Provim shtetëror për mjekët, farmacistët dhe avokatët, jo më licenca

Qeveria miraton projektligjin për ushtrimin e profesioneve

Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri "Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë", të gjithë ata që do të diplomohen në profesione të tilla si mjekë, farmacistë, avokatë etj., do të duhet që t‘i nënshtrohen provimit të shtetit. Ky do të jetë domosdoshmërisht dixhital. Ndërkohë që do të kërkohet edhe një praktikë pune. Pas përfundimit të këtij procesi, secili nga të diplomuarit do të mund ta konsiderojë veten e të vlerësohet nga të tjerët (institucionet) si një profesionist i vërtetë.

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se "duke adaptuar standardin më liberal dhe duke hequr licencat për këto profesione, si ai i mjekut, farmacistit, avokatit dhe një seri profesionesh të tjera, interesi publik kërkon që këto profesione, në raport me publikun, të jenë të rregulluara me ligj të kenë të përcaktuar në ligj përgjegjësitë që rrjedhin, kodin etik dhe profesional që janë të detyruara të zbatohen në marrëdhëniet e tij me qytetarët shqiptarë". Në këtë linjë, qeveria miratoi dje projektligjin "Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë". Kryeministri Berisha e konsideroi të rëndësishëm këtë nismë ligjore, pasi rregullon me ligj ushtrimin e profesioneve në raport me publikun.

Në një aspekt të rëndësishëm të këtij projektligji, Kryeministri Berisha vlerësoi rivendosjen e provimit të shtetit për të gjithë ata që mbarojnë studimet pas miratimit të këtij ligji, para se të fitojnë të drejtën e ushtrimit të profesionit.

"Ky provim ka ekzistuar dikur në shkollat në Shqipëri dhe ekziston në çdo vend. Vërtet mbaron shkollën, por ke nevojë që, para se të marrësh të drejtën e ushtrimit të profesionit, të bësh një praktikë në një kohë të caktuar. Një praktikë të tillë e bëjnë mjekët, të cilët nuk e ushtrojnë profesionin pa një stazh praktike pranë një klinike apo mjeku me eksperiencë, por tani kjo kodifikohet. Para se të ushtrosh profesionin e të njihesh si profesionist në atë fushë, jep edhe një provim", u shpreh Kryeministri.

Sipas kreut të Këshillit të Ministrave, provimi i shtetit do të jetë dixhital, një model i aplikuar me sukses edhe në vende të tjera dhe i rëndësishëm për të shmangur korrupsionin.

"Ne nuk mund të vendosim provime të tjera, përveç provimit dixhital, që është plotësisht i mundshëm. Modele të tilla ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. Ne e kemi këtë jetike për të shmangur korrupsionin. Ndaj, ashtu siç po veprohet me provimet në shkollat e mesme, Ministria e Arsimit dhe ministritë respektive si Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për profesionet e inxhinierit, arkitektit, urbanistit etj., duhet të fillojë me seriozitetin më të madh përgatitjet për standardet e provimit të shtetit. Në SHBA, provimi nuk quhet provim shteti, por pa këtë provim diploma nuk të konvertohet dhe ai është tërësisht i informatizuar. Në këtë mënyrë, ne realizojmë edhe një standard në interesin më të mirë të publikut, por absolutisht edhe në interesin e të diplomuarve, të cilët, pasi kanë dhënë me sukses provimin dhe kanë bërë praktikën, janë të çliruar nga çdo lloj paragjykimi qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat", theksoi më tej shefi i Ekzekutivit për këtë iniciativë ligjore.

Kryeministri Berisha tha se ky ligj mbush një boshllëk që ekzistonte në legjislacionin shqiptar dhe është bërë kujdes që të mos cenojë arritjet e deritanishme në heqjen e licencave dhe lejeve të panevojshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).