PS-ja dhe 4 qarqet e veriut

Në qoftë se 140 mandatet e Kuvendit do të përcaktoheshin vetëm nga votat e zgjedhësve të 8 qarqeve të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, koalicioni i udhëhequr nga Rama do të kishte siguruar 72 mandate nga votimi i 28 qershorit, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Berisha do të kishte marrë vetëm 63 mandate. Por kjo epërsi e ndjeshme e koalicionit Rama në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut u eklipsua plotësisht në 4 qarqet veriorë, e madje u tejkalua. Dhe, meqenëse Kushtetuta nuk i përjashton zgjedhësit e këtyre qarqeve nga e drejta për t'iu llogaritur vota, koalicioni Berisha siguroi 70 mandate, ndërkohë që koalicioni Rama mbeti në kuotën 66.

Këto shifra tregojnë se strategjia e Ramës për fitimin e zgjedhjeve dështoi në 4 qarqet veriorë. Se ç'pjesë e strategjisë së tij nuk funksionoi në veri, ndoshta nuk do ta mësojmë dot, por gjasat janë se ajo çaloi jo vetëm në drejtim të mbrojtjes së votës, por edhe në drejtim të marrjes së saj.

Kështu, është e vërtetë se rezultatet 300 me 0 në disa qendra votimi të Qarkut të Shkodrës janë një indicie e qartë se procesi i votimit është manipuluar në atë qark, por në Qarkun e Lezhës dhe të Kukësit, shpërndarja e mandateve, me gjasa të forta, do të mbetej e njëjtë edhe po të eliminoheshin manipulimet e përfolura.

Në fakt, e majta e ka patur në vite një problem verior. Kështu, nga një sondazh i kryer në prill të 2008-ës, rezultonte se vetëm 27% e të anketuarve kishin votuar rregullisht për të majtën në 4 qarqet veriorë, ndërkohë që për të djathtën kishin votuar rregullisht 57% e tyre. Dhe rezultatet e 28 qershorit treguan se e majta u ngrit ndjeshëm mbi nivelin e votuesve të rregullt të saj - arriti kuotën 38% - por, sidoqoftë, mbeti më prapa se e djathta.

Duke patur parasysh se Meta tani është në koalicion me Berishën, problemi verior i PS-së bëhet edhe më i mprehtë. Në këto kushte, Ramës i mbetet të fillojë që tani të mendojë për një strategji më të mençur për veriun. Është e vërtetë se ai rezultoi udhëheqësi më i suksesshëm i PS-së në elektoratin verior, por gjithashtu, rezultoi se suksesi i tij nuk ishte i mjaftueshëm për t'i dhënë një mandat qeverisës.

Rama e bazoi fushatën e tij në veri kryesisht tek simpatia që elektorati i lëkundur presupozohej të kishte për të si një figurë që ishte shfaqur fillimisht në skenën publike, si një antikomunist i zjarrtë - fjalimet gjatë fushatës elektorale në Shkodër e gjetkë, janë një ilustrim i qartë i kësaj strategjie. Dhe fakti që koalicioni i tij, edhe në kushtet e manipulimeve të mundshme, siguroi 34% të votave në 4 qarqet veriore (pra, 7% më shumë se niveli i votuesve të rregullt të gjithë së majtës të marrë së bashku), tregon se të lëkundurit kanë shkuar në masë drejt koalicionit të tij. Por që rezultatet në të ardhmen të jenë më të larta, duhet që të lëkundurit të konsolidohen rreth PS-së, ndërkohë që komisionerët të jenë më besnikë ndaj saj.

Që ky objektiv të realizohet, nuk mjafton vetëm të luhet karta e vjetër e antikomunizmit. Ndoshta promovimi i figurave veriore në grupin udhëheqës të PS-së mund të krijojë shtratin e nevojshëm për një punë më kapilare të saj në qarqet e veriut. Marrja dhe ruajtja e votës në veri, si dhe në enklavat me popullsi veriore të krijuara në Shqipërinë e Mesme pas vitit 1990, kërkon një strategji më pak moderne, të bazuar kryesisht në lidhje krahinore e fisnore.

3 Komente

 Dhe, meqenëse Kushtetuta nuk i përjashton zgjedhësit e këtyre qarqeve nga e drejta për t'iu llogaritur vota, koalicioni Berisha siguroi 70 mandate, ndërkohë që koalicioni Rama mbeti në kuotën 66.

 

wtf??!!

Cfare shkrimi patetik eshte ky? Shkrim qe definitivisht ringjalle urrejtje veri-jug. Sinqerisht nuk e kuptoj se si lejohet te shkruhen keto shkrime qe definitivisht ringjallin urrejtje te panevojshme.  Sipas ketij gazetaruci dmth veriu i Shqiperise nuk do te duhej te votonte fare por qe fatkeqesisht kushtetuta u jep kete te drejte.   TURP TURP TURP TURP.

 Jam nga jugu por nje gje te tille nuk duhet lejuar te vendoset askund sepse Shqiperia pa veriun nuk do te quhej Shqiperi.

  Nuk priten shkrime me te mira nga te verberit e Edvin Rames te cilet jane ekstazuar nga Rama dhe tani nuk jane ne gjendje te pranojne humbjen por duan te jetojne ne nje jete ekstaze.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).