Drejt qeverisjes globale antikrizë

Megjithëse ka mbi dhjetë vjet që është krijuar, duket se tani erdhi koha që të dalë në skenë roli i vërtetë i G20. Misioni i saj kryesor i sintetizuar si “qeverisja e ekonomisë globale” lindi në përgjigje të nevojës për të përballuar krizat, dhe me sa duket po konsolidohet pikërisht në këtë përballje globale me krizën aktuale. E krijuar në shtator të vitit 1999 dhe e mbledhur për herë të parë në dhjetor të po atij viti në Berlin, G20 përmbledh tetë vendet më të zhvilluara të botës  (SHBA, Japoni, Gjermani, Francë, Angli, Itali, Kanada dhe Rusi), dhjetë vende me ekonomi në zhvillim të shpejtë ose siç quhen ndryshe “ekonomi emergjente” (Afrikën e Jugut, Arabinë Saudite, Argjentinë, Brazil, Kinë, Koreja e Jugut, India, Indonezia, Meksika dhe Turqia) si dhe Australinë dhe BE-në në tërësinë e tij të përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit Evropian dhe Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane. Për të kuptuar se sa e fokusuar në problematikën financiare dhe ekonomike globale është ky organizëm, mjafton të përmendim faktin se anëtarë të përhershëm të forumeve të tij janë ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të 20 vendeve pjesëmarrëse të tij. Grupi i tetë vendeve më të industrializuara të botës, që deri tani dukej se kishte pushtetin dhe të drejtën e diskutimit, analizave dhe vendimmarrjes më të rëndësishme në nivel global, duket se “po shkrihet” në G20 duke krijuar kështu dy premisa strategjike që garantojnë gjithnjë e më shumë stabilitet për ekonominë e planetit, dhe mbi të gjitha, rrisin sigurinë për parandalimin apo menaxhimin e suksesshëm të krizave. Nga një “klub” pothuajse verior siç ishte G8, tashmë G20 po bëhet një “tryezë e rrumbullakët” shumë më përfaqësuese në nivel global. Ekonomitë e vendeve anëtare të saj prodhojnë aktualisht rreth 85% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të botës. Në këtë mënyrë, shumë nga kontradiktat e vjetra të tipit “veri-jug” apo “vende të zhvilluara – vende në zhvillim” etj., duket se po eliminohen. Vendimmarrja për problemet globale duket se po bëhet edhe vetë plotësisht globale duke garantuar nivel të gjerë përfaqësimi e pjesëmarrjeje. Tashmë objektivi i saj është i qartë: “Zhvillimi dhe mbështetja e një rritje të qëndrueshme në botë, pa disekuilibra financiare dhe tregtare që ndikojnë në shpërthimin dhe përhapjen globale të krizave”.
Megjithëse e projektuar për t’u mbledhur një herë në vit, takimi aktual i Pittsburgh-ut në SHBA është i treti brenda një viti. Në sytë e të gjithëve, G20 u shfaq menjëherë si një nga “instrumentet dhe mundësitë e arta që bota kishte në dispozicion për të përballuar krizën aktuale globale ekonomiko-financiare”. Dhe jo rastësisht amerikanët dhe Presidenti Obama duket se kanë zgjedhur Pittsburg-un, dikur kryeqytet industrial i hekurit dhe çelikut, simbol i zhvillimit që objektiv të vetëm kishte prodhimin dhe fitimin pa u shqetësuar për stabilitetin social dhe mjedisin, ndërsa sot qytet model i orientuar tërësisht drejt zhvillimit të qëndrueshëm, teknologjive të avancuara dhe soft-ekonomisë. Mesazhi është i qartë: atë që ka arritur Pittsburgu duhet ta synojmë të gjithë. Vendimet më të rëndësishme që u morën në këtë takim mund të përmblidhen në disa drejtime fondamentale që presupozohet se do të garantojnë stabilitetin e ekonomisë dhe financave botërore në vitet në vazhdim. Në këtë kuadër, në përgjigje të mjaft zërave që kërkonin “zvogëlimin apo edhe ndërprerjen e planeve speciale mbështetëse ekonomiko-financiare anti-krizë të lançuara në SHBA, BE dhe në shumë vende të tjera të botës, u ra dakord në unanimitet që “masat mbështetëse monetare dhe buxhetore të aplikuara deri tani duhet të vazhdojnë në mënyrë që të mos cenohet ringritja ekonomike”. Me gjithë optimizmin e moderuar të FMN-së, OCDE-së, Bankës Qendrore Europiane, Federal Reserve, etj., për fillimin e daljes së ekonomisë botërore nga kriza dhe shfaqjen e mjaft shenjave inkurajuese drejt stabilitetit dhe rritjes, përsëri, përsëri, drejtuesit kryesorë të vendeve të G20 preferuan të tregohen të kujdesshëm dhe të rekomandojnë vazhdimin edhe për disa muaj të tjerë të këtyre paketave mbështetëse financiare, monetare e lehtësirave të ndryshme fiskale. Në këtë mënyrë të gjithë mund të jenë të sigurt se kriza do eliminohet dhe ekonomia botërore, për pasojë dhe ekonomitë e vendeve të veçanta do fillojnë një cikël të ri rritjeje e zhvillimi të stabilizuar. Përveç vendeve të G20, kjo thirrje apo rekomandim ju bëhet të gjitha qeverive të vendeve të tjera të botës që të mos përfshihen nga euforia se “kriza mbaroi”, se tashmë “nuk ka më nevojë të vazhdojmë me plane speciale antikrizë”, apo se “meqenëse vendet e zhvilluara po dalin nga kriza, efektet pozitive të kësaj dukurie do transmetohen menjëherë edhe tek ekonomitë e vendeve të vogla, të varfra apo ato në zhvillim”.
Përveç ndikimeve direkte të evidentuara në shumë ekonomi të vendeve të botës si pasojë e krizës globale, ekspertët e G20 rekomandojnë edhe realizimin e një “skaneri” kombëtar apo rajonal për të evidentuar ato efekte që kanë ardhur si pasojë e defekteve strukturore, shkallës së integrimit me tregun global, nivelit të ulët të konkurrueshmërisë dhe përfshirjes akoma simbolike të shumë vendeve në ekonominë e dijes dhe adoptimin e inovacioneve. Për një gjë duket se të gjithë janë të sigurt: ekonomia e periudhës post-krizë, pra ekonomia e vitit 2010 e përtej nuk do jetë ajo që po lemë pas. Globalizimi po e shton presionin e kompetivitetit dhe tashmë koha e “avantazheve krahasuese” të Ricardos duket se ka kaluar plotësisht në favor të kohës së “avantazheve konkurruese” që krijohen me politika ekonomike-financiare e sociale të miradresuara. Në këtë këndvështrim, Shqipëria ka një rrugë të gjatë e të vështirë përpara, aq më tepër që përtej disa arritje pozitive të vlerësueshme në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit dhe legjislacionit, kemi akoma shumë për të bërë në drejtim të rritjes së kompetivitetit të produkteve tona, në drejtim të futjes së teknologjive të reja dhe inovacioneve, në drejtim të sofistikimit të biznesit apo çështjeve të kërkim-zhvillimit në të gjitha nivelet. Vendimi i dytë tepër i rëndësishëm dhe ndoshta nga më fondamentalët të marrë në këtë “klimë hapjeje dhe partneriteti global” është dhe ai i rritjes së influencës së vendeve me ekonomi emergjente në vendimmarrjen dhe strategjitë e FMN-së. Pesë për qind e “peshës” së këtij institucioni do të ndryshojë duar duke iu kaluar pikërisht vendeve si Kina, India, Brazili, etj. E gjithë kjo përkthehet si një ndryshim apo ekuilibrim i të drejtës së votës apo peshës së saj në vendimmarrjen e FMN, konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt një barazie më të madhe ndërmjet vendeve të “Veriut” me ato të “Jugut”, etj. Riekuilibrimi i të drejtës së votës në gjirin e FMN-së u gjykua si mjaft vendimtar për të rivendosur besimin e mjaft vendeve të botës, sidomos ato me peshë të rëndësishme ekonomike e financiare në ekonominë botërore, tek institucioni më prestigjioz i botës, i cili ka si mision survejimin e koordinimit makroekonomik të të gjithë vendeve të planetit, tashmë duke patur si ortak edhe G20. Ky vendim është i rëndësishëm edhe për faktin se eliminon të famshmen “auto-sigurim”, që shumë nga vendet emergjente filluan të praktikonin mbas krizës aziatike të vitit 1998, si pasojë e vlerësimit të tyre negativ për mënyrën se si i merrte vendimet FMN-ja, duke e akuzuar atë se “impononte receta perëndimore”. Në këtë mënyrë, eliminohet apo të paktën reduktohet efekti negativ i “auto-sigurimit” në destabilizimin e tregtisë botërore dhe nivelin e zhdrejtë të kompetivitetit ndërmjet vendeve të zhvilluara perëndimore dhe atyre me ekonomi emergjente. 
Së fundi, një masë tjetër e rëndësishme e aprovuar është dhe vendosja e një kuadri rregullash që kanë të bëjnë me “fiksimin e bonuseve për menaxherët e tregut financiar” të quajtur ndryshe dhe si “golden boys”. Natyrisht që nuk mund të vendosej një kufi i caktuar individual për çdo “traders”, por ajo që vlerësohet si themelore janë disa parime të rëndësishme të fiksuara nga ana e Këshillit të Stabilitetit Financiar, institucioni më i ri i ngarkuar me sigurimin e supervizionit financiar botëror në lidhje me këtë çështje. Me gjithë divergjencat e dukshme ndërmjet amerikanëve dhe europianëve për këtë çështje, G20 arriti të fiksonte “një linjë të kuqe” limitimi të këtyre bonuseve marramendëse të deritashme. Në lidhje me “parajsat fiskale” të trajtuara gjerësisht dhe në samitin e parafundit të G20 në Londër, në prill të këtij viti, u ra dakord që të vendosen sanksione të forta për të gjithë ato vende që nuk garantojnë transparencë maksimale për origjinën dhe menaxhimin e shumë fondeve e investimeve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).