Armiku i përkohshëm dhe krimi si i përhershëm

Pjesa më me njohje e ekspertëve antikrim në rajon, shprehen me shqetësim për aktivizimin e strukturave kriminale, për përpjekjet e shtuara të tyre, për të forcuar veprimin dhe infrastrukturën në zonat me terren problematik. Prej disa vitesh, disa prej më të kërkuarve nga autoritetet dhe drejtësia në Shqipëri, largohen me lehtësi dhe strehohen për kohë të gjatë në viset fqinje, pra në shtetet ballkanike dhe sidomos në hapësirën shqiptare. Madje, prej këtyre pikave ku strehohen prej elementësh me precedentë dhe biografi kriminale, ata mundin të lëshojnë sinjale për bashkëpunëtorët dhe viktimat e tyre, duke e mbajtur në fuqi presionin dhe shantazhin, apo qoftë edhe forcën kriminale të tyre.

Kosova, por sidomos zonat kufitare të saj, janë të preferuara nga këto struktura dhe elementë kriminalë, shqiptarë qofshin apo jo, të tillë. Ato bëjnë çmos që gjithherë, shtati i tyre të jetë më i lartë se ai i strukturave antikrim, antitrafik dhe sidomos, më i lartë se shtati i bashkëpunimit ndërshtetëror. Networku i shkëmbimeve dhe alternimeve të aksioneve ndërpolicore në rajonin ballkanik, sipas raporteve zyrtare dhe atyre bi e multilaterale, është zgjeruar dhe institucionalizuar dukshëm. Por paskrupullsia e kriminelëve dhe sidomos aftësia e tyre për të mos njohur përkatësi etnike dhe dallesë me sivëllezërit e tyre në shtetet fqinje, është shndërruar në një favor lehtësues si për veprimin ashtu edhe për përfitime grupale dhe kriminale. Ekspertët në shumicën e takimeve të tyre, pohojnë si në një mendësi aksiomatizuese, se krimi është më i shkathët se shumë struktura të specializuara, për të ndërtuar lidhje dhe shkëmbime ndërvepruese pavarësisht nga përkatësia etnike e elementëve dhe individëve të tij.

Mirëpo, kur bëhet fjalë për një ndërveprim institucional, policor e antikrim në hapësirën shqiptare, duhet të pohojmë se kompleksi i mosthyerjes së tabuve që na jep diplomacia politike dhe ajo gjeopolitike, fatkeqësisht, rëndon kurajën dhe lirinë natyrale të veprimit. Në mediat e Shqipërisë, në ato të Kosovës dhe në Maqedoni, kohët e fundit, janë shtuar lajmet për ekzistencën e grupeve kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore,të armëve, të narkotikëve, kontrabandës etj. Natyrisht, kësaj të vërtete shqetësuese i mbivendoset në mënyrë konstante hiperbola mediatike e vendeve fqinje dhe sidomos hiperbola që buron nga pozicionimi etnik i informaciondhënësve. Matanë kësaj hiperbole, duhet t‘i referohemi vetëm të vërtetës që lidhet me krimin si dimension dhe realitet.

Mediat serbe janë në krye të renditjes për ushqimin e kësaj hiperbole për të ashtuquajturin "krim shqiptar". Ka pak vite që në mediat e dy vendeve të tjera fqinje, përkatësisht në Greqi dhe Itali, është shembur miti i rremë i "krimit shqiptar". Me të drejtë analistë seriozë, personalitete publike, por më së pari eksponentë institucionalë të luftës antikrim kanë rikonfirmuar se "krimi shqiptar" nuk është ai që kemi mitizuar, shpesh për arsye jo objektive dhe mediatikisht, për arsye të ngarkesave nacionaliste. Krimi në rajon ka krijuar gjatë epokës së tranzicionit postkomunist dhe atij postfederativ, një network të paskrupullt dhe më së shumti pengmbajtës. Në një lloj mënyre, fjalëpërhapja për krimin, ka pasur edhe funksione të marketimit negativ në adresë të shqiptarëve. Në këtë pistë po veprojnë disa media ende në vendet fqinje, sidomos në Serbi, Maqedoni, në Bullgari apo deri diku edhe në ndonjë vend tjetër të ish- Federatës Jugosllave. Gjatë katër viteve të fundit në këto media janë përshpejtuar lajmet për veprimin në zonën e Kosovës apo të hapësirës shqiptare në Maqedoni të grupeve me profil ekstremist islamist, duke tentuar në këtë mënyrë të shpërndajnë lajmin për ekzistencën e elementëve talebaneskë shqiptarë në këtë zonë me probleme tranzicioni. Institucionet shqiptare, kudo qofshin ato, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo gjetkë, ndaj këtij elementi të injektuar apo ndaj kësaj prirjeje dizinformuese, duhet të përgjigjen me reagimin dhe veprimin e tyre së pari sqarues e menjëhershëm goditës, nëse ato sporadikisht mund të shfaqen. Një ndërhyrje e tillë është një shërbim i rëndësishëm ndaj shumëçkaje dhe në veçanti ndaj vetes, pra kauzës kombëtare dhe asaj integruese në Europë.

Serbia, sipas të gjitha raporteve monitoruese të BE-së dhe SHBA-ve, ka krijuar gjatë 12 vjetëve të fundit, edhe për shkak të tranzicionit të vet çfederatizues, një mjedis dhe klimë favorizuese për grupet kriminalo-nacionaliste. Këto grupe po e shndërrojnë në terren të tyre mjedisin e pastabilizuar të kufijve me Kosovën, me Maqedoninë apo deri diku edhe me Malin e Zi. Në këtë terren konsiderimi armik i shteteve, sidomos strukturave ligjore antikrim, pra mbajtja në bojkot apo ftohtësi marrëdhëniet mes tyre, favorizon dhe inkurajon të ashtuquajturat struktura paralele të krimit. Në këto kushte, forcat e sigurisë rajonale dhe kombëtare, palët institucionale, duhet të rikthehen te triumfi i arsyes dhe shërbimit natyral ndërshtetëror. Armiqësia e tyre e përkohshme për shkak të së kaluarës së mbyllur, por të papranuar ende nga një palë, nuk mund të vihet nën shërbimin apo përdorimin e krimit, si armik i përhershëm. Është kjo arsyeja që qeveritë e hapësirës sonë dhe sidomos asaj shqiptare, duhet të intensifikojnë shkëmbimet, raportimet, marrëveshjet dhe ndërveprimet policore dhe antitrafik, duke dhënë para së gjithash provën e parë të shtetbërjes dhe afirmimit ligjor. Kosova në veçanti, diplomacinë shtetnjohëse dhe partnerizuese në rajon, mund ta afirmojë edhe duke përcjellë autoritetin e goditëses së parë të krimit, në hapësirën e vet dhe sidomos në kufij. Që të mund ta realizojë këtë gjë shteti më i ri i Europës, së pari duhet të ndihmohet prej shtetit më të afërt, pra Shqipërisë. Forcat e Sigurisë së Kosovës, janë ende në promovimin e tyre, gjenden në një periudhë rishtariteti, koha nuk i ka favorizuar për të qenë të përgatitura dhe për të pasur kontingjente ekspertësh për t‘i fituar sfidat dhe emergjencat e sotme të këtij tranzicioni kompleks. Qeveria jonë dhe strukturat e tjera ligjore, duhej më me energji dhe kontribut të ndihmonin policinë dhe institucionet antikrim të Kosovës. Ndoshta do të ishte me vend që Akademia e Policisë së Shtetit, të akordonte bursa studimi për kontingjentet e reja policore dhe specialistët antikrim për Kosovën. Diçka e tillë do të vlente jo vetëm për Kosovën, por më së pari për vetë autoritetin tonë policor, i cili do të shumëfishonte në këtë mënyrë njohjen e terrenit gjithëshqiptar, do të përmirësonte dijenitë për funksionimin dhe strukturat antikrim në këtë hapësirë, si dhe do t‘i përgjigjej me energjizëm të ri goditjes së networkut të krimit në hapësirën rajonale dhe në atë shqiptare në veçanti. Diplomacia antikrim e vështirëson çdo refuzim diplomatik politik. Këtë pistë afirmimi dhe këtë sfidë rajonale, qeveria e Kosovës dhe sidomos qeveria e Shqipërisë le ta përdorin për një dëshmi të re vlerash dhe kapacitetesh institucionale, në dispozicion të vetvetes dhe si kontribut për rajonin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).