Si dole? Jam për vjeshtë

Sot nuk është dita ime e parë e shkollës. Nuk kam veshur atë përparësen e zezë më jakë të bardhë që do të pajtohej keq me peshën time të re, në përgjithësi edhe me dinjitetin tim, ose me syzet e mia të mendueshme, që thonë se janë pjesa ime më intelektuale. Kam shpëtuar nga buka me marmelatë, nga fletorja e shkrimit, nga zilja e pushimit, nga dezhurni ushtarak që tani nuk ka asnjë pushtet tek unë. Nga pikëpamja e shkollës - ose më mirë të themi nga e famshmja ditë e parë e shkollës - unë jam një njeri i lirë.

Mirëpo duke qenë i tillë, kam detyrime ta jap shkrimin tim. Sot kam ndërmend me ftillue pak punën e këtyre 11 mijë mbetësave maturantë të këtij viti, që do presin në rastin më të mirë vjeshtën për të marrë diplomën e pjekurisë. Nga 39 mijë maturantë që kishte Shqipëria në maturën 2009 nxori plot 11 mijë ngelësa, pra 20 përqind e nxënësve, padyshim një rekord jo vetëm ballkanik. Në rastin më të keq, këta maturantë do ta ripërsërisin vitin, pra shkolla e lartë këtë vit do të jetë një shans i humbur. Shans, besoj, i humbur me vetëdije sepse kanë dashur t’i kalojnë pa mësuar edhe lëndët që i kanë zgjedhur demokratikisht vetë. Ajo që është njëkohësisht për të qarë dhe pastaj për të qeshur është se “mbetësit” kanë gabuar në përcaktimin e lëndëve me zgjedhje. Kanë qenë pikërisht lënda e Historisë dhe e Gjeografisë, ato që kanë pasur një fluks të madh kërkesash, por niveli i përgatitjeve ka qenë tepër i dobët. Pjesa më e madhe e tyre i ka rënë rrugës më të shkurtër për të mbërritur. Dhe diploma e pjekurisë si çdo frut tjetër në natyrën njerëzore do kohën, vaditjen dhe prashitjen e saj.

Ti biem shkurt hesapit:

Dobësia e pasqyruar në rezultatet e provimeve me zgjedhje i ka rrënjët më të thella se gëzimi i atij që e ka kaluar provimin. Gjithmonë më duket sikur lotët e humbësit kanë rrënjë më të thella se buzëqeshja e fitimtarit. Kjo dihet e stërdihet. Mirëpo ajo që shqetëson është se nuk dihet shkaku i kësaj injorance masive që firoi në kullesën e provimeve nga pjesa tjetër e lëmshit kur filloi dita e shkundjes së grurit. E thotë edhe kultura folklorike: kujdes, “mendja është kokërr gruri”. Drejtorë, nëndrejtorë, mësues e inspektorë arsimi ulin kokën kur u kërkohet llogari në vetë të parë për rezultatet e dobëta të maturantëve. Ata me një ngritje të supeve - që do të thotë nuk e di - dorëzohen përpara realitetit të hidhur. Gjithçka u faturohet nxënësve sikur këta të fundit të kishin autonominë intelektuale për të vlerësuar se çfarë dhe sesi duhen të përgatiten për provimet. Edhe pse shumë veta në shkollën shqiptare nuk mësojnë për jetën, por për shkollën, sot as kjo aksiomë  e fundit nuk bëhet më.

Avitjet e lëndëve janë ato po klasike: shpjegim ligjërues i mësuesit në klasë, detyra shtëpie dhe pastaj pyetja sa kanë thithur nga ky proces absorbimi dijesh. Veç mësuesve të deklaruar të pafajshëm nga korpusi i tyre edhe pjesa më e madhe e prindërve të zhgënjyer nga 11 mijë maturantët edhe sot që po flasin nuk i dinë shkaqet e kësaj disfate të vogël familjare, që ngjan më një Waterloo personale.

Simbas gjykimit tim, kjo injorancë e mbarësuar kaq shumë vjen jo vetëm nga mësuesit, por kryesisht edhe nga prindërit e familjes shqiptare, e cila po pëson një evoluim me ritme aq të larta sa janë të papërballueshme, dhe po humbet në vlerat e veta edukuese. Madje kam parë sesi njerëzit kanë filluar të bëjmë më shumë karrierë më shumë jashtë se brenda familjes. Po anashkalohet komplet roli edukativ e folesë familjare, që tani duket se ju është deleguar institucionit të shkollës në rastin më të mirë. Kjo e fundit më gjithë misioni e saj fisnik si palestër e qytetarisë nuk mund të bëjë atlet një që është topall në njohuri qysh fëmijë.

Internet kafeja:

Në fshatrat shqiptare rrjeti i internetit nëpër shkolla është aq panjohur sa edhe është mësimi konstant nëpër biblioteka a qendra ku ka libra. Fshati, në mendësinë e qeveritarëve lokalë e qendrorë, duhet të prodhojë sa më shumë fshatarë në mendësi. Në metropolet e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës ka një ndryshim nga fshati, aty ka internet. Vetvetiu edhe misioni i hapjes mendore të një të riu sot, në ndryshim nga dje që ishte libri, i është lënë më shumë kulturës sipërfaqësore të internetit sesa parapërgatitjes prindërore. Kjo mungesë paraprake jo vetëm shkakton një konfuzion vlerash në mendjen e të riut, por shumëfishon - sidomos - vesin e të “rënit shkurt”, çka në formim reflektohet si simptoma e shpjeguar tek skeçi shqiptar: “mos shko, o trim”, “mos shko se do ta hash”, “E hëngri edhe trimi”. Trimat e sotshëm metropolitanë që vetëm në metro nuk janë, nuk hapin atë derën e famshme të trimit, por hapin dritaren e kompjuterit dhe futen në tunelin virtual të kibernetikës. E aty ngelin peng të injorancës. Virtualiteti nuk ka asnjë virtyt, përkundrazi, i internon në internet lundruesit e pa vozitur në jetë.

9 Komente

Jo te gjithe do behen politikologe, gazetare, ekonomiste, fizikante,...Problemi qendror eshte tek mungesa e shkollave te profilizuara te mesme. Ne kete forme dhe nxenesit qe nuk kane aftesite e duhura per te perballur arsimin e e pergjithshem perfundojne aty nga orientimi i keq dhe mungesa e njerezve te specializuar qe merren me orientimin e nxenesve mbas 9-te vjeçares. 20% eshte shume. Perkrah mungeses te profilizimit eshte dhe tregues i trupave pedagogjike te dobeta. Lind pyetja se perse paguhen ato njerez.

Shkollat e mesme jane te gjitha te profilizuara, permendet dhe ne artikull qe nxenesit i zgjedhin vete cprovimesh do japin (hiq Matematiken dhe Letersine). Ne vit te 3, mund te zgjedhesh midis profilit shkencor dhe atij shoqeror, profile qe kane plane mesimore dhe pjeserisht lende te ndryshme.

Ashtu sic e ke permendur dhe ti , mendoj se mungesa e orientimit dhe stafit mesimor (mbase te pakualifikuar realisht per profilizmin) ndikojne ne keto shifra.

 

Nuk po flisja per profilizim brenda arsimit te pergjithshem por per ate teknik dhe profesional. Nje pjese e mire e ketyre 11 000 nxenesish nuk kane pregatitjen e duhur per te perballur universitetin nderkohe qe perspektiva kryesore e studimeve te pergjitheshme eshte studimi universitar, pasi me arsimin e pergjithshem po s'vazhdove studimet je as good as pa asnje profesion. Pra i bie qe nje pjese e mire e ketyre trendafilave jane orientuar gabimisht mbas studimeve 9-te vjeçare. Kjo ne nje fare forme eshte minus i madh per sistemin arsimor pasi ne kete forme po hedh ne tregun universitar njerez qe s'kane aftesite e duhura per ta perballur dhe qe ne fund me nepotizem dhe korrupsion arrijne ta kryejne. Pra numri i te paafteve rritet duke ju zene kuotat e fakulteteve atyre qe vertete kane aftesi per te bere dicka.

Arsimi i larte nuk me duket te jete e drejte e njeriut, apo me keq akoma nje e sherbim qe mund te blihet me para. Nuk eshte e thene, as e keshillueshme qe te gjithe te pranohen neper universitete. Sidomos ne nje kohe qe politika neo-liberale e Tiranes inkurajon perdorimin e arsimit te larte si nje valvul qe kanalizon energjite rinore e i con ne sikter.

 

Po te pjestosh 11 mije kaqolet (ngelesat) me 39 mije maturantet gjithsej ne del 28% ose rreth 1/3 dhe jo 20 % qe thote artikullshkruesi. Pra nese 20% eshte shume, 30% eshte akoma me shume. 

Edhe ata qe skan ngel sdo te thote qe jan mire por do te thote qe kan marre 5-n ose e kan blere 5-n. Une do thosha qe 1 mij mund te jene nxenes te mire , 1 per klase, per te qene optimist, dhe nga keta 1 mij 900 jane femra.

paskan fillu te funksionojne provimet me se fundi pas 19 vjetesh

Studentet e sotem vuajne nga kultura dhe shkolla sa dhe ky kaqoli ketu qe shkruan neper gazeta dhe e pagujane pale...problemi qendron....duket qe nga artikulluesi  me ato shprehjet alla "mos shko or trim mos shko"... ah te keqen e gazetarise tone smiley

Me ka rastisur te bisedoj me nxenes qe kishin mbaruar shkollat e mesme private me rezultate te larta, niveli i tyre ishte kaq i dobet aqsa i krahasueshem me nje nxenes te 6 apo 7 te brezit tim(mesuesja e historise kishte mbaruar me mua dhe hynte ne nxenesit me nivel medio-basso). Them se nje problem  mjaft i madh i nxenesve(studenteve) sot eshte mungesa e deshires per te sakrifikuar, duan cdo gje gati, le pastaj kur lexoj mendimet e tyre ne facebook, upupupupu, bir selmani nenes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).