Rama: Procesi i zgjedhjeve i deformuar

www.ps.al

Çështja e grabitjes së votave dhe e deformimit të vullnetit të popullit është një çështje themelore e cenimit të demokracisë, pavarësisht të gjitha të tjerave. Asgjë tjetër nuk e kthen këtë çështje në një çështje dytësore apo në një çështje të barazvlefshme me të gjitha të tjerat. Nuk ka shenjë barazimi. Në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye mes deformimit të vullnetit të popullit përmes një makinerie shtet-pushtet, që ishte një makineri elektorale kriminale dhe gjithshkaje tjetër që ka legjitimitetin e vet dhe që mund të thuhet, por në një kontekst krejt të ndryshëm nga ky. Sot mendoj që është një moment i rëndësishëm dhe padyshim është nevoja që të komunikojmë sëbashku pas një procesi i cili ka kulmuar me Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS. Jam i hapur t’i përgjigjem të gjithë pyetjeve tuaja.

PS me çeljen e sesionit do hyjë në Kuvend apo do presë vendimin e forumeve?

Kjo është një çështje të cilën, Kongresi, i cili e ka përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve si të papranueshëm e ka përcaktuar parlamentin si një institucion me një legjitimitet të cunguar rëndë dhe duke i dhënë miratim rezolutës së Asamblesë, ka përcaktuar njëkohësisht edhe një qëndrim politik refuzues ndaj procesit zgjedhor dhe refuzues ndaj institucioneve që prodhon ky proces, e ka lënë në dorën e institucioneve të tjera të partisë që të konsiderojnë raportin me parlamentin dhe momentin kur PS duhet të kthehet dhe nëse do të kthehet në parlament.

Nuk ka një vendim për të mos hyrë?

Edhe një herë qëndrimi i Kongresit ndaj zgjedhjeve është i qartë dhe i prerë. I tillë është edhe qëndrimi ndaj parlamentit dhe ndaj qeverisë që do të thotë se PS nuk mund të ketë një marrëdhënie normaliteti me parlamentin dhe se për natyrën e kësaj marrëdhënieje dhe njëkohësisht për të gjithë procesin e trajtimit të kësaj marrëdhënieje do të vendosin ato institucione që Kongresi ka mandatar.

Z. Rama edhe në Rezolutën e Asamblesë është një pikë për mos hyrje të PS në parlament, d.m.th a do jetë në 7 shtator PS në kuvend?

Jo nuk është thënë në asnjë mënyrë të tillë kjo që ju thoni në Rezolutën e Asamblesë. Përkundrazi është përcaktuar qartësisht një qëndrim ndaj zgjedhjeve dhe kjo do të thotë që vendimmarrja e PS për marrëdhëniet me këtë parlament me legjitimitet thellësisht të cunguar është një vendimmarrje që kongresi ia ka lënë institucioneve të tjera të PS duke i konsideruar këto zgjedhje pa legjitimitet dhe duke e konsideruar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm.

Do i mbeteni zgjedhjeve të parakohshme?

Pa asnjë dyshim që duke mos i njohur këto zgjedhje në kuptimin politik, ne e konsiderojmë të domosdoshme që sovraniteti i popullit dhe sovraniteti i institucioneve që burojnë nga zgjedhja e lirë dhe e ndershme e tyre duhet të rivendosen me zgjedhje të reja dhe të parakohshme.

Tek gara për kreun e partisë, Malaj ka thënë se nuk do jetë më pjesë e garës dhe për mandatin?

Së pari nuk kam dijeni për tërheqje të Z. Malaj, por do më vinte shumë keq nëse kjo është  e vërtetë. Në këtë moment nuk mund të bëj asnjë koment pasi nuk jam në dijeni të kësaj tërheqjeje. Besoj që ky proces ky ne hyjmë është një proces i rëndësishëm për PS. Është një proces i rëndësishëm për të diskutuar dhe shkëmbyer  me anëtarësinë e PS të gjitha shqetësimet për këtë situatë dramatike ku ndodhet vendi dhe njëkohësisht  për të konverguar sëbashku falë mundësisë që secili të shprehet në të gjithë larminë e pikëpamjeve dhe qëndrimeve lidhur me këtë situatë.

Këto janë zgjedhje të reja në PS dhe mandati i Kryetarit të PS është 4 vjeçar.

Pyetje për bashkëpunim me grupin kundërshtar?

Unë nuk shoh grupe dhe nuk identifikoj grupe në PS, por shoh njerëz dhe kolegë që kanë pikëpamjet e tyre të cilat janë pikëpamjet e tyre. Padyshim PS ka nevojë për të gjithë dhe ka nevojë për kontributet e të gjithëve, sigurisht brenda një sistemi të gjithëpranuar dhe të bashkëpranuar rregullash e prioritetesh.

Pyetje....për falenderimin?

Falënderimi im ishte për të  gjithë ata që punuan dhe bënë gjithçka mundën deri në 28 qershor dhe për të gjithë ata që pas 28 qershorit më kanë dërguar dhe dhënë mesazhe të pafundme solidariteti dhe mbështetjeje në një rrugë të përbashkët, kështu që përfshiheshin të dyja periudhat.

Në falënderimin tuaj ishin dhe 5 ish pjesëtarët e LSI?

Duke e ditur në emër të kujt flisni kuptoj dhe pse nuk e keni kuptuar edhe atë që unë kam thënë apo bëni sikur nuk e keni kuptuar, sepse unë nuk i kam falënderuar përfaqësuesit e LSI së opozitarëve, por i kam cituar në një kontekst krejt tjetër, duke bërë të qartë se është koha për të hapur një kapitull bashkëpunimi dhe bashkimi me LSI. Por me LSI e opozitarëve jo me LSI e tahmaqarëve. Me LSI të Pëllumb Xhufit, Sabit Brokës, Ndre Legisit etj, jo me Lëvizjen Speciale për Interes të Ilir Metës. Kjo ka qenë ajo që unë thashë, kjo është ajo të cilës unë i besoj dhe kjo është ajo të cilës unë i qëndroj, dhe për të cilën unë do të punoj intesivisht.

Pyetje....?

Nuk ka asnjë kundërshti. Më lejoni t'ju them që çështja e vjedhjes së votave nuk është njëra nga çështjet. Nuk është një aspekt që mund të trajtohet si një aspekt që: Po mirë votat u vodhën, por pati dhe probleme të tjera. Sepse çështja e grabitjes së votave dhe e deformimit të vullnetit të popullit është një çështje themelore e cenimit të demokracisë, pavarësisht të gjitha të tjerave. Asgjë tjetër nuk e kthen këtë çështje në një çështje dytësore apo në një çështje të barazvlefshme me të gjitha të tjerat. Nuk ka shenjë barazimi. Në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye mes deformimit të vullnetit të popullit përmes një makinerie shtet-pushtet, që ishte një makineri elektorale kriminale dhe gjithshkaje tjetër që ka legjitimitetin e vet dhe që mund të thuhet, por në një kontekst krejt të ndryshëm nga ky. Kështu që pa i ngatërruar gjërat unë ritheksoj që; PS pati në 28 qershor një votë popullore e cila me të gjithë deformimet nuk u transformua tërësisht dhe nuk e nxori PS në vend të dytë, por PS mbeti forcë e parë. Diferenca sigurisht nuk është ajo që përcaktoi populli shqiptar, por ajo që është ngushtuar falë deformimeve. Ndërkohë në numërimin e përgjithshëm mes koalicioneve këto deformime kanë kaluar pushtetin nga aty ku e ka çuar populli shqiptar tek aty ku e deshi dhe e morri ky pushtet i korruptuar dhe korruptues që e ktheu gjithë shtetin në një makinë elektorale, që përdori gjithçka të imagjinueshme dhe të paimagjinueshme për t’u ricikluar. Dhe unë, të më falni, por nuk arrij dot të pajtohem me shfokusimin nga kjo pikë. Nuk arrij dot të pajtohem me faktin që pas bërjes publike të një serie shkeljesh shumë të rënda të kushtetutës dhe të ligjit ne të mbetemi tek çështje krejt relative dhe krejt të diskutueshme që kanë të bëjnë me PS dhe të lëmë pa nxjerrë në pah dhe pa vënë alarmin për të atilla shkelje rrëqethëse si krijimi i një aleance të organizuar me një lukuni kriminelësh të nxjerrë nga burgjet për të bërë fushatë elektorale për pushtetin. Një lukuni kriminelësh të vënë në dispozicion të pushtetit për të ushtruar autoritetin e tyre mafioz në të gjitha zonat e tyre të influencës dhe për të dekurajuar votuesit opozitarë me metoda mafioze. Kjo nuk mund të tolerohet, për këtë nuk mund të heshtet. Kjo nuk mund të kalojë në plan të dytë dhe as të vendoset në një nivel me shumë çështje që mund të jenë interesante për t’u diskutuar mund të hanë diskutim, por që s’kanë lidhje fare me standardet e lirisë, të demokracisë dhe të sigurisë në këtë vend. Nëse një pushtet që i thotë vetes demokratik bashkëpunon me kriminelë të kyçur nëpër burgje për vrasje, për trafik droge, për përdhunime e për gjithfarë zullumesh të kësaj natyre, atëherë këtu nuk ka më vend për të folur për historira që janë të natyrshme për një vend demokratik, por që janë tërësisht janë kontekstit. Këtu ka vend për kapje të shteti përmes një pushteti të kriminalizuar, i cili është ricikluar në rrugë të paligjshme dhe të pa ndershme dhe i cili kërkon ta kthejë Shqipërinë në një karikaturë ruse si ish republikat sovjetike ku është bërë normalitet" demokratik" ku ai që është në pushtet  është në pushtet dhe ai që është në opozitë është në opozitë dhe kjo vazhdon pa fund. Kjo nuk mund të ndodhi. Kjo nuk mund të tolerohet. Kjo nuk ka lidhje fare me të tjera gjëra që kanë sigurisht interesin e tyre.

Pyetje..?

Unë nuk pranoj që debati të shfokusohet nga thelbi i tij. Thelbi i tij ka të bëjë me lirinë e votuesve shqiptarë, me popullin shqiptar, me lirinë për të pasur të gjitha mundësitë që të vendosin për jetën e tyre. Të gjitha liritë e qytetarëve janë të kërcënuara nëse rrënohet liria e tyre për të zgjedhur. Ne kemi të gjithë kohën në dispozicion për të bërë të gjitha analizat e funksionimit të makinës sonë elektorale dhe për të nxjerrë në pah të gjitha ato që ne duhet të bëjmë për ta përballuar këtë pushtet, por kjo është tërësisht e dorës së dytë përpara asaj që ka ndodhur. Ajo që ka ndodhur është diçka që ka të bëjë me të gjithë Shqipërinë, që ka të bëjë me të gjithë shqiptarët, që ka të bëjë me të ardhmen e institucioneve të këtij vendi dhe të këtij vendi në tërësi.

Për Presidentin..., çfarë kërkoni?

Nuk fola për asnjë marrëdhënie të re me presidentin, por fola për domosdoshmërinë që Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të njihet me këtë dokumentacion dhe të bëjë detyrën e tij. Sepse në këtë operacion kriminal është pushteti dhe këtë operacion kriminal e kanë orkestruar autoritete të larta shtetërore. Ku ndodh kjo? Në cilin vend demokratik mund të ndodhi kjo?! Në cilin vend demokratik kjo anashkalohet apo trajtohet si njëra nga çështjet e ditës, madje në aneks të çështjeve të ditës?! Në cilin vend demokratik zëdhënësit e opinionit publik nuk e kthejnë këtë në një çështje që është me rëndësi absolute për sigurinë në vend?! Çfarë mund të presësh nga një pushtet që bashkëpunon me kriminelë të kyçur burgjeve për të fituar zgjedhjet?! Çfarë mund të presësh nga një pushtet që pasi i fiton zgjedhjet me kriminelë të kyçur burgjeve kërkon të qeverisë normalisht katër vjet?  Mund të presësh vetëm edhe më keq se kaq. Mund të presësh vetëm që gjithçka të kthehet vetëm në një farsë, ku edhe mjetet e informimit kthehen thjesht dhe vetëm në masha për të ndezur zjarre debatesh fiktive, që nuk kanë të bëjnë fare me atë zjarr që i është vënë procesit zgjedhor dhe që i ka djegur një shans vendit për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme kur Shqipëria ka hyrë në NATO, ku Shqipëria po troket për tu futur në BE. Çfarë mund të presësh paskëtaj nëse nuk ngre zërin dhe nëse nuk bën të qartë përpara njerëzve  se ka sigurisht shumë çështje dita, por se ajo që është një çështje e përbashkët është domosdoshmëria për të pasur në këtë vend liri. Liri për secilin dhe jo për ata që janë thjesht shërbëtorë të pushtetit. E dini se sa është numri i njerëzve të cilët çdo ditë largohen nga puna për shkak të përfshirjes në fushatë në radhët e opozitës, është një numër që rritet dita ditës. Ajo që ne shfaqëm dje është një sintezë e një dokumenti të tërë që nuk mund të shfaqej i gjithi, sepse do të merrte gjithë ditën. E dini se sa heqin çdo ditë sipërmarrësit në këtë vend për shkaqe që kanë të bëjnë përsëri me fushatën dhe me procesin zgjedhor. Pasi nuk janë rreshtuar në radhën e atyre që nuk e kanë financuar atë maskaradë zgjedhore? E kështu me radhë. Ky vend nuk është bajraku i Sali Berishës. Ky vend është vendi ku çdo shqiptar ka të drejtë të jetojë lirisht dhe qetësisht pavarësisht se në çfarë beson dhe pavarësisht për kë voton. Ky vend është vendi ku  nuk mund të heqësh një prind një burrë e grua nga puna se nuk është me partinë në pushtet. Ky vend është vendi ku nuk mundet dot të kërcënosh një sipërmarrës edhe ti turrësh gjithë lukuninë e xhandarëve të shtetit, sepse nuk është me partinë në pushtet. Këtu është cenuar në thelb liria e konkurrencës. Dhe kur s’ka konkurrencë të lirë e të ndershme për forcat politike që përfaqësojnë këndvështrime të ndryshme në një proces zgjedhor për çfarë mund të ketë këtu liri konkurrence për kë mund të ketë këtu liri konkurrence, kush ka këtu liri konkurrence? Gjithmonë e më pak njerëz. Sepse pushteti është tërësisht jo në dispozicion të një projekti demokratik e europianizues për Shqipërinë, por në dispozicion të një projekti që s’ka të bëjë fare me Europën që ne ëndërrojmë.

Pyetje...?

Kam që dje dhe sot që po i jap përgjigje pikërisht kësaj çështje. Është një tjetër analizë dhe një tjetër konkluzion në rast se ne  pranojmë që zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme dhe se rezultati i këtyre zgjedhjeve është rezultat i një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, por përsa kohë që procesi ka qenë tërësisht i deformuar dhe rezultati është tërësisht i deformuar analiza është kjo: Jetojmë në një vend ku demokracia është në rrezik dhe do të bëjmë gjithçka për të rivendosur të drejtën e çdo shqiptari e shqiptareje që të zgjedhë.

3 Komente

Akuzat e Rames, reagon PD e LSI

Top-Channel.tv
30/08/2009 16:55

Partia Demokratike dhe Levizja Socialiste per Integrim i jane pergjigjur akuzave te kreut ne detyre te Partise Socialiste, Edi Rama duke e cilesuar kongresin e zhvilluar nje dite me pare si tregues te qarte te diktatures censuruese qe mbizoteron ne PS.

“Per gjithcka u fol dje ne kongresin e  Partise Socialiste, por vetem per alternative nuk u tha asnje fjale. Ky nuk eshte problem vetem per opoziten, por eshte problem per te gjithe ne, per te gjithe shoqerine. Votimi i fshehte eshte shpallur person ne kerkim ne PS. Standartet e votimit ishin shume me keq se sa votimi  ne Keshillin Bashkiak te Tiranes. alternativen per demokracine  e brendshme e paraqiti perfaqesuesi i politikes se re, Gramoz Ruci. Pra te gjitha keto cojne ne perfundimin se Edi Rama nuk po rizgjidhet ne krye te PS, ai po grabit lidershipin e PS”, u shpreh deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferri.

Nderkohe Levizja Socialiste per Integrim duke ironizuar deklaratat e zotit Rama , ka rishprehur besimin se qeveria e perbashket me PD do te jete nje faktor stabiliteti dhe do te drejtoje vendin drejt Bashkimit Europian.

"Shqiptaret dhe ne vecanti te majtet e vertete e kuptuan dje se duhet te ndahen menjehere nga filozofia e ketij te semuri mendor, i cili pasi vodhi gjithcka ne Tirane bashke me delenxhinjte e tij te shplare nga identiteti moral dhe ai profesional kerkonte te fuste ne xhepin e tij mafioz te gjithe Shqiperine. Sot eshte e qarte se c’donte te thoshte Edi Rama me shprehjen e tij elektorale, do ta bej Shqiperine sic bera Tiranen”, deklaroi zedhenesi i LSI-se, Ralf Gjoni

Gjate kongresit socialist kreu i PS-se Edi Rama akuzoi kryeministrin Berisha per grabitje te votave dhe kreu e LSI-se per tradheti te se majtes.

"...Së pari nuk kam dijeni për tërheqje të Z. Malaj,..."

Dhe Arben Malaj e pergenjeshtroi kete deklarate te Edvin Kristaq Rames, duke thene menjehere pas transmetimit te kesaj interviste, se ai vete ia kishte komunikuar Edvinit terheqjen nga gara.

http://www.ora-news.com/index.php

Partia socialiste duhet te drejtohet me dore te forte dhe pervec Edi Rames per momentin ne PS nuk ka ndonje lider tjeter qe mund ti beje balle uraganit Berisha.Me Edi Ramen ne krye te PS do te kemi nje opozite shume me te fuqishme dhe kompakte se sa me Blushin apo me Malajn.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).