Rreth arsimit të përbashkuar

Shumë shpejt personazhi i famshëm i Abetares, Petriti, pulat do t’i ushqejë gjithkund ku flitet shqip– Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe në Medvegjë dhe Bujanovc. Ideja e unifikimit të sistemit arsimor, e filluar në vitet ’90, është riaktualizuar pas 20 viteve. Ëndrra për të pasur një Abetare, një histori dhe një kulturë të përbashkët në hapësirat shqiptare mund të bëhet shumë shpejt realitet. Në të beson ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj.

Por, jo vetëm ai. Një vullnet i tillë ekziston edhe në Tiranë. Debati për këtë pritet të fillojë menjëherë pasi të konsolidohet qeveria e re në Shqipëri. Ndërsa, akademiku Mehmet Kraja thotë se kjo nismë është paksa e vonuar, por e vlerëson si të domosdoshme. Ndërsa, eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se është pak e besueshme se sistemi arsimor mund të unifikohet në të gjitha trojet shqiptare, ngase këto troje ndodhen në pesë shtete të ndryshme që kanë specifikat e veta.

Unifikimi i programeve dhe teksteve shkollore
“Kemi nevojë urgjente si popull që t’i integrojmë dy segmente të rëndësishme të jetës shoqërore dhe kombëtare, kjo është kultura dhe arsimi”, vlerëson Kraja. Sipas tij, nuk është normale që një popull kaq i vogël siç janë shqiptarët, pavarësisht që jetojnë në hapësira të ndryshme politikisht të ndara, që të kenë sisteme kaq të ndryshme të arsimit. Kraja shton se unifikimi i programeve dhe teksteve shkollore nuk ka të bëjë fare me politikën, por me përftimin e dijes nga gjeneratat e reja.

“Ne duhet të krijojmë një sistem unik të arsimit. Në rrethana të tilla, do të kemi tekste më cilësore, kjo mundëson qarkullimin e njerëzve, studimet nga një universitet tjetër...”, thekson ai. Pikërisht ky është ndikimi që shpreson ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, të ketë pas unifikimit të një pjese të sistemit arsimor. Cilësia do të rritet ndjeshëm, pas unifikimit, për këtë ministri Hoxhaj është i bindur. Sipas tij, Kosova është shumë e interesuar që debati për unifikimin e sistemit arsimor në mbarë trojet shqiptare të fillojë sa më parë.

“Jemi shumë të interesuar që të ketë një debat të mirëfilltë sa i përket unifikimit të planprogrameve në lëndë të caktuara, qoftë lëndë që i referohen identitetit, qoftë lëndë të fushave të tjera”, thotë ai. Hoxhaj shton se shumë shpejt, ekspertë nga Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare do të ulen për debatuar lidhur me formën që duhet të ketë ky unifikim.

Ndërsa, Pupovci vlerëson se me gjithë faktin se ka dallime në mes të sistemeve arsimore të pesë shteteve ballkanike, ku mësohet në shqip, mundësia e bashkëpunimit ekziston. ”Planprogramet në disa lëndë mund të përfarohen deri në masën kur krijohet mundësia e shfrytëzimit të teksteve mësimore dhe doracakëve të përbashkët. Pastaj, nuk duhet harruar përmbajtjet elektronike në gjuhën shqipe që janë më se të pakta dhe që do të mund të zhvilloheshin ashtu që të mund të përdoren në mbarë hapësirën shqiptare”, thekson ai.

Sipas tij, metodat e mësimdhënies janë një fushë tjetër ku mund të zhvillohet bashkëpunimi, ashtu që të hartohen programe unike për trajnimin e mësimdhënësve dhe materiale trajnimi.

Qëndrimi i Shqipërisë
Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje, pasi ministri Fatos Beja gjendet në pushim. Por, ata thanë për Express se në Tiranë ekziston një vullnet shumë i madh për të bërë unifikimin e programeve dhe teksteve shkollore mbarëshqiptare.

Edhe ministri Enver Hoxhaj thotë se gjatë takimeve me ministrin e Arsimit të Shqipërisë ka marrë zotimin për fillimin e këtij procesi. “Kjo është një çështje që duhet të fillojë si proces i dy shteteve tona, duhet t’i definojmë interesat e përbashkëte në nivelin e arsimit”, shton ai.

Abetarja mbarëkombëtare
Edhe më tutje fëmijët shqiptarë mësojnë nga Abetare të ndryshme, me vetëm një gjuhë që i bashkon. Me unifikimin e sistemit arsimor, fëmijët kosovarë mund të mësojnë nga Abetarja e Shqipërisë, që nuk do të ndryshojë shumë nga ajo e Kosovës. Ose, anasjelltas. Por, ministri Hoxhaj thotë se në tregun e arsimit parauniversitar do të ketë shumëllojshmëri të librave, duke rritur kështu konkurrencën dhe duke përmirësuar cilësinë.

“Jo patjetër ne duhet ta kemi një Abetare të vetme në të gjitha trojet shqiptare, mirëpo unë mendoj që Abetarja e Kosovës do të duhej të përdoret ose të konkurrojë në Shqipëri dhe anasjelltas”, vlerëson Hoxhaj.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci mendon se edhe Kosova edhe Shqipëria kanë abetare të mira. Megjithatë, sipas tij është më me rëndësi që edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri të hartohen tekste sa më cilësore që mund të përdoren në të dy anët e kufirit. “Jo vetëm Abetarja, por edhe tekstet nga matematika dhe shkencat e natyrës”, shton ai.

Librat e historisë
A është e mundur që shqiptarët në Preshevë të mësojnë për historinë, Skënderbeun apo Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin? Apo shqiptarët në Mal të Zi për masakrën e Tivarit? Një libër i unifikuar i historisë shqiptare do t’i përmbante të gjitha këto ngjarje. Ministri Hoxhaj thotë se një fakt i pamohueshëm është që në Ballkan ekziston një hapësirë kulturore shqiptare dhe kjo hapësirë është pothuajse e njëjtë, sikur që ekziston një hapësirë kulturore anglofone në Evropë dhe botë apo ajo frankofone. “Mendoj se hapësira të tilla duhet të përcillen me harmonizim të përmbajtjeve të librave”, shton ministri Hoxhaj.

Ndërsa, Mehmet Kraja thotë se pengesat nuk janë në përmbajtje të librave, por në administratën shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Sipas tij, ka njerëz që nuk i konvenon unifikimi i sistemit të arsimit, për shkak të interesave të tyre personale. Por, këtë Kraja nuk e sheh si pengesë, që mund të ndalojë unifikimin.

“Edhe serbët e Kosovës, që mund të duken si problemi kryesor që të bëhen lojalë ndaj Kosovës, asnjë njeri nuk do t’i ndalë, që ata literaturën ta marrin nga Serbia. Problemi shfaqet në një logjikë që është shumë e marrë, kryesisht e strukturave të cilët duan të mbajnë disa principata arsimore, jo për shkak të pengesave politike, që mund të kenë, por thjesht për shkak të interesave shumë personale që i kanë”, vlerëson Kraja.

Kur bëhet fjalë për historinë, situata, sipas Pupovcit, mund të jetë diç më delikate. “Historianët duhet ta thonë fjalën e fundit, por mendoj se në Kosovë duhet kushtuar një kujdes të veçantë historisë më të re të Kosovës. Po ashtu, duhet parashikuar që të gjithë fëmijët të mësojnë diç më shumë nga historia e popujve të tjerë të Ballkanit”, vlerëson ai.

Drejt bashkimit kombëtar?
“Unifikimi i sistemit arsimor nuk është bashkim. Është integrim, është unifikim i sistemeve. Bashkimi politik është diçka tjetër”, vlerëson akademiku Kraja. Kështu mendon edhe ministri Hoxhaj. “Republika e Kosovës e ka sistemin e saj të veçantë arsimor, që reflekton jo vetëm të kaluarën e Kosovës, por një sistem që ka për detyrë që ta thellojë besimin në shtet... Por, me qëllim që të rritet konkurrenca dhe cilësia, hapësira kulturore shqiptare në Ballkan në arsimin e lartë duhet të ketë bashkëpunim dhe harmonizim”, qartëson ai.

 

7 Komente

Ky kinezi qe ka shkrujt kete shkrimin duhet te kuptoje qe gjeja e pare qe duhet te kembengule qeveriu i Kosoves eshte zhdukja e analfabetizmit. Prioritet absolut. Nderhyrje e menjehershme, se kur te kujtohen mbas ca vitesh do kuptojne qe po te mbjellesh trangull, trangull do mbije dhe vazhdon.

Keshtu qe le te sjellin ca kallaballuk ketej qe te dalin arsimtare per filloret dhe pastaj flasim serish.

Po do ta kuptoje se sa dem ben analfabetizmi po i kujtoj cer pasojash dha djegia e shkollave ne vitin 91 ne Shqiperi. Ata vocrraket epaarsimum te 91` u bene kallashista me 97.

Lerini keto idete e medha me patriote qe dun me hy ne histori. Te mesojne shkrim e kendim. Kjo e vlefshme dhe per qeveriun tone se po i afrohet 15% numri i personave qe mbas ca kohesh do firmosin me gisht . smiley

E forte kjo..Ministri i Arsimit te Kosoves ne pune..ai i Shqiperise me pushim.

Ky kinezi qe ka shkrujt kete shkrimin

Kshu nga mbiemri duket se eshte Perssmiley  (bej shaka)

Nisme shume e mire, duhen unifikuar tekstet ne te gjitha trevat shqiptare.

Tek shkalla ime, ishte vendosur nje fletushke ku ishte shkruar me computer:

Erdhi Shtatori Universiteti yne "Pranvera" hap dyert e dijes.Pagesa 950 lek ne vit,nxitoni eshte Universiteti juaj me cmime konkuruese te tregut. Pa dije ska zhvillim!

Drejtoria,Adresa ....Tirane 2009.

   smiley

Jo Arsimit te perbashkuar por Arsimit te perbashketsmiley

 

 

Rreth Arsimit të përbashkuar, Me një dëshirë dhe një qëllim, Të gjithë shqiptaret grumbulluar, Tek mesojne lexim e kendim

   

Prej shqipes veç ai turperohet, Që është lindur tradhëtor, Kush është i mencur e i lexuar, t'emblen shqipe n'gjuhe perdor

   

Gjuhen e t'pareve do t'a mbrojme, Prej shekujsh folur ne kete vend, E n'krah me dijen do ta bashkojme, Këtu injoranca s'duhet t'kete vend

 

Se Zoti vet e tha me gojë,   Që kombet shuhen përmbi dhè, Po Shqipja duhet e do të rrojë, Toka e Qielli vec ket' gjuhe na njeh ne

  p.s. Pershtatuar nga Himni Kombetar   (+-)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).