Shehu: Projektbuxheti i 2010, rritja ekonomike parashikohet 6 përqind

Zëvendësministri i Financave, Shehu pohon se të ardhurat dhe shpenzimet parashikohet të rriten me 12 përqind

Gjatë vitit 2010 parashikohet të rikthehet rritja ekonomike prej 6%, ndërsa të ardhurat dhe shpenzimet parashikohen të rriten me 12%, krahasuar me vitin 2009.

Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, tha në një intervistë për ATSH-në se, Ministria e Financave ka përfunduar Programin Buxhetor Afatmesëm 2010-2012, në bazë të të cilit do të përgatitet projektbuxheti i vitit 2010 brenda datës 31 gusht. Sipas Shehut, "miratimi i kufirit buxhetor, u jep mundësi institucioneve, që gjatë hartimit të buxhetit të tyre, të mos dalin përtej kapacitetit financiar që ka vendosur qeveria".

Duke u ndalur konkretisht në shifrat, Shehu tha se gjatë vitit 2010 parashikohet që borxhi publik të ulet nga 4.2% të prodhimit të Brendshëm Bruto që pritet në vitin 2009, në 3.5% të PBB-së në vitin 2010 dhe deri në vitin 2012 të shkojë në nivelin 3% të PBB-së.

"Ajo që është e veçantë në prioritet në këtë buxhet trevjeçar, pas infrastrukturës është zhvendosja e ritmeve të rritjes në sektorë social, kryesisht arsim dhe shëndetësi, ndërsa do të ketë në këtë mandat të ri të qeverisjes një prioritet të katërt, që do të jetë bujqësia", deklaroi Shehu. "Bujqësia gjatë këtyre tre viteve do të ketë dyfishim të buxhetit të saj", tha Shehu, ndërsa shtoi se, "nëpërmjet fondeve të akorduara do të mbështeten fermerët me subvencione, zhvillimi i infrastrukturës së tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe njëkohësisht edhe vaditja". Shehu tha se do të vijojnë investimet në rrugë, ndërsa një vëmendje më të madhe do t'i jepet investimeve në ujësjellës-kanalizime, pasi çështjet e ambientit tani janë më të prekshme dhe janë të lidhura me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, i cili ka kërkesa të forta për ambientin. Konkretisht, Shehu tha se rritja mesatare e fondeve do të jetë 12%, por sektorët prioritare si arsimi dhe shëndetësia do të kenë mbi 20%, ndërsa investimet në këto dy sektorë parashikohen 25-30% më të larta krahasuar me vitin 2009.

6-mujori i parë, defiçiti buxhetor brenda parametrave

Defiçiti buxhetor në 6-mujorin e parë të këtij viti është brenda parametrave të parashikuar. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, pohoi dje për ATSH-në se, shifrat për këtë periudhë janë tepër optimiste dhe njëkohësisht reflektojnë përmirësimin e menaxhimit financiar, që është bërë gjatë katër viteve të kësaj qeverisje. "Në fund të gjashtëmujorit, periudhë për të cilën janë edhe të dhënat e konsoliduara për shpenzimet dhe të ardhurat kemi arritur të kemi 45% të defiçitit vjetor, që do të thotë se brenda gjysmës së vitit është krijuar 45% e defiçitit që është një trend normal dhe që tregon faktin se nuk është ndikuar as nga kriza ekonomike dhe as nga fushata elektorale", tha z. Shehu. Sipas tij, ky trend ka vijuar të përmirësohet gjatë muajit korrik, për arsye se në këtë muaj ka një ecuri më të mirë të të ardhurave buxhetore dhe nga të dhënat paraprake, nga tatimet dhe doganat, rezulton se tatimet vazhdojnë të realizojnë planin mbi 100% për të ardhurat e brendshme, ndërsa doganat kanë ngushtuar shumë defiçitin dhe në muajin korrik kanë një defiçit simbolik. "Kështu që, realizimi i të ardhurave është një tregues shumë i mirë i stabilitetit të nivelit të defiçitit dhe të stabilitetit fiskal në tërësi", deklaroi Shehu. Ai hodhi poshtë zërat se rrezikohen investimet publike. Nuk është e vërtetë, sepse në gjysmën e parë të vitit është shpenzuar 46% e fondeve dhe në gjashtëmujërin e dytë janë 54% e fondeve për t'u shpenzuar", tha Shehu. Në këtë drejtim, ai shtoi se ekonomia për pjesën e dytë të vitit do të jetë dinamike dhe e financuar nga fondet publike, "ndaj dhe ne nuk parashikojmë rrezik për realizimin e investimeve publike". Por, sipas z.Shehu, niveli aktual i mosrealizimit të të ardhurave është i mbuluar plotësisht nga kontigjencat. Përveç kontigjencave, Shehu tha se janë edhe 25 miliard lekë të ardhura nga privatizimet strategjike dhe që nuk janë të buxhetuara.

 

Të gjithë të pastrehët do të përfitojnë kredi pa interes

Të paktën 12 mijë familje të pastreha në Shqipëri që u përkasin familjeve me të ardhura të pakta dhe me probleme sociale do të përfitojnë kredi pa interes për të blerë shtëpi. Deri tani çdo i pastrehë që merrte kredi të butë nga shtetit përveç këstit mujor paguante dhe 3 përqind të interesit, por sipas udhëzimit më të fundit të Ministrisë së Financave ky 3 përqindsh do të subvencionohet tërësisht nga shteti. "Numri i familjeve që do të përfitojnë nga skema e qeverisë për strehimin është relativisht i lartë, rreth 12 mijë të pastrehë. Trajtimi i tyre është ndarë me grupe dhe këtë vit është parashikuar të trajtohen mbi 5 mijë të pastrehë", tha të martën në një intervistë për ATSH-në zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu. Kredia për të pastrehët është një politikë në vazhdim që është iniciuar nga Partia Demokratike që në vitin 1993, dhe siç kujton zv/ministri Shehu "të gjithë ata që nuk përfituan nga privatizimi i banesave në atë kohë, fitonin të drejtën e marrjes së një kredie të subvencionuar nga shteti "si të pastrehë". Sipas z.Shehu, pas bllokimit për një kohë të gjatë të këtij procesi kemi riaktivizuar këtë politikë, duke u ofruar kredi të gjithë atyre që kanë statusin "të pastrehë". Duke u ndalur në procedurat e ndjekura për të zbatuar këtë skemë të qeverisë, Shehu tha se, "vitin e kaluar u bë edhe përzgjedhja e bankave, të cilat do të ofrojnë kredinë për ata që kanë statusin e "të pastrehit" të konfirmuar nga Këshillet Bashkiake, por njëkohësisht banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve". Qëllimi i kësaj skeme, që po aplikon qeveria është i dyfishtë. "Së pari, të përfitojnë këtë mbështetje të garantuar me një ligj të posaçëm të pastrehët, dhe së dyti, ish-pronarët të marrin pronat e tyre", sqaron Shehu. Ky hap për subvencionimin e interesave të kredive vjen në momentin kur interesat bankare për kreditë janë në rritje dhe kur bankat shikojnë statusin dhe nivelin e të ardhurave të atyre që marrin kredi. "Ne synojmë mbështetjen e të pastrehëve me qëlllim që të mundësojmë realisht marrjen e kredive nga bankat", shton z. Shehu. Ai informoi se, fondi i parashikuar për të pastrehët do t'i jepet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, e cila ka një program që është programi i strehimit dhe që trajton dy grupe të popullsisë. Në njërin grup përfshihen të pastrehët që kanë fituar statusin "si të pastrehë" në vitin 1993, dhe në tjetrin, familje me të ardhura të pakta dhe familje në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomike, por edhe ato që kanë çështje të tjera me karakter social dhe që janë subjekt i ligjit për Banesat Sociale.

 

3 Komente

10% do jete shero 10%, jo 6 sa thua ti, se e shof qe nuk ke llogarit qe do behet ligj i ri per taksen e te 10-tes dhe do punohen mijera hektare toke te lena djerre. Po ju ja keni var fare dhe kryeministrit e se ngjoni c'thote, ne presim pune nga ju

Zoti Sherefedin ja ke bo vehtes me duart e tua. Ene masanej do thujsh po ai kot me shkarkoi. Po si kot ore! A e di ti se nuk ka rritje nje shifrore? Duhet 2 shifrore Shero . Hajt pra kur te te theresi ne zyre thuji qe ke haru nje njesh perpara pra duhej te ishte 16 %.

Me duket se Sherefedini i ka llogaritur pa vjedhjet e qeverise qendore dhe lokale Po te hiqen vjedhjet do te jete nje renie rreth 6%

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).