Pokeri i sarajeve


Ashtu si në poker. Në fillim të viteve 1900, thonë se ishin Toptanët ata që i humbën në bixhoz sarajet e tyre, ndërsa tani janë të tjerë që luajnë fatin me këtë ndërtesë, ndër të fundit që daton civilizimin e Tiranës. Rikonstruksioni i fundit i ka dhënë shkelmin vdekjeprurës. Tani, sarajet e famshme do të marrin si shpërblim për mëkatin e të zotëve, uljen në kategori

 

 

Janë dy ndërtesa të ndryshme, por që ngjasojnë si dy pika uji. I ka ndërtuar e njëjta familje, por nuk kanë pasur të njëjtin fat. Bëhet fjalë për dy banesat që ndodhen në rrugët që mbajnë emrat e Abdi dhe Murat Toptanit, të ndërtuara nga një prej familjeve më të hershme të Tiranës, ajo e Toptanëve. 


Ajo që ndodhet në rrugën "Murat Toptani", ka pak kohë që është pastruar nga skelat dhe mbeturinat e tjera të ndërtimit, që u grumbulluan gjatë rikonstruksionit të radhës. Në Institutin e Monumenteve të Kulturës Gani Strazimiri, ndërtesa figuron të jetë rikonstruktuar dy herë; fillimisht në vitin 1963, kohë në të cilën u shpall edhe Monument Kulture i kategorisë së parë. Gjatë këtij restaurimi të kryer nën mbikëqyrjen e Institutit të Monumenteve, sipas specialistëve të vetë këtij, instituti u ruajt rreth 90% e objektit origjinal. Hera e dytë që u vu dorë mbi "Sarajet" ishte në vitin 2004, kur pronarët, për qëllime biznesi kryen punime, të cilat e dëmtuan jo pak objektin. Restaurimi që ka përfunduar në qershor të këtij viti, është i treti për këtë ndërtesë, por që nuk është realizuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. 


Çdokush që kalon në rrugën "Murat Toptani", vëren se fasada e ndërtesës është shumë e bardhë, thuajse njësoj si kur u ndërtua në fillim të shekullit të XIX. E po të mos ishte për një detaj tradhtar, çdo njeri do të mendonte se ishte kthyer dy shekuj pas në kohë dhe po ecte në Tiranën e viteve 1800. Hilja qëndron te emri "Sarajet 1837", që pronarët aktualë i kanë vendosur banesës, e cila tashmë është shndërruar në bar-restorant. "Sarajet 1837" është shkruar me shkronja të pjerrëta ngjyrë argjendi, një teknikë që vështirë se ka ekzistuar në Shqipërinë e asaj kohe. 


Sipas studiuesit të arkitekturës popullore, Emin Riza, kjo banesë ka një planimetri drejtkëndëshe të rregullt. Është e ndërtuar me mure qerpiçi, të cilët lidhen me llaç balte përzier me kashtë, materiali i cili përveçse është ekonomik, ka edhe cilësi të mira hidroizoluese Ndërsa kati i sipërm është ndërtuar me skelet druri. Themelet, të cilët ngrihen rreth 30-40 cm nga niveli tokës, janë ndërtuar me gurë lumi e janë lidhur me llaç balte, më pas vjen një brez druri dhe muret vijojnë me qerpiç. 


Ndërtesa përbëhet nga dritare të shumta dhe fashatura druri përgjatë perimetrit të saj. Dritaret e katit të parë janë më të paktë në numër, dhe janë të vendosura dy e nga dy në krahët e ndërtesës. Përpunimi i drurit nuk është realizuar me ndonjë kërkesë të lartë estetike, në kundërshti me punimet e hekurit, që paraqesin elementë të stilit barok. Në të dy mjediset e ndenjes ruhen tavanet e daltuar, të cilët janë përfaqësuesit e kësaj gjinie, për këtë tip banese. 


Dhe janë pikërisht tavanet ato që e kanë pësuar më shumë nga ky rikonstruktim. Specialisti i banesave qytetare, Genc Samimi, shpjegon se banesa e Toptanëve është një objekt i ndërtuar sipas koncepteve arkitekturore lindore, ku në qendër të banesës është një korridor (në formë rrethore, eliptike apo drejtkëndore) dhe në të katër anët janë vendosur dhoma. Dhomat komunikojnë me njëra-tjetrën nëpërmjet këtij korridori, që në rastin e banesës së Toptanëve ka trajtë drejtkëndore". 


Mirëpo tashmë, ky korridor nuk ekziston. Dhomat komunikojnë pa asnjë pengesë me njëra-tjetrën. Duke pirë kafe në njërin cep të katit të dytë, fare lehtë mund të dallosh gërshetimin që "restauruesit pronarë" u kanë bërë tre tipave të tavaneve. 
 

Tavanet e katër dhomave janë prej druri dhe nga ngjyra e errët duket se i kanë mbushur dy shekuj jetë. Pjesa tjetër (ajo që është mes dy dhomave) është realizuar me qelq me ngjyra, dhe pjesa qendrore e korridorit është realizuar me gips. E sikur të mos mjaftonte kjo, edhe ndriçimi është bërë më modern. Në të gjithë tavanin e realizuar me gips janë instaluar llambushka të vogla, të njëjta me ato që shihen rëndom në baret e Tiranës. Tavanet nuk janë te vetmet që e kanë pësuar nga ky restaurim që nuk mban firmën e Institutit të Monumenteve. Specialisti Samimi thotë se gjatë punimeve, në katin e dytë të banesës janë vendosur konstruksione metalike, krejt në kundërshtim me skeletin prej druri të origjinalit. Ndërsa muret prej qerpiçi, janë arnuar me kolona betoni, duke dëmtuar në këtë mënyrë pjesët origjinale të banesës. 
 

Rikonstruktimi ka nxjerrë jashtë përdorimit edhe dyert origjinale, të cilat janë zëvendësuar me të reja, që ende feksin nga llaku me të cilin janë lyer. 
E ndonëse është një monument kulture, rikonstruksioni i "Sarajeve" të Toptanëve" nuk është realizuar mbi bazën e ndonjë projekti të hartuar nga vetë instituti. Përkundrazi, 
drejtori i këtij monumenti, Valter Shtylla, ngre supet dhe thotë se restaurimin e kanë bërë vetë pronarët aktualë të banesës, në bazë të një projekti që e kanë hartuar ata vetë. 
 

"Këto restaurime nuk bëhen nga persona që janë kompetentë. Edhe ata që e kanë pasur më parë këtë banesë, dhe e përdornin për biznes, kishin ruajtur konceptin e mëparshëm, vetëm se kishin shtuar tavolina dhe karrige nëpër dhoma", - thotë Samimi. 
"Duheshin ruajtur të gjithë elementet që ishin të mirë dhe origjinalë. Atë njerëz që i kanë bërë këto rikonstruktime, i kanë bërë pa e ditur vlerën e tyre. Ajo ndërtesë ka marrë fund, dhe për mua nuk është më një monument i kategorisë së parë, por duhet të kthehet në monument të kategorisë së dytë", - përfundon ai. 


Një parashikim jo shumë i mirë për banesën shekullore, fati i së cilës duket se është përcaktuar qysh në fillim të shekullit të XX. Thuhet se Sarajet u lanë peng në një lojë pokeri, në fillim të viteve 1900, nga njëri prej pinjollëve të Toptanëve. Përfituesit në këtë rast ishin dy familje, Kazazi dhe Kosova. 

 

Por edhe këto familje nuk do ta gëzonin për shumë kohë, pasi Mbreti Ahmet Zogu vendosi që kjo banesë të kthehej në Bibliotekë Kombëtare. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, pronarëve nuk iu kthye më ndërtesa, e cila gjatë këtij regjimi u kthye në institutin e Monumenteve të Kulturës. Dhe së fundmi do t'u rikthehej familjeve Kazazi dhe Kosova, të cilat nuk është se kanë ndonjë lidhje të fortë me monumentin e kulturës, përderisa e kanë lënë me qira. Me sa duket, fati i kësaj banese është vulosur në atë lojë pokeri dhe humbësi i vetëm janë, Sarajet, të cilat, edhe këtë emër duket se do e mbajnë për pak kohë. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).