Rrugët tona të shndërruara në thertore

Hera e deshi, që para disa ditësh të takohesha me një polic trafiku, i cili, për shkak të korrektesës e profesionalizmit (rast jo fort i shpeshtë, apo jo?), ka mundur t’u rezistojë furtunave të pushimeve e emërimeve me frekuencën e ndërrimit të pushtetit. Dukej që larg që ishte korrekt dhe i apasionuar pas profesionit. Fola gjatë me të, e në ndryshim nga ajo që ndodh me kolegët e tij në rrethana të ngjashme, nuk u përmendën fare zgjedhjet, politika, deputetët etj. Përkundrazi, biseda u soll rrotull aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen, të cilat janë shtuar në mënyrë eksponenciale gjatë muajve të verës. Masmedia informon në të gjithë rastet, por mungon thellimi gazetaresk dhe reagimi politik. Dhe të mendosh që politikanët tanë gjatë javëve të fundit, kur viktimat e aksidenteve rrugore kanë pasuar njëri-tjetrin me një frekuencë disaorëshe, nuk kanë lënë çështje pa komentuar.

Po pse ndodhin këto aksidente? Po i lë mënjanë vëzhgimet e mia gazetareske lidhur me këtë çështje, e po citoj në mënyrë besnike bashkëbiseduesin tim, i cili më numëroi një seri shkaqesh. Së pari, faji është i rrugëve të këqija. Janë bërë investime të mëdha në këtë lëmë në Shqipërinë e viteve të fundit, e megjithatë, rrugët kombëtare e ato midis qendrave urbane maskojnë plot kurthe për të gjithë grahësit e makinave. Së dyti, kontrolli teknik i makinave, ndonëse është i detyrueshëm dhe i përvitshëm, në një numër rastesh bëhet shkel e shko. Rrjedhimisht, dokumenti që vërteton kryerjen e kontrollit teknik është sa për sy e faqe, pasi merret me hatër ose me mik. Rrjedhimisht, akoma një pjesë e makinave që rravgojnë nëpër rrugët tona janë të pasigurta. Ato nuk rrezikojnë vetëm të zotin, por edhe ata që udhëtojnë me të, apo edhe të tjerë që kanë fatin e dreqit të ndodhen aty pranë kur “makina e pakontrolluar del nga kontrolli”.

Së treti, një numër i madh aksidentesh ndodh për shkak të mungesës të tabelave orientuese, të cilat polici im i përmblidhte me termin sinjalistikë. Në fakt, kjo është një gjë që vihet re kudo. Mua vetë më është dashur të ndaloj disa herë për të pyetur lidhur me destinacionin ku dua të arrij. Pyes policë, rrugëtarë të rastit, shoferë që qëllon të kalojnë aty ku jam unë etj., etj. I pyes aty kur më lind nevoja për të pyetur, duke bllokuar qarkullimin, e ndonjëherë duke rrezikuar me ndonjë frenim të befasishëm. Kjo situatë krijon vuajtje, stres e shushatje në mënyrë të veçantë tek të gjithë ata që kanë pasur mundësi të udhëtojnë jashtë Shqipërisë, të cilët megjithëse mund të mos e dinë gjuhën e vendit ku udhëtojnë me makinë, dinë megjithatë gjuhën ndërkombëtare të “sinjalistikës”, e për pasojë, udhëtojnë më të sigurt sesa në vendin e tyre.

Së katërti, ka aksidente që ndodhin për shkak të punimeve që bëhen në rrugë, të cilat nuk lajmërohen me anë të sinjalistikës së përkohshme. Po kështu, shpeshherë rrugët njollosen me vaj, rërë, zhavorr, e askush nuk merr mundimin të vërë një tabelë që lajmëron rrezik. Edhe në rrugën Rrëshen-Kalimash, e cila është e re fringo, ka pasur ka aksidente me pasojë vdekjen, e në këto rrethana përurimet e shpifura të kryeministrit tonë më sillen aposteriori si përurime të stinës së vdekjes.

“E panjohura” e pestë në ekuacionin e aksidenteve e ka emrin shpejtësi. Të gjithë jemi dëshmitarë të skenave, ku gangsterë e aventurierë gjithfarësoj bëjnë akrobacira shpejtësie qoftë në rrugët qytetëse, qoftë në rrugët ndërqytetëse. Aventurierë të tillë bëhen edhe emigrantët, të cilët, të mërzitur e të lodhur mesa duket nga bota plot rregulla, në të cilën jetojnë, vijnë në Shqipëri dhe aty për aty, marrin infeksionin e transgresionit. Dihet që ky infeksion nuk u ikën me ndihmën e ndonjë vaksinimi; jo, u ikën me të shkelur në tokën e vendit ku jetojnë e punojnë.

Polici më tregonte që, edhe “kur na shohin neve teksa jemi duke u marrë me ndonjë ngjarje në rrugë e teksa u bëjmë shenjë të ndalojnë apo ngadalësojnë, ata vazhdojnë në të tyren”. Donte të më thoshte se nuk kanë frikë nga policia, gjë që do të thotë se nuk duan t’ia dinë fare për rregulla e ligje. “Dhe, - vijoi rrëfimin e tij polici, - kur duam të penalizojmë mbi bazën e ligjit ndonjë syresh, ky i fundit nxjerr celularin, formon numrin e një shefi, kërkon ndihmë tek ai, dhe pak më pas është shefi që na merr në telefon e na urdhëron ta lëmë atë, pasi është miku i tij”.

Së gjashti, ka aksidente për shkak të pijes. Sigurisht, aksidente të këtij lloji ka edhe në vende të tjera, që nuk ngjajnë me vendin tonë, por këtejpari janë të shpeshta. Janë të shpeshta për një arsye, që është vetëm shqiptare: ne nuk kemi frikë se ndëshkohemi nga ligji. Së shtati e së fundmi (këto gjëra më kujtohen nga biseda me policin simpatik) është mungesa e mbështetjes financiare e logjistike të shtetit. Ja, një ngjarje që ma rrëfeu ai: “Ishte natë vonë, kur na thanë se kishte ndodhur një aksident. Shkuam atje, por nuk kishim tabela sinjalizuese për t’i vendosur pranë vendit të aksidentit, e në këto kushte, makinat e tjera ftilloheshin për situatën e për praninë tonë në mes të rrugës, veç kur na afroheshin disa metra. I them policit të qarkullimit të ndezë fenelinat e makinës së policisë, por ai m’u përgjigj se i kishte rënë bateria. Mirë, i them, ndize makinën, dhe mbaje me drita ndezur. Nuk kam benzinë, më tha. Madje, për të ardhur këtu, kam blerë benzinë me paratë e mia”.

Pasi kam bërë këtë bisedë me policin e shqetësuar, kam zënë t’i mirëkuptoj ata edhe kur nuk demonstrojnë ndonjë korrektesë kushedi se çfarë në punën e tyre. Ose të paktën, i kuptoj shumë më tepër sesa ata, të cilët nuk bëjnë as minimumin: të thonë një fjalë në rrethanat kur rrugët tona shndërrohen në thertore. E kam fjalën për politikanët e pushtetarët.
 

8 Komente

"Niveli i qytetërimit nuk matet me kilometrat e asfaltit" thoshte dikush, dikur në një shkrim.
Nuk ka të vërtetë më të madhe se e mësipërmja kur flasim për problemet që trajton artikulli.
Të kesh rrugë do të thotë që të kesh edhe rregulla... do të thotë që ato rrugë që të quhen të tilla duhet të plotësojnë të gjitha kushtet si: gjërësi, taban të qëndrueshëm, senjalitikë horizontale (vijat e bardha) dhe vertikale (tabela e semafor&eumlsmiley... dhe edukim qytetar rrugor. Për këtë pjesë të fajit (shkak aksidentesh), pjesa më e madhe (për të mos thënë e tëra), faji i takon shtetit.

Për mungesën e një kontrolli kapilar nga ana e policisë, qoftë edhe si presion ndaj pehlivanëve të rrugës... mjafton denoncimi që bëhet në paragrafin e fundit... Mungesë fondesh!!!! (ops!! prap faji i shtetit smiley )

Artikulli eshte mese i qarte dhe s'kishte si te shkruhej me mire.  Arsyet nje, dy, tre e me radhe.  

Doja te shtoja ne kete punen e gjobave, psh i marrin dhe s'e kane problem hic as t'i paguajne (ja ca fonde) se skadojne pas nje viti.  (Keshtu ma kane sqaruar ketu me gezimin me te madh.)     

Mungesa e sinjalistikes: nje autobus i madh me targa te Fyrom, ishte futur pertej Ujit te Ftohte, duke mos pasur asnje tabele qe s'i lejohet hyrja se s'e ze tyneli.  Nje tmerr i vertete ne trafik pastaj ...

Rruget pa vijat e bardha, ku shnderrohen ne tre korsi (ne te njejtin drejtim) kur nuk eshte vecse me nje korsi per cdo drejtim.   E kur ndonje "aventurier" qe mezi eshte permbajtur derisa ka dale nga vorbulla qe eshte deri tek Uji i Ftohte, ia vesh nje parakalimi pa teklif dhe perqafohet me autobusin sic ishte bere sot pasdite, aksident ky qe mbante peng gjithe bregdetin.  

Aventurierë të tillë bëhen edhe emigrantët, të cilët, të mërzitur e të lodhur mesa duket nga bota plot rregulla, në të cilën jetojnë, vijnë në Shqipëri dhe aty për aty, marrin infeksionin e transgresionit. Dihet që ky infeksion nuk u ikën me ndihmën e ndonjë vaksinimi; jo, u ikën me të shkelur në tokën e vendit ku jetojnë e punojnë.

Egzakt 

7-ta eshte numer i mire, por 8-ta... eshte perfekte...

Pra, se teti... Ashtu si shumica e gjerave qe behen ne Shqiperi edhe rruget ndertohen mbi baza jo shkencore apo gjysem shkencore.

Nje rruge nuk eshte thjesht zifti qe ti hedh, sinjalistika "dekorative" apo mbledhesit e parave qe mbushin vrimat e buxhetit. Nje rruge pervecse nje segment qe lidh piken "A" me piken "B" eshte edhe nje kufi ndares per siperfaqen "S" qe ky segment, pra segmenti "A-B" kryen.

Pra, cfare ndodh me sipefaqen "S"? Cfare ndodh me territorin qe kjo rruge modifikon e transformon?! A eshte ai imun ndaj kesaj nderhyrjeje?!

Nuk ka nevoje qe te jeshe i specializuar ne inxhinjeri civile per te kuptur se pergjigja eshte "PO". Per territorin, nje rruge eshte nje impakt i madh.

Cfare ndodh kur ne vende si Shqiperia, nje kryeminister pijanec si Nano, nje kirurg si Berisha apo nje boksier si Meta improvizohen papritur ne ndertues infrastrukturash?!

Ndodh egzaktesisht ajo qe ndodh ne Shqiperi!

Nje trup qe me se fundi provon te rritet, ashtu sic eshte vendi yne i dashur, ushqehet me gjak nga arterie, vena e kapilare qe me teper se te ndihmojne qarkullimin e gjakut, e pengojne ate. Krijojne koagulime ne pjese te ndryshme te trupit, cajne kockat e muskujt pa marre parasysh prezencen e  tyre dhe shkaktojne dite per dite e ne cdo ore, infarkte qe vecse ngadalesojne rritjen e shendetshme te vendit.

E ku ndodh tjeter pervecse ne Shqiperi qe nje shtepi private te kete dalje direkte ne autostrade?!

Ndoshta ne Afrike.

Por ata te pakten e kane vene shpirtin ne paqe se e dine qe jane ne Afrike. Por ne, Don Kishoteve qe na genjen mendja se jetojme ne Europe... ne, si dreqin do te raportohemi me kete katrahure infrastrukturore qe kemi sajuar?! Nje katrahure infrastrukturore qe pervecse po konsumon dite per dite jetet e njerezve, po mban peng zhvillimin tone?!

fajin emigrantet?

po ket ku e sajoi?!
Ma do mendja mu, emigrantet duhet te jene te fundit qe mund te thyejne rregullat.

 pse kshu? apo ngaqe e marrin patenten ne kanada?

po kur e merr patenten ne Canada,nuk parashikohet se ca me bo kur te del katnari ne mes te rruges megjithe gomor.Ne Kanada nuk kalon me i forti te semafori. Ne Kanada akoma nuk e kane ndertu zogun e zi.

Ne kanada ne cdo 20 metra te del nje tabele qe te thote se ca duhet me bo,

nuk i merr njeri tabelat per skrap.Ne kanada secili ka korsine e vet ene te plasin mrena me parakalu si ne shqipni etj etj

zero per ironine.
sa per pytjen, une e kom mor n'Allbani er taj, po per kto arsyet qe i vuni ky shoqi tjeter, kisha pershtypjen se emigrantet (jo vetem kanadezet), ruhen mo shume.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).