Tangoja e zgjedhjeve shqiptare

Dy muaj më parë, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet më të fundit legjislative. Këto ishin të shtatat zgjedhje që nga fillimi i tranzicionit demokratik në vendin tonë. Analizat dhe debati për to vazhdojnë. Për këto zgjedhje kanë folur e shkruar mjaft politikanë dhe shumë gazetarë, një pjesë e madhe e të cilëve vetëquhen, apo i quajmë, analistë, komentatorë apo opinionistë. Ajo që të bën përshtypje, edhe këtë herë, është se pak studiues të shkencave politike e sociale janë marrë me analizën e dukurisë në fjalë për ta vështruar atë në kontekstin e gjerë të zhvillimeve demokratike dhe të tranzicionit demokratik në vendin tonë. Edhe kur kjo ka ndodhur, si në rastet e kolegëve të mi të nderuar Servet Pëllumbi, Ermal Hasimja, Blendi Kajsiu, Henri Çili, Moikom Zeqo, Kosta Barjaba dhe ndonjë tjetër, preokupimi dhe fokusi i analizave kanë qenë shkaku i humbjes së Partisë Socialiste në këto zgjedhje dhe fati i së majtës shqiptare. Pjesa më e madhe e analistëve në mediat tona, nga ana e tyre, janë marrë kryesisht me çështjen e fatit politik të kryetarit socialist Edi Rama, çështje e cila ka qenë gjithashtu kryefjala e çdo prononcimi publik të socialistëve (Ben Blushi, Arben Malaj dhe ndonjë tjetër) që kontestojnë rikandidimin e Ramës për postin e kryetarit të PS-së dhe pothuaj e çdo analisti (të anshëm dhe të paanshëm) që është përzier në këtë debat. Unë nuk dëshiroj të bëhem pjesë e këtij debati, por dua ta trajtoj subjektin e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri nga një këndvështrim tjetër, që është ai i sociologjisë politike.
Çështja mund të shtrohet, shkurt dhe qartë, kështu: Ç’prisnim ne nga këto zgjedhje dhe a i shërbyen ato konsolidimit demokratik në Shqipëri? Fjalën nuk e kam nëse shpresat dhe pritshmëritë e shumicës së shqiptarëve ishte që të humbiste në zgjedhje Partia Demokratike dhe të fitonte Partia Socialiste, apo që, më në fund, të mënjanohej nga politika z. Berisha dhe në krye të qeverisë të vinte z. Rama, apo që konstelacioni i partive politike në Shqipëri të riformatohej, duke nxjerrë jashtë sistemit shumë nga partitë e vogla dhe pa mbështetje në elektoratin shqiptar (partitë-kryetar, partitë-familje, partitë-fantazmë, partitë pa ide, partitë pa program, partitë pa anëtarë, partitë ish-parti). Fjalën e kam nëse këto zgjedhje ishin një hap mbrapa apo një hap përpara (apo, nëse ato ishin dy hapa mbrapa dhe një hap përpara, apo një hap mbrapa dhe dy hapa përpara) në procesin e konsolidimit demokratik në Shqipëri. Dhe, nëse analizën e përqendrojmë në këtë çështje, e cila për mua është më esencialja, mendoj se përvoja jonë e derisotme dhe arsyeja na thonë se zgjedhjet e këtij viti përbëjnë një hap më tej përpara, apo një hap mbrapa dy hapa përpara, në procesin e konsolidimit demokratik në vendin tonë.
Zgjedhjet e këtij viti nuk ishin të përsosura. Zgjedhjet asnjëherë dhe askund deri më sot (as në Finlandë, as në Francë, as në SHBA) nuk kanë qenë të përsosura. Sidoqoftë, këto zgjedhje, pavarësisht vërejtjeve të shumta që lexuam në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dy ditë më parë, mendoj se ishin më të mira, më të lira, më të rregullta se zgjedhjet e katër vjetëve më parë, apo ato të 8 apo 12 vjetëve më parë. Thomas Carothers është shprehur në një rast se, ajo çka ne, si qytetarë, shpresojmë dhe presim nga zgjedhjet, varet shumë nga kuptimi që kemi ne se në ç’masë, zgjedhjet për se, mund të sjellin ndryshime të thella demokratike në shoqëri.
Për hir të argumentit që dëshiroj të shtjelloj, shtroj pyetjen: A ka, në vetvete, rëndësi mbajtja e zgjedhjeve në një vend si yni, i cili, duke dalë nga një sistem autoritarist, përpiqet të krijojë një rend të demokracisë liberale?
Në përgjithësi, çdo raund zgjedhjesh i shërben procesit të demokratizimit të një vendi në tranzicion. Institucionalizimi i zgjedhjeve të lira është një hap i rëndësishëm përpara drejt inaugurimit të një rendi demokratik. Demokracia nuk mund të kuptohet dhe të ekzistojë pa zgjedhje të lira. Studiuesi amerikan i politikës së krahasuar, Staffan Lindberg, duke analizuar fushatat elektorale dhe rezultatet e mbi dyqind zgjedhjeve gjatë valës së tretë (Huntington) të demokratizimit në kontinentin afrikan, ka konstatuar se raunde të njëpasnjëshme zgjedhjesh legjislative inkurajojnë dhe sjellin cilësi demokratike në jetën e shoqërisë. Zgjedhjet, pavarësisht shkallës (relative) të lirisë së tyre, kanë një ndikim pozitiv në zgjerimin e dimensioneve të lirive qytetare dhe në konsolidimin e vlerave demokratike të individit dhe të mbarë shoqërisë.
Së pari, zgjedhjet realizojnë të drejtën universale të qytetarëve për të shprehur lirisht opinionet e tyre, për të formuar grupe interesi dhe organizata politike që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e tyre dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në organet e pushtetit qendror dhe vendor.
Së dyti, përmes pjesëmarrjes në zgjedhje, qytetarët mësojnë të identifikohen me vlera të tilla, të cilat janë në mënyrë inherente pjesë e praktikës demokratike elektorale. Kur kjo praktikë shndërrohet në rutinë për ta, në kuptimin që i jepte Max Weber termit “rutinë”, qytetarët fillojnë të ndjehen protagonistë të procesit demokratik dhe bëhen më të interesuar të marrin pjesë në të përmes artikulimit të interesave të tyre dhe votës së tyre.
Së treti, përmes pjesëmarrjes në një sërë aktivitetesh që kanë të bëjnë me zgjedhjet, si pjesëmarrja në fushatat elektorale, në komisionet e zgjedhjeve apo vëzhgimi i procesit zgjedhor, gradualisht akumulohet një kapital kulturor, social dhe politik i çmuar, i cili përkthehet në vlera demokratike për një masë gjithnjë e më të madhe njerëzish, veçanërisht për brezin e ri që socializohet në politikë.
Së katërti, përsëritja në mënyrë të rregullt dhe periodike e zgjedhjeve i shndërron në rutinë rregullat e lojës elektorale si një proces politik dhe legal-formal dhe i detyron gjithnjë e më shumë institucionet shtetërore (gjykatat, policinë, ushtrin&eumlsmiley t’i respektojnë dhe mbrojnë ato dhe të drejtat politike të qytetarëve. Në këtë proces, konsolidohet gjithnjë e më shumë vetë karakteri demokratik i institucioneve shtetërore.
Së pesti, në fushata elektorale dhe gjatë tërë procesit zgjedhor, rritet gjithnjë e më shumë roli i mediave, të cilat gjithnjë e më shumë e zgjerojnë sferën publike dhe debatin demokratik që zhvillohet në të, u vijnë në mbrojtje lirive qytetare, vlerave dhe cilësive demokratike të procesit zgjedhor, zbulojnë dhe denoncojnë parregullsitë e këtij procesi dhe manipulimet me votat e qytetarëve.
Së fundi, në çdo fushatë zgjedhjesh legjislative apo për pushtetin vendor, një vend në tranzicion është nën vëzhgimin e vëmendshëm të komunitetit ndërkombëtar dhe të mediave të huaja, çka ndikon gjithnjë e më shumë në sensibilizimin e opinionit vendas, në përmirësimin e standardeve demokratike të zgjedhjeve dhe në konsolidimin e tërë procesit demokratik.
Të gjitha këto tipare kanë qenë të dukshme në zgjedhjet e fundit legjislative në Shqipëri dhe, për këtë arsye, do të ishte nihilizëm të mohonim progresin e bërë. Nga ana tjetër, të kontestosh rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe të mos i njohësh ato, tani që këto rezultate janë certifikuar konstitucionalisht të vlefshme, siç bën Partia Socialiste, e cila doli e humbur në zgjedhje, është diletantizëm politik. Staffan Lindberg thekson se, “duke kontestuar rezultatet dhe duke venë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve të lira, partitë që humbasin në këto zgjedhje shpesh me vullnetin e tyre pengojnë dhe diskreditojnë procesin demokratik”. Sepse, në fund të fundit, siç ve në dukje politologu i shquar Adam Przeworski, demokracia është një sistem, në të cilin partitë humbasin zgjedhjet. Ka parti: ndarje interesash, vlerash dhe opinionesh. Ka konkurrencë të organizuar mbi bazë rregullash. Ka edhe fitues dhe të humbur periodikë”.
Zgjedhjet janë, natyrisht, kushti i parë i demokracisë, por ato nuk janë i vetmi kusht. Përkufizimi i demokracisë si një formë qeverisjeje që buron nga zgjedhjet e lira është, në fakt, përkufizimi paradigmatik minimalist dhe/apo procesualist i saj, të cilin, në mënyrë klasike e ka formuluar Joseph Schumpeter qysh më 1942, në veprën e tij të famshme “Kapitalizmi, Socializmi dhe Demokracia” (Capitalism, Socialism, and Democracy). Pasi e përkufizon demokracinë si “një metodë politike... një tip i caktuar organizimi institucional për të arritur në vendime politike-legjislative dhe administrative”, Schumpeter ofron definicionin e tij të njohur mbi “metodën demokratike”, me çka ai kupton “atë organizim institucional për arritjen në vendime politike, në të cilin individët kanë fuqinë të vendosin përmes një lufte konkurruese për votën e popullit”.
Edhe pse zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për çdo tranzicion demokratik, ato nuk mjaftojnë për ta përfunduar me sukses atë. Vetë Schumpeter theksonte se, për të siguruar një “konkurrencë të lirë për një votë të lirë”, duhet të përmbushen një varg kushtesh politike jashtë procesit elektoral, ndër të cilat ai përmend “një masë të konsiderueshme të lirisë së fjalës për të gjithë” dhe, “në mënyrë të veçantë… një masë të konsiderueshme të lirisë së shtypit”.
Përveç kësaj, sado demokratike dhe të lira të jenë zgjedhjet, ato nuk “prodhojnë” imediatisht dhe domosdoshmërisht legjitimitet për elitat e reja politike në asnjë vend, pra, as në një vend postkomunist, si Shqipëria. Zgjedhjet e lira mund vetëm të shërbejnë si një parakusht për një legjitimitet të përkohshëm, të cilin mund ta quajmë “legjitimitet elektoral”. Por, edhe pse një legjitimitet i tillë, i përkohshëm, rezulton nga një marrëveshje kushtetuese, ai ka nevojë të provohet në procesin e qeverisjes për një kohë relativisht të gjatë, në mënyrë që të mund të konsolidohet dhe të konsiderohet si legjitimitet i vërtetë, i bazuar në konsensusin e qytetarëve.
Duke qenë një parakusht i domosdoshëm për çdo formë demokratike qeverisjeje, zgjedhjet e lira krijojnë vetëm premisat për krijimin e një sistemi demokratik, por nuk garantojnë funksionimin demokratik të shtetit apo legjitimitetin e tij. Demokracia nuk është thjesht apo vetëm zgjedhje. Demokracia është një proces, jo një ngjarje e një dite të vetme. Me fjalë të tjera, edhe pse zgjedhjet e lira janë të domosdoshme për instalimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike në çdo shoqëri, ato janë vetëm fillimi i procesit demokratik. Ndërtimi i një shoqërie demokratike kërkon domosdo më shumë se zgjedhje të lira. Demokracia nënkupton krijimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor, respektimin e lirive të tilla civile dhe politike për çdo qytetar, mbrojtjen e minoriteteve; institucione të përgjegjshme; respektimin e pavarësisë së pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor etj. Të gjitha këto janë procese, të cilat zgjasin më shumë se një votim i vetëm. Ato zgjasin për vite apo dekada të tëra. Sidoqoftë, siç kanë argumentuar më së miri personalitetet më të shquara në fushën e teorisë së demokracisë dhe të politikës së krahasuar (Seymour Martin Lipset, Juan Linz, Larry Diamond, Alfred Stepan, Terry Lynn Karl, Samuel Huntington, Philippe Schmitter, Adam Przeworski, Robert Luckman etj.) dhe siç provon përvoja historike, disa raunde zgjedhjesh legjislative, me kohë çojnë në përmirësimin e standardeve demokratike. Këtë provon edhe rasti i Shqipërisë me zgjedhjet e saj të fundit, të cilat, e përsëris, shënuan një hap përpara në rrugën e konsolidimit demokratik në vendin tonë.

2 Komente

Zgjedhjet asnjëherë dhe askund deri më sot (as në Finlandë, as në Francë, as në SHBA) nuk kanë qenë të përsosura.

zoti fatos, c'fare problemesh kane pasur zgjedhjet e fundit dhe te parafundit ne Islande dhe Norvegji? 

Zgjedhjet e këtij viti nuk ishin të përsosura. Zgjedhjet asnjëherë dhe askund deri më sot (as në Finlandë, as në Francë, as në SHBA) nuk kanë qenë të përsosura. Sidoqoftë, këto zgjedhje, pavarësisht vërejtjeve të shumta që lexuam në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dy ditë më parë, mendoj se ishin më të mira, më të lira, më të rregullta se zgjedhjet e katër vjetëve më parë, apo ato të 8 apo 12 vjetëve më parë.

Nuk besoj se ju e keni idene kuptimin qe merr fjala "persosmeri" ne perendim ne dallim nga shqiperia. Per me shume bene edhe gafen qe permend Komitetin shqiptar te Helsinkit. A je ne dijeni qe kjo organizate ka deget e saj ne SHBA,Findlande apo France qe ti permend dhe raporti i tyre per keto vende ka ndryshime thelbesore me ate te shqiperise?

Permend krahasime me perendimin me qellimin e vetem te mashtrosh lexusin dhe te justifikosh qellimin e vertet te shkrimit. Do nje shembull zoteri me PHD? Rinumerin e votave qe behet ne perendim ! Urdhero bej krahasime!

A e di qe me 2009 ka vetem 2 vende qe manipulimet zgjedhore kane ngritur nje shqetsim serioz me perendimin.. Afganistani dhe Shqiperia!

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).