Seç po vjen një varkë me vela...

Sërish nuk shkojmë dot në Evropë? Sërish makthi i vizave u rikthye edhe më i fortë se më parë, sa kohë që u shndërruam në një ishull të izoluar dhe të fundit matanë gardhit evropian? Sërish nuk arritëm të bëjmë zgjedhje të ndershme, të lira dhe sipas standardeve që Evropa kërkon si kusht për të na quajtur edhe ne evropianë? Po, të gjitha këto janë të vërteta, por punë e madhe. Nëse nuk shkojmë dot në Evropë, mund t´ia dalim të sjellim Evropën këtu. Reagimi i jashtëzakonshëm i shoqatës së Gay-ve italianë dha pikërisht këtë ndjesi.  Duke kritikuar Qeverinë e tyre si konservatore, ata “zbuluan” mbas një mbledhjeje surprizë të Qeverisë sonë liberale, një ishull të çmuar për idealin e tyre. Një parajsë disa dhjetëra kilometra larg tyre, në të cilën, të drejtat e njeriut respektohen deri në kulmin e piramidës së imagjinueshme: dy burra dhe dy gra edhe mund të martohen me njëri-tjetrin, mjafton ta duan një gjë të tillë. Dhe atë që nuk mund ta bëjnë në Itali, mund ta bëjnë në Shqipëri, po të kalojnë detin që na ndan me të gjitha mjetet e mundshme në dispozicion. “Edhe me gomone”, u tha nga bregu matanë i Adriatikut. Duke e ditur që në këtë breg, gomonet e tyre nuk do të ktheheshin mbrapsht bosh.

Thonë se humori më i mprehtë bëhet në funerale. Dhe në Shqipëri ka një atmosferë të përgjithshme funerali. Si në zi janë të djathtët e zotit Berisha që kanë të gjitha shanset numerike dhe kushtetuese për të bërë Qeverinë, si në zi është partia e zotit Meta që i duhet të vazhdojë të shpjegohet për konceptin e tradhtisë dhe të së tradhtuarit në politikë, si në zi është dhe e majta ime që nuk mundi të vijë në pushtet.

Në zi jemi të gjithë dhe re të zeza përgatiten të vijnë mbi atdhe kur të vuloset ndërkombëtarisht ndryshimi mes konceptit tonë ballkanik të standardeve zgjedhore dhe atij të Brukselit. Në zi janë biznesmenë që japin punë për të prodhuar para për veten dhe taksa për shtetin, të punësuarit e këtyre biznesmenëve që presin me gjak të ngrirë nëse do të vazhdojnë të punojnë apo jo edhe nesër, ama sterrë e zezë duket dhe kriza apo dhe vetë gripi i derrit që mbasi na kanë trokitur në derë, por kemi bërë sikur nuk e kemi dëgjuar, na hyn brenda sipas mënyrës së tyre: domethënë me arrogancë, forcë dhe inat.

Të gjitha këto i dimë, por ndryshe nga gjithë të tjerët në këtë situatë, kryeministri ynë vepron ndryshe: e keqja luftohet duke qeshur. Dhe as më shumë dhe as më pak, por në mbledhje qeverie, me stilin e tij të njohur të monologut qeveritar, ai bëri për të qeshur në fillim Lulin e tij, domethënë Lul Bashën, ministër i Jashtëm, i shkolluar gjatë emigracionit të tij të gjatë në Holandën më shumë se liberale dhe evropiane. Na dha myzhdenë, siç do të thoshte Noli i madh, se kush është burrë, domethënë, që nuk është tamam burrë sipas konceptit konservator të fjalës, mund të gjejë një burrë tjetër për ta çuar në altarin e dashurisë në çift.

Ministrat qeshnin. Mbas 28 qershorit ata mund ta numërojnë veten pa frikë në radhët e fituesve dhe fituesit qeshin. Eshtë mëkat dhe gabim politik që në mbledhje qeverie, kur karagjozët e përparimit, siç do të thoshte sërish Noli i madh, premtojnë përparim e progres, ministrat të mos qeshin me progresin. Natyrisht për të treguar optimizëm dhe votë pro progresit. E meqenëse kujtuam Nolin, nuk ka asnjë arsye pse të mos kujtojmë martirë të tjerë të fatit të zi, që kur nuk kishin bukë të ushqenin veten e fëmijët, i këshillonin të hanin biskota. Mos vajtëm larg duke përmendur një shumë më shumës se kurtizane të famshme? Por biskota postelektorale që hodhi Saliu ynë, ky ish-burrë zamani që këto kohë fyerjen më të madhe personale për të tjerët e ka “by...q...ë”, është më shumë se e hidhur. Kryeministri i një vendi ku dhjetëra e qindra mijëra shtetas jetojnë nën kufirin e varfërisë absolute, ku ka pensionistë që ngrysen dhe gdhihen si hamletë të trishtuar mes dilemës “Të blejnë bukë apo ilaçe”, ku e ardhmja është krejt e pasigurtë, kur kriza ekonomike ende nuk quhet me emrin e saj, por përmendet me eufemizma, kur i përplaset dera në fytyrë FMN-së për ta rifutur nesër nga dritarja, ku dritat e fishekzjarrët e një fushate nuk mund të fshehin komplotin e madh ndaj votës së lirë, pra, kryeministri i këtij vendi, ka megjithatë kohë që të bëjë shaka. Edhe pse në këtë fushë nuk është shquar dhe mund të bëjë vetëm Lulin “kurdoherë votë PRO” për të qeshur. Madje edhe ministri i Jashtëm qesh nga halli. Pastaj të gjithë, mediat e psikologët, si valë e parë, pastaj komunitetet e nderuara fetare në radhë të dytë e pastaj sërish media dhe politikanët në radhë të tretë, do të nisin të merren me fatin e burrave që duan të martohen me burra. Urra, erdhi progresi!!! E mbani mend një këngë të vjetër me motive osmane: “Seç po vjen një varkë me vela/ thonë se sjell manifakturë/ ajo ësht´ mbush cit me Dylbera/ jalla Zot shkarkofshin këtu!”

Nga i gjithë publiku, dikush qesh, dikush shfryn, dikush shan, dikush falënderon, kurse vetë kryeministri qëndron serioz. Edhe kësaj here biskotën e tij budallaqe do ta përtypim të gjithë sipas radhës. Pas tre ditësh do të shpikë ndonjë gjë tjetër. Dhe të gjithë ne, sërish do të merremi me atë biskotë. Qoftë dhe duke harruar se ndërkohë që shumë Gay nga Italia apo dhe gjetkë do të pranonin të vinin dhe me gomone për të jetuar në Shqipërinë e Saliut tonë, ne shqiptarët tradicionalë do të vazhdojmë të lutemi për të ikur prej këtu. Do të ëndërrojmë të ikim larg, sa më larg që të jetë e mundur që të mos helmojmë veten me biskotat e helmuara që na jep Doktori ynë fitimtar. Kësaj radhe do të kemi më shumë fat. Gomone pafund do të zbarkojnë nga Perëndimi Dylberët evropianë që të na sjellin përparimin e progresin që na premton kryeministri ynë progresist. Hallall, hallall, hallall!!!
 

2 Komente

Mire dita Miq!Si keni qene?

Te them te drejten ,sot bie shi ne Sardegna dhe papritur me mori malli per ju.....

Do apo s'do Harasani zgjedhjet shkuan ashtu si shkuan ....Per ndokend mbase eshte edhe zi,por njerezit vrapojne ku eshte puna ,biznesi e fitimi...ku shte Dhermiu e Velipoja...deri sa nuk ka vdekur njeri nuk ka zi.....

Nga deti na meten syt perjetsisht. Rrofte ducja, rrofte mbreti, qe na prun sheqer nga deti  smiley

e vika deti mi lale, o tallaz tallaz-e....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).