Shpërthen furra e "Kurum", plagosen rëndë 4 punëtorë

Shpërthen furra në "Kurum", plagosen rëndë 4 punëtorë. Tre shtetas shqiptarë dhe një turk janë të lënduarit, të cilët po marrin mjekim intensiv në spital, pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme. Rreth orës 19:45, punëtorët e turnit të dytë po punonin në afërsi të njërës prej furrave të shkrirjes kur ndodhi dhe shpërthimi. Menjëherë punëtorët e tjerë janë përpjekur t'u japin ndihmën e parë kolegëve të tyre, duke i nxjerrë ata jashtë ambienteve të furrave. Për shkak të plagëve të djegies, ata janë transportuar me urgjencë drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit me shpejtësi. Sipas policisë së Elbasanit, të plagosurit janë: Hysen Cungu, 52 vjeç, Luan Muhametaj, 42 vjeç, Arben Mahmutaj si dhe shtetasi turk Murat Filiz, 33 vjeç, të katërt me eksperiencë pranë kësaj kompanie. Mjekët pohuan se megjithë kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit, punëtorët shqiptarë janë jashtë rreziku për jetën. Më rëndë paraqitet gjendja e turkut, i cili i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale të menjëhershme dhe pritej që të nisej drejt Spitalit Ushtarak. Ndërkohë që policia e mbërritur në vendngjarje për kryerjen e veprimeve hetimore me ndihmën e prokurorisë ende nuk ka nxjerrë një shkak përfundimtar mbi shpërthimin e fuqishëm që plagosi katër punonjësit e turnit të dytë në kompaninë "Kurum Internacional". Gjithashtu janë shoqëruar në drejtorinë e policisë së Elbasanit drejtues të kompanisë që në momentin e shpërthimit ndodheshin në punë si dhe janë marrë në pyetje inxhinierët e kësaj kompanie. Nga hetimet e  para, policia e Elbasanit ka pohuar se dyshohet që shpërthimi është provokuar nga mbetjet e ngelura në depozitën ku është derdhur llava e çelikut. Sipas rregullave, ajo duhet të ishte e pastruar totalisht, por nuk dihet se për çfarë arsyesh kjo nuk ka ndodhur mbrëmë. Në kontakt me metalin e saponxjerrë nga furra, në temperatura tejet të larta, skorjet e mbetura kanë shkaktuar presion e copat e nxehta dogjën punëtorët përreth. Shpërthimi i ndo-dhur mbrëmjen e djeshme ka përhapur panik në zonën e ish-metalurgjikut, e cila është e mbipopulluar nga bizneset private. Brenda ambienteve të "Kurum" kanë ndodhur herë pas here incidente, të cilat kanë pasur pasoja tek punëtorët, ku më i rëndi vitet e fundit përmendet ai i janarit të vitit 2008.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).