Përplasen kompanitë elektrike në Maqedoni

Nga Goran Trajkov për Southeast European Times inë Shkup -- 10/08/09

Rreziqet janë të larta në një rast arbitrimi që mund të ketë pasoja serioze financiare për vendin ballkanik.

Marrëdhëniet janë prishur midis kompanisë austriake të shërbimeve energjitike EVN, pronare e rrjetit shpërndarës të Maqedonisë, dhe partnerit të saj kompanisë lokale të prodhimit të energjisë, Elektrostopanstvo na Makedonija, ELEM.

Prillin e shkuar, një gjykatë e Shkupit urdhëroi EVN t'i paguajë ELEM rreth 200 milion euro në borxhe të papaguara. Zyrtarët e EVN e quajtën vendimin "skandaloz" dhe apeluan muajin tjetër.

Firma gjithashtu nisi procedimet kundër Maqedonisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrimit në Uashington.

Zyrtarët e EVN arsyetojnë se marrëveshja dypalëshe midis Austrisë dhe Maqedonisë, nënshkruar për të mbrojtur dhe nxitur investimet në të dy vendet, ishte shkelur. "Ne morëm ftesën [e gjykatës] dhe jemi gati të përgjigjemi," konfirmoi kryeministri Nikola Gruevski.

EVN hyri në Maqedoni në 2006 dhe bleu kompaninë shpërndarëse të energjisë ESM, njohur tani si EVN Maqedonia. Blerja erdhi pasi monopoli energjitik shtetëror u nda në njësinë e prodhimit të energjisë të quajtur ELEM, njësinë e shpërndarjes ESM dhe një kompani transmetimi.

Shitja u bë gjatë qeverisë së mëparshme të Social Demokratëve kryesuar nga Vlado Buçkovski. Ai thotë se marrëdhëniet midis të dy palëve qenë të përcaktuara qartë.

Por sipas nënkryeministrit të tanishëm Zoran Stavrevski, EVN nuk përmbushi detyrimet e saj sipas marrëveshjes së blerjes, që parashikonte investimin e 96 milion eurove në infrastrukturën e rrjetit gjatë tre vjetëve për të parandaluar humbjet energjitike dhe për të përmirësuar shërbimet elektrike.

Maqedonia, tha ai, respektoi pjesën e vet të marrëveshjes duke i dhënë ESN EVN-së dhe duke paguar 22 milion euro kur më pas u përcaktua se bilanci i raportuar fillimisht ishte tepër i ulët.

Marrëveshja përcakton se në rast se paratë nuk qenë investuar, palët kanë të drejtë të një auditi të pavarur. Qeveria komisionoi Ernst & Young, e cila përcaktoi se EVN investoi 23 milion euro. Megjithatë, fondet erdhën nga faturat e paguara nga konsumatorët dhe jo si një investim më vete nga kompania, siç qe përcaktuar në një pikë të marrëveshjes së shitjes.

EVN thotë se veprimet qenë në përputhje me marrëveshjen e blerjes së aksioneve. Kompania këmbëngul se ka përmbushur plotësisht detyrimin e vet të investimit dhe thotë se është gati ta shpjerë çështjen për arbitrim përpara forumeve ndërkombëtare.

Ajo thotë se ka qenë objekt i "shumë veprimeve diskriminuese dhe presionit në rritje të vazhdueshme", veçanërisht që kur mori detyrën administrata e Gruevskit.

Zyrtarët austriakë, ndërkohë po fajësojnë gjyqësorin maqedonas. "Duke pasur parasysh rëndësinë dhe formatin e investimeve të EVN në Maqedoni, unë ju kërkoj me dashamirësi të konsideroni situatën shumë seriozisht," i dërgoi një letër Stavrevskit ministri i jashtëm Josef Proll . "Unë do të doja t'u siguroja ju se jam shumë i interesuar në parjen e përmirësimit të situatës menjëherë."

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com

2 Komente

Interesante kjo situate, aq me teper qe modeli i ndjekur per privatizimin e shperndarjes se energjise ne Shqiperi eshte i njejti (ndarja e shoqerise shteterore ne tre pjese dhe privatizimi i shperndarjes ne kembim te nje pagese fillestare plus premtimit per investime te metejshme). Besoj se do jete nje rast i mire prove.

Jo se ka ndonje rendesi te vecante, por Josef Pröll nuk eshte minister i jashtem austriak, por eshte minister i financave te Austrise. Ministri i jashtem eshte Michael Spindelegger.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).