Vetizolim me heshtje

Vizitën e paradokohshme në Shqipëri të Dick Marty-t, u përpoqa ta ndjek nëpërmjet lajmeve të përcjella në "Internet", por çka gjeta aty (ose, më mirë, çka nuk gjeta) më la shije të keqe.

I dërguar në Ballkan nga Këshilli i Europës për të hetuar rreth akuzave për krime kundër njerëzimit dhe trafik të supozuar organesh të burgosurish gjatë luftës së Kosovës, Dick Marty vizitoi Beogradin, Prishtinën dhe Tiranën, ku u takua me zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe diskutoi me ta për mundësinë e hetimeve të mëtejshme në lidhje me akuzën.

Meqenëse për këtë vizitë të rëndësishme nuk gjeta dot kurrgjë në gazetat shqiptare, iu drejtova faqes së lajmeve të motorit "Google", e cila ushqehet mirë nga burime të ndryshme në gjuhë të ndryshme.

Për fat të keq, mediat tona, publike dhe private, zyrtare dhe gjysmë-zyrtare, nuk përfaqësohen mirë në "Internet". Asnjë lajm nga Shqipëria për vizitën e Marty-t nuk gjeta dot, qoftë në anglisht qoftë në shqip; ndoshta lajmi ka qarkulluar diku në ndonjë limbo provinciale, por gjithsesi ka mbetur jashtë radarit të "Google" - çka do të thotë se, praktikisht, nuk ka ekzistuar.

Si ndjekës i rregullt i shtypit shqiptar në linjë, vërej prej kohësh se lajmet e përcjella aty priren të organizohen rreth disa pikash vatrore, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me çikërrima partiake ose të politikës së kuadrit.

Meqë nuk kam arsye të mendoj që titujt e gazetave të Tiranës në "Internet" bashkërenditen nga ndonjë regji e fshehtë në prapaskenë, atëherë i vetmi shpjegim që më vjen në mendje është se faqet e shtypit në linjë dhe strategjitë e përcaktimit të përparësive i referohen haptazi televizionit.

Një vëzhgues teknik i shtypit shqip, i ndodhur përballë heshtjes së mediave ndaj vizitës së Marty-t dhe sidomos akuzës së përsëritur nga disa palë për implikim të institucioneve shqiptare në mbulimin e krimit të vjeljes me dhunë dhe trafikut të organeve, do të arrinte ndoshta në përfundimin se për këtë heshtje ka "urdhëruar" dikush.

Ndonjë tjetër vëzhgues, më dinak, mund të sillte si argument prirjen tonë kombëtare për t'iu qasur problemeve të hapura me metodën e strucit, ose duke futur kokën në rërë e duke shpresuar që problemet të shafariten vetvetiu; një version më dramatik i kësaj metafore, bën fjalë për një gomar që, kur po e vinte poshtë ujku duke ia shqyer barkun e derdhur rropullitë përdhe, kthente sytë nga qielli e lutej "baje zot andërr".

Teksa Marty zbarkonte në Shqipëri dhe takohej me ministrin e Drejtësisë Alibeaj për të biseduar rreth mundësisë për t'i rihapur hetimet, unë u detyrova të kryej gjurmimet e mia private, duke ndjekur fijet e lajmeve në "Google" e në "Yahoo"!, për të përfunduar shpesh e kundër dëshirës në sajte tendencioze serbe e filoserbe.

Tirana nuk po duket t'i kushtojë vëmendje potencialit që ofron lajmi i përftuar në mënyrë kapilare dhe i hedhur në qarkullim në mjedisin virtual të "Internet"-it, ku tashmë publiku në mbarë globin i formon opinionet e veta duke i përzgjedhur burimet e informacionit sikurse përmbajtjen e tij, në bazë të rrjetëzimit social.

Në Shqipëri ende nuk ka blogistë të rregullt, që të mbajnë të hapur me publikun, brenda dhe jashtë Shqipërisë, linja komunikimi të drejtpërdrejtë, përtej interesave të mediave konvencionale, të cilat nga ana e tyre s'e kanë për gjë të zbaviten duke i rrëfyer publikut pluskimin e Kryeministrit Berisha në Dhërmi.

Ashtu, zbrazëtinë informative të krijuar nga heshtja jonë e përbashkët, e plotësojnë për bukuri media të tjera, ndonjëherë me interesa që nuk u përputhen me ato të shqiptarëve.

Mediat serbe, siç mund të pritej, i bënë jehonë të madhe misionit të Marty-t, duke përfituar nga rasti edhe për të marrë poza epërsie morale ndaj shqiptarëve, të cilat u kishin munguar tashmë prej vitesh.

Prej mediave serbe, zyrtare dhe alternative, mësova diçka edhe në lidhje me qëndrimet zyrtare të shqiptarëve, në Kosovë më parë, në Shqipëri më pas. Dihet se qëndrimet zyrtare kufizohen vetvetiu nga rituali diplomatik dhe nuk duhen mjelë shumë për kuptim; por në thelb vështirë se mund të mohohet që pala jonë, edhe këtë herë, doli e humbur në përplasjen taktike me serbët.

Përshtypja e një lexuesi çfarëdo të lajmeve në "Google" për vizitën e Marty-t në Ballkan është se shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Tiranë, kanë shumëçka për të fshehur, prandaj refuzojnë të marrin pjesë në hetime ndërkombëtare të trafikut të supozuar të organeve midis Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të treta.

Që kjo përshtypje është objektivisht e gabuar, kjo nuk ngre kurrfarë peshe në logjikën e sendeve; sepse opinioni ndërkombëtar krijohet dhe ushqehet nëpërmjet informacionit, dhe këtë herë informacioni u kontrollua, nga fillimi deri në fund, prej burimeve serbe dhe filoserbe.

Faqja e lajmeve në "Google", që mbledh burime nga të katër anët dhe i organizon sipas fjalëkyçeve, është nga më të klikuarat globalisht; por edhe "Yahoo"-ja! "News" nuk mbetet prapa.

Të vjen keq që asnjë burim dinjitoz prej Shqipërie nuk është i pranishëm atje, në anglishte, për t'i ofruar publikut anembanë botës këndvështrimet shqiptare për çështjet, sidomos kur këto çështjet prekin drejtpërdrejt Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan dhe gjetiu.

Këtu nuk është fjala për t'u pranuar ose jo në Europë nga këshille ndrikullash eurokrate që kërkojnë qimen në vezë; as për të pritur në kangjellat e konsullatave në Tiranë vizën e shumëdëshiruar.

Mungesa e informacionit në anglishte nga Shqipëria, të përcjellë në kohën e duhur dhe objektivisht, përtej interesave politike meskine, tregon se ne dimë të vetëpërjashtohemi, madje edhe nga ato forume ku hyrja është e lirë, e hapur dhe e inkurajuar për të gjithë.

Ndaj misionit të Marty-t, reagimi zyrtar i Tiranës ishte i tillë që të mund të zbërthehej në disa mënyra; mediat serbe dhe pro-serbe i dhanë atë interpretim që pritej, duke vënë në dukje se me shqiptarët nuk ia vlen të negociohet; meqë këta nuk njohin as drejtësi, as arsye, por vetëm logjikën e forcës.

Paradoksalisht, fajin për këtë situatë të pahijshme e ka pjesërisht pala shqiptare; meqë ndryshe nuk mund të shpjegohet dot pse, vetëm dhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, në mediat e shumëndjekura anembanë botës, po flitet kryesisht për viktimat serbe, të zhdukurit serbë, robërit serbë, të keqtrajtuarit serbë, e kështu me radhë.

Nuk ka dyshim që edhe këto viktima lypin drejtësi njëlloj si ato shqiptaret; dhe mbrojtësit e të drejtave të tyre në Beograd dhe gjetiu po bëjnë punë të admirueshme për t'ua promovuar çështjet. Veç një vit ka kaluar qëkur u botua libri i Carla del Pontes, dhe Këshilli i Europës e dërgoi bajlozin e vet të lartë në Ballkan, për të hetuar në lidhje me akuzat, tepër të diskutueshme, që hidhen në atë libër.

Pse vallë nuk gjen më pothuajse asgjë në mediat elektronike globale për viktimat shqiptare të dhunës serbe në Kosovë gjatë viteve 1990? Ku janë proceset e hapura, kujtimet dhe rrëfimet e dëshmitarëve, konferencat e shtypit të juristëve, librat, emrat dhe fotot e viktimave, emrat dhe fotot e kriminelëve?

Sqarimi ndoshta fshihet në përgjigjen ndaj një pyetjeje tjetër: pse u dashka që lexuesi anglishtfolës informacionin për bisedimet e Marty-t në Prishtinë e në Tiranë ta marrë kryesisht nga agjenci serbe të lajmeve, të përfaqësuara mirë e bukur në "Google" e kudo tjetër në hapësirën elektronike?

Në botën e sotme të informacionit të shumëfishueshëm me një shtypje butoni, kur problemi kryesor i publikut është të zgjedhë mes lajmeve të panumërta e të orientohet drejt në xhunglën e propagandës, pasoja kryesore e tejngopjes informacionale është topitja e vëmendjes - lajmet vijnë dhe ikin me rrëshqitje, si vaji mbi teflonin e tiganit të pangjitshëm.

Të heshtësh, në këto rrethana, do të thotë t'ia dorëzosh publikun tënd të interesuar kundërshtarit.

Me pak përjashtime, mediat shqiptare nuk po arrijnë dot ta kuptojnë se, pa siguruar një prani globale, të përhershme dhe të besueshme në "Internet", të tillë që t'i përfaqësojë shqiptarët globalisht, vetëm sa theksojnë irrelevancën e tyre përkundrejt shqiptarisë së shekullit XXI.
 

32 Komente

Me pak përjashtime, mediat shqiptare nuk po arrijnë dot ta kuptojnë se, pa siguruar një prani globale, të përhershme dhe të besueshme në "Internet", të tillë që t'i përfaqësojë shqiptarët globalisht, vetëm sa theksojnë irrelevancën e tyre përkundrejt shqiptarisë së shekullit XXI.

Gazetat/agjensite e lajmeve jane ne nje treg fitimprures keshtu qe edhe llogjika per (mos)pranine ne rrjet duhet ti pershtatet parimeve te tregut. Nese s'ka fitime ne kete drejtim, atehere perse duhet te harxhohen burime te pakta per te publikuar ne anglisht?

E ke pak te ceket kete komentin, i dashur. Ate qe thua ti po veren dhe autori, shtypi eshte lene ne dore te llogjikes se tregut, dhe tregu dikton c te shkruhet. Jam dakord me ty, ky treg nuk pranon shpenzime te kota per publikime ne gjuhe te tjera, po ky treg nga ana tjeter dikton dhe mashtrimin si burim fitimi, ose perjashton transparencen e te verteten nga politikat mediatike, pasi keto kerkojne shpenzime me shume se c sjellin fitime.

Tani, ti mire qe s'shqetesohesh, e nuk mendon per zgjidhje, por ironizon dhe konstatimin, si me qene krim.

Je shume i parashikueshem Llukan Friedman. Me vjen keq qe ceshtje te tilla shpjegohen fet e fet me nje "kalova lumin e tregut te dhjefsha kalin." 

I dashur Sol smiley

Tregu nuk dikton mashtrimin, tregu i pershtatet kushteve te lejuara nga shteti. Eshte paaftesia e shtetit ajo qe dikton mashtrimin. Per mua eshte gabim t'ja kerkosh zgjidhjen "tregut", oferta e nje produkti jo-fitimprures duhet te vije nga shteti ose nga aktore te tjere (fondacione, individe te interesuar).

 

PA,

Ne fakt une mendoj se Friedman eshte i kufizuar ne raste te ketilla te interesit publik (besoj e pranojme qe propagandimi i pikpamjes Shqiptare eshte interes publik). Vetem se po ashtu sic mendoj qe llogjika e Friedman eshte e paleverdisshme per ne (si nje grup i vogel konsumatoresh qe nuk kane rendesi ne percaktimin e tregut) po ashtu mendoj se perfundimi i Ardianit eshte i gabuar ne kete rast, gishti akuzues nuk duhet drejtuar nga tregu (mediat Shqiptare) por nga aktoret e tjere.

Do te ishte shume me e kuptueshme per mua qe akuza ti drejtohesh psh ATSh-se.

Ll.

Dear Leader, Never Setting Red Sun (je bere si Kim Jong-Il)

Shume e cuditshme qenka kjo teori, qe kur vjen puna per perfitim financiar (qe mund te kete kosto sociale), atehere gjithcka e rregullon privati, ndersa kur vjen puna per sherbim me impakt social e politik (qe ka kosto financiare), barren e merr shteti.

Gjithsesi, biem dakord qe shteti mban kostot e veta si i pakorruptuar dhe i papergjegjshem.

Gazetat, per mungesen e profesionalizmes (qe diktohet nga kosto e madhe e profesionalizmes ne fakt), per mungesen e informacionit (qe diktohet nga politikat e pronareve qe e perdorin vetem per shantazh infon), per vendosjen e kufijve me boten (duke i lene hapesire propagandave serbe etj qe te mbushin me infon e tyre hapesiren bosh neper bote) - pra per keto arsye etj etj, qe ua dikton tregu, duhet te shpallen publikisht si te padenja per t'u lexuar, si felliqesira, duhet te anatemohen, e te digjen dite per dite te bulevardi mes kullave binjake e piramides, me procesion publik. Djegia duhet te ndodhe para emisionit te Bashkim Hoxhes. Palogazeta. Palotreg.

Dear Radical smiley

Pikerisht per shkak se tregu i gazetave eshte ashtu sic e pershkruan ti, ka nje fije shprese qe "Gazeta" t'ja dale mbane, perndryshe do te ishte krejtesisht pa vlere. smiley

Ll.

Dear Dear

Ti po thuj shyqyr qe eshte m*t dynjaja, se kemi shancin te dukemi mire, po une do preferoja qe dynjaja te ishte mire, dhe ne te merreshim me naj pune te hajrit, se s'jemi tipa per sipermarrje heroike. se keshtu sic thua ti po na ben te ndihemi si mujo ulqinaku para taljonit.

gjithsesi, po ishte vetem gazeta, ...

Ok, e kupton besoj qe sapo e cilesove gazeten si "sipermarrje heroike"? smiley

e kuptoj or daj, e kuptoj, po ti a e kupton, qe gjerat qe behen nga halli, kur muhabeti kap fundin jane me shume gjase prane heroikes, dhe prane te deshtuares? dhe ketu na ka cuar prakticiteti menagjues i atyre administratoreve dhe marketereve te gazetave, qe i njef ti, e i njof dhe une... se ata e ndertojne tregun...

Sol, nëse për Gazetën vendosni që (të paktën në versionin on-line) t'i hidhni artikujt edhe në gjuhë të huaj, s'besoj se keni problem... e keni shumë kollaj që të gjeni ndonjë që di kinezçen (sepse anglishten është pak më e vështirë... truri kthehet për tu bërë bajraktarë në Shqipëri... se të merreshin ata me atë punë, nuk do ishte dhe ky shkrim i Vehbiut sot)

Edruso, me mire per Gazeten flasim ne nje realitet jo kaq te shtremberuar (meqenese kemi mundesi te lidhemi dhe ndryshe). Sa e thjeshte qenka te hedhesh nje batute, te dalesh jashte kontekti, te flasesh me fjalet e tjetrit etj etj. Eh mer edrus, ka mjeshtra dynjaja...

Ta ngjita prapashtesen Friedman per lehtesi (Friedman perfaqeson ate "vanilla flavor" qe te gjithe pelqejne nga pak) se nuk kam ndermend te bej polemika te tilla se devijojme shume (ashtu sic me duket disfate qe ky diskutim te kufizohet ne mekanizmat e tregut... nuk mu duk e tille fryma e artikullit.) Gishti nuk i drejtohej  ekzlusivisht tregut por qe ta shohesh kete duhet te lesh menjane manine ti qasesh cdo problemi me formula paraprake. 

Drejt Llukan!  Google eshte kthyer ne nje kompani 20 miljard dollareshe, ne kurriz te agjensive tradicionale te lajmeve qe humben 20 miljard dollare duke kaluar lajmet pa pagese ne internet.   

Ne nje interviste, pronari i Boston Herald (e vetmja gazete qe ben para ne MA) tha se leshimi i lajmeve pa pagese ne internet ishte vetvrasja e kesaj industrie.

Pajtohem me kërkesën e Vehbiut për një politikë më transparente dhe të hapur nga ana e palës shqiptare, por nuk më duket se, të paktën për këtë problem, "anglishtfolësit" u dogjën për të ditur diçka më tepër.

Përsa i përket zonës "italishtfolëse", lajmin e pashë që para disa ditësh... dhe po të mos jetë për shqiptarë që kto lajme ju shkojnë nëpërmjet alert-eve të googl-it  e që i komentojnë vetëm për t'u zënë me të vetmin "specialist" të problemeve shqiptare, një farë Serxhio Banjoli (Sergio Bagnoli), askujt nuk i bije ndërmënd për to që t'i lexojë apo komentojë.
Natyrisht, nëse do të kishte një qëndrim zyrtar korrekt të politikës së Tiranës, edhe ata që flasin gjuhët e huaja do të mund të flisnin ballhapur, por kur politika fshihet mbas formulave si "ne jemi shtet demokratik që nuk lejojmë të bëhen të tilla gjëra tek ne" nuk mund të mos ndihemi si të dhjerë.

Pervec atyre qe thote autori, dhe une ndaj mendimin me te ne shume pikepamje, te pakten ne lidhje me Google apo te tjere "search engine" kemi edhe nje fenomen shume me te thjeshte e disi medioker qe e ben kerkimin ne shqip (te mos flasim pastaj per ate tjetren qe mesa duket nuk ka e nuk besoj te kete ndonje perpjekeje serioze per burime lajmesh ne Anglisht nga bota shqipfolese) shume te veshtire e te pamundur.

E kjo ka te bej me perdorimin e emrave apo emertimeve te caktuara qe ne shqipen tone dalin teresisht te transformuara. Vete autori ka perdorur emrin e personit ne fjale si "Marty" por ne mediat shqip ky perdoret ne menyrat qe i teket shkruesit te rradhes - besoj qe nga Marti, Martin etc. qe eshte shume larg nga emri i te ngratit zyrtar dhe qe e ben te pamundur realisht googling te tij ne median shqip. Dhe ke shembuj plot qe te te mbushin radaken se shqiperimi i emrave te huaj edhe pse ndoshta korrekt nga ana gjuhesore na ben ne shqiptareve disi te padeshifrueshem ne ate qe shkruajme dhe vecanerisht kur vjen puna ne fushen e kerkimit "banal" me internet, per te mos folur pastaj per kerkimin shkencor qe do te jete i pamundur nese nuk bejme pershtatjet e duhura ne fushen gjuhes se shkruare te botuar. 

Eshte hedhur edhe ideja aspak e keqe qe te perdoren te dyja variantet  - si p.sh ne kete rast Marti (Marty) apo Mek Donelld (Mc Donald) - dhe kam vene re se kjo perdoret gjersisht nga mjaft persona edhe neper blogje(Blogs) apo forume ne internet dhe eshte e diskutueshme se cilat fjale apo emertime duhen e mund te perdoren keshtu por te pakten varianti aktual me shqiperime te tmerrshme emrash e fenomesh (Cunami (Tsunam)me vjen ndermen ne kete moment) qe skane asnjelloj ngjashmerie me emrin aktual e ben shqipen e gjore jo praktike e fleksibel dhe si te ishte gjuhe cirilike.

jam i sigurt qe do te kete ketu mjaft ekspert te gjuhes qe do te kene ide fort me te mira se kjo qe une po sjell.  

ATSH-ja ne faqen e saj online ka edhe mundesine per leximin e lajmeve ne anglisht (edhe frengjisht). Nuk e di pse nuk arrin te behet pjese e "search engine" te Google.

Nuk e di pse nuk arrin te behet pjese e "search engine" te Google

ATSh-ja duhet te beje kerkese ne Google. Kjo mund te behet online. Eshte nje procedure per kete, shume e thjeshte.

Autori ka te drejte. Por me shume rendesi se blogosfera ka 'ofensiva' e Ministrise se Puneve te Jashteme te Shqiperise. Eshte Ministri e Mekur.

me shume rendesi se blogosfera ka 'ofensiva' e Ministrise se Puneve te Jashteme te Shqiperise

YES! this hits the spot!

Me aq pak sa i ndjek une lajmet e tvsh, pashe se kish ardhur ky zviceriani per ceshtjen e organeve serbe , gati te tera gazetat e kishin nje lajm te tille, vec me mrapa as u tha gje se cfar konkludoi ky.  Megjithate, artikulli i Ardianit ishte interesant persa i perket investigimit qe kish bere ai ne Google.  

Ekziston nje medium lajmesh ne anglisht nga Shqiperia. Tirana Times ne internet fatkeqsisht eshte me pagese dhe prezenca e saj ne Google eshte jo ekzistente.

ky me pelqen, shkruan shkruan shkruan shkruan, me ngjet me reklamen e fundit te ujit trebeshina "u analizua nga x laborator ne gjermani dhe doli qe eshte burim i pashtershem"

Shumë të drejtë ka Z. Vehbiu. Mediat tona kanë qejf të përdorin anglishten vetëm në artikujt "shqip".

Llukan, nëse një media do të njihej nga Yahoo News, Google News, etj., do të kishte një përfitim financiar se do të lexohej nga më shumë njerëz, do të mund të shiste më shumë reklama. Gjithmonë nëse lekët i bën nga reklamat, e jo nga interesa private e politike smiley

Speaker, nuk do i vijë Google mbrapa ATSH-së, por ATSH-ja duhet t'i bëjë yzmetin përderisa ka interesa kombëtare në këtë mes. Kush kërkon mund të gjejë udhëzimet.

S'do ishte keq sikur PPU të bënte ndonjë hap për t'u bërë më i gjindshëm për Google News.

 

Kjo puna e mungeses se mediave shqiptare ne internet (ne anglisht behet fjale) eshte veretet nje shqetesim real. Te vetmet media shqiptare qe kam hasur une te cilat dalin nga kerkimet tek Google News jane "AlbanianEconomy.com", po kjo shume rralle boton artikuj, dhe "NewKosovaReport.com", qe flet kryesisht per ceshtjet e Kosoves.

ATSH sidomos eshte e pafalshme qe nuk ka prezence ne Google dhe Yahoo news.

Po ashtu dhe mungesa e faqeve me botime kulturore dhe historike per Shqiperine dhe shqiptaret, qe e kemi diskutuar dhe tek debatet e shkrimeve te vjetra per historine e Shqiperise, dmth qe po te kerkosh ne Google per historine dhe prejardhjen e shqiptareve me shume gjen faqe me referenca historike, ose "historike", nga komshinjte tane sesa nga burime apo artikuj shqiptare. Plus qe dhe ato nga shqiptaret, trecereku jane bemat e Kloseve & Co per origjinat serbe te Skenderbeut dhe demet qe lufta e tij i solli civilizimit shqiptar.

 

P.S. Jashte teme, "linje" s'ka kuptim ne shqip, mendoj thjesht fjala internet ose dicka tjeter. Po ashtu dhe "limbo". Mjaft anglishtezime dhe italizime bejne gazetaret qe e kane  bere lemsh gjuhen shqipe gia , mos kontriboni juve te pakten. smiley

 

 Nigjoni mer cuna. Kjo puna e interneti eshte me moshe. Ne megjithe deshiren e qeverise per te na bere pak me te medhenj, mesa duket kemi akoma moshen e Gjinos, krahasuar me cunat e lagjes (Ballkanin, se ne Europe ,e c'duket do hyjme kur te plakemi).

PF & Co., problemi kryesor eshte tek mungesa e percjelljes te ketij lajmi  ne vecanti (pune me spec per tu injoruar) dhe varferia e gazetarise shqiptare ne pergjithesi qe pastaj ngre pyetje dhe shqetesime te tjera (une them me vend) per rolin e medias (tradicionale e alternative) ne arenen nderkombetare krahas zyrtareve te parfumosur. Thelbi i artikullit ishte (sic e interpretoj une) per shurdhmemecerine ndaj vizites te Martin qe le pasoja dhe ne hapsiren virtuale ku mungesa e nje zeri shqiptar ose cicerimave (hello twitters) i le vend gojeve te keqija. Paaftesia e medias dhe e zyrtareve te hedhin nje hap perpara duhet (ne kete rast e te tjere) perballuar ndermjet nje aktivizimi ne blogosfere, kyesisht ne shqip e kismet ne anglisht e italisht.... dhe ketu nuk po qaj hallin e imazhit nderkombetar sesa hallin personal kur Shekulli e Panorama me ushqejne me krunde. Dhe kete e vertetova pas 28 qershorit me statuset e FB qe me mbanin te informuar me informacione te fresketa.

PF kot me t'pyt: ckombesi kane gazetaret qe mbulojne ballkanin per AP, APF, Reuters?

 Te gjithe vendas. Ne raste luftrash apo ngjarjesh me interes nderkombetar, nga e gjithe bota.

Tani qeveria ka fajet e saj (ATSH, bibloteka dhe studime te hedhura ne internet etj, dmth mungesa e tyre) por eshte fenomel global per ne shqipot. Nuk i plas askujt duket per kete pune, jo se s'e kane kuptuar rendesine e informacionit/internetit ne kohet e sotme, po s'i behet vone kujt. So much for Albanian pride and patriotism; mjaftohemi me flamuj dhe fishekzjare kur mundim grekun ne futboll.

Mediat serbe e greke p.sh. jane te gjithepranishme ne inernet (dhe mediat private flas, ose ato te financuara nga lobe, prap private) kur vjen puna per keto ceshtjet historike/kulturore, qofte nga vendasit qofte nga diaspora. Ngelen duke na shkruar historine ne. Mediat tona jane pergjithesisht thjesht vegla per interesa te ngushta, nuk i behet vone kujt te mare ndonje nisme te tille per artikuj dhe botime ne anglisht.

Shumë i drejtë problemi i lobimit që ngre Xhib... sepse një ndër faqet e vetme që shkruhet në të gjitha gjuhët e botës (ku flitet dhe për historinë e Shqipëris&eumlsmiley është ajo e Enver Hoxhës.

Shumë e drejtë edhe puna e "plasjes"... shif Peshkun p.sh... nuk i plas që Tirana është përmbytur dje (është lajm pa interes apo për të cilin nuk duhet të njihet e të diskutojë publiku?)

Gjetja me e mire e ketij shkrimi per mua mbetet titulli - pra Veteizolimi eshte ajo qe ne na ka karakterizuar si popull e si shoqeri ne shekuj. Veteizolim si per nukleusin familjar apo mbylljen hermetike qe ka karakterizur "fisin e klanin" e vazhdon deri diku edhe kesaj dite, tek veteizolimi i fshatit apo krahines e me tej.

Sot e kesaj dite ne si komb e shoqeri i ngjasojme disi atij qenit kembengules qe me doemos perpiqet te kape me dhemb bishtin e tij dhe vjen rreth e rotull pa ja arritur kurre kesaj. Por edhe nese e arrin, pyetja shtrohet cfare do te bej qeni i gjore me bishtin e tij!!!

Keshtu edhe ne, e keshtu per fate te keq edhe tek ky forum mes shqiptaresh ku njeri i bie patkoit e tjetri .... (si eshte ajo fjale e urte shqipe)

Meqenëse për këtë vizitë të rëndësishme nuk gjeta dot kurrgjë në gazetat shqiptare, iu drejtova faqes së lajmeve të motorit "Google", e cila ushqehet mirë nga burime të ndryshme në gjuhë të ndryshme.

kjo s'trego qe gazetat shqiptare nuk e kon pasqyru lajmin, thjesht trego qe autori s'lexo gazeta shqiptare ose nuk njef shtypin shqiptar. (po gjersa shkru ke shekulli, nuk osh dhe nai zbulim i modh ky konstatim qe bona)

botasot, standard, express, metropol, alsat-m, panorama, koha-vision, albania, klan, telegrafi, koha jone etj e kon mulu ceshtjen.

po kshu osh kur robt katandisen me u eduku ne google prej divani... dhe ka lartesia e "opinioneve" dhe "dhonies s'menve"

ideja esht qe paaftesite e veta autori nuk ka pse ia faturo te tjereve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).