tre lutje (fabula të thjeshta)

 

***

Në ç’qoshe të piramidës je ti?

Shërbëtori im strukur kurriz-thyer,

A mos je Zoti im rrezeplotë ar-ngjyer?

Me shifrat e tua si lule

Të rregulluara për kur koha të vijë

                        Për kur koha të shkojë

Nëpër trupat tanë të zbukuruar në qiell

Ti të gjitha i di,

Si funksionojnë, si prishen, si rregullohen

Si lindin, si zhduken, si tjetërsohen

Ti të gjitha i di

Ndaj vij të të pyes

Në ç’qoshe të piramidës je ti?

 

***

Sepse ti më jep Zoti im

     Të vërtetën e pabesueshme

          Unë gjej qetësi me një gënjeshtër.

Kam kohë të gatitem për takimin tonë

Në vendin dhe orën e zgjedhur prej teje.

Gurë të zi më dha shorti në këtë lojë

Të ofroj një sakrificë

Një ushtar,

Shkëmbeje.

 

***

          Monotoni,

          Rregullsi ringjalljesh anatomike.

Zoti im flet në dialekt

Në dialektin tonë, natyrisht.

Rikrijojmë ditën e tij,

Duhet të shkruhej një testament, natyrisht

E vetmja mundësi për t’u mësuar

Me shkallaret spirale të piramidës

Ku ngjitemi e zbresim papushim

Për të korrigjuar

Minutin  krahëkosë të orës.

          Kjo rregullsi atomike

          E thjeshtuar në monotoni.

Gjoksrrahur nga era

Zoti im vdiq, një njeri

Padashur zura vendin e tij.

 

2 Komente

Sepse ti më jep Zoti im

     Të vërtetën e pabesueshme

          Unë gjej qetësi me një gënjeshtër.

 

pervec ketyre vargjeve, me pelqen e treta me shume nga te tjerat.

Minuti krahekose i ores?! Shume e goditur. smiley

Edhe struktura e shkrimit te te treja poezive krijon spiralen ( ose vorbullen do thosha une) e jetes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).