Poshtë makinat e deputetëve!

Në mos gaboj, afro një vit më parë, Kryeministri Berisha shtroi para opinionit tonë publik një shqetësim të ri, por të thellë. Fjala ishte për privilegjet që paskan deputetët. Dhe këto privilegje, gjithnjë sipas përshkrimit që u bëri vetë kryetari i qeverisë, përmblidheshin te makinat dhe shoferi. Nuk kishte dhe as nuk ka privilegje të tjera parlamentari ynë i nderuar. Mbetet për t’u diskutuar nëse është ky një privilegj apo jo. Sipas Kryeministrit tonë, është privilegj, madje i palejueshëm dhe i paskrupullt, pasi, po siç na mëson Kryetari ynë, shoferë e makina nuk kishte dhe nuk ka asnjë parlamentar në Europën e zhvilluar dhe demokratike. Shqetësimin e vet brejtës Kryeministri e ka përsëritur publikisht në vazhdim shpesh, sidomos gjatë fushatës së fundit elektorale, dhe u është zotuar me zemër në dorë  shqiptarëve se, me vullnetin e vet të hekurt, do t’i japë fund këtij shpërdorimi të tmerrshëm të parave të taksapaguesve shqiptarë, shpërdorim ky, që po kryhej pikërisht nga ata që nuk pritej e që ishin të zgjedhurit e vet popullit për të vendosur mbi fatet e vendit po në emër të popullit. Në vazhdën e mbajtjes së zotimeve elektorale, para pak ditësh, në mbledhjen e radhës të qeverisë, Kryeministri iu rikthye shqetësimit të vet dhe madje dëshmoi me shifra konkrete arsyen pse nuk mund të pajtohej me këtë realitet: një shofer deputeti, theksoi Kryeministri, u kushtonte taksapaguesve shqiptarë afro nëntëmbëdhjetë mijë dollarë në vit. Me një llogaritje të thjeshtë fare, ky privilegj, për të njëqind e dyzet deputetët bashkë, e ka çmimin më shumë se 200 mijë dollarë në dymbëdhjetë muaj.
Unë për veten time nuk do të jem më deputet. Meqenëse e kam zakon t’i marr gjerat gradualisht, edhe kësaj here, për t’u mësuar me jetën pa privilegje, e kam dorëzuar qysh në fillim të verës veturën zyrtare. Por shifra e njoftuar nga Kryeministri më bëri kureshtar të kuptoj se sa i kam kushtuar unë popullit tonë fukara gjatë tetë vjetëve të fundit. Viti 2008, i cili duhet të jetë edhe më i shtrenjti për shkak të rritjes se pagave të ulëta e ku futen edhe pagat e shoferëve të Parlamentit, ka nxjerrë nga arka e përbashkët, për mua, më pak se 700 mijë lekë të reja në vit. Këtu përfshihen pagat dhe dietat e shoferit, karburanti, një kontroll teknik i mjetit, i cili në fakt nuk është kryer, si dhe norma standarde e konsumit të makinës sipas kilometrave të kryer.  Mbështetur në kursin zyrtar dollarë amerikan-lekë, i bien më pak se tetë mijë dollarë, që do të thotë, sipas aritmetikës që unë kam mësuar në shkollë dikur, gati dy herë e gjysmë më pak se ç’na njoftoi kryetari i qeverisë. Nuk besoj se kolegët e mi dallojnë shumë nga unë në këtë aspekt të shpenzimeve.
Siç na e ka thënë dhe përsëritur edhe Kryeministri, deputetët në vendet demokratike e të zhvilluara europiane nuk kanë as makina dhe as shoferë të paguar nga shteti. Por Kryeministri ynë nuk na ka sqaruar asnjëherë se si ia bëjnë atje parlamentarët për të lëvizur apo edhe për të plotësuar nevojat e tjera të natyrshme, që ka një përfaqësues i popullit gjatë kryerjes së detyrës. Ky sqarim duhet bërë, mendoj unë. Krahasimi si procedim mendor ka lindur për ta thjeshtuar përpjekjen e njeriut në të kuptuarit e gjërave. Po sjell rastin e Francës si krahasim. Një deputet atje merr 5800 euro në muaj. Kaq është paga, mbi të cilën ai edhe tatohet si çdo qytetar tjetër, që e fiton bukën e gojës me aftësinë e vet. Më tej, ai ka një buxhet mujor prej 5837 eurosh, me të cilat parashikohet që ai të paguajë udhëtimet brenda Francës, hotelet, drekat e darkat me të ftuar apo edhe vetëm, si dhe qiranë e zyrës në zonën e vet elektorale. Këtë para të madhe e që nuk mban erë, deputeti e shpenzon si ta ketë më të përshtatshme për veten e për karrierën e tij. Në dashtë merr zyrë në zonën ku është zgjedhur, në dashtë jo, në dashtë fle në hotel me 5 yje kur është larg shtëpisë, në dashtë në çadër, në dashtë udhëton me gomar, në dashtë udhëton me avion, në dashtë edhe nuk udhëton fare, në dashtë shkon në restorant, në dashtë ushqehet në cep të rrugës me një hamburger. Frymë njeriu nuk i kërkon ndonjë faturë.
 Po ashtu, në Francë, deputeti ka edhe një buxhet të tretë, i cili është 9000 euro të thata, pra, dy herë paga e vet neto, me të cilin presupozohet të paguajë personel ndihmës për të kryer funksionet e parlamentarit, siç janë sekretarët, këshilltarët etj. Dhe për këtë buxhet të tretë mujor, ashtu si për të dytin, deputeti nuk ka asnjë detyrim ligjor të raportojë si e ka shpenzuar. Përmbledhtazi, do nënvizoja se deputeti francez, pagën e mirëfilltë e ka 5800 euro bruto, por buxheti i shpenzimeve të tjera, ato që Kryeministri ynë i quan gjithë zemëratë privilegje, janë 14.487 euro, ose gati tri herë sa paga e mirëfilltë dhe që për më tepër, ky portofol i majmë është dhe i përjashtuar nga taksat. Të gjitha këto mund të shumëzohen për 12 muaj e do të shohim se bëjnë 243.554 euro. Nëse ndjekim kursin zyrtar të shkëmbimit të euros me dollarin amerikan, e që është edhe monedha mbi të cilën i ka bërë llogaritë Kryeministri në këtë rast, del se bëhet fjalë për afro 50 për qind më shumë nga ç’kushtojnë privilegjet e të 140 deputetëve tanë së bashku. Të mos harrojmë: kam krahasuar një deputet francez me krejt trupën parlamentare të Republikës së Shqipërisë.
Franca ka edhe Senat, siç dihet. Dhe senatorët, të cilët janë gjithashtu parlamentarë të zgjedhur nga populli, i gëzojnë të gjitha këto privilegje, ama me kuota rreth 10 për qind më të larta se deputetët. Sa për ta bërë më të lehtë krahasimin për lexuesit, po përmend se paga minimale në Francë me ligj është 1050 euro në muaj. Deputetit të shkretë francez do t’i binte pika sikur t’i thoshte sot Presidenti Sakroky se do t’ia hiqnin këto bezdira për të paguar aty-këtu sipas rastit sportel më sportel e banak më banak dhe do t’i jepnin një makinë me shofer për të gjezdisur i qetë ku ta çonte puna apo qejfi.
Gjithë sa solla këtu janë fakte që i përkasin realitetit të një vendi tjetër dhe mund të mos i interesonin fare publikut shqiptar, në qoftë se vetë Kryeministri Berisha, luftën e tij parimore për t’i vënë deputetët në dietë e që mund të keqkuptohet si luftë për t’i diskretituar e poshtëruar ata si qylaxhinj, nuk do e mbështeste pikërisht te ky model. Dhe një luftë e ndershme e kërkon medoemos që modeli, nga ku ajo frymëzohet, të paraqitet i plotë. Unë si një demokrat që nuk kam më konflikt interesi në këtë pikë, po synoj ta ndihmoj sot Kryetarin e Partisë time që t’i japë jo vetëm në thelb, por edhe në dukje, ndershmëri luftës së tij për të shkurtuar shpenzimet publike. Përndryshe, ai lehtësisht mund të sulmohej nga dashakeqët e vet të shumtë, për manipulim të pahijshëm të opinionit publik. Pasi faktet që rendita unë, mund t’i gjejë lirisht cilido, në internet, ashtu siç edhe hesapet që bëra unë për shpenzimet e Parlamentit, duke më dhënë mua dikur shofer e makinë, mundi t’i bëjë çdonjëri nga deputetët e djeshëm e të nesërm dhe të shohë sa larg janë shifrat e vërteta që i përkasin atij vetë me shifrat që përmend Kryeministri. Mbetet vetëm për të sqaruar për opinionin publik nëse dollarët e Kryeministrit tonë kanë në raport me lekun shqiptar të njëjtin kurs këmbimi me dollarët e Uashingtonit.
Përtej humorit, që zakonisht ngjall Berisha kur flet me shifra, në këtë rast i kam bërë vetes një pyetje të sinqertë: a i mendon vërtet kryetari i maxhorancës qeverisëse pasojat e një retorike të tillë? Duke insistuar kaq fort në një fakt të paqenë si ky i privilegjeve të deputetit, privilegje që konsistojnë, pra, te vetura me shofer, ai i fryn një zjarri shumë të rrezikshëm për demokracinë e që është urrejtja apo qoftë edhe përçmimi i qytetarëve për klasën e zgjedhur politike, pjesë e të cilit është dhe vetë zoti Berisha me trup e me shpirt. Pasi ka dëgjuar vetë Kryeministrin të shprehet me aq revoltë, qytetari i thjeshtë është krejt në zakonin e vet të vjetër të shtojë me mend lumin e sharjeve për deputetin e vet. Pse do e respektoj unë këtë shushunjë? – do të thotë qytetari me vete. A mund të jetë një qytetar i tillë një aleat i Sali Berishës burrë shteti për reformat që ai ka marrë përsipër të kryejë në emër të forcimit të demokracisë? Sigurisht që jo. Dhe për hir të së vërtetës do thënë se nuk është aspak kjo rruga për të shkurtuar shpenzimet publike. Sepse deputetit, po iu hoq makina, dhe më mirë t’i hiqet, do t’i jepet në një rrugë tjetër një buxhet i përshtatshëm, madje dukshëm më i lartë nga ç’është harxhuar deri dje për mua dhe kolegët e mi. E pamë te shembulli i Francës. Mund ta shohim të njëjtë në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. Jemi të detyruar t’i marrim si shembull. Ose ndoshta Berisha po e bën gjithë këtë zhurmë me qëllim krejt të kundërt: po synon të çelë shtegun që t’i shpërblejë më mirë deputetët e zgjedhur kokërr më kokërr kësaj here. Unë i marr gjithnjë e më vështirë vesh taktikat e tij. Qofsha i gabuar!

12 Komente

Mire ia u beri. Juve shkoni ne paralament kur ju do qefi, keni lloj-lloj dietash dhe pagesa ekstra, pa llogaritur paret nen dore qe merrni. Krahasuar tere keto me palo-punen qe beni, jo vetem makinen qe s'e keni hak, po mundesisht tia u bejne dhe rrogen si ne biznes privat; ne varesi te sa dite/ore merrni pjese ne parlament dhe ne varesi te rezulatit. smiley

Pasi faktet që rendita unë, mund t’i gjejë lirisht cilido, në internet, 

Ja e kerkova internetin dhe e di cfare gjeta une o Besniko?

GDPja e Frances na eshte 2 978 miljarde dollare, ndersa e Shqiperise 13.52 miljarde. Pra, diku te 220 here me e larte se GDPja juaj, qe fatkeqesisht eshte dhe imja. Dmth, ndoshta dhe i takon Frances te beje te tilla shpenzime; sidomos, sidomos kur kerkon ne internet dhe gjen (e cuditshme) qe te ardhurat per fryme te nje francezi te thjeshte fare jane 32 700 dollare ne vit dhe per shqiptarin jane 6 000 (e pabesueshme qe dhe Franca ta kete me te larte se tonin, se helbete, vend i varfer jane dhe me gjithe ato shpenzime qe bekan per nje deputet... kuptohet)

...vetë Kryeministri Berisha, luftën e tij parimore për t’i vënë deputetët në dietë e që mund të keqkuptohet si luftë për t’i diskretituar e poshtëruar ata si qylaxhinj...

Pse, cfare mendon se jeni megjithmend ju?

Ne fakt, edhe me ato rroga qe merrni, pa u llogaritur dieta e shpenzime, cfare keni bere per popullin e thjeshte pervec faktit qe e keni varferuar duke u pasuruar ju vete? Me viza jemi, si pak ne Evrope, kur na shohin Evropes, na shohin si lebroze, si zombi, si njerez me brire, si bartes epidemish vdekjeprurese... Per shkak te... plotesoje vete o Besniko.

ai i fryn një zjarri shumë të rrezikshëm për demokracinë e që është urrejtja apo qoftë edhe përçmimi i qytetarëve për klasën e zgjedhur politike, pjesë e të cilit është dhe vetë zoti Berisha me trup e me shpirt.

Po pse o Besniko, megjithmend te ka shkuar mendja, qofte edhe per nje sekonde te vetme qe jeni njerez te dashur per popullin ju? Qe nuk ju urreka kush? Po ti vuan nga deliri i pushtetit atehere.

Dhe ketu perfshire dhe Berishen te parin, o z. Mustafaj.

Por me habit nje gje, qe ai cjap, edhe kur ka te drejte nuk e duan as langonjte e vet!

Ti o z. Mustafaj, nese kishe ndonje gje kunder kesaj nisme, me mire te kishe thene ndonje gje te tipit "po na e ben per inat", apo "do t'i vjedhe ato leke per vete", dhe do ishe shume me i besuar. Ne fakt me kete qe ke shkruar del si njeri delirant qe ka marre voten e popullit dhe kujton se e meriton pushtetin me gjithmend.

Une si popull shume i thjeshte po e them hapur ketu, nuk ka njerez me te urryer ne Shqiperi sesa politikanet, nuk ka njerez me te ulet moralisht sesa politikanet, nuk ka njerez me te pandershem, nuk ka njerez me arrogante, nuk ka njerez me te ndyre, nuk ka njerez me te qelbur, nuk ka njerez me antishqiptare ne Shqiperi sesa politikanet! Per kete mund te ta provoj edhe sikur te ulemi bashke per nje kafe e te flasim per "politiken" e jashtme qe ke bere zotrote kur ishe minister!

Pse do e respektoj unë këtë shushunjë? – do të thotë qytetari me vete.

Jo, ne fakt po ua them ne sy; populli ua ka thene ne sy; gjysma e qytetareve qe votuan ua thane ne sy, jo se votuan per PS dhe ata na qenkan me te mire, por te pakten kerkuan largimin e menjehershem te shushunjave qe fatkeqesisht, do thithin gjak edhe 4 vjet te tjera (ndoshta).

A mund të jetë një qytetar i tillë një aleat i Sali Berishës

Po a nuk merret pushteti qe te shperblehen edhe mitingashet? Ne fakt mitingashet tuaj shperblehen para, gjate dhe pas fushates elektorale, dhe ne rast "fitoreje" ne zgjedhje, shperblehen dhe me vende pune, - psh, kur nuk di te beje asgje, por vetem te rrihet e te shahet, merret shofer deputeti; post te cilin e shfrytezon gjithmone ne cilesine e sekserit, qe te beje leke si deputeti ashtu dhe shoferi.

Qofsha i gabuar!

Gabim je qe c'ke me te. Por jam i bindur se nuk ka njeri aq te lig dhe te ndyre sa te mos i dije vuajtjet qe i shkakton popullit te vet, te pakten ne veten e vet, ne ndergjegjen e vet; pavaresisht se as ti, as Berisha jot, e asnje nga cakenjte e politikes shqiptare nuk i pranon kurre hapur, sidomos ata qe kane pushtetin.

Jam i bindur, me pak fjale, qe ti e di shume mire se je gabim, por thjesht po ben pallavra... (PS: jo te gjithe lexuesit shqiptare jane shofere deputetesh)

Faqja e zeze! Shkrim i ish shefit te diplomacise shqiptare ky...

 

Faqja e zeze! Shkrim i ish shefit te diplomacise shqiptare ky...



zotrules, qind per qind dakord me ty..ketyre ba me ju heq nje privilegj te hane te gjalle me gjithe lecka..po kot tremben se se ben berisha ate qe thote...e ka bllof sa me i tremb pak keto shushunja te egra

Zotrules. Te gjitha sa the qendrojne, vecse vlejne per politikanet e te dy kraheve, jane e njejta zgjyre. Politika shqiptare dhe politikanet jane si shkopi  me mut nga te dyja anet, qe nuk ke se ku e kap.

Nje tentative deshtuar per ta pickuar Salen pa i futur thumbin.

Po ndonje llaf per Shkodranken Fluturuese, qe ka harxhu me shume gjalp e long portokalli neper Continental Breakfasts neper aeroplana e hotela se gjithe Kombetarja Shqiptare qy me 1985,  nuk kishte ky, meqe po flet per privilegjet e deputetit?

Po ta kishte permend SH.F.-ne do ja kisha bo hallall kete palavine qe ka shkrujt, megjithese jo t'gjithen! smiley

Ate pjesen qe ky vete e ka dorzu kerrin ne fillim te veres, nuk ja fal! Jo per gjo' po eshte pikerisht kjo pjesa qe e tradhton Besnikin! Tradhton menyren se si e imagjinon vehten, dhe "politikejt" e tjere qe perbejne "parine e vendit"!

Ky! Dhe do t'tjere!

P.S.

Dorezimi vete i makines se deputetit kur nuk je mo deputet, nuk eshte fakultativ! smiley

Unë për veten time nuk do të jem më deputet. Meqenëse e kam zakon t’i marr gjerat gradualisht, edhe kësaj here, për t’u mësuar me jetën pa privilegje, e kam dorëzuar qysh në fillim të verës veturën zyrtare .

 

 

Sic duket zoteria vazhdon te jete nostalgjik i krijimtarise se tij letrare per femije!

 <i>"...një shofer deputeti, theksoi Kryeministri, u kushtonte taksapaguesve shqiptarë afro nëntëmbëdhjetë mijë dollarë në vit. Me një llogaritje të thjeshtë fare, ky privilegj, për të njëqind e dyzet deputetët bashkë, e ka çmimin më shumë se 200 mijë dollarë në dymbëdhjetë muaj."<i>

Z.Mustafaj, llogaria është vërtetë shumë e thjeshtë, po jo edhe kaq sa e bëni ju! Dhe me siguri që këtë matematikë tuajën të thjeshtë, përkundër pretendimeve tuaja, nuk jua kanë mësuar në shkollë fillore. Dhe, përkrah llogarive tuaja, gjithë analiza juaj bie poshtë, pasi bazohet në një llogari të thjeshtë, por me përfundim infantilisht të gabuar. Me vjen keq, jo për analizën, por për qytetarët e këtij vendi. Jo shumë, sidoqoftë!

Me një llogaritje të thjeshtë fare, ky privilegj, për të njëqind e dyzet deputetët bashkë, e ka çmimin më shumë se 200 mijë dollarë në dymbëdhjetë muaj."

19 000smiley140 = 31 920 000 Dollare.

Me nje llogari te thjeshte z. Mustafaj.

Pse more?  apo se 31920000 eshte me shume se 200000?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).