Politikanët shqiptarë në "Facebook"

MANIA/ Fansat e Ramës, Berishës, debatet për politikën dhe cilët janë më aktivë

Vitet e fundit, manisë së shqiptarëve pas makinave luksoze dhe celularit, i është shtuar edhe interneti, dhe konkretisht faqja e "Facebook"-ut. Po të klikosh në këtë faqe do të shikosh se gjen aty shumë miq, shokë e familjarë, por, vitin e fundit, ke mundësi të gjesh edhe politikanë dhe të komunikosh me ta sikur i ke miq prej vitesh. Për t‘u dukur më "trendy", apo për të pasur një mënyrë komunikimi më të lehtë me mbështetësit dhe adhuruesit, politikanët shqiptarë kanë hapur nga një faqe të tyre në "Facebook" ku miqtë, adhuruesit dhe mbështetësit janë të shumtë. Nga 140 deputetë të Kuvendit, 79 kanë faqen e tyre në "Facebook" ndërkohë që 61 të tjerët nuk e kanë ndjekur këtë "modë". Deputetët në faqen e "Facebook" i gjen si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca, megjithëse jo të gjithë janë aktivë dhe e përdorin gjatë gjithë kohës faqen e "Facebook"-ut. Rekord për numrin e miqve në faqen e "Facebook", me të cilët komunikon për çështje të ndryshme, ka deputeti i PS-së, Andis Harasani, në faqen e të cilit janë regjistruar 4479 miq. Deputeti Harasani është nga ata politikanë i cili hedh ide për diskutim në faqe, ku komentet janë të shumta. Po ashtu, mjaft komente nga miqtë e "Facebook"-ut Harasani i merr edhe për shkrimet dhe analizat që ai boton në shtypin e shkruar. Komentet për temat e hedhura për diskutim dhe për analizat e bëra janë të shumta, janë pro dhe kundër, por, nga përgjigjet e tij, kupton se ai i mirëpret të gjithë. Po kështu, mjaft debutues në faqen e internetit është edhe deputeti tjetër i PS-së, Erjon Braçe. Ai pranon të debatojë "live" në internet edhe për problemet e brendshme që po kalon aktualisht PS-ja që pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Këto debate janë bërë edhe mes vetë deputetëve që ndajnë bindje të ndryshme në të njëjtën parti, siç ishte edhe debati i fundit në internet mes Braçes dhe Harasanit. Nuk mbeten më pas në komunikimin e tyre me miqtë e internetit edhe deputetët e tjerë të opozitës, Kastriot Islami dhe Arben Malaj. Ndërkohë që nga kampi i mazhorancës, megjithëse janë të shumtë politikanët anëtarë në faqen e "Facebook"-ut, komunikimi i tyre me "miqtë" e rinj është paksa më i ngurtë dhe disa prej tyre, si deputetja e re e PD-së, Rajmonda Bulku, që, pas zgjedhjeve janë tërhequr nga faqja. Por, në faqen e "Facebook"-ut, megjithëse gjen pjesën më të madhe të deputetëve të anëtarësuar, një pjesë e tyre janë pasivë. Ata janë mjaftuar vetëm me hapjen e kësaj faqeje, publikimin e ndonjë fotoje dhe kaq, nuk kanë shumë miq dhe nuk bëjnë shumë komente për çështje të ndryshme. Pasivë në faqen e "Facebook"-ut gjen deputetët Damian Gjiknuri, Astrit Patozi, Ardian Kollozi, Shpëtim Idrizi, Arenca Trashani, Marko Bello, Luciano Boçi, Bashkim Fino, Enkelejd Alibeaj, Arben Imami e të tjerë. Faqe në "Facebook" kanë edhe shumë nga ministrat e kabinetit aktual qeveritarë si Bode, Ruli, Bregu, Pollo, Beja, Basha, etj., por edhe këta shumë pak i gjen "on line" për të diskutuar për çështje të ndryshme. Ministrat e kabinetit "Berisha" janë mjaftuar me hapjen e një faqeje, e cila është vështirë të merret vesh nëse e kanë hapur vetë apo ndonjë adhurues i flaktë i tyre, të cilët kërkojnë të shohin sesa miq ka shefi. Kjo mani për të hapur faqe në "Facebook" u bë më e madhe gjatë kohës së fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Por tashmë pas zgjedhjeve, intensiteti ka rënë, duke mbetur në faqen e internetit për të diskutuar dhe debatuar me miqtë vetëm "besnikët" e "Facebook"-ut, ata të cilët nuk i kanë harruar miqtë edhe pasi u morën votën.

Bamir Topi, me 8054 përkrahës

Në faqen e "Facebook" gjen edhe emrin e Presidentit të vendit, Bamir Topi. Në emër të Presidentit janë hapur katër faqe, në të cilat janë shënuar si mbështetës në grup 8054 përkrahës. Presidenti Topi nuk është "online" në faqen e internetit, por adhurues dhe përkrahës të tij kanë hapur faqe dhe ftojnë miq të tjerë t‘u bashkohen grupeve mbështetëse për kreun e shtetit. Një tjetër faqe e hapur në mbështetje të Presidentit Bamir Topi ka të regjistruar 54 anëtarë, në një faqe tjetër gjen të regjistruar 372 anëtarë, po kështu 330 anëtarë janë të regjistruar në një faqe tjetër në "Facebook", të cilët japin mbështetjen për aktivitetin politik të kreut të shtetit.

Fatos Nano, me 1930 anëtarë në "Facebook"

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, nuk është "online" në "Facebook", por miq dhe adhurues të tij kanë hapur për të 35 faqe. Në shumë prej tyre shikon se numri i anëtarëve që e mbështesin dhe adhuruesve është i madh. Në një faqe "Facebook", Fatos Nano ka të regjistruar 1930 anëtarë, në një tjetër 439 anëtarë. Po kështu, Fatos Nano ka 1311 adhurues në një faqe tjetër në "Facebook", ndërsa në një tjetër janë të regjistruar 507 përkrahës, ndërkohë që në shumë faqe nuk mungojnë nga 60, 90, 345 adhurues e përkrahës të regjistruar në mbështetje të tij.

Ish-deputetë debatojnë për politikën me fansat në "Facebook"

Në faqen e internetit në "Facebook" gjen edhe shumë emra politikanësh, të cilët, për një arsye apo për një tjetër, nuk do të jenë më në sallën e Kuvendit gjatë këtij katërvjeçari. Këtë emra kanë pasur peshë në debatet politike katër vitet e shkuara, por që tashmë nuk do ta përfaqësojnë elektoratin e tyre në sallën e Kuvendit. Shqetësimet dhe bisedat ata i kanë zhvendosur nga salla e Kuvendit në faqen e internetit në "Facebook". Besnik Mustafaj, Gilman Bakalli, Petro Koçi, Pëllumb Xhufi, Aleksandër Biberaj e të tjerë, kanë shumë miq dhe mbështetës në "Facebook". Komunikimi me ta është më i çlirët dhe pranojnë diskutime dhe debatojnë për tema të ndryshme. Një ndër më aktivët kohët e fundit, sidomos pas zgjedhjeve të 28 qershorit, është ish-deputeti i PS-së, kryetari i PSV-së, 91 Petro Koçi. Ai diskuton dhe debaton me miqtë e "Facebook"-ut për tema të ndryshme. Por më shumë kryeson ajo e çështjeve politike dhe konkretisht e zhvillimeve brenda së majtës. Koçi ka kërkuar largimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, duke theksuar se ai duhet të pranojë humbjen dhe të respektojë statutin e partisë që ai vetë kërkoi të hartohet dhe të miratohet. Debatet rreth kësaj teme me miqtë e "Facebook"-ut kanë qenë të shumtë. Ka pasur nga ata që e kanë mbështetur, shumë të tjerë që e kanë kundërshtuar, por dhe nga ata që e kanë bërë me faj Koçin dhe disa të tjerë që janë larguar nga PS-ja, duke i lënë fushë të lirë kryetarit aktual të partisë Rama të bëjë me selinë rozë ç‘të dojë ai.

Rama, me 24329 përkrahës në "Facebook"

Në emër të kryetarit të PS-së, Edi Rama, janë hapur 18 faqe në "Facebook" në internet. Një pjesë e mirë e tyre janë edhe kundër tij, të cilët e shajnë për rrugën politike që ka ndjekur, duke e akuzuar se po copëton të majtën. Në një faqe në "Facebook", kryetari i PS-së Rama ka 2429 përkrahës, në një tjetër 2172 përkrahës, anëtarë në grup për Edi Ramën, në një faqe tjetër të hapur në "Facebook" janë bërë 1372 anëtarë, siç ka edhe 1491 adhurues.

Për Berishën pro dhe kundër në "Facebook"

Kryeministri Sali Berisha ka shumë miq, përkrahës dhe adhurues në faqen e "Facebook". Në emër të tij dhe si mbështetës të aktivitetit politik janë hapur gati 20 faqe interneti. Ashtu si për kryetarin e PS-së Rama, edhe për Kryeministrin Berisha nuk mungojnë faqet kundër, ku i kërkojnë të largohet dhe ku kritikohet për punën që ka bërë si Kryeministër. Berisha ka 15086 përkrahës në një faqe interneti, në disa të tjera 1732 anëtarë dhe 6750 adhurues. Ndërsa në faqet kundër kKyeministrit janë të regjistruar 1754 anëtarë dhe në një tjetër 545 anëtarë.

Meta shahet për bashkëpunimin me PD-në

Ashtu si Kryeministri Berisha dhe kryetari i PS-së Rama, adhurues, fansa, por edhe kundërshtarë në faqen e "Facebook" ka edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Për kryetarin e LSI-së janë hapur 16 faqe në "Facebook", nga të cilat disa janë kundër tij dhe e akuzojnë si tradhtar të së majtës, duke e sharë për aleancën që ai ka bërë për të bashkëqeverisur me Kryeministrin Sali Berisha në katër vitet e ardhshme. Në "Facebook", Meta ka 4612 adhurues, ndërsa në një tjetër janë 6542 anëtarë, të cilët e shajnë për bashkëpunimin me PD-në.

Të rinjtë e partive diskutojnë për politikë në FB

Në "Facebook", mjaft aktivë janë edhe të rinjtë e partive politike. Nëse klikon mbi emrat e tyre, është fare lehtë të bësh miq Artur Duçkollarin, Erisa Xhixhon, Erisa Spiropalin, Megi Artyezën, Erjon Veliaj, Dritan Yllin, Ralf Gjonin e shumë e shumë të tjerë. Miqtë e tyre janë të shumtë, duke filluar nga politikanët e partive nga vijnë dhe deri te të rinj dhe të reja që bëhen miq në faqen e internetit. Në thelb të bisedave të tyre qëndron politika, e cila, duket se edhe në kohën e lirë, zë pjesën më të madhe të saj.

3 Komente

Edhe facebook i kishte mbetur mangut këtyre far "yjeve" të politikës në Shqipëri, këtyre kriminelëve me kollare, mercedes e pasaporta diplomatike.   

Nëse klikon mbi emrat e tyre, është fare lehtë të bësh miq Artur Duçkollarin, Erisa Xhixhon, Erisa Spiropalin, Megi Artyezën, Erjon Veliaj, Dritan Yllin, Ralf Gjonin e shumë e shumë të tjerë.

No, thanks.

I vetmi celebrity qe un kom shok facebooku quhet klajdi musabelliu smiley

(pa tallje; doja me i cu te fala nji musabelliu qe e kom shok nepermjet ktij, kur me dul qe ky ishte american idol - edhe pse AQO)

hahaaaaa. brace esht ai qe te pergjigjet per cdo gje, pa merak fare. e kam me bff nga fb, smiley

 

edhe kac islami, ndersa andis harasanit sillu mire se ta kthen ndonjeher "leme rehat, se kam pune"

 

mesila doden mos e shani. un i shkruajta ne wall se "ne emisionin e djeshem, e humbet pak qetesine" dhe ajo me beri block! si kalama 5vjecar!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).