjë e çdo gjurmë të së kaluarës, kujtohet dhe gabimisht besohet se do të zhduket e nuk do të kujtohet më ajo, pra nuk do të ndikojë dot për të keq e djeshmja te e sotmja, në mendjet dhe në edukimin e qytetarëve; gjykohet pra njëlloj si në diktaturë kur flitej për rrezikun e “infektimit” të inteligjencies dhe të rinisë nga ndikimi i kulturës borgjezo-revizioniste…Frika nga e kaluara cilësohet në këtë kuptim e njëjtë dhe po aq rreziksjellëse sa ndikimi i djeshëm nga kultura e huaj perëndimore…Ndërsa dje mund të etiketoheshe borgjez, sot - komunist; të paktën në kuptimin moral, natyrisht jo ligjor, ndëshkimi mund të quhet i barazvlefshëm…Por, ky ndëshkim e ky mallkim nuk bie mbi krerët që japin prova të antikomunizmit vetëm duke thyer statujat e pasqyrat e paraardhësve të tyre, por mbi qytetarët dhe mbi intelektualët që historinë dhe paralelizmat e saj guxojnë t’i shohin drejt në sy…Vështruar me këtë sy, izolimi i dhunshëm dhe me urdhër partiak nga e kaluara dhe kultura e saj është si një tjetër izolim nga bota, përkatësisht nga vetvetja. Nisur nga një pikëpamje e tillë janë hedhur ide që të mos shfaqen, madje edhe të zhduken edhe filmat artistikë të Kinostudios…Edhe pas njëzet vjetësh, pra edhe në demokraci, ka njerëz të cungët që kujtojnë se po të shemben statujat, janë shembur edhe idhujt; se po të zhduken veprat artistike të krijuara në diktaturë, është zhdukur dhe dënuar përfundimisht edhe diktatura, edhe mundësia e ringjalljes së saj. Por, të paktën ne shqiptarët duhet ta kemi kuptuar, më në fund, pas njëzet vjetësh, se të shkatërrosh e të thyesh statujat dhe monumentet e diktaturës nuk do të thotë që ke thyer dhe ke shkatërruar përfundimisht edhe diktaturën, edhe shëmbëlltyrat e saj. Sali Berisha mjafton si një shembull ilustrues i kësaj.
***
E ndiej se guximi për të hyrë në këtë temë sjell me vete rrezikun e etiketimit si një nostalgjik i pandreqshëm, etiketim që sot për sot përkthehet: “ti je antidemokrat, ti je antikombëtar”! Pavarësisht nga ky rrezik, kam qenë dhe jam i bindur se as statujat, as sarkofaget, as piramidat, as monumentet, as mumjet, as duartrokitjet, as pamjet mallëngjyese të dashurisë së popullit për udhëheqësin, as ditirambet, as vjershat, as muzetë, as folklorizmi nuk i ngjallin dot diktatorët e vdekur dhe idetë e tyre, ndaj nuk kam frikë prej tyre. Historia e pashkruar e ka bërë të vetën para historisë së shkruar. Qytetari i thjeshtë është më i avancuar se politikani më i lartë, që në çdo rast është i detyruar të japë prova të antikomunizmit…Propaganda partiake, sado e fuqishme dhe sado “artistike” qoftë, në fund të fundit është si rakia, mund të dehë edhe një popull, po vetëm përkohësisht, vetëm për një natë, edhe sikur nata të jetë e gjatë…
Po atëherë, si dhe pse ndodh që edhe në një sistem tjetër, në atë që quhet demokraci, mund të rishfaqen forma dhe modele të diktaturës e të diktatorit te figurat e udhëheqësisë së sotme? Jo, jo, për këtë nuk e kanë fajin statujat, as stendat e muzeve, madje as veprat e socrealizmit, as tekstet shkollore të pakorrigjuara; për këtë e ka fajin shëmbëlltyra e diktatorit që transplantohet aq kollaj, e ka sistemi i keqmontuar, i paorganizuar, i dobët, i deformuar qëllimisht, në mënyrë që shëmbëlltyra, si në budizëm, të mishërohet shpejt e shpejt në një tjetër trup…
Në këtë kuptim, nuk jam i sigurt nëse po të mos e kishin kryqëzuar Krishtin, Jezusi do të ishte për njerëzimin ai që është sot…Ndaj, frika nga historia, nga e kaluara, nga trashëgimia (natyrisht jo për pronat!) është më keq se të kesh frikë nga vetvetja. Është njëlloj si të fshehësh të kaluarën tënde, origjinën, prejardhjen, prindërit, emrin e katundit ku ke lindur, për t’u dukur një tjetër, një që në të vërtetë nuk je e nuk mund të jesh, d.m.th të kesh frikë të shohësh drejt e në sy të metat e mangësitë e tua, qofshin ato të lindura jo për shkakun tënd, por të genit. Kancelarja Merkel shkoi këto ditë në Poloni dhe nuk ngurroi të thoshte se faji i gjermanëve për Luftën e Dytë është i pashlyeshëm, po kjo nuk cenoi as nderin, dhe as dinjitetin e Gjermanisë. Historia nuk bëhet më e mirë apo më e keqe po të shemben apo po të lartësohen statujat dhe monumentet e saj, por po të shemben dhe sidomos po të gjykohen drejt idhujt. Rinia, pjesa më e shumtë dhe më vitale e shoqërisë ka nevojë dhe detyrim të dijë, për të gjykuar drejt se si ka qenë e shkuara e vendit dhe e popullit të vet…Sot, ata që kur u përmbys sistemi komunist ishin dhjetë vjeç, tani janë 30-vjeçarë, ata që kanë lindur pas ‘90-ës janë 20 vjeç, pra shumica e popullsisë aktive tashmë nuk di pothuajse asgjë për atë kohë… Çështja që ia vlen të shtrohet është: kjo është një dukuri pozitive apo negative? Fshirja dhe fshehja e historisë e dëmton apo e shëron dhe shëndosh shoqërinë dhe njeriun e sotëm, sepse e çon në demokraci “të painfektuar” e me më pak kosto, apo padashur, ndodh e kundërta?
Për shkak të urrejtjes së natyrshme të shumicës për diktaturën, apo më saktë, për shkak edhe të nevojës për dëshmi “penaliteti” që kërkuan të kishin (dhe të ken&eumlsmiley disa politikanë që ende kërkojnë të shfaqen si antikomunistë të thekur e të përbetuar, si dhe për shkak të ndryshimit të beftë të sistemit, hapjes dhe bumit të ndërtimeve me dhe pa leje, me dhe pa rregulla e ligje, të grandomanisë prej provincialësh të ardhur në zonat urbane si uzurpatorë të komanduar nga hyrjabyrja jonë tradicionale, duke pasur në krye të punëve drejtues të lartë pa vizion dhe që, për këtë arsye, nuk përfillin as të ardhmen, le me të shkuarën dhe veçanërisht prej tahmasë së biznesit të ndërtimit, janë fshirë jo vetëm të gjitha dëshmitë historike dhe arkitekturore të historisë sonë të re që daton para viteve ‘90-të…Kështu, nëse ngjan i shëmtuar, nuk e ka fajin pasqyra, pra nuk duhet thyer ajo e në këtë kuptim, sa për të dhënë një shembull, e quaj gabim të pafalshëm prishjen e muzeut ateist që ngriti diktatura pikërisht në Shkodër. Ky muze ishte unikal në botë, diktatura mburrej me të dhe ruajta e tij do të ishte jo vetëm një kureshti e pashpërblyeshme për të gjithë turistët e botës, po edhe një dëshmi tronditëse që nuk ka nevojë për ciceron për të rrëfyer natyrën e vërtetë të enverizmit. Shkurt, fytyra e diktaturës do të shfaqej më shqeto po të mos ishte prishur ky muze, se sa u prish…
Është turp për një qytet si Shkodra, sikundër doli e tha përsëri një turist i huaj para disa muajsh (po përmend sërish të huajt pasi vetëm kur flasin ata, mund të bëjë vaki që ne t’i vëmë gishtin kokës), e ka hequr nga sheshi hyrës dhe e ka hedhur tek vendi i plehrave një monument në kujtim të dëshmorëve…Kjo nuk tregon urrejtje ndaj diktaturës, as nuk e shkul atë; kjo në të vërtetë i bën nder diktaturës, sepse nuk çrrënjoset diktatura me mjete e me metoda diktatoriale, pasi ky veprim nuk është as demokratik, as njerëzor, dhe as nuk na lartëson si qytetari që synon të kapë Evropën…Nuk janë Heronjtë e Vigut ata që sollën dhe mbajtën gjallë për dyzet vjet komunizmin, po janë ata që për t’u treguar të devotshëm, të ndryshëm, me demek demokratë të çartur, vendosën ta shkulin e ta degdisin në hedhurina atë monument, edhe pse vetë nuk bëzajtën kur po në Shkodër u hodhën në erë kishat, kur eshtrat e priftërinjve e të burrave të shquar si Fishta u flakën në lumë…Atëherë nuk pipëtinin, madje rrezik edhe duartrokisnin, ndërsa sot shkatërrojnë dhe hedhin jo në lumë, po në plehra (pra njëlloj) monumentet e heronjve, të atyre që duhen respektuar dhe nderuar…
Dhe, pas kësaj thuhet se duhet rishkruar historia! A nuk vlejnë këta shembuj për të treguar se edhe po të rishkruhet historia, ajo do të shkruhet me të njëjtën bojë dhe dorë që u shkrua në diktaturë, pavarësisht nga sensi i kundërt? Sepse, tek ne për gjithçka, edhe për tri njësitë e kohës, vendos politika, vendosin krerët e saj!

7 Komente

Nuk jam dhe i zgjuar ne keto pune, nuk di t'i therras gjerat me emrin qe kane, por di kete :

Per hir te dy anglezeve dhe dy italianeve, qe nuk sjellin ne Shqiperi asgje prej gjeje, ne duhet te ringrejme shtatoret e Enverit, Mehmetit, Hysniut, Demirit, Shabanit dhe Qamilit. Sigurisht dhe te Pilos, Rites, Simonit, Dhimitrulles, Kristaqkes dhe Marenglenit.

Lexoni vetem fjaline e fundit :

"Sepse, tek ne për gjithçka, edhe për tri njësitë e kohës, vendos politika, vendosin krerët e saj!"

Ironi, me siguri. Dhe Z. Blushi, ku e rendit veten ne kete debat ? Historian, sociolog, apo politikan ?

Ndoshta eshte Koholog, meqe ua di rrenjen tre njesive. Mire.

Nuk janë Heronjtë e Vigut ata që sollën dhe mbajtën gjallë për dyzet vjet komunizmin, po janë ata që për t’u treguar të devotshëm, të ndryshëm, me demek demokratë të çartur, vendosën ta shkulin e ta degdisin në hedhurina atë monument, edhe pse vetë nuk bëzajtën kur po në Shkodër u hodhën në erë kishat, kur eshtrat e priftërinjve e të burrave të shquar si Fishta u flakën në lumë…Atëherë nuk pipëtinin, madje rrezik edhe duartrokisnin, ndërsa sot shkatërrojnë dhe hedhin jo në lumë, po në plehra (pra njëlloj) monumentet e heronjve, të atyre që duhen respektuar dhe nderuar…
 

Ne rastin me te mire flet per gjera qe s'ja ke idene. Ne rastin me te keq je keqdashes, se pati pipetima edhe ulurima, por u mbyten neper guret e Zallit te Kirit. Shiko veten ne rradhe te pare se cfare roli mund te kesh patur ti personalisht. Se kshu pak nga nga pak mungon edhe qe Diana Culi te denoncoje heshtjen e intelektualeve per vrasjen e Vilson Blloshmi and Genc Leka.

Per reston e shkrimit jam dakort. E trishtueshme qe Shqiperise i mungon nje muze per historine komuniste.

 

Hurbinek,

Sa per muhabet, qendron ajo qe ke shkruar.

Po ne qoftese te huajt jane te interesuar per bustet e diktatorit, mund ta porosisin tek www.diktatoruc.tmerr.

Ju afrojme klienteve çmime te zeza.

 

Po tani dhe juve...mos u merrni me formen po me permbajtjen. Problemi qe shtron Blushi qendron pavaresisht formes se si paraqitet. Kemi zene aq  zet nga anglezet, amerikanet, gjermanet e italianet qe vine e na japin 'men' e ikin sa anashkalojme temat e diskutimit e merremi me te huajt... (cfare mutacioni i ksenofobise eshte ky smiley

ah po komunzimi e ngriu kohen duke na lene vetem ne te tashmen, na hoqi barren e madhe te te menduarit per te ardhmen e kujtuarit te te shkuares...

 

Kam nje bindje qe pas shume kohesh kur te na kete mbire bari ne Muzeun Kombetar te PPU do jete vetem nje monument ne forme HURI ...qe asnjehere ne jeten e tij nuk ka lexuar te pakten nje rreshte te Khajamit .

Mos e perdor dijen per te poshteruar te ikurit .

Me kete laj dhe shpirtin se une kete varg e perdor per HUNJT e gjalle qe merren me Muzeume ne Shqiperi dhe qe na gezojne edhe shpirtin me zbulimet e tyre te fencura tek PPU . Po soi i Hurit ne vitin 1976 ne pavionet e Muzeut kishte fshire nga Historia kohen e Mbreterimit.

Kete trimeri HURORE kreu i delegacionit M- Leninist te Rinise GJERMANO PERENDIMORE e percolli me nje pyetje shume kuptimplote :

 Ku eshte periudha e Mbreterimit te Zogut ? Ky nuk eshte pavion i PP ( alias PD ) . Ky eshte Muze Kombetar !!!!!

Ti hunder respektohesh nga disa te ekuilibruar , realisht si i ditur i krahut tjeter. Dhe nuku keq . Po ketu ke folur "si kalama o Mane"

Ky nuk po flet per  Muzeun  e te perndjekurve Politike , as per  Partine social Demokrate te Partise Demokratike  . Biles edhe Huri kot u ngatrua se ju duk sikur po behej Lufte tek PPU se cili do mbetej figura me e shquar e PPU-se ne muzeun qe do ngrihej pas renies se figurave tuaja HISTORIKE ne beteja te ashpra luftarake me fantazmat e Komunizmit smiley

Frikën e rikthimit e mbajnë gjallë qëllimisht politikanët, më shumë si një armë kundër njëri-tjetrit se sa si një mundësi; ndërsa qytetarët e kanë ndarë veten dhe i kanë larë duart nga e kaluara, kjo nuk ka ndodhur me klasën politike

Kete fraze duhet ta vendosesh ne nje Parulle te Madhe, perballe Kryeministrise,qe ta shohi dhe lexoje KM sa here qe Ai te pi kafe tek ballokoni i KM!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).