Vajzat japin kredi më të suksesshme

Një studim tregon suksesin e bankiereve shqiptare në kredidhënien bankare

Një studim i kryer nga tre ekonomistë të huaj mbi kredidhënien në Shqipëri ka dalë në përfundimin se femrat janë bankiere më të zonja sesa meshkujt, bëhet e ditur në një forum ekonomistësh, voxeu.org. Studiuesit morën në studim 43 mijë aplikime për kredi dhe 31 mijë kredi të dhëna nga një bankë shqiptare përgjatë periudhës 1996-2006. Kreditë qenë përpunuar nga një trupë prej 203 zyrtarë kredish në pesë degë të ndryshme bankare në Tiranë. Kredidhënësi ofronte financime për individët me të ardhura të vogla dhe sipërmarrjet e vogla, por objektivi kryesor ishte qëndrueshmëria financiare, pra fitimet. Me sasinë e madhe të informacionit në dispozicion, tre ekonomistët studiues, Thorsten Beck, profesor pranë Universitetit Tilburg dhe ndihmësit e tij Patrick Behr e Andre Guttler, (të gjithë meshkuj), analizuan ecurinë e kredive, duke matur numrin e kredive me vonesa mbi 30 ditë dhe duke i ballafaquar me gjininë e oficerit të kredisë që e kishte akorduar.

Studiuesit dolën në konkluzionet kryesore si më poshtë:

* Kreditë e dhëna për kredimarrëse femra të miratuara dhe monitoruara nga oficere kredie femra, kanë më pak gjasa të kthehen në kredi problematike.

* Duke kontrolluar lidhjen mes kredimarrësit dhe gjinisë së oficerit kredidhënës, del se oficeret femra përjetojnë një sasi më të vogël kredish me probleme, pavarësisht faktit nëse kredimarrësi ka qenë femër apo mashkull.

* Në total, kreditë e dhëna kishin probabilitetin të ktheheshin problematike në 13.5 për qind të rasteve, por kreditë e dhëna nga bankieret femra, kishin një probabilitet prej 4.5 pikë përqindjeje më të ulët sesa kreditë e dhëna nga meshkujt.

Studiuesit u përpoqën të zbulonin edhe shkaqet që sjellin këtë ndryshim në performancë. Në përfundim, ata deklaruan se nuk rezultonte që bankieret femra të kishin "zgjedhur" kredimarrës më pak të rrezikshëm apo të kishin refuzuar më shumë kredikërkues. Për më tepër, oficeret femra të kredive nuk rezultojnë të jenë më të rrepta se meshkujt gjatë analizimit të kredimarrësve.

Studimi vëren se bankieret janë edhe me më pak përvojë se bankierët dhe, megjithatë, kanë edhe rendiment më të lartë. Sipas të dhënave të tyre, oficeret femra të kreditit të analizuara qenë mesatarisht dy vjet më të reja sesa kolegët e tyre meshkuj. Për më tepër, gjatë studimit nuk u vu re ndonjë ngarkesë më e ulët me punë për oficeret femra në raport me oficerët meshkuj, pra eficenca më e lartë nuk lidhej as me sasinë e punës së kryer.

Të gjitha analizat e kryera i çuan ekspertët në përfundimin se femrat janë thjesht më të afta të njohin kredimarrësit nga pamja e jashtme (i ashtuquajturi testi i erës), gjë që i nxjerr më fitimtare në luftën e pafundme për të gjetur klientë të rregullt.

Një prej aludimeve të studiuesve, ishte që performanca më e lartë mund t‘i detyrohej faktit se femrat kanë më pak oportunitete pune në treg të hapur dhe kjo gjë i ka detyruar të perfeksionojnë instinktin e tyre për të vlerësuar më mirë dhe me më shumë kujdes kredimarrësit.

Financat dhe seksi

Në të gjithë botën janë kryer studime pa fund për të gjetur lidhje mes ecurisë financiare dhe gjinisë së vendimmarrjes në biznes dhe shumica dërrmuese e studimeve kanë gjetur lidhje të forta. Kjo është hera e parë që bankingu në Shqipëri merret si kampion analizues për një studim të tillë.

Në Shqipëri, shumica dërrmuese e të punësuarve në sektorin bankar (deri në 80 për qind), janë femra. Disa banka kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të balancuar disi raportin meshkuj/femra, por duket se nuk ia kanë dalë. Në Shqipëri, 6500 vetë janë të punësuar në sistemin bankar.

Së fundmi, media botërore ka filluar të raportojë lajme mbi efektet gjinore që ka pasur recesioni ekonomik botëror. Në shumë vende, vërehet se janë meshkujt që kanë vuajtur më shumë nga recesioni, pasi kanë humbur vendet e punës.

Burrat dhe kriza

Sipas Anne Sibert, profesore në Shkollën e Ekonomiksit në kolegjin Birkbeck të Londrës, testosteroni ishte shkaku i krizës financiare ndërkombëtare të vitit të fundit dhe recesionit ekonomik që pasoi. Sipas saj, kriza ka shkaqe të përbashkëta me sjelljen e zakonshme të meshkujve në jetë.

"Bankierët e babëzitur janë duke marrë pjesën më të madhe të mallkimeve për krizën aktuale financiare. Kishte shumë bankierë meshkuj me nivel të lartë testosteroni, të gatshëm për të marrë përsipër rrezik të lartë. Kishte një sistem shpërblimi që nxiste aventurat e çastit në vend të qëndrueshmërisë afatgjatë", shkroi Sibert në një studim.

Edhe shumë politikane femra kanë filluar të propagandojnë idenë se, nëse sistemi financiar anglez do të kishte më shumë femra në vendimmarrje, atëherë edhe shkalla e rrezikut që do të merrej përsipër do të ishte më e pakët e për pasojë, ndoshta kriza nuk do të mbërrinte kurrë. Studime të ndryshme mjekësore vënë në dukje kushtëzimin e reagimeve nga lloji i asteroideve. Një i tillë mori në analizë nivelin e testosteronit mes lojtarëve meshkuj në Bursën e Londrës dhe doli në përfundimin se fitimet e larta shoqërohen në nivel të lartë testosteroni, gjë që do të thotë edhe gatishmëri për të ndërmarrë më shumë rrezik.

10 Komente

Te njejten gje, qe mikrokredite e dhena femrave kane me shume sukses, e  pata degjuar edhe nga çmimi Nobel per Paqen 2006, ekonomisti  nga Bangladeshi, Muhammad Yunus.

Dmth, Lehman Brothers nuk do kishte falimentuar nqs do ishte Lehman Sisters? smiley

Dmth bankat ne Shqiperi nuk u preken nga kriza sepse 80% e te punsuarve ne senktorin bankar jane femra? smiley

"Banker to the Poor" by Muhammad Yunus

Nuk e di a ka perkethim ne Shqip por eshte vertet nje metode fantastike per te ngritur me te varferit ne kembe. E sugjeroj per lexim, e mbeshtet dhe kete shkrimin ketu.

hem...

Ka mbetur/ekziston ndonje fushe e jetes ku ne meshkujt mund te jemi me te miret? Na "plasen" studimet ku femrat jane me te suksesshme.

P.S Perpara se te nise ndonje lincim i mundshem, po them qe nuk ndihem ziliqar ndaj ketyre studimeve, thjesht desha te di ne c'gjera shkelqejme ne.

Brad,

Eshte bere ndonje studim per kete qe thua ti, apo po ecim ende me hamendje?

Se mos, larg qofte, na sjell dikush ndonje studim ku edhe ne kete fushe femrat jane me mire.

Me hamenje mor burre,ca studimi.Ujko kot per muhabet,futboll quhet kur gjuhet ajo gjoja prej meshini qe eshte e rrumbullaket dhe i bihet me kome ne USA ajo gjoja prej meshini ka forme vezake dhe quhet top por amerikont i bijne me dore ketij topit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).