Shkrimtari i moralit dhe shkrimtari i moralshëm

“Shekspiri! - shpërtheu Piti duke përplasur krikllën mbi tryezë, - çfarë ishte Shekspiri? Thjesht një dramaturg i punësuar. Djalë kasapi me sy kodoshi. Megjithatë, ai e tha ç’kishte për të thënë. E di si dukesh ti kur pi birrë? Si ajo foka me këlyshët që i thithin gjirin përreth.” “Ja, kjo është, - tha Marku. - Gabimi i të gjithëve është se përpiqen t’i vënë emër dhe numër. Herëpashere del dikush i bindur se ka ardhur koha t’i ndërrojë brekët. Ata s’e kuptojnë që ai është veshur bukuri për të gjitha stinët dhe që ua kap idetë në ajër nga një orë larg. Ata kujtojnë se mund ta vërtisin si t’u dojë qejfi, duke i premtuar ndonjë përqindje fitimi. I gënjen mendja se mos ai i kthen të gjitha provat e prokurorit për leverdinë e tyre. E tërë kjo punë është lesh me qime. Ai s’u përpoq asnjëherë t’ia zvogëlojë humbjet njeriu, aq më pak vetes së tij.”

“Shumë e vërtetë.” “Ai s’është nga ata që vijnë rrotull me pè dhe gjilpërë në dorë, - tha Marku, - as me kura dhjetëditëshe. Kur e ke parë të përpiqet të qepë plagë, ose t’i japë formë tjetër?” “Pra, ti do të thuash që ai s’është poet moral.” “Poet moral? Nëse me këtë nënkupton që ai nuk i pret leckën njërës tapë, duke lënë zbuluar tjetrën, atëherë jam fare i sigurt që s’është. Po të kem thënë këtë, atëherë pikërisht këtë desha të them. Zbraze gotën, se vazhdojmë të flasim prapë për tapat morale, që po na mbushin lavamanin. Ç’kupton me moralin ti? Ja, ta tregoj unë, - tha Piti. - Sepse e kam bluar mirë këtë punë në kokë. Ja, si e shoh unë. A nuk është morali, në kuptimin që e përdorim ne fjalën, të vepruarit e njeriut në mënyrë që të bëjë të mira për njerëzit rreth tij? Domethënë, përgjegjësia që kemi për ta kuptuar se, në një rast të caktuar, jemi qenie shoqërore. Nga ana tjetër, morali është edhe lehtësia për t’iu përshtatur nevojave në rrethana të caktuara, në vende të caktuara. Ai nuk i shërben asnjëherë zgjidhjes së problemit të së mirës dhe së keqes, veti që i vishen zakonisht moralit inteligjent. Më kupton ku e kam fjalën?”
“Ç’do të thuash?” “Ja, mua nuk më mbushet mendja se njeriu është në gjendje ta ndajë të mirën nga e keqja, duke analizuar përfundimin e një veprimi të caktuar. Të mirën mund ta marrësh po të duash edhe si gjendje mendore dobiprurëse, edhe si virtyt shoqëror. Por mos harro se një gjendje mendore, që është dobiprurëse në rrethana të caktuara, mund të kthehet në shterpë në rrethana të tjera. Si e mira, ashtu edhe e keqja, janë nocione të përcaktuara nga rrethanat. Si kimikate, ato nuk mund të jenë as të paanshme dhe as të dhëna një herë e përgjithmonë.” “Ma jep kanoçen”, tha Marku.
Vajti te banaku dhe u kthye me dy birra të errëta në dorë.
“Gëzuar!” “Mos e vrit mendjen për Hamletin. Ai është histori më vete. Ndërsa të tjerët, Otello, Makbethi dhe Liri janë njerëz me virtyte aq të mëdha, sa pikërisht përmasat gjigante të këtyre virtyteve u kthehen në vese. E kupton ku e kam fjalën? Otello është xheloz sepse dashuron më tepër nga ç’duhet. Por shiko se ç’ndodh. Ai vazhdon të jetë i dashuruar për aq kohë, sa nevoja për t’u shpjeguar nuk ia kufizon ndjenjat. Liri fillon të rrëshqasë në humnerë për shkak të zemërgjerësisë së tij të skajshme. Me Makbethin e keqja qëndron se ka shumë më tepër konsideratë, sesa duhet, për të shoqen. Pra, të gjithë këta njerëz kanë një problem, ata nuk pranojnë të kuptojnë kufizimet e tyre në hapësirë. Ndjenjat e tyre kapërcejnë përmbi faktet. Jetojnë të gjithë përtej mundësive. Ndërsa kur vjen puna për të vepruar, jo në bazë të së vërtetës, por në bazë të asaj që besojnë, del se diçka u mungon. Kur vjen puna të japin llogari sipas normave të drejtësisë të pranuara nga të gjithë, atëherë del se janë gabim. Por, po ta mërrësh hollë-hollë, ata kanë të drejtë. Po të nisesh nga sa adhurim dhe simpati na ngjallin ne, del se kanë të drejtë. Por këtë përfundim nuk mund ta arrish kurrë, po t’i gjykosh moralisht.”
“Me kë jemi ne tani?” “Tani ne jemi me atë çka ishin ata, përpara se t’u kthehej në pengesë përgjegjësia për të vepruar. Nevoja për të vepruar ua mbyt virtytin këtyre njerëzve. Pra, kanë reshtur së qeni krijesa që mendojnë moralisht. Liri, Makbethi dhe Otello, në njëfarë mënyre, janë të gjithë të detyruar të japin llogari për veprimet e tyre, pavarësisht se ata nuk arrijnë ta bëjnë këtë. Madje, Liri dhe Makbethi as që marrin mundimin ta bëjnë.”
Tabakaja ra nga tryeza duke trokëllirë mes tymit.
“E vetmja gjë, që ata arrijnë të shohin, është procesi i natyrshëm i shkakut dhe pasojës që vepron në një sistem, të cilit ata nuk i përkasin më. Ata dalin nga sistemi sepse u mungojnë virtytet shoqërore, nuk mendojnë për të tjerët. Në secilin rast, mendimi fillestar për të tjerët është i sipërfaqshëm dhe i pazhvilluar, çorientues. Ata gëzojnë cilësi të veçanta, prej të cilave edhe marrin, nëse mund të shprehemi kështu, forcën për t’u ngritur mbi të tjerët. Ose, të paktën, kështu u duket atyre. Prit pak. Gjithë puna, kupton, gjithë puna është se, meqë të gjitha këto përcaktohen nga rrethana të përshtatshme, ata dalin në përfundimin se nuk kanë përse të kenë asnjë detyrim ndaj disa kodeve morale, që ata vetë nuk i marrin parasysh. Pra, këta marrokë shkasin ngaqë kujtojnë se mund të jenë në gjendje të anashkalojnë një makineri, pjesë e së cilës, dashje pa dashje, ata vazhdojnë të mbeten. E thënë ndryshe, kjo makineri është morali, standardi i shumicës. Mua më duket se Shekspiri justifikon edhe njeriun, edhe makinerinë.” “Po në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë si mund të thuhet që është poet moral? - tha Marku. - Dua të them, shiko çfarë bën ai. Shiko se si sillet. Asnjëherë nuk vë në përdorim tela ndërlidhjeje ose rripa shpëtimi dhe, ç’është më e keqja, nuk i mban as rezervë për t’i përdorur kur t’i vijë radha, atij ose ne.”
“Jo.” “Si mund ta gjykosh në mënyrë morale, kur ke parasysh që ai ecën njëherazi në shumë drejtime? Pse, pak kokëçarje ka ai? Shiko se me çfarë i duhet të merret. I del vetes përpara kur është duke u kthyer, zhytet midis gjunjëve, harron fillin, rrëmbehet me vetveten, bie përsëri në gjeometri, futet në qorrsokak, gatuan lëngun e vet dhe thuajse gjithmonë përfundon me duar të prera. Ama coha, stofi, vëlla, nuk i griset kurrë. Litarin nuk ia gjen kurrë të patendosur deri në fund. Ai e bën punën e vet. Po të niste të tarrallisej me gjykime morale, kishte për të falimentuar shpejt, si të tjerët. Ja, kjo është.”
“Gjithë puna me Shekspirin, - tha Piti duke trokitur gishtat mbi tryezë, - është se ai asnjëherë nuk e mat njeriun me kutin e ideve, që të niset pastaj e të japë këshilla për atë që del.”
“Ai nuk i lë asgjë rastësisë.”
“Del fare hapur, ja, kjo është puna. Kam për borxh të kërleshem me këdo që thotë se ai i shihte të mirën dhe të keqen si abstragime. Jo, nuk i shihte fare ashtu. E pranoj, arsyetime të tilla kanë shumë të ngjarë që ta dëmtojnë ndjenjën tonë morale, të paktën atë ndjenjë që njohim ne si morale. Dhe po ta shohësh dëmtimin si diçka të keqe, atëherë Shekspirin mund ta quash edhe poet moral. Por, nga ana tjetër, pavarësisht se kjo përvojë na godet moralin, ne duhet të arrijmë të ruajmë kutin, me të cilin do të jemi në gjendje ta masim gjithë këtë situatë. Sepse, po të mos kishim asnjë pikë referimi, do të na humbiste e gjithë përvoja.” “Atëherë?” “Në këtë rast na duhet thjesht të zëvendësojmë. Pra, në vend të sheshit apo kopshtit të moralitetit – një bashkësi shoqërore-fetare në vartësi të vullnetit të përbashkët të njerëzve për të jetuar me njëri-tjetrin – në vend të kësaj, të vëmë faktin e thjeshtë të njeriut si gjykatës i pavullnetshëm i vetes, sepse në fund të fundit, njeriu që ka të drejtë të zgjedhë është i detyruar të pranojë edhe përgjegjësinë e veprimeve të tij. Atëherë, për aq sa ai nxjerr vetë në shesh, mund të thuhet se është poet i moralshëm...”
“Ah. E ku dolëm atëherë?”
“Dolëm aty ku e nisëm.”
“Ec e më tako kur të jem esëll, - tha Piti. - E gjithë kjo histori ka aq shumë pika të errëta, saqë mua po më urguset stomaku...

Përktheu Arben Kallamata

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).