Sarkozy negocion me bankat rregulla të reja mbi shpërblimet

Autor : Johannes Duchrow / Eliana Xhani
Redaktoi : Aida Cama

Ndërmjetësit financiarë në Paris shohin me zili Londrën dhe Nju Jorkun. Atje paguhen sërish bonuse të majme, kurse Presidenti Sarkozy i ka detyruar bankat në Francë të shtrëngojnë dorën në dhënien e shpërblimeve.

Michel Pébereau, presidenti i bankës BNP-Paribas u përpoq të arrinte tek Presidenti Sarkozy përmes një dere anësore. Si një i akuzuar përpara një procesi ai i mbante duart përpara fytyrës dhe refuzoi të prononcohej për gazetarët. Për shkak të BNP-Parisbas, Sarkozy në ditën e parë të punës pas kthimit nga pushimet, thirri në rezidencën e tij zyrtare, Pallatin Elysee, shefat e bankave të vendit. Banka sapo kishte marrë pesë miliardë euro kredi shtetërore, kur gazetarët ndeshën në një vendim bordi, sipas të cilit, tregtarët e letrave me vlerë të Parisbas do të merrnin bonuse shpërblimi prej gjithsej 1 miliardë eurosh për vitin 2009.

Për Presidentin Sarkozy ky ishte një skandal: "U indinjova kur pashë se mësimet nga kriza disa i kanë harruar harruar shumë shpejt, ndërkohë që kriza ende nuk ka marrë fund." Presidenti i nxirë nga dielli, i  thërriste për herë të shtatë në Elysee bankierët francezë më të rëndësishëm, një pjesë e të cilëve ndodheshin ende në pushime.

Dhe rastësia deshi, që drejtori i përgjithshëm i BNP-së Baudouin Prot, si kryetari i ardhshëm i shoqatës së bankave, të njoftonte vetë masën e marrë: "Pjesa më e madhe e këtyre shpërblimeve, do të shpërndahet tani gjatë një periudhe disavjeçare dhe nuk do të jetë më e garantuar. Kështu do të ekzistojë një lidhje me fitimet faktike dhe afatgjata."

Konkretisht kjo do të thotë: vetëm një e treta e shpërblimeve do të paguhen në fund të vitit, pjesa tjetër do të paguhet gjatë dy viteve pasuese dhe vetëm nëse tregtarët e letrave me vlerë, do të kenë realizuar vërtet fitime për bankën me transaksionet e tyre. Veç kësaj, një e treta e shpërblimeve do të paguhen në formë titujsh pronësie të bankës. Lidhur me efektin kursyes të kësaj masë për bankën BNP-Paribas, Presidenti Nicolas Sarkozy u shpreh: "Kështu banka duhet të paguajë vetëm gjysmën e shumës së vënë mënjanë: nga një miliardë të parashikuara, vetëm 500 milionë."

Rregullat e reja nuk përbëjnë një ligj, por marrëveshje obliguese për bankat me Presidentin Sarkozy. Me sa duket, Sarkozy kishte kërcënuar rëndë për ta eliminuar problemin: "Një gjë është e qartë: ne nuk do të bashkëpunojmë me asnjë bankë që nuk i përmbahet këtyre rregullave."

Bankat kishin argumentuar për kohë të gjatë, se Parisi si qendër financiare, nuk do të ishte konkurrues me rregulla të tilla. Por Sarkozy është i bindur se Franca në rolin e pararendësit me vendimin e saj për shpërblimet, mund të sjellë peshë politike në bisedimet e vendeve të grupit G-20, që mbahen pas një muaji në Pittsburg.

Të hënën e ardhshme (31.8.) Sarkozy vjen në Berlin, ku do të përpiqet të fitojë përkrahjen e Kancelares Angela Merkel dhe Ministrit gjerman të Financave Peer Steinbrück për planet e tij. Homologia franceze e Steinbrück-ut, Christine Lagarde u shpreh të hënën (24.8.): "Njerëzit në Britaninë e Madhe, Gjermani dhe SHBA janë të shokuar nga shpërblimet që u jepen ekipeve të tregtarëve të letrave me vlerë, të cilët mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për zhytjen në krizë ekonomisë sonë."

Për këtë arsye, një bankier me përvojë ndërkombëtare, do të mbikqyrë tani rregullat e vendosura në Francë. Fjala është për Michel Camdessus, ish presidentin e FMN-së.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).