Turizëm mes skeleteve të betonit

Një çerek milioni euro ka paguar Qeveria e Shqipërisë për ta prezantuar rivierën e vendit nëpër botë, me qëllim të joshjes së turistëve. Është një spot mjaft amator, i cili përpiqet të shpalosë një Shqipëri me ambient të pastër dhe paqësor. Për fatin e zi të Shqipërisë, mu në mes të sezonit turistik, një person që fajësohet të jetë i përfshirë në shumë krime, vrau katër policë. Edhe sikur spoti në "CNN" të emetohej 24 orë pandërprerë - imazhin e Shqipërisë ai s'e përmirëson dot. Hiq problemet me sigurinë në vend, Shqipëria vazhdon të deformohet edhe nga papërgjegjësia e madhe ndaj natyrës. Duhet të jesh dashamir i verbër i Shqipërisë, që Durrësin ose Sarandën t'i shikosh si qytete piktoreske. E vërteta e hidhur është se këto qytete i përngjajnë një grumbulli betoni. Syrin e çdo vizitori të interesuar për zhvillim e vrasin skeletet e betonit, të cilat ia kanë zënë frymën Durrësit dhe Sarandës. Ato sot u përngjajnë disa vendbanimeve palestineze të rrethuara dhe të shkatërruara nga terrori i shtetit izraelit. Shpresa e njerëzve në Sarandë dhe Durrës, megjithatë, është turizmi. Për shembull, në Sarandë tashmë janë nënshkruar kontrata për sjelljen e turistëve nga Korfuzi. Turistët kureshtarë vijnë, zbresin në Sarandë, këmbejnë euro në lekë, hanë drekë, pinë kafe dhe ikin. Të rrallë janë ata që qëndrojnë më shumë se një ditë. Oferta turistike e këtij qyteti nuk i josh të huajt që të kalojnë më shumë kohë këtu.

Tredhësi i mizave

Ka edhe tipa të tjerë që vijnë këtu, në Sarandë. Janë disa shqiptarë me pamje mafiozi, me zinxhirë të trashë në qafë dhe në duar, me unaza pompoze. Ata rrinë së bashku rreth një tavoline, njëri bërtet, tjetri flet me dikë në telefon, tjetri kërcen në pishinë dhe befas çirret si i çmendur, sepse tashmë e ka kuptuar se është hedhur në ujë me kuletë në xhep. Dy gra vrapojnë, ia marrin portofolin dhe i nxjerrin bankënotat e lagura, të cilat i shtrijnë në një krevat plazhi. Një skenë bizare. Një varg me euro teret në diellin e Sarandës. Në Sarandë mund të takosh papritmas edhe ish-zyrtarë të lartë të UNMIK-ut, të cilët vazhdojnë të jetojnë në Kosovë, duke punuar si këshilltarë për tredhjen e mizave dhe si numërues të thumbave. Shumica e të huajve që vijnë në Sarandë menjëherë vazhdojnë rrugën drejt Butrintit. Një rrugë e ngushtë që i ngjason Urës së Xhehenemit. Po nuk ua lëshuat rrugën shoferëve shqiptarë, ata të hedhin pamëshirshëm përtej në det. Këtu është në fuqi ligji i atyre që nuk kanë vetëdije për rrezikun. Vetëm gjatë ditëve të fundit, mbi dhjetë persona kanë humbur jetën nëpër rrugët e Shqipërisë. Raportet policore tingëllojnë si të ishin buletine lufte. Dy të vdekur këtu, tre atje, katër të lënduar diku.

Butrinti është thesari i Sarandës, madje i gjithë Shqipërisë. Këtu vijnë grekë e italianë, anglezë dhe amerikanë, por edhe polakë e çekë. Dikur, në kohërat antike, Virgjili e kishte quajtur Butrintin një Trojë të vogël. Këtu kanë lënë gjurmët e tyre civilizime e kultura, helenë, romakë, bizantinë dhe venedikas. Në hyrje të qytetit antik, i cili është pothuaj i mbuluar me pemë e drurë si dafina, vidhi dhe shkurre të tjera, gjenden disa fidanë të mbjellë - jo nga Hashim Thaçi!, por nga Sali Berisha, Romano Prodi, Silvio Berluskoni, Stipe Mesiqi, Ivo Sanaderi. Qeveritë shqiptare - prej asaj të Enver Hoxhës deri te qeveritë e Fatos Nanos dhe Sali Berishës - nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi mirëmbajtjes së Butrintit. Viteve të fundit, një fondacion nga Britania e Madhe po kujdeset që Butrinti, kjo perlë e Mesdheut dhe pjesë e trashëgimisë botërore, të mirëmbahet dhe të hulumtohet. Nga mesi i viteve '50-të, Sarandën e kishte vizituar vetë Nikita Hrushovi, shefi i madh i Bashkimit Sovjetik. Nga Enver Hoxha kërkonte një bazë, flitej se BRSS-ja do të sillte këtu nëndetëse me koka bërthamore. Hoxha u mendua dhe tha jo. "Megjithatë, Perëndimi nuk e shpërbleu", - thotë një banor i Sarandës. Në fakt, Hoxha, një diktator megaloman, as që dëshironte të afrohej me Perëndimin. Pasi u prish me vëllezërit sovjetikë, gjeti miq e vëllezër në Kinë. U inspirua nga Revolucioni Kulturor kinez dhe e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë.

Ndërrim skene: "Kafe Himara 1928" është hapur në vitin e largët 1928, siç e tregon edhe emri. Këtu takohen çdo mëngjes pleq e të rinj. Kamerierët sjellin kafe, raki dhe ëmbëlsira. Po në vitin 1928, Ahmet Zogu e shpalli veten Mbret të Shqiptarëve. Sundimi i tij shihet nga historianët si periudhë relativisht paqësore, gjatë së cilës, me para të Italisë u konsolidua ushtria shqiptare dhe burokracia, u ndërtuan rrugë dhe ura. Kur Zogu u përpoq të shkëputej nga dominimi italian, Shqipëria u pushtua nga trupat e diktatorit Benito Mussolini. Në murin e "Kafe Himara 1928" është varur një fotografi, në të cilën shihet Mbreti Zog duke qëndruar para këtij restoranti, në diell, dikur në vitet '30-të. Kthim në kohën e sotme: Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil (ose: Vasillaq) Bollano, prej vitesh sillet si kapadai. Kështu së paku e përshkruajnë gazetat e Tiranës. Sivjet ai e dha një shembull të bindshëm për kapadaillëkun e tij, duke ia ndaluar një grupi të fëmijëve nga Durrësi këngët me motiv patriotik shqiptar. Lajmi u dha në të gjitha mediat shqiptare, por për Bollanon nuk pati asnjë konsekuencë. E vetmja protestë mund të lexohej në një teneqe në qendër të Tiranës, ku dikush kishte shkruar me bojë të kuqe: "Fuck Bollano". Me gjasë, e njëjta dorë kishte shkruar edhe këtë parullë: "Shqipëri Etnike".

Ndotësit patriotikë

Kthim në Sarandë: Sikur të mos ishte mbuluar me beton dhe me arkitekturë primitive, Saranda do të ishte një qytet vërtet piktoresk në Mesdhe. Natyra është tepër e pastër, për shkak se këtu nuk ka pasur asnjëherë industri. Por, për ndotje tani kujdesen shqiptarët nga Shqipëria dhe nga Kosova, duke hedhur mbeturina kudo. Sikur t'i hapnin vetëm pak sytë këta njerëz të papërgjegjshëm, do t'i shihnin turistët maqedonas, të cilët gjithnjë e më shumë po vijnë në Sarandë dhe, për dallim nga patriotët e rrejshëm shqiptarë, as nuk hedhin mbeturina, as nuk bëjnë zhurmë dhe as nuk pështyjnë në asfalt. As në Sarandë dhe as në Ksamil, një katund aty afër, buzë rrugës drejt Butrintit. Ksamili ka disa plazhe të mrekullueshëm, të cilët njeriu i sheh vetëm në televizor, për shembull në ishujt Maledive në Oqeanin Indian. Emri antik i këtij katundi është Heksamilion. Gjatë sundimit të Enver Hoxhës, Ksamili ishte vendpushim për zyrtarë të shtetit dhe të kombinateve të mëdha. Në vitet '60-të këtu u mbollën mijëra fidanë ulliri, limoni dhe qitroje (dru frutor i ngjashëm me limonin). Mund të thuhet se Ksamili ia kishte parë hairin Nikita Hrushovit. Në prag të vizitës së liderit sovjetik, në vitin 1959, autoritetet komuniste asfaltuan rrugën drejt Ksamilit dhe Butrintit. Turistët edhe sot kalojnë nëpër asfaltin e Hrushovit, por nuk e gjejnë më Ksamilin e qetë, të fjetur, të dremitur pranë valëve të Detit Jon. Që në hyrje të katundit bien në sy një kishë ortodokse dhe një xhami, të dyja të ndërtuara viteve të fundit. Gjithçka tjetër çfarë sheh njeriu janë skelete të pafundme betoni, godina të ngritura pa asnjë shije arkitektonike, aty-këtu ndonjë ndërtesë e prishur nga shteti. Edhe pak vite dhe Ksamili do të shpërfytyrohet tërësisht. Plazhet e tij tashmë ndodhen në duar të privatëve, ata kanë hapur restorantet e tyre dhe kanë vendosur shtretërit e çadrat e diellit, për të cilat kërkojnë herë 4 euro, herë 6, nganjëherë edhe më shumë. Nga bregdeti i Ksamilit shpesh mund të shihen anije të mëdha me turistë ose me mall, të cilat përmes Korfuzit largohen drejt Italisë. Nga Ksamili ato duken tepër larg.

Histori më vete është puna me kamerierët e Sarandës dhe të Ksamilit. Nëse jeni vetë i dyti, atëherë lirisht porositni tri rizoto ose tri pica, sepse do t'ju vijnë dy. Ose asnjë. Arsyetimi i kamerierit tingëllon kështu: "Harrova", ose "Rizoto do të jetë gati për 40 minuta", natyrisht pasi tashmë ke pritur 40 minuta orizin e bekuar dhe të stolisur me fruta deti. Edhe largimi nga Shqipëria është përherë legjendar. Sepse çdoherë polici kufitar të pyet nëse e njeh, për shembull, "një Ilir nga Gjilani". Ec e gjeje për cilin Ilir e ka fjalën. Kësaj radhe, në pikën kufitare Qafë-Botë, polici na pyeti nëse e njihnim Qefser Majacin nga Prishtina. Ishte i zhgënjyer kur i thamë se, për fat të keq, nuk e njohim. U nevrikos kur i treguam se Kosova ka dy milionë banorë dhe vërtet ne të gjithë jemi disi dajë e kushërinj mes veti, por prapëseprapë s'njihemi të gjithë, se një gjë e tillë është e pamundshme. Për disa çaste të gjitha këto përvoja bizare harrohen, kur kujtojmë kamerierin e restorantit afër Butrintit, i cili me të drejtë lavdëronte prodhimet e detit që na shërbente, duke thënë: "Shijoni, shijoni se këtë zanat e kemi me librezë të Enver Hoxhës".

4 Komente

Vallaj Durresi-Qytet mu m'pelqen. Durresin plazh nuk e frekuentoj dhe aq. Kurse Saranda, me gjithe miredashjen e madhe me ngjan me ato pamjet nga rripi i gazes. Kur kam pare cfare i ka ndodhur Sarandes jam bindur se "betonizimi" eshte gabim te shihet si fenomen vetem i Tiranes. nuk flas thjesht per Meter kub beton qe hidhet ketu e aty, sasia nuk ka te beje dhe aq, por per percudnimin e dhunshem te peizazhit qe thjesht nuk eshte me. nje shemtim gati i planifikuar.

Artikull qe pasqyron nje realitet te bezdishem.

 Artikull i kendshem, realist, dhe qe per me teper  vlen per pushtetin lokal. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).