Votë për peshkun e kuq

Tre miqtë e përhershëm të revistës MAPO, secili me nga një shishe uji në dorë, u shfaqën të heshtur të enjten në mëngjez përpara zyrave të redaksisë. Njëri, ndryshe nga të tjerët, mbante në dorë dhe një qese plastike të bardhë në dorë, të mbushur me ujë, në të cilën vërtitej i pashqetësuar një peshk i kuq. As lutjet për të pirë kafe në heshtje, as heshtja provokuese e të treve dhe as vapa që nuk kishte çfarë i bënte peshkut brenda në qese, nuk i bindi ata të mos e përmendnin temën që trembeshim të gjithë ta dëgjonim; temën e zakonshme, politikën e ditës.
“Ky është një peshk i kuq”, tha i pari.
“Ky është një peshk i pazakontë”, tha i dyti.
“Ky është një peshk qerrata”, tha i treti.
Kush nuk kishte dëgjuar se çfarë kishte ndodhur në mbledhjen e një dite më parë të qeverisë, do ta kishte të vështirë të kuptonte se për çfarë bëhej fjalë.
“Ky është një peshk që mund të ishte fare mirë pjesë e maxhorancës blu”, tha i pari.
“Ky është një peshk që pavarësisht ngjyrës di të notojë”, tha i dyti.
“Ky është një peshk kinez”, tha i treti.
Sa u përmend përkatësia nacionale e peshkut, biseda u gjallërua dhe domosdo që do të përzihej me pak erëza pikante, të pangatërrueshme me asgjë tjetër, domethënë me politikë.
“Nuk ma merrte mendja që Berisha dinte not”, tha i pari.
“Unë e dija se e kisha parë që vitin e shkuar që notonte”, tha i dyti.
“Unë edhe e dija, edhe nuk e dija që Berisha është rekordmen noti”, tha i treti.
Pastaj nuk u morr vesh sesi biseda rrëshkiti edhe më tej, edhe shumë më larg, diku andej nga viset e Azisë së Largët, të cilat që prej 60 vjetësh, drejtohen herë më shumë e herë më pak, sipas mësimeve të Timonierit të Madh.
“Na e morri në qafë Kina, Saliun tonë evropian”, tha i pari.
“Na u bë, larg qoftë, si Maoja motit”, thai dyti.
“Ymër, inat dhe forcë i dhëntë çdo perëndi e mundshme për të mirën e vetes së tij”, tha i treti.
Të tre bashkë ngjanin goxha enigmatikë. Të tre bashkë, si tre milion e kusur shqiptarë e më shumë se kaq, kishin mësuar se Berisha kishte thyer një rekord noti. Kishte notuar për 123 minuta, ndërsa një vit më parë kishte notuar tre minuta më pak. Ama një vit më parë, kishte ngjitur më këmbë 1500 shkallë në murin e madh kinez, ndaj do të kishte notuar i lodhur. Por dhe ai i murit ishte një rekord më vete.
“Isha nga selia e PS-së, shkreti e madhe”, tha i pari.
“Po përgatiten të përgënjeshtrojnë kronometrin e Saliut”, tha i dyti.
“Duan ta krahasojnë me Maon”, tha i treti.
Dhe pastaj të tre së bashku, pa i lënë rend e kohë njëri-tjetrit, nisën të recitojnë një tekst të çuditshëm. Një tekst që kishte brenda Maon që kalonte lumin Jance me not, ndërsa poshtë tij notonin polumbarë që e mbanin në sipërfaqe, një tekst që kishte brenda Enverin që peshkonte në Drilon dhe polumbarët i vinin peshk të gjallë në grepin e tij sa të xhirohej nga kamera e kështu me rradhë.
“Unë do të kërkoj të votohet edhe për peshkun tim të kuq”, tha i pari.
“Të votohet, nuk ka rëndësi ngjyra e tij”, tha i dyti.
“Tërë jetën e ka kaluar në ujë dhe ka notuar që kur ka lindur. Eshtë peshk rekordesh”, tha i treti.
Pastaj të tre bashkë thanë me një gojë: “Ama nuk duam të dëgjojmë asnjë fjalë për ligjin e ri që do të martojë burrat me burra dhe gratë me gra. Ne jemi për respektimin e të drejtave të njeriut. Dhe këtu ka të tjera gjëra që mund të të bëjnë përshtypje, nuk ka pse të merreni me burra që i rrinë burrit pas kurrizit”. Dhe ikën. Pa e përmendur dhe pa e zënë me gojë Ferdin e PD-së, siç ishte vendosur që dy javë më parë. Të tre duan të lobojnë për vendosjen e peshkut të tyre në ndonjë listë çfarëdo. Mjafton të jetë një listë që votohet. Pastaj po të kenë në dorë dhe numërimin e votave, peshku i tyre mund të ketë një të ardhme të ndritur në fushën ku do të votohet.

1 Komente

Shqiptare qe bejne dialog te tille, me ate lloj sintakse, mund te jene shqiptaret e shkuar per lesh, shqiptaret qe s'dine shqip...  shume shume dobet, sajese idjote, ose pershkrim tepke per nivelin e gazetareve ne Shqiperi. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).