Viti kur në shkolla vdiq autoriteti

Disa vite më herët kam parë në Paris, në televizionet franceze, një dokumentar që më ka mbetur në mendje dhe pamjet e të cilit shpesh i shoqërohen aktualitetit me një fuqi shpërthyese nga ngjarjet e përditshme. Filmimi rrëfente problemet e një liceu të periferisë së Parisit, në njërën nga ato lagjet ku familjet e varfra franceze jetojnë me imigrantët me origjinë nën-sahariane, latino-amerikane dhe arabe të Magrebit. Ky institut publik sekondar i arsimimit nxënësit e të cilit përbëjnë një ylber racash, gjuhësh, zakonesh e religjionesh, kishte qenë skenar dhune.

Shkopinj profesorëve, dhunime në banja e në korridore, përleshje mes bandash me thika e me shufra dhe, nëse mbaj mend mirë, deri edhe shtënie me armë. S‘e di a ka pasur të vdekur, po sigurisht shumë të plagosur dhe policia, duke i kontrolluar aulat, kishte gjetur armë, drogë dhe alkool. Dokumentari nuk dëshironte të nxiste alarm, përkundrazi të qetësonte, duke treguar se më e keqja tashmë kishte kaluar dhe se, me vullnetin e mirë të autoriteteve, mësuesve, prindërve dhe nxënësve, ujërat po qetësoheshin.

***

Me një kënaqësi të dukshme, për shembull, drejtori bënte të ditur se, falë metal-detektorit të sapoinstaluar e nën të cilin studentët duhej të kalonin për të hyrë në shkollë, mund të konfiskoheshin grushtet e hekurit, thikat dhe armët e tjera me majë dhe me teh. E, kështu, ngjarjet e përgjakshme kishin pasur një rënie drastike. Ishin aprovuar dispozita për të mundësuar që qoftë profesorët qoftë nxënëset të mos lëviznin kurrë vetëm, edhe për të shkuar në banjë, po gjithmonë të paktën me një tjetër. Me qëllim që kështu të shmangen agresionet dhe pështjellimet.

Dhe më tepër: shkolla kishte në dispozicion në mënyrë permanente dy psikologë për t‘i këshilluar studentët dhe studentet - pothuajse përherë jetimë të paktën nga njëri prind, që mbanin në shpatulla familje të shkretuara nga papunësia, delikuenca dhe dhuna. Po ajo që më së shumti më ka bërë përshtypje te dokumentari ka qenë intervista me një docente që bënte, me natyrshmëri, një pohim të kësaj sëre: "Tani është gjithçka në rregull, por lypset të dimë të luftojmë".

Shpjegonte se, për t‘i hequr qafe agresionet dhe rrahjet paraprake, ajo dhe mësuesit e tjerë ishin pajtuar të gjendeshin, në një orë të caktuar, para hyrjes më të afërt të metropolitanes dhe të ecnin në grup deri te shkolla. Kështu tkurrnin rrezikun të sulmoheshin nga "voyous-et". Ajo profesoreshë dhe kolegët e saj që, çdo ditë, shkonin në punë si të shkonin në ferr, ishin nënshtruar. Kishin mësuar të mbijetonin dhe dukej se as që u shkonte mendja se zanati i mësuesit mund të ishte diçka ndryshe nga ajo ‘via crucis‘ e tyre e përditshme.

Këto ditë kam përfunduar së lexuari njërin nga esetë e lezetshme e sofistikw të Michel Foucault-së në të cilin, me dellin e rëndomtë, filozofi francez pohon se mësimdhënia, bash si seksualiteti, psikiatria, religjioni, drejtësia dhe gjuha, ka qenë, në botën perëndimore, njëra nga ato "struktura të pushtetit" të ngrehura për të shtrydhur dhe manipuluar trupin shoqëror falë formave të mprehta, por efikase të nënshtrimit dhe tjetërsimit për t‘i përjetësuar privilegjet dhe kontrollin e pushtetit nga ana e grupeve shoqërore dominuese.

Mirë pra, nëse marrim në konsiderim qoftë vetëm fushën e mësimdhënies, vërejmë se, duke u nisur nga viti 1968, autoriteti që tridhte instinktet libertare të të rinjve është bërë copa-copa. Gjykuar megjithatë nga ai dokumentar... rënia dhe diskreditimi i vetë idesë së mësuesit mësimdhënies - dhe në analizë të fundit, e çdo forme të autoritetit - nuk duket ta ketë shpënë në çlirim kreativ shpirtin rinor, por, më tepër, në rastin më të mirë, dhe, në më të keqin, në satrapi të vogla të rinjsh të hallakatur dhe delinkuentësh të egër.

***

Është e qartë se maji i vitit ‘68 nuk i dha fund "autoritetit" - që, prej kohësh, po përjetonte një proces sfilitjeje të përgjithshme në të gjithë sektorët, nga politika te kultura - në veçanti në fushën e mësimdhënies. Por revolucioni i të rinjve-të mirë, krem i klasave borgjeze dhe të privilegjuara të Francës, që qenë protagonistë të atij karnavali zbavitës në shenjë të sloganit "E ndaluar të ndalohet", i ka dhënë konceptit të autoritetit aktin e tij të vdekjes. Dhe i ka dhënë legjitimitet dhe glamour idesë sipas së cilës çdo autoritet është i rremë, i dëmshëm dhe se ideali më i fismë i lirisë konsiston në mosnjohjen, mohimin, shkatërrimin e tij. Pushteti nuk u ndie aspak i prekur nga kjo arrogancë emblematike e të rinjve rebelë që, pjesa më e madhe e tyre pa e ditur, i çonin në barrikadë idealet ikonoklaste të mendimtarëve si Foucault.

Mjafton të kujtohet se në zgjedhjet e para të mbajtura në Francën pas majit ‘68, e djathta goliste korri një fitore të madhe. Ama autoriteti, në kuptimin latin të auctoritas, jo i pushtetit, përkundrazi, si e definojnë fjalorët, i "prestigjit dhe kreditit që i njihet një personi apo një institucioni për legjitimitetin apo cilësinë apo kompetencën në një materie të caktuar", s‘e çoi më kokën lart. Nga atëherë, në Europë dhe në një pjesë të mirë në botë, praktikisht nuk ekzistojnë figura politike apo kulturore të afta ta ushtrojnë magjistrin, moral dhe intelektual njëkohësisht, e "autoritetit" klasik që, në nivel popullor, ishte mishëruar nga mësuesit, fjalë që dikur kishte një tingëllim aq të bukur, ngase i shoqërohej dijes dhe idealizmit.

Në asnjë fushë, e gjithë kjo s‘ka qenë më katastrofike për kulturën si në mësimdhënie. Mësuesi, i zhveshur nga kredibiliteti dhe autoriteti, i shndërruar shpesh në instrument represiv të pushtetit, do të thotë të armikut ndaj të cilit, për ta arritur lirinë dhe dinjitetin njerëzor, duhej rezistuar, duke shkuar deri aty sa të mundet, ka humbur besimin dhe respektin pa të cilat i ishte praktikisht e pamundur ta kryente funksionin e tij të edukatorit, përcjellësit të vlerave dhe dijeve.

Për më tepër: i ka humbur jo vetëm para syve të nxënësve të vet, por edhe të atyre të vetë prindërve dhe të filozofëve revolucionarë që, si autori i "Mbikëqyrja dhe ndëshkimi", identifikonin te mësuesi njërin nga instrumentet e mbrapshta me të cilët - tamam si agjentët e rojës së burgjeve dhe psikiatrit e çmendinave - shërbehet estabilishment-i për t‘ia futur spicat shpirtit kritik dhe rebelimit të shëndoshë të fëmijëve dhe adoleshentëve.

***

Shumë mësues, me zemër të pastër, i besuan këtij demonizimi degradues të vetes së tyre dhe kontribuuan, duke hedhur benzinë në zjarr, ta rëndonin thyerjen duke i bërë të vetat disa prej pohimeve më të pamenduara të ideologjisë së majit ‘68 në sektorin e mësimdhënies si, për shembull, të konsiderohet anormale qortimi i studentëve të këqij, të detyrohen ata ta përsërisin vitin... etj.

Është e vërtetë se këto ekstremizime nuk kanë arritur të infektojnë të gjithë sektorët e jetës shkollore, por një nga pasojat perverse të triumfit të ideve - e debateve dhe fantazive - të majit ‘68 ka qenë rrokjezimi brutal i ndarjes në klasa duke u nisur pikërisht nga aulat e shkollave. Mësimdhënia publike ka qenë një nga fitoret e mëdha të Francës demokratike, republikane e laike...

Mjerimi dhe kaosi të pësuara nga mësimdhënia publike, si në Francë ashtu edhe në pjesën tjetër të botës, i kanë atribuuar mësimdhënies private - në të cilën, për shkaqe ekonomike, ka qasje vetëm një sektor shoqëror minoritar me të ardhura të larta, më pak i prekur nga shkatërrimet e revolucionit të pandehur të lirisë - një rol të fuqishëm në formimin e drejtuesve të sotëm e të nesërm në ambientin e politikës, profesioneve dhe kulturës. Kurrë nuk ka qenë kaq e vërtetë thënia: "Askush s‘e di për kë punon". Duke besuar se punonin në ndërtimin e një bote vërtet të lirë, pa represione, mungesë të drejtash e autoritarizëm, filozofët libertarë si Miche Foucault dhe dishepujt e tij të pavetëdijshëm kanë, në të vërtetë, punuar shumë gjallërisht në mënyrë që, falë revolucionit të madh të përshtatur nga ta në fushën e arsimimit, të varfrit të vazhdojnë të jenë të varfër, të pasurit të pasur, e mbajtësit atavikë të pushtetit të vazhdojnë ta mbajnë kamxhikun në duart e tyre.
 

3 Komente

Ka njeri idene se ku mund ta gjejme origjinalin e ketij artikulli?

 

A kjo është demokraciaaaaaaaaaa??????   Ta kam dhjerë pra mu në rryl të fytit!

Ekstremizmat ne te dyja krahet jane te demshme nese vazhdojne per nje kohe te gjate.Mund te thuash qe autoriteti i mesuesit vdiq ne 1968 dhe te sjellesh shembuj te rinjsh qe sfidojne kete autoritet,por per mendimin tim edhe autoriteti absolut i mesuesit dhe denimet cnjerezore sipas motos:"druri ka dale nga xheneti" nuk jane zgjidhje.Denimet me rrahje ne sy te te gjitheve apo goditjes me vizore ne dore me duken ne feudalizem.

Gjithashtu edhe ekstremi tjeter qe shohim sot ne shkollat brenda dhe jashte vendit me duket jonormal.Te kete frike mesuesi te qortoje nje nxenes sic ndodh ne shkollat ne SHBA do te thote qe nxenesi te beje cfare te doje.

Idealja do te jete diku ne mes te keture ekstremeve.Fatkeqesisht asnje shtet nuk e ka arritur dhe kjo nuk eshte faji i demokracise sic perpiqet te thote enveristi Adreatik.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).