E majta shqiptare në “Top Story”

Një bisedë midis katër politikanëve shqiptarë të së majtës në emisionin “Top Story” të disa ditëve më parë më nxiti të shkruaj këto pak radhë. Pjesëmarrësit në bisedë ishin zotërinjtë Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Ben Blushi dhe Erion Veliaj. Dy të parët kanë qenë dhe mbeten miqtë e mi. Kjo rrethanë jetësore dhe personale, sidoqoftë, nuk ka ndonjë rëndësi për mendimet që dua të shpreh. Të katër pjesëmarrësit në atë debat janë drejtues apo eksponentë të partive të majta në Shqipëri. Çdonjëri prej tyre ka personalitetin e tij të spikatur politik, një formim kulturor e politik të caktuar dhe një përvojë politike, e cila varion nga ajo e veteranëve Gjinushi e Milo, tek ajo e Blushit si një politikan në mes të karrierës së tij deri tek ajo e Veliajt si një aktor i ri në skenën e politikës shqiptare.
Debatin i asaj mbrëmjeje në Top Channel si rrallë ndonjëherë më parë e ndoqa me interesim. Nga këndvështrimi i një sociologu të politikës shpresoja të dëgjoja sado pak në atë emision se ç’mendim politik gjallon në radhët e së majtës shqiptare, ç’synime kanë partitë e majta dhe në ç’rrugë përpiqen t’i arrijnë ato pas humbjes spektakolare në zgjedhjet legjislative të 28 qershorit. Qysh në fillim, dua të them se mbeta thellësisht i zhgënjyer. Niveli i diskurit politik, edhe në këtë emision, ashtu si në shumë emisione apo rubrika të mediave tona, ishte i ulët. Në të mungonin thuajse krejtësisht ballafaqimi i ideve, i pikëpamjeve apo i alternativave, ndërsa mllefet personale të tipit “kush je ti, kush jam unë”, apo “ku ishe ti kur unë bëja këtë apo atë”, herë-herë mbizotëruan apo zëvendësuan debatin. Arsyet pse ndodhi pikërisht kështu mund të jenë të shumta dhe lexuesi nuk duhet të presë nga unë që të merrem me to. Por, në këtë emision, vura re, ashtu siç kam filluar të kuptoj këta muajt e fundit, se ajo çfarë ne quajmë të majtë shqiptare duket se është më shumë një fiksion se sa një filozofi politike, një lëvizje politike, apo një kategori politike. Katër eksponentë të politikës së majtë në Top Channel mund të jenë çdo gjë, por në asnjë rast ata nuk më lanë përshtypjen se mbronin të njëjtën filozofi, atë të “politikës së majtë”, të politikës “përtej së majtës dhe të djathtës”, apo të shtetit social. Ajo që e karakterizoi atë debat nga fillimi në fund ishin diferencat e theksuara në personalitetin e çdo njërit pjesëmarrës (me avantazhet dhe mangësitë e tyre), dhe, në asnjë rast, qartësia dhe koherenca e mendimit, apo e një vizioni politik për ndryshim.
Skënder Gjinushi, veteran i politikës postkomuniste në Shqipëri, ka, padyshim, përvojën më të gjatë dhe më të suksesshme në politikë. Ai ka qenë për 18 vjet me radhë një ndër aktorët kryesorë në teatrin politik shqiptar, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe ka ditur ta orientojë mjaft mirë sjelljen politike si drejtues i Partisë Social-Demokrate dhe veprimin politik të partisë së tij në të gjitha legjislaturat, duke qenë, në pjesën më të madhe të kohës, pjesë e koalicioneve që kanë qeverisur vendin. Gjinushi demonstroi edhe një herë se ekzaktësia e shkencës matematike që është vokacioni i tij akademik, u jep koherencë logjike edhe pikëpamjeve politike të tij. Ai është një politikan i mençur dhe akoma mund të bëjë politikë të mençur, edhe pse dalja e partisë së tij nga Parlamenti e bën shumë më të vështirë aksionin politik të socialdemokratëve shqiptarë. Sidoqoftë, kjo parti ka fizionominë e saj, ka një elektorat të sajin dhe një përvojë që mund t’i shërbejë pozitivisht rigrupimit dhe reformimit të së majtës në Shqipëri.
Paskal Milo, edhe ky veteran i politikës dhe diplomacisë në Shqipërinë postkomuniste, pas shkëputjes nga Partia Social-Demokrate dhe krijimit të Partisë Demokracia Sociale duket se humbi zërin dhe autoritetin e tij politik të dikurshëm në konstelacionin e forcave politike të majta në Shqipëri dhe, domosdo, edhe në politikën shqiptare. Milo është njeri dhe politikan i ditur, por duket se ai dhe partia e tij nuk mund të bëjnë dot më në politikën e një vendi, ku partitë e vogla (në një sistem elektoral, i cili ndonëse e ka përjashtuar Dushkun në parim, e ka mundësuar atë në praktik&eumlsmiley, nuk kanë as të ardhme, as të tashme, veçse si pjesë e një konfederate politike të majtë. Përveç kësaj, mua më duket pa vend që kryetari i një partie të vogël, e cila këtë vit mbeti jashtë Parlamentit, t’i kërkojë partisë më të madhe të krahut të majtë, Partisë Socialiste, të mos hyjë në Parlament, por të vazhdojë ta bojkotojë atë.
Blushi i përket klasës së re të politikanëve shqiptarë dhe, ndoshta, klasës, së cilës do i duhej të bënte përmbysje në politikën e këtij vendi të drejtuar, deri më sot, nga patriarkë. Ai mund të dijë dhe ka fituar tashmë një përvojë të vyer në jetën parlamentare dhe në politikën e vendit. Sidoqoftë, unë nuk kam parë deri më sot që Blushi, duke kontestuar forcërisht udhëheqësin aktual të socialistëve shqiptarë, Edi Ramën, dhe duke e fajësuar atë për humbjen e zgjedhjeve të këtij viti, të ketë prezantuar vetë ndonjë platformë më të mirë, ose thjesht një platformë alternative, mbi të cilën të bazohen taktika dhe strategjia e Partisë Socialiste, apo reformimi i forcave të majta në politikën shqiptare, pas humbjes në zgjedhjet e fundit. Pavarësisht ekspozimit të pamatë në mediat e vendit, Blushi dhe ata eksponentë të Partisë Socialiste që bëjnë pjesë në një grup me të nuk të bindin dhe nuk besoj se mund të mobilizojnë masën e gjerë të socialistëve shqiptarë.
Erion Veliaj i përket një kategorie tjetër individësh, të cilët hynë në politikën shqiptare gjatë viteve të fundit. Edhe pse ai vetë nuk lë rast pa përmendur studimet universitare që ka kryer në SHBA dhe se është kthyer në Shqipëri për të bërë ndryshim, përpos disa iniciativave të lavdërueshme që ka ndërmarrë si një aktor i shoqërisë civile nuk ka mundur t’i bindë shqiptarët, në radhë të parë të rinjtë që mendonte se do të ishin elektorati i G-99-ës për atë se ç’përfaqëson kjo organizatë politike dhe ç’kërkon ajo realisht të bëjë në politikën e vendit. Veliaj është një djalë i ditur, por unë nuk kam kuptuar deri më sot se si ajo çfarë ai mund të ketë mësuar mbi politikën në shkollë dhe në jetë janë përkthyer në një vizion politik që të shkonte më tej asaj ç’ka ka ofruar e majta shqiptare deri më sot, apo asaj çfarë po dështon të ofrojnë partitë e majta politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Unë në asnjë mënyrë nuk them se debati në “Top Story” ditën e enjte ishte ai që ishte për shkak të atyre politikanëve të majtë që morën pjesë në të. Ai debat nuk do të kishte qenë më i mirë nëse në vend të Gjinushit, Milos, Blushit dhe Veliajt do të ishin ulur në studio katër përfaqësues të tjerë të së majtës shqiptare. Vëzhgimet dhe komentet e mia kanë të bëjnë, pra, jo aq me këta katër individualitete politike, se sa me atë se në ç’gjendje janë aktualisht partitë politike të majta në Shqipëri. Përshtypja me të cilën mbeta në përfundim të atij debati ishte se, ndërsa Partia Socialiste duket se ka humbur orientimin dhe kohezionin brenda radhëve të saj dhe nuk po mund të riorientohet shpejt, tre partitë e vogla të majta që përfaqësoheshin në atë emision nga kryetarët e tyre duket se duke ruajtur (akoma) identitetin dhe kohezionin e tyre, nuk mund të kenë tjetër vizion dhe alternativë veç atyre që i bashkojnë ato me Partinë Socialiste, në një konfederatë me të apo si pjesë e saj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).