Rizgjimi i Orikumit

Edlira Gjoni
edliragjoni.wordpress.com

Orikumi është destinacioni më i ri i pushuesve që vijnë nga Tirana. Ka vijë të njëtrajtshme bregdetare, det të cekët për fëmijët, ujë të pastër të kaltër në blu dhe nuk është shumë i rrahur nga turmat. Ose të paktën kështu mendohet të jetë.

Bregu i thyer i pjesës jugore të Vlorës fillon të zbutet sapo fillojnë kodrat e Radhimës dhe bëhet njësh me tokën pikërisht në zonën ku fillon Orikumi, ose ndryshe, zona ky prehet i përmbytur nën det Oriku, njëri nga qytetet më të vjetra të zonës sonë jugore.

Plazhi vazhdon i njëtrajtshëm deri tek baza ushtarake e Pashalimanit, por për pushuesit, hapësira është e lejuar deri në postbllokun e vendosur dekada më parë në hyrje të zonës ushtarake. Bregu nuk është shumë i zgjeruar e në disa vende nuk ka hapësirë për të vendosur asnjë çadër të vetme, por investimet e shumta të bëra së fundmi edhe nga bashkia e qytetit, i kanë dhënë plazheve publike më shumë hapësira se kurdoherë tjetër më parë.

Avantazhi tjetër i madh që ka plazhi i gjithë gjirit të Vlorës, në skaj të të cilit është vendosur Orikumi, është edhe simetria e deritanishme e ndërtimeve, e ruajtur me fanatizëm nga banorët e zonës dhe nga pushteti lokal. Poshtë rrugës automobilistike nuk ka pothuajse asnjë ndërtesë shumëkatëshe nga ato që kanë masakruar Golemin, Vlorën apo Sarandën. Pra, rreziku i mbipopullimit dhe mbindotjes është më i ulët se atje. Kjo vjen edhe për shkak të terrenit shumë të vështirë ujor që ka nëntoka, e cila nuk mban themele për ndërtesa shumëkatëshe brenda saj.

Përvec kësaj, mundësia e parkimit dhe akomodimit është më e madhe se në qytetet apo zonat e mëdha bregdetare. Bashkia ka bërë gjithashtu një investim të ri në unazën e jashtme të qytetit të vogël, duke mundësuar kështu vajtjen në plazh pa qenë nevoja të bllokohet qarkullimi në rrugën kryesore të Orikumit.

Në përgjithësi, zona është e qetë dhe së fundmi, me gjithë ankesat e mëdha të vitit të kaluar, qyteza që dikur mburrej me ekzistencën edhe përpara vetë qytetit të Aulonës, të ofron sot shumicën e shërbimeve që do të gjendej tjetërkund. Qendra shëndetësore e Orikumit ofron shërbim urgjence 24 orë dhe përveç infermiereve, ka gjithmonë edhe një mjek të gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave të pushuesve. Po ashtu patrullimet e policisë rrugore dhe gatishmëria e tyre në raste të thirrjes së emergjencës është përmirësuar.

Në qytet është rritur gjallëria me zgjerimin dhe ndriçimin e rrugës kryesore që lidh rrugën nacionale për në Sarandë me qendrën e qytetit dhe institucionet e pushtetit lokal. Në qytezë ka disa lloje bankash dhe automatësh, farmaci, shërbim fleksibël taksish, avantazhin e disponueshmërisë së banorëve për të të ofruar ndihmë, direktiva ose numër telefoni për çdo nevojë, ka një qendër informacioni, zyrë avokatie, kancelari, qendër interneti, shërbim të shpejtë postar, e së fundmi, edhe shërbime ekstra për emigrantët që dynden në zonë. Për ta nuk është më e nevojshme të shkojnë deri në Vlorë për të zgjidhur problemet e dokumentacionit apo për rinovimin e tyre. Në Orikum mund t’i kryesh praktikisht të gjitha shërbimet e nevojshme.

Biznesi i vogël privat gjithashtu ka ndryshuar vitet e fundit, teksa sheh se që nga shitja e deri tek ofrimi i akomodimit, sjellja ndaj klientit ka ndryshuar.

Shkurt, Orikumi po shihet si zgjidhja më e mirë për familjarët që kërkojnë të kenë gjithçka të shijueshme, por edhe të arritshme përsa i përket shërbimeve të përditshme.

Sigurisht ka edhe aspekte prej të cilave Orikumi nuk mund të shpëtonte; përveç hovit të zhvillimit të zonës, prurja e diskove verore dhe karaokeve nga Tirana ka sjellë edhe zhurmën e lartë të altoparlantëve muzikorë në këtë zonë ku jetë e mot ka mbretëruar qetësia. Pushuesit e zonës, që janë mësuar ta kenë për vete të gjithë zonën e plazhit të ri apo atë të Radhimës, ngelen disi të “sulmuar” nga dyndja në viset e tyre.

Rritja e numrit të pushuesve, së bashku më rritjen e kërkesave të konsumatorëve, ka sjellë edhe kërkesën për rritjen e shërbimeve. Në numër ato janë rritur, por në cilësi, akoma ka shumë për t’u bërë.
Si në të gjithë Shqipërinë, edhe në Orikum çmimet e restoranteve janë pak më të kripura se uji i detit, dhe shërbimi ka akoma shumë rrugë për të bërë drejt normalizimit. Shumëllojshmëria varion në varësi të vendit, por në përgjithësi prodhimet e detit i gjen të shërbyeshme përgjatë bregut.

Orikumi nuk e ka magjinë e blusë së Dhermiut apo të Jalës, por më shumë se ato, ka afërsinë me lehtësirat dhe shërbimet e nevojshme, veçanërisht për familjarët, apo edhe largësinë e vogël nga Vlora dhe jeta e saj e natës për të rinjtë.

Orikumi ka po ashtu avantazhin e të qenit afër Llogorasë dhe Dhërmiut po aq sa edhe Vlorës, çka e bën atë gjithmonë e me të kërkuar prej pushuesve.

Kjo është edhe arsyeja përse Orikumi po e sheh veten të zgjerohet çdo vit e më shumë me ndërtesa të reja, që me rigorozitet po e ruajnë uniformitetin, dhe i kanë dhënë qytezës një pamje shumë më të pranueshme, të qetë dhe më të këndshme sesa Golemi apo plazhet e tjera në Shqipëri.

Orikumi i ri shtrihet fare pranë rrugës nacionale, rreth 3 kilometra larg Orikut të vjetër. Oriku i dikurshëm u përmbyt pothuajse dy mijë vjet më parë, dhe rrënojat e tij gjenden nën kënetën që ndahet me një rrip toke nga Adriatiku. Në kodrën sipër kënetës, në zonën ushtarake të Pashalimanit, gjendet edhe amfiteatri dhe të tjera rrënoja nga ish qyteti i madh. Pak më sipër, në drejtim të Dukatit, gjendet edhe kisha e Marmiroit, e vetmja ndërtesë që mbijetoi majë kodrës kur u përmbyt i gjithë qyteti i Orikut. Kjo kishë është sot monument arkeologjik dhe përherë e më tepër po vizitohet nga pushuesit, po edhe nga turistët që vijnë me hartë në dorë të shkojnë tek kisha në perëndim të qytetit të sotëm të Orikumit.
Gojëdhënat e zonës dhe dokumentet historikë thonë se Oriku ka qenë një qendër shumë e rëndësishme tregtare e kulturore e Ilirisë.

Orikumi i sotëm nuk e ka lavdinë apo madhështinë e paraardhësit, por ka me siguri potencialin për t’u bërë i tillë.

Largimi nga Durrësi apo Golemi i masakruar, pamundësia gjeografike e Dhërmiut për të përballuar fluksin e Tiranës, rruga e shtruar drejt akseve të jugut dhe qetësia e lehtësirat që të ofron, po e shndërrojnë Orikumin në destinacionin më të kërkuar të kësaj vere në Vlorë.

Shpresoj vetëm që hapësirat dhe qetësia që kam shijuar në këtë vend përgjatë gjithë fëmijërisë sime, të mos shndërrohen në beton, pallate dhe ndërtime masakruese si ato që kanë ndodhur rëndom në çdo pikë tërheqëse të bregdetit shqiptar. Atëherë edhe rizgjimi i Orikut do të përfundonte.

Por kështu siç është, Orikumi e justifikon më së miri zgjedhjen e pushuesve për të provuar dhe shijuar veçantitë e tij.

P.s. Photos will be here later this week smiley

6 Komente

 Ndaj te njejtin mendim, ia vlen dhe deti dhe gurickat qe te vrasin paksa kembet, edhe ushqimi eshte shume i mire... kush le koken si puna ime pas peshkut dhe frutave te detit... nejse, ta kripin ca xhepin, me thene te drejten, por me i mire se ne Tirane eshte... edhe sherbimi ka permiresime nga vitet e tjera.

Po bej plazh ne Orikum keto dite mbasi deti me pelqeu se ishte i paster dhe pse rera dhe grucikat si i quan Ana.H ishin te mbushura me meturina te shumten e rasteve.Po ashtu rruga eshte ber e mire dhe nuk e ke me mundimin e gropave per te shkuar gjer afer bazez se pashait.Ne fakte shkuam ne Orikum se ne radhim nuk na pranuan se nje shoku im i dha nje puthje te dashures leht te buza dhe "pronari" plazhit shume i acaruar thot"nuk e kam plazh per seks" smiley kot per fiksim i thash mos je gje nga dukati EEEE me tha nga dukati hahaaa.Gjithsesi Vlora le shume per te deshiruar sado qe ne e mburrim se e kemi vendin tone.Sonte destinacioni Dhermi smiley

Me pelqen qetesia e Orikumit...ka mengjese dhe mbremje kur deti eshte si nje pasqyre...vaj...nje mrekulli per t'u lare. Me pelqen te pi kafen tek "maloku", te mbledh ca kermij te çuditshem te cilet im vella eshte i bindur qe mund t'i gatuaje, te ha petulla duke pare perendimin e diellit, te ndjej eren e çmendur qe sa nuk thyen dritaret neteve... e nese e gjithe kjo behet e merzitshme mund te levizet shume lehte per ne Vlore apo Llogara.

Orikumi është destinacioni më i ri i pushuesve që vijnë nga Tirana.

Destinacioni me i ri???!!!

Ndoshta per shkruesen.

Orikumi dhe Radhima kane te pakten 5 vjet qe jane "destinacioni me i ri".

 

Nje goce andej qe cuditet nga Durresi. Dikush tjeter nga Shengjini... Kete here e kishte radhen Orikumi.

Nuk ka asgje te re njerez!

E vetmja e re ketu eshte se me se fundi ju keni vendosur te vizitoni vendin tuaj!

Pra, specifikoni ju lutem! E re, per ju!!! Faleminderit sdq. per infot.

Ols, para 5 vjetesh sapo kishin filluar te ndertoheshin pallatet e reja ne Orikum dhe ne fakt ka pasur shume pak njerez qe vinin per pushime ne vere. Vetem 2 vitet e fundit jane shtuar ndjeshem njerezit.

mishu, une personalisht Orikumin e shoh brenda kontekstit te bregdetit te Vlores. Mbase nje problem i im ky. Fundja eshte aq e vogel e gjithe gjeja saqe s'ja vlen t'i ndashe. Kam fjet ne Radhime e kam drekuar ne Orikum apo kam drekuar ne Dhermi e kam darkuar ne Orikum...

Para 5 vjetesh nuk mund ta them me siguri se s'e mbaj mend, por te pakten para 3 vjetesh Orikumi ishte mbushur me pallate dhe ato baret, restorantet dhe plazhet te administruar nga private kane mbi 5 vjet qe egzistojne dhe qe frekuentohen masivisht.

Mbase nuk ishin nga Tirana... Nuk e kam pare nen ate kendveshtrim.

Mund te them ama qe te aferm te mi kane prej kohesh qe kalojne pushimet andej.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).