Peshëngritje, Shqipëria merr 2 medalje ari dhe 4 bronzi ne evropianin për të rinj

Shqipëria mbylli mbrëmë në Landskrona të Suedisë Kampionatin Evropian të të Rinjve për peshëngritje, në vendin e 7-të në klasifikimin sipas medaljeve dhe në vendin e 4-t në klasifikimin sipas pikëve nga 30 vende pjesmarrëse.

Bilanci i medaljeve për ekipin tonë kombëtar është 2 medalje ari dhe 4 bronzi. Dy të artat e vetme në këtë evropian u morën nga peshëngritësi Ervis Tabaku në peshën 94 kg në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh.

Ndërsa 4 medaljet e bronzit u morën përkatësisht nga Briken Calja në stilin e shkëputjes, Daniel Godelli në shtytje dhe në dygarësh dhe nga Ervis Tabaku në stilin e shtytjes.

Ndërkohë, në klasifikimin sipas pikëve Shqipëria ka një renditje më të mirë dhe për shkak se ajo hyn në listën e shteteve që kanë pasur pjesëmarrjen më të madhe për sa i përket numrit të sportistëve, ku e para dhe e dyta për nga pjesëmarrja renditen Rusia dhe Polonia me nga 8 sportistë, pasuar më pas nga Shqipëria e Bullgaria me 7 sportistë. Në klasifikimin sipas pikëve, Shqipëri arrti të grumbullojë 368 pikë.

Për sa i përket ekipit tonë, përveç 2 medaljeve të arta dhe 4 bronzi, u thyhen edhe 5 rekorde kombëtare për të rinj. Të pesta rekordet i përkasin sërish emrit të Ervis Tabakut, që është dhe sportisti më i mirë i ekipit tonë në këtë aktivitet ndërkombëtar.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).