Tirana '60

(shkeputur nga libri "O njeri"

 

Në uzinën e përpunimit të naftës, për një kohë të gjatë, u krijua një zhurmë e madhe dhe mjaft shqetësuese e cila na detyronte të flisnim me zë të lartë me bashkëbiseduesin. Nga ky shkak, shumë prej të burgosurve iu ngjir zëri e mjaft prej tyre vuanin nga pagjumësia.

Shumë prej nesh patën edhe shqetësime nervore, ndërsa mua më ndodhte një fenomen i çuditshëm; kjo zhurmë më ndihmonte për ta përfytyruar veten jashtë këtij mjedisi, sidomos në darkë. Në bregoren pranë kapanoneve picërroja sytë dhe nga dritat e uzinës më konvertohej pamja e një anijeje gjigande të zbukuruar me ndriçim shumëngjyrësh.

Natë e ftohtë dimri. Me kokën e futur në një shall të improvizuar si kapuç u lë frerët e lirë kujtimeve për të më sjellë pranë fragmente netësh dimërore të qytetit tim. Nostalgji që më ndjell buzëqeshje.

Dilnim me shokun tim të fëmijërisë gjithë qejf se ishte e shtunë mbrëmje. Në bulevard binin në sy shumë studentë që ishin kthyer nga vende të ndryshme të demokracive popullore. Megjithatë, ne ishim në prag të prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e kampit socialist.
Dimri kishte ardhur interesant.

Dy herë kishte rënë dëborë. Fotografët në lulishten e qendrës së Tiranës mezi gjenin kohë të ndërronin filmat e aparateve. Darkave, gjatë "xhiros", lumi i njerëzve shpaloste "fësh-fëshet" e dyqanit të valutës, xhaketat me kuadrate të kombinatit dhe asnjë kapele, sepse ato ishin shenjë e borgjezisë të cilat arti i kishte anatemuar nëpër romane e filma. Rrallë, ndonjërit i kishte mbetur ndonjë relikte nga koha e luftës ende e pakonsumuar, por dhe ai e vinte me sikletin e ndonjë shpotie "revolucionare". Shoqërim idesh!

Këtë ma sillte ndërmend "xhiroja" në oborrin e burgut ku një masë qindra njerëzish sikur shtonin zukatjen e asaj zhurme cfilitëse që vinte prej një shfryrjeje diku nga afërsia e oxhakut më të lartë.

Vetëm "moda" kishte të veçantën e saj: palltot ishin shumica në ngjyrë kafe, kapelet shumëngjyrëshe (shenjë liberalizmi, me qëllim kursimin lejuan edhe veshje civile). Vorbulla ndalonte lëvizjen e saj me rënien e çangës dhe e gjithë masa sistemohej në rreshta.

Fillonte apeli. Kur qëllonte të përsëritej ishte torturë e vërtetë, sepse të ftohtit ndihej më shumë kur nuk lëvizje.
"Xhiroja" në Tiranë, në vartësi të motit e ditëve të festave, ndërronte si një amebë e stërmadhe formën e saj.

Herë-herë rrotullohej rreth qendrës apo niste nga "Zingoni" te Materniteti. Me kthimin e studentëve nga jashtë shtetit dhe ky fenomen kishte pësuar metamorfozën e tij. Rreshtimi pati përftuar një "marschrout"1 tjetër duke u spostuar në drejtim të hotel "Dajtit" e herë-herë shkonte deri te Universiteti.

Kjo sorollatje (se shëtitje s'e quaje dot) konsiderohej si diçka e veçantë, ishte një ritual, siç thuhej, privilegj i qendrave të vogla, sidomos tek vendet e pazhvilluara.

Njerëzit e trajtonin si një shfaqje. Vajzat ekspozoheshin si në një sfilatë dhe shpesh bënin hapat e para të njohjes me "kandidatët" për fejesë. Mjaftonte një nënqeshje në fillim, e cila në rrotullimin e dytë kthehej në përshëndetje. Këtu fillonin shpesh historitë e dashurisë. Për të dalë në xhiro bëhej përgatitje e veçantë. Të dyja gjinitë preokupoheshin me seriozitet.

Nuk përjashtoheshin shkëmbimet e veshjeve ndërmjet motrave a kushërirave. Ato shpesh shtriheshin edhe tek shoqet. Shpesh modifikoheshin veshjet e nënave. Disa prej tyre kishin fatin të vishnin tesha që u vinin nga jashtë shtetit. Këta shquheshin me gishta e gëzonin privilegjin për të mos u dukur si konviktorë provincialë.

Edhe standardi i veshjes pësoi ashtu si xhiroja metamorfozën e tij me ardhjen e studentëve. Këpucët çeke me gomë të trashë u pasuan nga lloj-lloj modelesh ku binin në sy ato që vinin nga RDGJ-ja e Polonia.

Këta sollën dhe palltot e shkurtra mbi gju, të cilët bëheshin objekt i "Bodecit", gazetë muri satirike e afishuar në rrugën e barrikadave ku karikaturat e shoqëruara me vargje demaskonin "modën" e varfërisë më të lulëzuar në të gjitha demokracitë popullore simotra.

Mbasi kryenim rrotullimin apo "xhiron" e parë, kujtoheshim se ishim me vonesë për tek "Vollga" ku fillonte rezervimi i vendeve që në orën 19.00. Kishte të fejuar që linin dikë në tavolinë herët fare e ai pasi konsumonte nja dy shishe birra, ua linte çiftit. Më pas, këto tavolina nuk shërbenin më për një çift, sepse aty vinin kushërinj, shokë e miq derisa salla e restorantit mbushej plot.

Ne rrinim në korridor duke pritur që Andoni apo Xhoxhi të na jepte shenjën se dikush do të paguante. Palosnim palltot e drejtoheshim nga ajo tavolinë duke qëndruar në këmbë për të dhënë përshtypjen se ne do të ishim poseduesit e ardhshëm të saj. Mbas krekosjes përshëndetnim Lamin, Bardhin, Mehdiun, Sazanin e Urimin si "të shtëpisë" që ishim.

Atmosfera ishte ndezur. Ansambli hungarez i ardhur për shfaqje ishte rreshtuar në një tavolinë të gjatë të improvizuar prej pesë tavolinash të vogla. "Komparsita" po ekzekutohej me mjeshtëri nga orkestra e stakatat e saj kishin punë me adrenalinën e auditorit.

Një çift hungarez tregoi virtuozitet në performancën e tij. Njerëzit dyndeshin nga anekset e lokalit në sallë. Duartrokitje. Lami magjik nis rapsodinë nr. 5 të Listit. Efekt i jashtëzakonshëm! Hungarezët mahniteshin.

Çardash. Lami zbret nga podiumi në pistën e vallëzimit. Me lëvizje elegante e interpretim në perfeksion, ai elektrizoi sallën. Afër nesh, kamarieri kishte ngrirë me pjatë në dorë. Dikush e përmend e ai bën një gjest sikur del nga hipnoza, tund kokën e buzëqesh.

Brohoritje. Hakiu, një student i muzikës i kthyer nga Sofja, hyn e përshëndet duke ngritur borsalinën pa përfillur shpotitë e nja dy tavolinave e na kërkon leje për t'u ulur në tavolinën tonë.

Borsalino ishte e reja që ai sillte nga një vend me regjim si tonin. Ne për atë kapele debatonim, e peshonim, analizonim, zbërthenim dhe arrinin në përfundimin se komunizmi i atjeshëm ishte më tolerant se yni. Mehdiu luan me kitarën e tij "Brumbullin" e "Këmbanat".

Entuziazmi rritet. Ansambli hungarez ngrihet në këmbë e duartroket. Në emër të tyre, dy kamarierë qerasin orkestrën. Dy hungarezë i shoqëruan nga pas e falënderuan në frëngjisht; ishte surprizë për ne. "Nuk pritëm të takojmë në këtë lokal mjeshtra të mëdhenj si ju të cilët zor se i takon edhe në koncerte ..."

Një burrë i shkurtër u duk tek dera dhe u bëri me shenjë kamarierëve. Orkestra pa e zgjatur paketoi veglat. Kishim ardhur në qejf. Nisemi për në hotel "Dajti". Lamë pardesytë në garderobë dhe hymë në sallën e tavernës. Duke kullotur sytë me takt, majtas soditim shkurt tavolinat e ambasadave.

Gjoja indiferentë hedhim sytë nga vajza e bukur e ambasadorit turk e cila ecte drejt derës që të shpinte në bar. Djathtas, në tavolinën afër pasqyrës, si zakonisht në qoshe, kapardiseshin "kalecat": Zyd Aga, Gani Kodra e kompani. Në bar endej një shtresë tymi e cila krijonte valëzime sa herë që hapej dera e sallës.

Përballë banakut të Dhorit ishin "montuar" në grupe mbi njëzet vetë ngjeshur midis tyre. Sekretari i Ambasadës Jugosllave Rado, galant e provokativ, kërkonte leje në shqip për të kaluar: Mirëmbrëma! ... Më falni ....!

Shumica e grumbullit përbëhej nga studentë të kthyer nga lindja. Ndër ta shquhej Ëngjëlli "charmant" korrte furore duke folur me gjeste sipas radhës në frëngjisht, rusisht, hungarisht, italisht apo gjermanisht. Grupi i polakëve përbënte mazhorancën.

Tek ata binin në sy Jorgo e Faiku që mbanin njëlloj cigaren ndërmjet gishtave eshtakë e të hollë.
Dera hapej e dëgjohej zëri i Linit që këndonte me diksion shkodran "Guarda che luna" të Buscagliones. Dikush hynte, të qeshura... Czesc Panowie! Co slychac nowego? Ju lutem një kokteil...! Një gotë shumëngjyrëshe kalonte dorë më dorë tek i sapoardhuri.

Dera hapej përsëri... Servus ... Esta ultima Cansion que yo te canto... Kënga "In Voga" e filmit meksikan vinte ndërmjet tymit, të qeshurave e tringëllimave të gotave që vezullonin me ngjyrat e ylberit. Si për ilustrim të momentit dukej fytyra simpatike e Bebekut, mustaqet e të cilit shkonin në harmoni me papijonin që ai mbante.

Mbajtja e papijonit justifikohej meqë vinte direkt nga shfaqja dhe nuk kishte ku të ndërrohej, sepse banonte në Durrës. Doktor Cyneja i bënte vend pranë vetes e të dy dukeshin si personazhe të ardhura nga vitet tridhjetë...

Hap derën e i bëj shenjë Toninit që luante në piano. Ja tek filloi kupleti "Rock and roll" i Carosones "Tu vuoi far l'americano". Njerëzit kishin frikë ta kërcenin. Këtë privilegj e gëzonte Stefani, i biri i ambasadorit polak, i cili kërcente me një vajzë të ambasadës italiane. Së fundi, duket Cezari i shoqëruar nga Raqi e Ruzhdiu të ardhur nga Durrësi.

Përshëndeteshim të gjithë ndërmjet nesh. Shumica ishin të njohur. Ishte një atmosferë pothuaj familjare. Për çdo të panjohur që vinte rishtaz, fillonin thashethemet e për një çerek ore të gjithë pjesëmarrësit kishin në majat e gishtërinjve Curriculum Vitae-n e tij.
Tuist. Bukuroshja turke përdridhej.

Ne mbas derës ndiqnim të ekzaltuar lëvizjet e saj. Feri euforik na përqafon e na pyet: Po shkoni të vini shtresën e kafes në çiornoje morje? Kodi-zhargon do të thoshte: "Po shkoni të pini kafe tek "Krimea?" Atje ishte stacioni i fundit. Xhamat të veshur me avull nuk të lejonin të shikoje brenda. Maria në banak, një grua me vështrim të dhemshur, nuk e zgjaste me njërin që s'kishte të paguante kafenë. Hapej dera. Tavolina pranë saj ishte e papreferuar.

Shto? ... Skurczybyk ... Kurwa mac... Servus! Harro mushkë Valarenë. Ky i fundit ishte zëri i ngjirur i Xhelalit të cilit bashkëbiseduesi Niko këpucari i fliste: Je suis vraiment trompe de toi! Këta përbënin çiftin më simpatik të pijetarëve.

Mbas debatesh "të zjarrta" kodra mbas bregut, dilnin duke u lëkundur për të shkuar s'dihej se ku. Met Myzyri na bën vend në tavolinën e tij. Bisedonte me njërin që mbante sytë mbyllur përgjysmë. Nxjerr një foto të zverdhur nga xhepi i brendshëm ku dukej në bulevardin e Tiranës para lufte një burrë shik me kostum e borsalino. Ky kam qenë unë...!

Ab halebun! Një përshëndetje gjoja arabisht e Lupit, një jevg hamall me buzë të trasha, shoqërohet nga një temena. Raca jonë... vjen nga Siria e Egjipti, kurse disa prej racës tonë nga India sqaronte Lupi si një demograf i thekur, që jetonte me një jevgë në pazarin e ri tek një barakë në hyrjen e rrugicës së Maleshkës. Lëmë stacionin e fundit dhe i drejtohemi sheshit "Avni Rustemi". Krahas nesh, në rresht, në një varg prej pesë vetësh i drejtohet hotel "Stadiumit".

Rreshtin e kryeson Andoni, ish kaldaisti i "Vollgës", dhe mbyllej nga Margarit pirati i cili edhe pse me një sy, orientohej mirë në rrugicën me gropa që shkurtonte distancën për në stadium. Aty flinin nën shkallët karshi tribunës në krevatet prej kartonash që pengonin sadopak lagështirën e të ftohtit. Ecim duke komentuar heroizmin e shokëve "senza tetto".

Tek rrumbullaku pranë bustit të Avniut që shkëlqente nga ngrica, takojmë berberin-poet Ramizin me leshra të verdha, mikun tonë të orëve të vona. I afrohemi, ndërsa ai nis recitimin:
O nami e ndera jonë, burra çelikut
Njimend shqyptarë e nipa t'Skanderbeut!
E bardha rreze dahet, po, prej diellit
Se ju n'harresë u qet kjo zana eme.
Për ju do tknohet po n'lahutë t'malcis.

Gishtin tregues e ngrinte në drejtimin tonë. Flokët dhe mustaqet e tij të verdha ishin të drejta e rebele. Sytë i shkëlqenin. Këmisha gjatë recitimit i kishte dalë jashtë e zbardhte mbi pantallona. Rrihte gjoksin me grusht e plot patetizëm krijonte kadencën aq sa të bukur, por të vështirë të Fishtës, e cila ngjante sikur ngrinte në ajër të ftohtë duke krijuar shkallë për t'u ngjitur në të hovi poetik.

Ai papritur brofi në një bordurë e u kap me një dorë tek kangjella, ndërsa me tjetrën e ngriti përpjetë e ndër gishtërinjtë e mbledhur grusht veçoi treguesin, ndërkohë zëri i tij kumboi:
Na t'birt e shekullit të ri...
Vazhdojmë ecjen, ndonëse ende na ndjekin vargjet e Migjenit nga një zë që sa vinte e shuhej.

Ja dhe rrugica tonë e dashur. Në një bordurë Vasili me kitarë shoqëron serenatën e Rudolfit, këngëtarit aq të pëlqyer prej nesh të rinjve, "Buongiorno tristezza", "Triste domenica", "Stella d'argento"... Këngët pasonin njëra-tjetrën. Nga dritarja e saj Bebi, fqinja tonë, duatrokiste e herë mbas here thërriste "Bravo, të lumtë!"
Nga kati i dytë i shtëpisë afër nesh u dëgjua zëri i Birçes, oficer burgu: Mjaft me këto dëngër-vëngëra!

Rudolfi: Bota jashtë të thonë faleminderit kur ...
Epo ne s'jemi bota ...
Si mund të bëhemi me monstra si ty...?!

Të nesërmen në ora 18.00 kishte shfaqje estrade. Regjisori Mihallaq Luarasi e kishte futur të renë, modernen për kohën, plot guxim, e cila rrokej etshëm prej nesh. Kulmi arrinte kur këngëtarja e madhe, Vaçe Zela, këndonte këngën "Cammino". Megjithë komentin e duhur se kjo këngë këndohej në botën e pashpresë kapitaliste, aludimi ndjehej fuqishëm.
Cammino, cammino, io cerco il mio Mondo
C'e buio profondo
Il sole dov'e
Io stringo una nuvola, le mani che tremmano...

Vaçja qëndronte mbështetur fuqishëm mbi këmbët e hapura si një pemë ndaj furtunës. Një pullë drite vinte nga llozha në të majtë të saj e mbaronte tek ajo. Ndërsa ajo këndonte, ... io stringo una nuvola, le mani che tremano ... krahët ishin shtrirë drejt burimit të dritës, ndërsa duart që dridheshin, dukeshin sikur kërkonin të kapnin atë aq të dëshiruarën: Lirinë!

Shpresa që thërrmoheshin...
Shkundem prej kujtimeve e shoh një pjesë të mirë t'atyre personazheve që luanin bardhë e zi ndër vagëllime...

Ja berberi-poet Ramizi i tkurrur, kërrusur tërheq këmbët thuajse zvarrë tre metra më poshtë në oborrin e burgut. Mihallaq Luarasi, i vetmi në atë oborr me një kokore ruse në kokë nuk ecën, por gati vrapon poshtë e lart i vetëm me mendimet e tij natyrisht jo të gëzueshme. Lupi hukat duart e lëviz këmbët me një vend-numëro të shpejtë.

Mehdiu, muzikanti i mrekullueshëm, pyet lart e poshtë me shpresë për të peshkuar ndonjë lajm optimist për amnisti.

Grupi polak, e gjithë shoqëria, ishte pothuaj tërësisht siç kishin qenë të lirë dikur, por tashmë të veçuar, barisnin duke kujtuar shpesh pjesë të shkëputura nga hetuesia e tyre. Jashtë përmendeshin "Grupi agjenturor polak", "Grupi terrorist i Dinamos", "Grupi i ushtarakëve", "Grupi i marinës" (Landi, Haruni, Maksi, Alaudini, nipi i Hysni Kapos etj.) e të tjera me radhë si këto.

Edhe sonte xhiroja vazhdon në bulevardin e Tiranës dhe në oborrin e burgut...Unë nuk e di se ku jam dhe për kë jam. Janë shokët që më presin dhe unë i dëshiruar për ta.
Por është dhe çanga që më ndërpret fillin e mendimeve, ndaj unë shkëputem nga qyteti im e vrapoj për tek rreshti. Apeli i burgut tim...

 

24 Komente

Ah sa  me ka njit ky pershkrimi i Tiranes se vjeter. Une s'kisha lindur akoma atehere, po kjo lloj jete eshte ajo qe e bente Tiranen Tirane. Respekt per perfaqesuesit e asaj kohe dhe per kete qe i ka shkruajtur dhe qe duket qe ka qene pjese e saj. Sa me ndryshe do kishte qene Shqiperia sikur keta lloj njerezish mos perfundonin periodikisht burgjeve. 

Koha kur te Vollga sherbehej "shishqebap ne leter". smiley

Sipas kujtimeve te mikut tim te mire GB.

 

 

Nuk mund te kete shpirt kaq te bukur te flase me nje rrjedhshmeri artistike kaq te paster,sepse kaq i paster ka qene mendimi i shpirtitit te lire,te asaj kohe, kur arti  te shprehurit  ka qene vetvrasje.

Sa pak ka ngelur nga Tirana,per te mos thene hic fare.Aty ku njerzit mesonin tango me para nen dore, vetem per te qene te barabarte me emrin Tiranas.

 

Për çfarë flet libri në përgjithësi, tigani në zjarr?

Fantastike! S'di a është letërsi a histori, por do më pëlqente të lexoja librin nga fillimi në fund.

Pershkrim rrenqethes me te vertete. "Pizzicato" prej kesaj jete kujtoj edhe une ne "Vollgen" e quajtur me pas "Drini" ne vitet e vona 70.

Orkestrina e mjeshtrave Nikush Guralumi, Vildan Banka e Mehdi Prodani kur i degjoje, te vinte tu kerkoje ndjese pa patur faj teksa i shikoje ne sy, qe luanin aq mjeshterisht dhe ishin aq te poshteruar. Sapo kishin dale nga burgjet e punonin per nje lemoshe pas darke.

Ish-Spalla te orkestres tone simfonike, kerkonin mbijetesen.

Teper vone, per ata qe nuk jane me.

Tirana eshte prap aty siç ishte dikur mbase dhe me e bukur, ato qe jetuan ne ato vite nuk jane me.

 

Lum, robi po nuk pati lind ne Tiron, ate ca percillet midis rreshtave (theksoj "midis&quotsmiley ktu, kurr nuk munet me e pervetu 100%. Ajo ndjenje eshte si valet FM. Ka nje bandazh shume specifik, i cik me e lujt butonin, te iku ene t'rreshqiti. Ate qe jep Tirana per nji dore te caktume njerzish, nuk ka Paris e Manhattan ta japi!

Ku i gje mer keto lloj thoniesh tina....

Cma kujtove kete punen e bandazhit, e gje mer e gje ai qe do e gje ene me t'hum rrota qe lu bandazhin, ai do ta gjej ene tu e lujt, ka i cik,  me pinca ,sic ma lujte e ma nrofe ti shpirtin mu tashina  ahhh:''(...i modh je i modh.

 Emo, une e kam pasur shtepine mu siper Hotel "Drinit" (Turi e di) dhe ballkoni i dhomes time binte ekzaktesisht 6 metra ne te majte te strehes poshte se ciles luanin muzikantet. Tashti une keto te vjetrit si kam as njof me emra, por Genc Dashi dhe Ed Misja vishin nganjehere aty per te bere nga nje "jam" me muzikantet, zakonisht mbas ores 9 te darkes nganjehere deri ne mesnate neteve te veres. Mbaj mend cunat e rinj qe uleshin shesh tek cepi i pistes se vallezimit ose te kangjellat per te nigju. Ne u boshim dy-tre shoke te ballkoni, kapshim ndonje gote ponc, nizshim noi dahon, edhe kalonim ne tjeter bote, si puna e ketij shkrimtarit me dritat e fabrikes.

Tani per ate punen e Tiranes, e ke thene shkelqyeshem, por desha te shtoj dicka. Ate Tirane qe ekzistonte atehere dhe qe nuk ekziston me si realitet ombjektiv, por si realitet sujektiv ekziston qe cke me te. Valet e saj ekzistojne ne stratosfere, dhe duhet ta dish tamam gjatesine e vales qe ti gjesh.

Tirana e sotme mund te jete me e bukur ose me e shemtuar, por e di se cfare. Per mua nuk ka rendesi. Tiranen time une e kam marre me vehte kur ika, ka per te metur gjithmone aty dhe as e prish e as nuk e "ndreq" dot me njeri. Ate tjetren qe ka ngelur aty, le ta gezoje kujt i ka ardhe rradhe, dhe i uroj nga zemra qe kjo Tirane e re te kete mundesi te beje me ata, po ate magji Tirana e vjeter beri me ne.

Ene a e di kush eshte me e bukura O PF.!

Kur vinte Genc Dashi te Bar Sahati apo Bordura ,masi qe kishte pi dy dite rresht mate fjalim para nesh "cohuni mer dhjaksa e protestoni" edhe ne te prekmit ne seder, pasi mundoheshim me imitu ate, pas nje dy dopio kacurrel apo juniperos, sipas rastit e bojshim nga nje paudhesi...nuk e kuptoj pse sot kemi nostalgji ...ndoshta nga zhgenjimi...

Ajo Tirone aq e bukur e aq rebele,ku edhe me lujt po te shkojshe si femije,ne shtepine e dikujt, te pyesnin i biri kujt je, jo nga je,sot eshte zhytur shume thelle ne oqean si Titaniku dhe mund te sillet ketu vetem nepermjet memories tone.

Emo, "teper vone per ato qe nuk jane me", kujtimet e atyre viteve.

Eshte diçka personale , jo per Tiranen.

 

Ate qe jep Tirana.....me gjasa ke dashe me thene ...ate qe jepte Tirana . smileyTani Tirana jep gjojna me ...Perse ka Tirane akoma ???? Prej vitit 1990 Tiransit jane bere aq te vjeter sa qe kane harruar cfare ka qene Tirana .

Ke pas ...... 

 Me varza te bukura e djelm te ri

Po sot Tiran pa m'thuj si je ?

Te ka hyp betoni e katunaria e te shklet

e kush kalon andej pari heq breket e te dhjet !

Jeta ne liri qe kujtohet nga burgu. Copa kujtimesh qe vijne nga burgu ne forme imagjinate . Kjo eshte me nje qellim, qe sigurisht nuk eshte thjesht per te na treguar se c'behej asokohe ne Tirane. Ketu jepen rreze drite qe ishin te pranishme ne ate kohe. Njerez jashte vorbulles se fanatizmit dhe mentaliteit kooperativist komunist. Kohe kur Shqiperia ishte me e hapur ndaj gjerave nga "jashte" dhe qe kishin ndikim kulturor ne Shqiperi. Qe per fatkeqesine tone erdhen duke u shuar. Keshtu protagonistet e historive te autorit jane perseri bashke, por ne burg. Jepet diktatura komuniste me fytyren e saj te vertete. Por duhet lexuar i gjithe libri per te pasur nje pamje me te qarte dhe per te mos perfunduar ne lajthitje qe mund t'i thuren elozhe diktatures pse kishte qebabtore ne Tirane.

Speaker, kur fol per PD-ne dhe politiken e PD-se, jepi ene pushka top! Se je m'fush tate. Ene je playmaker. Ilaqim, per Tironen, o fol si duhet, ose lene at muhabet mo mir. Ato nuk ishin qebaptore, ato ishin tyrbe ku gjejshin rahat shpirtna te trazum! Ishuj ku jon thur kryevepra qe s'i shkrujti kush. E kom llafin, qe po nuk i pate njof, mos bi n'gjynof!

Mire mer mire, e muorem vesh, si ti, si Turi qe nisi kujen me lart smiley.

Nqs Tirona e atehershme ishte "tyrbe" ku faleshit soji juj (se s'dinit tjeter) atehere Vlora ishte tempull, dmth "avllia e parajses" ashtu sic e ka emrin ...

Ua kuptojme dashnin, mallin e me te thashe, por shenjterine pls, osht me ligj nga i nalti, e ato jane ndare para se me qene Tirona ne harte smiley.

Vaçja qëndronte mbështetur fuqishëm mbi këmbët e hapura si një pemë ndaj furtunës. Një pullë drite vinte nga llozha në të majtë të saj e mbaronte tek ajo. Ndërsa ajo këndonte, ... io stringo una nuvola, le mani che tremano ... krahët ishin shtrirë drejt burimit të dritës, ndërsa duart që dridheshin, dukeshin sikur kërkonin të kapnin atë aq të dëshiruarën: Lirinë!

 

 

Ahhh sa bukur!!!!!

 

Kenge si "Mesnate" jane shembujt me te mire per kunder-argument ndaj mendimit monocolor (me shqeto, mendimit idiot) se ne periudhen 45-90 nuk ka pas asnji krijimtari cilesore.

 Mua per vete, kenge me e bukur e asj kohe me eshte dukur "Bicikleta" e Francesk Radit, por ai budallai nuk e di pse e ka ndryshuar tani dhe e kendon vetem ne nje version modern ku kori ia heq lezetin.

 

Shtoji dhe keto po deshe

Lemza

Kafe Flora

Ne bankat e shkolles

Personalisht, gjithmone kam qene KATOGORIK: "Mesnate" ka qene dhe vazhdon te jete kenga me e bukur shqiptare e te gjitha kohrave ! Cuditerisht, e ka shkruar nje kompozitor (Shpetim Kushta) qe pothuaj nuk shkroi fare me pas kenge te tjera (eshte marre kryesisht me muzike klasike, filmash, dhe profesor ne ILA). 

"Mesnate" eshte UNIKE !

Je l'adore !

 Stalker. Po ta kishe njof Shpetim Kushten do e kishe heq menjehere ate cuditerisht.

Hehe, ke te drejte :  kur shkruajta (ate qe shkruajta), hezitova te vendos ne thonjeza fjalen "çuditerisht" (ose ne italike)...

Jo, nuk e kam njohur; por me kujtohen disa pune simfonike te tij. Gjithsesi, me ka bere gjithmone pershtypje qe ai nuk shkruajti më kenge... Ka ndonje si "pune" shpjegimi (me qe le te nenkuptosh qe e ke njohur...)

Merci

 Stalker, se kam njohur drejtperdrejt, por nje shok i ngushte i imi e ka pasur profesor dhe nuk e hiqte nga goja. Ka qene shume i talentuar dhe rob zoti, por ishte nga ato tipa qe donte ta linin vetem ne qejf te vet dhe nuk i kishte qejf tabelat e emulacionit. Ishte me teper tip studiozi se rock star, por ka pasur shume horizont dhe e njhte me themel xhazin dhe muziken moderne. Te pakten keshtu flisnin studentet qe e respektonin edhe si profesor edhe si shok.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).