Si tjetersohet kronika e zeze ne lumturi kombetare!

Si tjetersohet kronika e zeze ne lumturi kombetare.

Në datën katër gusht të këtij moti, lajmet në Shqipëri u renditën pothuaj nga të gjitha TV-ërat sipas kësaj rrjedhe:

1. Një baba kishte braktisur të tri fëmijët e tij në Peshkopi, para spitalit. Ai deklaroi se nuk kishte mundësi t’i ushqente, ndaj kishte ndërmarrë atë hap ekstrem…Por drejtori i spitalit të qytetit tha se nuk mund të mbante dot gjatë fëmijët e braktisur, ndaj duhej gjetur një zgjidhje nga organet e pushtetit…
2. Në një lokal në Durrës, një i ri nga Lushnja kishte ngacmuar balerinat dhe meqë pronari e ndaloi, ky paskësh nxjerrë koburen…Pronari i lokalit ishte detyruar ta qëllonte edhe ai me armë duke e vrarë në vend djaloshin lushnjar.
3. Diku nga Kurbini, tre vllazën nuk kishin duruar t’i parakalonte një kamion, ndaj ndoqën shoferin e kamionit dhe e qëlluan me armë për ta vrarë, por shoferi fatmirësisht shpëtoi “pa rrezik për jetën”…
4. Në një rezervuar të Tiranës u mbyt një trembëdhjetëvjeçar; policia po heton për ngjarjen dhe po kërkon trupin e viktimës…
5. Në Tiranë, vëllai vrau vëllanë pasi nuk bashkëjetonin dot bashkë në të njëjtin apartament…
6. Para maternitetit të Tiranës u gjet në kazanët e plehrave një foshnjë e vdekur. Foshnja që lindka e vdekur quhet ters për familjen, ndaj familjarët, pasi u zbuluan, pohuan se e patën hedhur në kazanin e plehrave pa e varrosur për hir të bestytnisë…
7. Kryeministri Berisha theu rekordin e notit në Dhërmi; nga 120 minuta, ai paskësh ndenjur në det, pa ulur këmbët në tokë, 123 minuta...”Njëherë tjetër, - premtoi kryeministri me gojën e vet, - do të tentoj të shkoj me not deri në Korfuz, po këtë do ta bëj tjetër herë, kur të jem i monitoruar nga gazetarët”, - shtoi ai në mbledhje të qeverisë…
8. Po në këtë mbledhje qeverie, kryeministri Berisha deklaroi që tek ne nuk ka krizë, kriza është vetëm në kokën e atyre që kanë krizë! - tha ai...
9. Sipas kryeministrit Berisha, do të asfaltohen të gjitha rrugët e katundeve që të nxjerrin në det dhe të gjitha fshatrat e Bregut shumë shpejt do të kenë ujë të pijshëm 24 orë! Sepse Shqipëria, sipas tij, duhet përfundimisht të kthejë sytë nga deti…
10. Përsëri pati përplasje replikash mes zëdhënëses së PD dhe PS për çështjen e deklarimit të pasurive të dy liderëve përkatës…(Tekstin e tyre të përafërt nuk po e jap, pasi vetëkuptohet: vetëm “armiku” i partisë është i edhe super i korruptuar, edhe i papërgjegjshëm, i...etj.)
Ja pra, kjo është kronika e një dite normale në Shqipëri.
 
***
Teksa po shkruaja, dëgjoj se në Durrës, sot më shtatë gusht, në mesditë, ka ndodhur një tjetër masakër: i shumëkërkuari Dritan Dajti, i arratisur nga gjykata e Tiranës para ca vitesh, paska vrarë në plazh katër oficerë policie, policë të trupave speciale që patën shkuar për ta arrestuar…Gjithsej janë vrarë nga ky “operacion i suksesshëm” i policisë pesë vetë, pa përmendur të plagosurit që, gjithsesi “janë jashtë rrezikut për jetën”…
Pas këtij lajmi tragjik nuk u pa të dilte as kryeministri, as ministri i Brendshëm, po u shfaq bashkëshortja nga Peshkopia që kishte braktisur burrin dhe fëmijët…Ajo deklaroi se burri e rrihte sistematikisht, madje edhe me shishe rakie kokës, por, sipas saj, gra që dhunohen si ajo e që nuk kanë me se t’i ushqejnë fëmijët e tyre në Peshkopi, janë shumë…
Jeta pra vazhdon normalisht në Shqipëri!
 
***
Mirë për ne, që nuk kemi tjetër rrugëdalje e që mesa duket nuk na bëjnë përshtypje as këto lajme të sterrta, tragjike, të padëgjuara e të pangjara kurrë më parë në këtë vend, por për sytë dhe për veshët e një të huaji, e ca më tepër të shqiptarëve të larguar që ndjekin së largu me kërshëri e mall ngjarjet në mëmëdheun e tyre të dashur, lajmet e mësipërme, edhe pa i komentuar një për një, jo vetëm që lënë një shijë tejet të hidhur (“si një kafshatë që nuk kapërdihet dot, o vëlla!, do të thosh Migjeni po të ishte gjall&eumlsmiley”, po është e vështirë të thuash e të mendosh, pasi i dëgjon dhe i përtyp vetmevete ato, se Shqipëria jonë nuk është në krizë Të paktën në një krizë të thellë morale që nuk sy për Qabe të ndalet!
Po më e vështirë është të mos besosh se krizë ka në mendjen e në kokën e kryeministrit tonë të vetëngopur, të mbetur karizmatik, euforik e të vetëkarfosur edhe kur duhet të ulë kokën, edhe kur lipset t’i vijë turp e të kërkojë falje, edhe kur Shqipëria del se është, kryesisht për faj të tij, “delja më e zezë e Ballkanit”. Ku është pra kriza? na thotë ai që duhet të përgjigjet për këtë vend, sidomos kur i vriten në mes të ditës katër oficerë policie e ku nënat që braktisin apo pranojnë të trafikojnë fëmijët, janë në rritje? Mesa duket krizën nuk mund ta pikasë vetëm truri i një deliranti të lindur e të dehur nga fuqia e vet e pakufizuar, i cili edhe në ditë të tilla të nxirosura nga vdekjet, vrasjet, kriza globale, fatkeqësitë e nga hallet e pazgjidhshme të qytetarëve te vet del dhe na tregon se si ai pushon në Dhërmi, se si noton pash në det, se si ai përsëri dhe përsëri ka për të thyer rekordin e tij me veten!
 
***
Jo, kryeministri ynë nuk po tallet me ne. Ai bën shakara e hedh romuze në çdo mbledhje të qeverisë që të na i lehtësojë hallet e sikletet në mënyrë që të na duket jeta më e bukur nga ç’ është! Ky shakaxhi i përparimit dhe europianizimit tonë i qëndron besnik, si askush tjetër nga brezi i vet, pikëpamjes së tij të ngulitur që nga format e edukimit: popullit punonjës i duhet dhënë ai “bar” që kërkon e që është mësuar të hajë, ndaj i duhet hedhur në grazh pa kursim propagandë suksesesh “të vendit të parë në botë”, paçka se jeta e përditshme e popullit shkon zi e më zi… Sepse Berisha është edukuar të jetë e të drejtojë partinë e më pas edhe qeverinë me mendësinë e ideologëve të socrealizmit që besojnë se, sa më i zezontë të jetë realiteti, aq më shumë duhet intensifikuar dhe zbukuruar jeta me propagandën e partisë dhe me euforinë e udhëheqësit që na çon nga fitorja në fitore…! Për hir të së vërtetës, duhet pranuar, kjo taktikë e tij ka pasur sukses.
Ndaj ai sinqerisht beson se e ka për detyrë e për mision të na ngjallë shpresën dhe optimizmin e rremë edhe kur shkojmë drejt greminës (kujtoni p.sh, pragun e piramidave), nj’ashtu si veprohet me të sëmurin, i cili, para operacionit, do të duhet të vihet në narkozë që të shohë ëndrra të bukura e të bjerë në gjumë…Për Doktorin, sa më keq jemi sot, aq më të lumtur do të ndjehemi nesër, sigurisht nëse pas operacionit të tij nuk do të dalim sakatë, apo më keq akoma, nëse nuk do të vdesim apo vritemi me njëri-tjetrin si në vitin 1997.
Pra, sipas tij, sa më e thellë dhe e rëndë të jetë sëmundja e shoqërisë sot, aq më pak do të ndjejmë nesër dhimbjen, krizën, fatkeqësitë, pasi këtë efekt e bën droga, narkoza, lajmet “rozë”, trysnia e ti mediatike, lumturia që na pret, sipas tij, “prapa malit” e mbas sodit, “ushqim” që na e jep Doktori dhe zëdhënësit e tij përditë, qoftë edhe me lajmin e gëzueshëm të thyerjes së rekordit, lajm ky “i bardhë” që provon, ashtu si ligji për martesat e homoseksualëve, se në Shqipëri punët shkojnë fjollë, deri sa “babai” i kombit del e lahet në det për shtatë palë qejfe, madje thyen edhe rekorde!
E pra, sa më shumë shtohet papunësia dhe rriten çmimet, sa më e rëndë bëhet kriza, sa më shtrenjt do ta paguajmë nesër energjinë, sa më shumë njerëz vriten, sa më e papërballueshme bëhet jeta, sa më shumë prindër braktisin dhe trafikojnë fëmijët, sa më pa rrugëdalje të jemi, aq më e lartë do të bëhet rritja jonë ekonomike, të cilën, si e thotë ai vetë,  është më e larta në botë!…
Ja, edhe rrugët po asfaltohen, ujë të pijshëm do të kemi në vitet që do të vijnë, koalicioni është edhe fitues, edhe i garantuar, ndaj kryeministri ynë, edhe kur del nëpër ekrane i rrethuar me kronika të tilla të zeza, duket aq i qetë, aq i sigurt, aq i lumtur dhe sa më s’ka vizionar, sa të vjen të thuash: atëherç ç’duhet të kërkojmë më tepër se kaq?
Ku është kriza, pra?
Veç në kokën e tij nuk ka krizë! Për fatin tonë të zi, ai nuk ka se si të dallojë krizën dhe sëmundjen që ka te vetja…Por këtë, pikërisht këtë mbjellës të palodhur fatkeqësish e prapësish të padëgjuara duhet ta paguajmë e ta mbajmë në kurriz përditë ne, qytetarët e lumtur të  këtij vendi që po vdes për ditë nga lumturia e udhëheqësit!

 

2 Komente

Kiço futja vetes, nuk ke rruge shpetimi.

S'e lexova tërë shkrimin, më mjaftonte që titulli ankohet për kronikën e zezë dhe pastoj vijon t'i radhisi vetë disa kronika të zeza. Po bëmat e KM-ziut ç'lidhje kanë me kronikën e zezë?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).