Rama: “...Pse kryetari humbës duhet të largohet...?”

 Eshtë vështirë të vendosësh brenda të njëjtit person të dy intervistat e të dy qëndrimet, atë në vitin 2005 dhe atë në datën 17 gusht 2009, së paku moralisht e racionalisht. Janë diametralisht të kundërta, pavarësisht përpjekjeve kolosale për t’iu referuar alibisë së humbjes në 2009 apo akoma më keq eksperiencës moderne europiane. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se në...vitin 2005, kur Rama kërkonte  largimin e Nanos, i quante këto lloj alibish për humbjen e atëhershme “marifete komuniste” dhe në vend të eksperiencës modern europiane i kërkonte Nanos të “mos sillej si politikan i prapambetur i trevës ballkanike”. Të gjithë argumentet e dhëna në intervistën e 17 gushtit 2009 i ka “vrarë” pa mëshirë në intervistën e vitit 2005. Mbetet vetëm një shpresë tek harresa, që njerëzit të harrojnë se çfarë është thënë. Dhe kjo funksionon. Por jo plotësisht… Një përpjekje për të mos harruar dhe aspak kundër Ramës, sepse në këtë ballafaqim Rama është vetë kundër Ramës.
PSSH humbi zgjedhjet në 2005 dhe përsëri në 2009. Të dy palët e zgjedhjeve nuk i përmbushën standardet demokratike ndërkombëtare. Në 2005, PSSH humbi zgjedhjet duke qenë në pushtet dhe në 2009 humbi zgjedhjet duke mos ardhur dot në pushtet. Në të dy rastet rezulton se “përlarja e së majtës dhe lufta me LSI” përbëjnë shkakun kryesor të humbjes. Kështu pranon vetë Rama në 2005. Por jo vetëm kaq, sepse ka pasur dhe ka edhe arsye të tjera. 
Në 2005, Nano dha dorëheqjen duke respektuar një normë morale të pashkruar, por duke vendosur një precedent që mbi të gjitha synonte t’i hapte rrugën një të ardhmeje të re forcës politike. Akti i Nanos u konsiderua i moralshëm dhe modern. Logjik e mbi të gjitha i përgjegjshëm. Për Nanon, pavarësisht humbjes së PSSH, u tha se u largua me nder si një lider që kishte drejtuar për 15 vjet PSSH, nga të cilat mbi 60 për qind të kohës në pushtet, duke shënuar njëkohësisht për herë të parë në historinë e Shqipërisë kalimin e butë të pushtetit që u vlerësua ndërkombëtarisht. Një lider që nuk u zvarrit zyrave të Europës me alibitë e humbjes siç bëri Berisha dhe as në PS me alibitë e moslargimit apo të rikandidimit. U largua me nder për të mos u larguar i turpëruar brenda spiraleve të humbjeve, që me të drejtë ia kujtonte Rama në vitin 2005. Kjo ia lehtësoi të ardhmen PS-së dhe zgjedhjen në krye të PSSH, Edi Ramës, që u mbështet masivisht dhe pa traumat eventuale të përçarjes nga moslargimi i Nanos. 
Rama i 2005 duke synuar të bëhej kryetar i PSSH rezultonte në 2005 me moral të pastër e logjikë të shëndoshë. Arsyetimi i tij për gjithçka, për humbjen e zgjedhjeve të vitit 2005, për vijimin e proceseve reformuese në parti, për përgjegjësinë e liderit në rast humbjeje të zgjedhjeve, për çështjen e largimit të liderit humbës të zgjedhjeve, për gabimet me LSI dhe nevojën e një projekti të bashkimit të së majtës, për vendosjen e një balance midis liderit dhe forumeve kolegjiale, ishte i saktë dhe morali i qëndrimeve ishte i shëndoshë. Dhe kjo e bënte projektin e tij të besueshëm drejt fitores në 2009. 
Në 2009, Rama që erdhi në krye të PSSH vetëm nga akti me moral të lartë i Nanos jo vetëm që nuk po respekton sot precedentin, por as atë që vetë kishte kërkuar dhe vendosur në statut, largimin nga drejtimi i PSSH dhe mosrikandidimin. PSSH ka shumë gjasa përmes kësaj spiraleje të shkojë drejt humbjeve po ashtu si vetë Rama e parashikonte në 2005 nëse Nano nuk largohej nga drejtimi i PSSH. Nuk do të thotë se nëse drejtuesi i PSSH për shkak të humbjes së zgjedhjeve largohet zgjedhjet fitohen, siç edhe ndodhi me Ramën në 2009 pasi Nano u largua në 2005, ama nëse drejtuesi nuk largohet humbja është me shumë gjasa e sigurt. 
Rama në 2009 në krye të PSSH pas humbjes së zgjedhjeve është krejtësisht në kundërshti me vetveten, në aspektin moral e logjik. Asgjë nga ato që i ka kërkuar Nanos në 2005 nuk i zbaton tani në 2009, bile i kundërshton. Argumentet e tij sot janë shumë të dobët për të kundërshtuar vetveten, pavarësisht se ai tenton të luajë në kohë të ndryshme, duke përdorur të gjithë alibitë e mundshme. Dhe nuk ka asnjë shans të jetë i besueshëm dhe i suksesshëm në këtë tentativë, sepse në 2005 duke u menduar gjatë ia kishte mbyllur të gjithë shtigjet Nanos dje dhe, për rrjedhojë, edhe vetvetes sot në 2009. Gjithçka është e kotë, është pa shpresë, pavarësisht se “miqtë” e tij e shtyjnë të vazhdojë e bile në drejtim të gabuar. Është paradoksale që disa nga “miqtë” sugjerojnë të ecë para kur është në “spiralen e humbjeve”, ndërkohë që “mbështetësit e vjetër” apo “armiqtë e rinj” e këshillojnë ndryshe. Vendimi është në dorën e tij… moral e logjik mbi të gjitha.
Rama i kishte lënë Nanos në 2005 vetëm një dalje, largimin e ngadaltë dhe me humbjen e radhës dhe këtë gjë duket se po ia rezervon vetvetes sot në 2009. Jam i sigurt se këtë Rama e mendon gjatë edhe vetë, sepse logjikën e ka ende të shëndoshë, por konfliktin e interesit shumë të lartë dhe kjo e ka vendosur në dilemë, duke e nxjerrë edhe jashtë kontureve të karakterit të tij. Sidoqoftë dhe pavarësisht argumenteve e alibive, Rama 2009 duket se do të vendosë kundër Ramës 2005..
Rama fatkeqësisht nuk rezulton në nivelin e Nanos as në logjikë, as në moral, as në inteligjencë dhe as në guxim, ose së paku në një prej tyre. Vetë Rama që e ka vlerësuar negativisht Nanon gjatë këtyre katër viteve vetëm me qëndrimin e tij po e amniston plotësisht atë. Nëse do të vepronte si Nano mund të kishte edhe një shans tjetër, përndryshe në zinxhirin e humbjeve që e presin do t’i shuhen edhe meritat e sukseset e deritanishme, dhe do t’i preket rëndë morali e dinjiteti shumë të rëndësishëm për të ringritur një projekt të ri... qoftë edhe për individin e tij, i cili në shumë aspekte duhet vlerësuar.
Situatat në 2005 e 2009 janë të njëjta, ndërkohë që sjelljet e Ramës janë diametralisht të kundërta. Rama duke qenë shumë i qartë në rrugën drejt pushtetit në PSSH, për fatin e tij të keq me ato që i ka thënë dhe kërkuar Nanos në 2005 ia ka mbyllur të gjithë rrugët e shtigjet vetvetes sot në vitin 2009. Çdo tentativë për të shpëtuar apo për të krijuar alibi se situata është e ndryshme, i godet atij rëndë moralin dhe logjikën e përdorur në vitin 2005. Por mbi të gjitha e bën të pabesueshëm për arritjen e suksesit në të ardhmen, kjo rrugë me siguri e çon vetëm drejt dështimeve elektorale. Dhe Rama e di shumë mirë këtë gjë. Dilema e tij është e madhe, ndërkohë që zgjidhja që i ofron vetvetes po t’i referohet moralit dhe logjikës është e thjeshtë. Dhe në dilemë e mbajnë vetëm alibitë që edhe vetë i kupton janë jashtë karakterit të tij, apo siç thoshte vetë në 2005 janë vetëm “ngatërresa e garnitura mikse me praktikat komuniste”.
Rama mund të kishte një shans nëse gjithçka do të bëhej krejtësisht ndryshe në fillim dhe me mirëkuptim të plotë në ekip, por më duket se është paksa vonë dhe për më tepër nuk shikoj asnjë shenjë reflektimi në drejtimin e duhur, përkundrazi një tentativë për të lëvizur në sensin e gabuar… Dhe akoma më keq disa nga “miqtë” e këshillojnë të vazhdojë duke hequr qafe ata që e ngatërruan dhe po e kundërshtojnë apo qenkan mërzitur nga moskandidmi. Këto nuk janë aspak të vërteta dhe shumë pak për të justifikuar ringritjen e një projekti të madh, premtues e fitues. Përkundrazi nëse do të ecet në drejtim të rrudhjes e të goditjes së kundërshtarëve, do të ishte marrëzi dhe tragjike për Ramën dhe me pasoja të rënda për PSSH. 
Më konkretisht, duke lexuar intervistën e tij në 2005 dhe krahasuar me sjelljet e tij sot në 2009, asgjë nuk flet në favor të Ramës dhe kjo nuk është çështje simpatish apo kundërshtish individuale… Është çështje morali për atë vetë dhe mbi të gjitha çështje për të ardhmen e PSSH. Ai vetë sot po të ishte dikush tjetër humbësi i 2009 do ta sulmonte tmerrësisht duke i thënë shumë më tepër se çfarë i kanë thënë atij miqtë e vërtetë të 2005. Me pasoja për zgjedhësit do të ishin humbjet në dy betejat e ardhshme zgjedhore. Sipas analizës dhe parashikimit të vetë Ramës në 2005, “spiralja e humbjeve” është si shpata e Demokleut nëse kryetari humbës nuk largohet. Kjo është shprehja mitike e vetë Ramës. Për rrjedhojë, nëse Rama nuk largohet po vetë Rama parashikon humbjet e ardhshme të PSSH… 

1.    Ja si në vitin 2005 Rama kërkonte nga Nano krijimin e precedentit për t’u larguar nga drejtimi i PSSH në rast humbjeje të zgjedhjeve...
Në vitin 2005, Rama e kishte të qartë se nëse Nano nuk jepte dorëheqjen të gjithë anëtarët e kongresit pa asnjë dyshim jo vetëm nuk votonin largimin e tij, por as edhe ndryshimin në statut; ja çfarë shkruan në vitin 2005 Rama për këtë gjë: “...E vetmja pikë që unë hoqa me vullnetin tim të lirë nga paketa e votuar në Kongresin Paraelektoral (disa muaj para 3 korrikut 2005) ishte pika sipas së cilës “Kryetari i partisë është automatikisht i dorëhequr kur partia humb zgjedhjet dhe kalon në opozitë”. E hoqa, sepse nuk doja që nga një paragjykim i mundshëm për atë pikë të kundërvotohej e gjithë paketa, e cila sot, ndryshe nga çfarë e mendonin tre muaj më parë komentuesit skeptikë të saj, na ofron praktikisht rrugëdaljen nga kriza me rrugë të drejtë demokratike-zgjedhje të lira me parimin një anëtar një votë-e pa përçarje artificiale, përderisa tashmë kemi pranuar platformat integruese të votuara ose, siç quhen tradicionalisht, fraksionet...”. Pra, në vitin 2005, Rama i pasigurt nëse Nano do të jepte apo jo dorëheqjen (ndërkohë që Rama një gjë të tillë e paska programuar ta fuste në statut që në kongresin parazgjedhor të vitit 2005 së bashku me nenin për fraksionet) për të qenë i sigurt për largimin pa probleme të Nanos vazhdon në intervistën e tij të thotë se, “...nuk ka një nen në statut, por nuk ka për fat të keq as edhe ndonjë precedent në kulturën tonë të mjerë demokratike, që ta detyrojë automatikisht zotin Nano të japë dorëheqjen...” Pra, kërkon ekzaktësisht atë që sot nuk pranon, bile me padurim e me forcë, dhe e ka të shkruar në statut me dorën e tij, që për më tepër e ka programuar për Nanon që para zgjedhjeve të vitit 2005. Dhe më tej i kërkon Nanos në mënyrë indirekte duke i kujtuar të nesërmen e forcës politike; “...Është tërësisht në dorën e tij ta krijojë ose jo këtë precedent, duke u sjellë si udhëheqës i emancipuar e i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij ekskluzive - jo thjesht në raport me humbjen, por, edhe më e rëndësishme ndoshta, në raport me të nesërmen e kësaj force që ka udhëhequr 15 vjet e për hir të së cilës duhet të ndahet nga kjo detyrë me vështrimin përpara, jo mbrapa...”. Sa e lehtë për të tjerët dhe sa e pamundur për vete. 
2.    Rama në 2005 e fton Nanon të largohet që të mos sillet si “...një politikan i zakonshëm i pjesës më të prapambetur të trevës ballkanike...”
Rama më tej për ta kompleksuar Nanon duke e krahasuar me politikanët e prapambetur ballkanikë shton: “...Duke krijuar kësisoj një model të ri emancipues për partitë shqiptare në kësi rasti e duke e mbyllur me dinjitetin e një lideri historik raportin e tij pesëmbëdhjetëvjeçar me socialistët apo, në të kundërt, duke zgjedhur të sillet si një politikan i zakonshëm i pjesës më të prapambetur të trevës ballkanike...”.
3.    ...Bile i kujton Nanos të mos imitojë modelin e Berishës që nga viti 1997 e deri në 2005...
Dhe vazhdon duke i thënë Nanos të largohet “duke mos zgjedhur të sillet duke imituar edhe në këtë pikë, si në disa syresh qysh nga Kongresi i vitit 2003 e këtej, jo vetveten po Sali Berishën... Shpresoj e uroj që, kryetari t’i shkaktonte Partisë Socialiste një rritje të kostos politike të ndryshimit të domosdoshëm e të pashmangshëm në udhëdaljen e vetme të mundshme nga ky stad i krizës ku gjendemi aktualisht...” Këto i ka thënë me plotësisht të drejtë vetë Edi Rama për Nanon në vitin 2005 dhe nuk e di ç’thotë me vete sot në vitin 2009...
4.    Sipas Ramës në 2005: “Gabimi ynë më i madh ishte përçarja dhe lufta me LSI-në”... po sot... 
Edi Rama të gjithë atë që ka ndodhur më 3 korrik 2005 e përmblodhi në shprehjen e koncentruar: “Gabimi ynë më i madh ishte përçarja dhe lufta me LSI-në”. Pavarësisht marrëdhënieve problematike Nano-Meta apo PS-LSI, përfundimi i Ramës ishte i drejtë dhe i guximshëm në atë moment kur të gjithë flisnin për “tradhtinë e Metës” dhe manipulimet e Berishës dhe e kishin të vështirë ta pranonin humbjen e vitit 2005, po aq të vështirë sa ç’e ka Rama të pranojë humbjen e vitit 2009. Rama atëherë ishte realist, i guximshëm dhe premtues se do të gjente zgjidhjen pikërisht për të shmangur gabimin e madh që vinte nga përçarja. Ja çfarë ka thënë ekzaktësisht në korrik 2005: “Theksoj këtu se votat e LSI-së, gabimisht, disa kolegë i numëruan si tonat, në përpjekjen për të argumentuar një thuajse barazim mes të djathtës dhe nesh, gjë e justifikueshme, gjithsesi, në kuadrin e vijimit të betejës politike brenda një procesi të pambyllur zgjedhor. Por tani që procesi u mbyll duhet thënë me plot gojën se ato jo vetëm ishin vota kundër nesh po aq sa ç’ishin të tilla edhe votat që ka marrë e djathta, por janë të destinuara të shtohen e të vazhdojnë ta sharrojnë në mes të majtën, nëse Partia Socialiste nuk ndryshon vetveten për t’u bërë, përmes reformimit e modernizimit të mëtejshëm të saj, edhe flamurtare e ribashkimit të së majtës”. Ky ishte Rama në 2005 kur synonte kreun e PSSH. Sot në 2009 në krye të PSSH, Rama flet për “maskaradën e LSI” pasi nuk u arrit rezultati 70 me 70 mes të majtës e së djathtës ...që po të vendoset në kontekstin e thënieve të Ramës së vitit 2005 duken qesharake. 
5.    Ja çfarë thotë Rama në 2005 për “...nëse nuk heqim dorë nga fabrikimi i të vërtetave partiake... ne rrezikojmë që të hyjmë në një spirale humbjesh...”
Për të qenë të qartë sesi e lexonte humbjen e 2005 pretendenti i kreut të PSSH, Edi Rama, lexoni se çfarë shkruan vetë në një intervistë të vitit 2005, “...Nuk duhet të kemi iluzione se mund të rifitojmë zgjedhje ... pa ribashkim të të gjithë të majtëve në një subjekt politik federal...”. Kjo ishte shumë e saktë në vitin 2005, por është e vërtetë më shumë se kurrë sot në vitin 2009. Dhe pak më poshtë shton: “... nëse nuk heqim dorë nga fabrikimi i të vërtetave partiake si pasqyra që e përthyejnë realitetin shqiptar dhe raportin tonë me të sipas “interesave të partisë”, ne rrezikojmë që të hyjmë në një spirale humbjesh me pasojë transformimin në pak vite të Partisë Socialiste nga një forcë e madhe popullore në një parti të pastrehësh politikë...”. Pra, në 2005, Rama tallej me të gjithë ata që përpiqeshin të gjenin alibi për humbjen duke mos e quajtur humbjen humbje. Sot në 2009, Edi Rama në krye të PSSH është nisur në drejtim diametralisht të kundërt... Në atë rrugë që e godiste në mënyrë tallëse e therëse në vitin 2005. Dhe për më tepër Rama në 2005 me shumë të drejtë e largpamësi parashikonte futjen e PSSH në “spirale humbjesh” nëse nuk e lexonim realitetin shqiptar ashtu siç duhet dhe pa një ribashkim të të gjithë të majtëve në një subjekt politik federal. Sot duke vepruar në të kundërtën e asaj që ka thënë në 2005, PSSH ka shumë gjasa të futet në spiralen e humbjeve po ashtu siç vetë Rama e kishte parashikuar në 2005. Ky është përfundimi më fatal për PSSH...
6.    Sipas Ramës në 2005: “...humbja është vetëm e të parit mes të barabartëve...
Çështja që shtrohet sot pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 është “të rikandidojë apo jo Kryetari për Kryetar të PSSH...”, pasi PSSH është në opozitë përsëri. Ja si po vetë Rama, në rrugën për t’u bërë kryetar i PSSH i jep përgjigje shumë të saktë po vetë kësaj pyetjeje dikur në vitin 2005, kur kërkonte të dorëhiqej Nano pas humbjes së 3 korrikut 2005: “Duke u kthyer më konkretisht tek pyetja juaj (pyetje që gazetari i bën Ramës në intervistën për ZP), do të thosha se përgjegjësi për humbjen mund e duhet të ndiejë kushdo, sepse cilido mund e duhet të bënte diçka më mirë në funksion të së mirës së përbashkët. Por, nga ana tjetër, në një parti politike, kudo në botën demokratike, puna e përgjegjësive të humbjes së zgjedhjeve është e sqaruar fare mirë dhe nuk ka vend hiç për ngatërresa e garnitura mikse me praktikat komuniste apo me eksperiencën e botës së biznesit. ...Partia në demokraci është bashkim vullnetar të barabartësh mes tyre në të drejta, ku i pari është thjesht primum inter pares, pra i parë mes të barabartëve. Kjo do të thotë se në aspektin moral e simbolik fitorja është e të gjithëve, kurse humbja është vetëm e të parit mes të barabartëve, i cili e merr mbi supe përgjegjësinë morale në emër të të gjithëve bash për t’u vënë kapakun “analizave”-të cilat në fakt quhen të bëra nga populli zgjedhës - për t’u dhënë votuesve shenjën e fortë të përgjegjshmërisë e të seriozitetit në mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri, për t’i çelur rrugë pa humbur kohë anëtarësisë që, përmes leximit të votës së popullit, të formulojë drejtimin e ri të partisë me sytë nga sfidat e së ardhmes e jo nga trofetë e së shkuarës...” Rama ishte shumë i saktë në vitin 2005, por sot është tërësisht në drejtim të kundërt... Si do t’i përgjigjet për këtë pikë Rama i 2009 Ramës së 2005... çdo alibi do të ishte vetëvrasëse... së paku moralisht.
7.    Sipas Ramës në 2005: “Të ridimensionohet katërcipërisht figura e kryetarit si i parë mes të barabartëve, mishërim i punës në ekip dhe i frymës kolegjiale...”
Për atë që kritikohet Rama sot pas humbjes së vitit 2009 ja se çfarë ai vetë ka shkruar në intervistën e parë pas humbjes së PSSH të zgjedhjeve në 3 korrik 2005: “...unë pa asnjë dyshim do të rijap kontributin tim, duke synuar që në PS të fitojë një projekt politik i ri, përbashkues për të majtën dhe gjithëpërfshirës për socialistët e progresistët pa dallim moshe e mendimesh të ndryshme, që mes nesh të ringjallet solidariteti i humbur, pasioni i politikës dhe shpirti vetësakrifikues i skuadrës, që të rivihet në vend dinjiteti i anëtarit dhe i forumeve të partisë, roli dhe përgjegjësia e tyre, të ridimensionohet katërcipërisht figura e kryetarit si i parë mes të barabartëve, mishërim i punës në ekip dhe i frymës kolegjiale...”. Sa real është bërë ky premtim i para katër viteve dhe pse kundërshtohen sot propozimet për të rritur frymën e ekipit dhe ndaluar eliminimet e përjashtimet e kundërshtarëve tregon sa larg është Rama asaj që ka thënë dhe sa afër asaj që ka kritikuar në vitin 2005. 
8.    Ja si Rama në vitin 2005 e lexon humbjen e PSSH: “...numrat, shumica e shqiptarëve, e përbërë nga e djathta dhe një pjesë e së majtës, ka refuzuar modelin e drejtimit të vendit që lidershipi i Partisë Socialiste ofroi...”
Sot është i qartë qëndrimi i kryetarit të PSSH, Edi Rama, për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, ai nuk e pranon atë dhe mbi këtë bazë ka ngritur të gjithë fabulën e tij për të rikandiduar e mbetur për një periudhë tjetër në krye të PSSH. Kurse në vitin 2005, Rama lucid deklaronte pas humbjes nga PSSH të zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 se “...Pa dashur të heqë asnjë meritë për fitoren Partisë Demokratike, kam bindjen se shqiptarët ... kanë kundërvotuar qëndrimin e mëtejshëm të qeverisë sonë në detyrë. Siç e thonë edhe numrat, shumica e shqiptarëve, e përbërë nga e djathta dhe një pjesë e së majtës, ka refuzuar bilancin qeverisës dhe modelin e drejtimit të vendit që lidershipi i Partisë Socialiste ofroi...”. Dhe më tej shton: “...Ky është fakt dhe mohimi apo anashkalimi i këtij fakti nuk na ndihmon të kuptojmë atë çka realisht ka ndodhur mes nesh dhe shqiptarëve, për të kuptuar pastaj atë çka realisht duhet të bëjmë për të rifituar zemrat e tyre...”. Kurse sot në vitin 2009, pas humbjes së dytë “mohimi dhe anashkalimi është zëvendësuar me alibitë e pafundme për të mos pranuar humbjen...” dhe për të nxjerrë përfundime për vijimin dhe rikandidimin. Mjafton të lexohet po çfarë vetë Edi Rama ka thënë në vitin 2005. Sipas parashikimeve të Ramës në vitin 2005, po qese Rama në 2009 nuk ndjek këshillat e dhëna nga Rama në 2005 PSSH e ka të sigurt humbjen në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe pa asnjë dyshim edhe më tej në zgjedhjet e vitit 2013. Ky është parashikimi i vetë Ramës... nëse ai i qëndron atyre që ka thënë dhe vepron ndryshe nga ato që ka thënë... PSSH do të futet në spiralen e humbjeve...

 


Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).