Berisha: Deklarata ime e dobësoi lekun

Berisha: Deklarata ime e dobësoi lekun

» Dërguar më: 28/09/2009 - 12:14
 

Kryeministri Berisha i kujtoi dje opozitës se debatet dhe diskutimi për reformën zgjedhore bëhen në parlament dhe jo jashtë tij, prandaj e pret të bëhet pjesë e Kuvendit dhe e garanton se do të jetë ajo që do të përcaktojë rregullat në këtë reformë zgjedhore. Gjatë një interviste për "Zërin e Amerikës" ai pranoi se, sa i takon krizës së fundit të zhvlerësimit të lekut, qëndrimi i tij publik kundër lekut - pro euros, mund të ketë pasur ndikimin e vet.
Çfarë kontributi mund të ofrojë një vend i vogël si Shqipëria në debatin për reformimin e OKB-së?
Së pari shembullin e saj, përzgjedhur si vend pilot në kuadrin e reformës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por edhe në kuadrin e "Millenium Challenge Corporation", mendoj se Shqipëria ka qenë e suksesshme në luftën kundër varfërisë. Po të kemi parasysh se në tre vjet 400 mijë qytetarë kanë dalë përtej pragut të varfërisë, kanë kaluar pragun e varfërisë me të ardhurat për frymë, e proporcionuar kjo me numrin e përgjithshëm të popullsisë, është një arritje e konsiderueshme. Shqipëria merr pjesë në operacionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Çad dhe është e vendosur që shtojë praninë e saj në operacionet paqeruajtëse në kuadrin e kësaj organizate.
Zoti Berisha, sa e dëmton ekonominë e Shqipërisë zhvlerësimi i monedhës së lekut dhe, a ishte një keqinterpretim i deklaratave tuaja fakti që solli reagimin e tregut?
Realiteti është ky, gjatë muajve të fundit ka një dobësim që luhatet nga 7 deri në 10 për qind, dobësim i cili nuk është problematik. Për derisa ky dobësim nuk ka pasoja mbi indeksin e çmimeve, nuk përbën një problem serioz. Si i tillë, natyrisht ka pasoja negative dhe pozitive. Pasoja pozitive është eksporti, favorizon eksportin. Pasoja negative është se shtrenjton kredinë, por sidoqoftë mendoj se është në kuadrin e një fleksibiliteti plotësisht të pranueshëm. Banka e Shqipërisë duhet të vlerësoj këtu, ka bërë një menaxhim shumë të mirë të këtij problemi dhe në limitet e kësaj lëvizjeje është plotësisht e pranueshme. A ndikoi deklarata? Unë nuk mund të përjashtoj një ndikim të lehtë të saj, por çështja e deklaratës ka të bëjë më shumë me një plan perspektiv dhe aspak imediat. Sepse edhe sikur Shqipëria të dojë, nuk mund ta realizojë dot pa një periudhë jo të shkurtër kohore.
Ndoshta ishte zgjedhja e papërshtatshme e fjalëve nga ana e juaj?
Nuk ishte zgjedhja e fjalëve nga ana ime, por ishte edhe ekoja që i dhanë mediat fjalëve të mia. Por mediat kanë bërë detyrën.
Zoti kryeministër, në Shqipëri duket se ende nuk keni dalë nga situata paszgjedhore, në parlament nuk ndodhet opozita. A është problem për ju që të qeverisni, nëse opozita do të vazhdojë të mungojë?
Për këto zgjedhje ka një vlerësim të arbitrit, i cili thotë se zgjedhjet në Shqipëri plotësuan për herë të parë angazhimet kryesore të OSBE dhe ODHIR dhe se vlerësimi i përgjithshëm për to është pozitiv. Atëherë, më tutje, zgjedhjet nuk ishin të përsosura, sepse zgjedhje të përsosura Shqipëria do të dojë shumë kohë për të pasur dhe janë të pakta vendet që i kanë të përsosura dhe përsëri arbitri ndërkombëtar ka bërë një sugjerim. Opozita është e ftuar që të ulet dhe unë do t'i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në parlament dhe jo jashtë parlamentit. Në rast se opozita përcakton kushte, të cilat dalin jashtë kërkesave të bëra nga arbitri ndërkombëtar, zgjedhjet janë sa kombëtare aq edhe ndërkombëtare. Ne nuk mund t'i konfondojmë gjërat. Ndaj edhe unë e mirëpres atë të vijë në parlament. E garantoj atë se sikur ka përcaktuar pothuajse çdo gjë në kuadrin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga sistemi te komisionet, sërish unë i njoh asaj të drejtën dhe për sa kohë unë do të jem në pushtet, do t'i njoh të drejtën e përzgjedhjes opozitës. Ky është një qëndrim i pandryshueshëm i imi.
Pra ky është kompromisi që ofrohet, pasi opozita ka një numër kërkesash?
Më fal, por cila është substancuar, se duhen substancuar. Nëse opozita thotë numërimi, ka një vlerësim të arbitrit ndërkombëtar. Nuk ka të dhëna për parregullsi në numërim dhe manipulim të rezultateve. Ka vërejtje për numërimin, për pozicionimin etj, urdhëro të përcaktojmë rregullat, por duhet të them një gjë, ky ka qenë numërim unik në botë. Është hera e parë në historinë e zgjedhjeve botërore që çdo votë filmohet, fotografohet, transmetohet online në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Atëherë, ka pasur problem në vendosjen e njerëzve ose të teknologjisë? Urdhëro të përcaktojmë rregullat se si ta përmirësojmë.
Zoti Berisha, sa herë që vini në Shtetet e Bashkuara, ju u bëni thirrje shqiptaro-amerikanëve që të investojnë në Shqipëri. Por sa janë dëgjuar thirrjet tuaja, a ka shembuj suksesi apo ata ngurrojnë për shkak të imazhit të Shqipërisë, një vend që është ende në tranzicion?
Mendoj se në klimën e biznesit janë bërë dhe po bëhen përparime shumë të mëdha. Regjistrimi i biznesit sot bëhet me 1 euro brenda gjysmë ore, nga 4 mijë euro dhe ditë të tëra nëpër gjykata që bëhej më parë. Kemi krijuar "One Stop Shop" për licencat dhe lejet, dhe kemi hequr 2/3 e lejeve dhe të licencave, kemi ndërmarrë një seri masash të tjera dhe po vazhdojmë. Tani një problem mundues që ka qenë për investimet është çështja e pronësisë. Po i jepet një përgjigje shumë e mirë nëpërmjet parqeve industriale. Qeveria po punon me dy nga ekspertët më të njohur në Europë për investimet e huaja. Do të bëhet një reformë e thellë e Agjencisë së Investimeve të Huaja; do të bëhet një profilizim i ri i diplomacisë shqiptare drejt diplomacisë ekonomike, pra kjo përbën një temë themelore të qeverisë dhe shqiptarët po vijnë dhe po investojnë. A mund të vijnë më shumë? Do të vijnë më shumë.

6 Komente

Titull abuziv nga nje gazete abuzive. Eshte kjo sjellje e sterperseritur e gazetave si Shqiptarja apo Koha Jone qe me ben te mos harxhoj leke per to.

Asnjehere nuk e kam vene ne dyshim qe je i djathte Llukan,por gabimin e kishe kur erdhe nga USA se zbrite ne vendin dhe kohen e gabuar se degjove njerezit e gabuar.

Nuk e dobesove ti lekun po nje sulm i koordinuar i kambisteve qe te perfitonin, aq me teper qe as fundamentals e as technicals nuk favorizonin lekun. Lekun e mbron vetem moskreditimi nga bankat per momentin dhe vendosja e kursimeve te mjaft shqiptareve ne jastek pa permendur ketu se. mungojne mundesite per investime ne ekonomi dhe per fat te mire pasurite e patundshme qendrojne ne qiell dhe kjo pengon edhe shitjet ne kete sektor. Pra me nje fjale e mbron shpejtesia e ulet e qarkullimit te parase, sa do te vazhdoje kjo?

 

ja ta gzojme koqe lekun e ri  smiley

Ja nja dy thagma, duke lexuar perciptazi kete artikull, qe s'i mora vesh nje fjale:

 

Nuk ishte zgjedhja e fjalëve nga ana ime, por ishte edhe ekoja që i dhanë mediat fjalëve të mia. Por mediat kanë bërë detyrën.

dmth. mediat kane bere detyren qe i kane bere jehone fjale te tij, qe i kane thene drejt fjalet e tij apo qe i kane shtremberuar fjalet e tij?

Pra ky është kompromisi që ofrohet, pasi opozita ka një numër kërkesash?
Më fal, por cila është substancuar, se duhen substancuar????????????

CFARE DO ME THENE KJO FJALIAAAAA? Ndihmeee!

ps.edhe nje gje te fundit, ne populli, t'i heqim ato cika kursimesh nga banka nje ore e me pare, apo t'i leme? Jo per gje, por po na ngrini gjakun me keto llafe te medha, fundamentals, technicals... smiley

"... Pasoja pozitive është eksporti, favorizon eksportin..." 

 

Mirpo gjerme sot, jane pikerisht prodhuesit qe s'marrin dot vize per te perciell mallin e tyre, apo per te lidhur kontrata. Vertet EU ia ka hequr taksat doganore prodhimeve shqiptare, mirpo pikerisht keto prodhime nuk dalin dot jashte, se as qeveria e as EU nuk i ndihmojne keta prodhues te eksportojne. 

Vete gjendja e mjeruar e eksportit ne krahasim me importin (qe eshte 1 me 8 a 1 me 10 ne favor te kesaj te fundit) tregon mjerimin dhe deshtimin e qeverise. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).