Pajisja me pasaportat biometrike

Poni: Brenda 2010-ës, rreth 2.3 milion pasaportat aktuale duhet të zëvendësohen me pasaportat e reja

Mbi 400 mijë qytetarë duhet të pajisen me pasaportat biometrike brenda 2009

Të paktën 400 mijë shtetas shqiptarë duhet të pajisen me pasaportat biometrike deri në fund të vitit 2009, një shifër kjo që sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, është dhe një kusht i nevojshëm për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. Nga 25 marsi kur në Shqipëri nisi procesi i aplikimit për pasaportat biometrike, me këtë dokument janë pajisur 80 mijë shtetas. Shifrat e aplikimit për pasaportat biometrike, sipas numrit dy të Ministrisë së Brendshme janë të kënaqshme dhe numri i aplikimeve arrin në mbi 2 mijë në ditë. "Brenda vitit 2010, rreth 2.300 000 pasaportat aktuale për jashtë shtetit, duhet domosdoshmërisht të zëvendësohen me pasaportat e reja biometrike, për të cilën kompania SAGEM garanton të gjitha kapacitetet", u shpreh Poni, në një prononcim për ATSH-në. Ai sqaroi se, një qytetar shqiptar që të pajiset me pasaportë biometrike, duhet të ketë aplikuar më parë për letërnjoftimin elektronik. Duke e konsideruar një proces mjaft të rëndësishëm pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumentet e reja të identifikimit, Poni tha se, "asnjë qytetar nuk do të përfitojë shërbime publike, nëse nuk paraqitet me një nga këto dokumente në institucionet shtetërore". Ai nuk përjashtoi dhe mundësinë e marrjes së rrogës mujore nga punonjësit e administratës shtetërore, në rastin e mosmarrjes së një dokumenti elektronik. "Qoftë edhe një dëshmi penaliteti nuk do të mund të merret pa paraqitur më parë një fotokopje të pasaportës së re biometrike, apo letërnjoftimit elektronik", nënvizoi zëvendësministri. Pasaporta biometrike dhe kartat e identitetit janë mjete identifikimi tërësisht të kontrollueshme, me të gjitha parametrat dhe standardet dhe të një sigurie të lartë. Këto dokumenta, tha Poni përmbajnë në vetvete informacionin e nevojshëm të identifikimit edhe nga autoritetet e vendeve të huaja. Zëvendësimi i pasaportave të vjetra me ato të reja pritet të miratohet me një vendim qeverie. "Projektligji që pritet të miratohet së shpejti do të nxjerrë jashtë funksionit pasaportat e kuqe, ndërsa do të ketë penalizime për çdo shtetas që nuk është i pajisur me dokumentat e reja", tha Poni, duke nënvizuar se është në të mirën e çdo qytetari që të disponojnë një dokument të tillë. Aplikimi për pasaportat biometrike nisi në 25 mars të këtij viti, fillimisht me Tiranën, për t'u shtrirë shumë shpejt në të gjithë vendin, ndërkohë që shpërndarja e këtij dokumenti filloi në 1 maj 2009. Pasaporta biometrike me vlerë 6000 lekë, është e prodhuar në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, bazuar në Sistemin Automatik të Identifikimit të Shenjave të Gishtave (AFIS). Sipas Ponit, pasaporta biometrike, sikurse dhe kartat e identitetit, janë pothuajse të pamundura për t'u falsifikuar. Pasaporta biometrike, dokument i një sigurie tepër të lartë, ka një numër unik dhe përmban të dhëna demografike dhe biometrike, si portreti i plotë i aplikuesit, firma dixhitale si dhe shenjat e dhjetë gishtave të duarve. Në brendësi të saj, tha Poni, pasaporta biometrike ka një fotografi dixhitale, që është e gdhendur në laserin "in grey". Faqet e vizave kanë elementë të lartë sigurie dhe shënime që mund të lexohen nëpërmjet rrezeve ultravioletë, ndërkohë që në brendësi të shqiponjës, brenda pasaportës, është portreti i Skënderbeut. Në çdo fletë të pasaportës ka një shirit sigurie, të shënuar në një mikrotekst.

Pasaportat e vjetra mund të nxirren jashtë përdorimit

Pasaportat aktuale për jashtë shtetit mund të nxirren jashtë ligjit, me qëllim përshpejtimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike, si një parakusht kryesor për liberalizimin e vizave me BE-në. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni deklaroi se, ministria ka gati draftin, i cili parashikon nxjerrjen jashtë ligjit të pasaportave aktuale që përdoren për të udhëtuar jashtë vendit. Një masë e tillë pritet të ndërmerret, nëse shikohet se procesi i pajisjes së qytetarëve me pasaportat biometrike nuk do të ecë sipas ritmeve të parashikuara. Sipas numrit dy të Ministrisë së Brendshme, ritmet aktuale të aplikimit për pajisjen me këto dokumente janë të kënaqshme. Ligji në fjalë mund të miratohet vetëm në rast se, konstatohet se bie ritmi i aplikimeve. "I takon qeverisë shqiptare ta vlerësojë oportunitetin se kur duhet të dalë vendimi, por qytetarët duhet ta dinë që është më e mirë kjo pasaportë, dhe shumë mirë të kenë atë, dhe baza jonë e të dhënave ia ofron të gjitha mundësitë për të kontrolluar, përveçse pasaporta kontrollohet dhe vetë. Pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit janë dokumente, që verifikohen me vetveten, në kuptimin e disa parametrave të kontrollit, standarde të nivelit të parë, të nivelit të dytë e të tretë", u shpreh Poni. Aktualisht, ekziston një urdhër i Ministrisë së Brendshme, i cili përcakton përdorimin e pasaportave ekzistuese deri në vitin 2011, por nxjerrja e një ligji të veçantë, që mund të miratohet nga Kuvendi, apo si një akt i veçantë i qeverisë mund të jetë një nxitje që shtetasit të aplikojnë për dokumentet e reja sa më parë. "Nëse deri në fund të vitit të ardhshëm, mbi 1 milion shtetas shqiptarë nuk do të jenë të pajisur, atëherë do të jetë qeveria që do të marrë masa për përmbushjen e këtij detyrimi", shprehet numri dy i Ministrisë së Brendshme. Pajisja me dokumentet e reja të identitetit është një nga kushtet kryesore të vendosura nga Bashkimi Europian për procesin e liberalizimit të vizave. Mosdhënia e rezultatit nga ky proces, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, bëri që Komisioni Evropian të shtyjë për në janar të vitit të ardhshëm vlerësimin e tij për procesin e liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Maqedonia ka përfituar nga vendimi i KE-së për liberalizmin e vizave, kjo për faktin se, brenda një periudhe të shkurtër me këtë dokument u pajisën 200 mijë shtetas maqedonas. Deri tani kanë aplikuar për pasaportat biometrike mbi 80 mijë shtetas shqiptarë, ndërsa numri i personave që kanë blerë kuponin për pajisjen me letërnjoftimin elektronik, është mbi 1 milion e 300 mijë shtetas. Sipas Ponit, nëse deri në fund të vitit të ardhshëm mbi 1 milion shtetas shqiptarë nuk do të jenë të pajisur me pasaportën e re, atëherë qeveria do të marrë masa për përmbushjen e këtij detyrimi. Dokumentet biometrike të identifikimit të shtetasve shqiptarë kanë elementët më të lartë të sigurisë dhe përmbajnë informacionin e domosdoshëm për identifikim edhe nga autoritetet e vendeve të huaja. Ato janë të pajisura me një sistem të lartë sigurie dhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme pohojnë se ato janë pothuajse të pamundura për t'u falsifikuar.

Vizat afatgjata në pasaportat e vjetra do të njihen edhe në ato biometrike

Ministria e Brendshme dhe ajo e Jashtme kanë arritur në një marrëveshje me të gjithë trupin diplomatik për njohjen e vizave afatgjata që shtetasit shqiptarë i disponojnë në pasaportën aktuale. Kjo nënkupton transferimin e vizës nga pasaporta e vjetër në pasaportën biometrike. Kjo do të thotë që, nëse një qytetar ka një vizë me afat të gjatë në pasaportën aktuale, në momentin që ai pajiset me pasaportën biometrike, konsullata e ambasadës përkatëse që ka lëshuar vizën është e gatshme ta transferojë vizën nga pasaporta e vjetër në pasaportën biometrike. Kjo është një lehtësi e madhe, në mënyrë që çdo qytetar që ka një vizë valide, të vlefshme tek pasaporta aktuale të mos e humbë të drejtën e asaj vize. Pasaporta e re biometrike e prodhuar nga firma franceze "Sagem", është një dokument me të gjitha parametrat e lartë të sigurisë. Për t'u pajisur me një pasaportë të tillë, duhet ndjekur e njëjta procedurë si ajo e pajisjes me kartat e identitetit, ndërsa çmimi real i një pasaporte të re është 6 mijë lekë të reja.

Teliti: Aplikimi për pasaportat e reja, me ritme të kënaqshme

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, deklaroi dje se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti ishte i suksesshëm dhe ndikoi në realizimin e mirë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ai bëri me dije se, interesi për karta vazhdon të jetë në ritme të larta. Lidhur me pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike, Teliti tha se, aplikimi po ecën me ritme të kënaqshme. "Qytetarët shqiptarë po tregojnë interes, shifrat janë në rritje. Në fund të këtij viti do të kemi qindra mijëra pasaporta biometrike të dhëna qytetarëve", tha ai. Teliti u shpreh pozitivisht në përfundimin e këtij procesi si një rrugë drejt Bashkimit Europian. Ai u shpreh optimist, duke nënvizuar se deri në fund të këtij viti do të ketë një shifër bindëse të qytetarëve që do të pajisen me pasaporta biometrike për zyrtarët europianë që monitorojnë plotësimin e kushteve nga Shqipëria përsa i përket liberalizimit të vizave. Teliti ka nënvizuar se, numri i aplikantëve për pasaportat biometrike sa vjen dhe rritet. Sipas tij, aktualisht kanë aplikuar për pasaporta biometrike rreth 80 mijë shtetas dhe gjatë muajit korrik fluksi llogaritet në 2000-2200 aplikime në ditë. Duke iu referuar përvojës së vendeve të rajonit që kanë marrë vendimin e liberalizimit të vizave nga Brukseli, Teliti nxiti qytetarët të bëjnë aplikimin për të patur një përfitim konkret. "Me një vendim të pritshëm në 6-mujorin e parë të 2010, nëse BE liberalizon vizat, çdo qytetar me pasaportat biometrike lëviz i lirë në Evropë", u shpreh Teliti. Personat që kanë një vizë të vlefshme në pasaportë mund të aplikojnë dhe ta tërheqin pasaportën biometrike, atëherë kur viza skadon. "Karta është dokumenti i detyrueshëm për t'u pajisur, ndërsa pasaporta është në interesin e qytetarit që ta ketë", u shpreh Teliti. Pajisja me pasaportën biometrike bëhet në të njëjtën procedurë dhe në të njëjtën zyrë aplikimi me kartat e identitetit. Nga procesi i liberalizimit të vizave do të përfitojnë vetëm qytetarët që do të jenë të pajisur me pasaportën biometrike. Ministria e Brendshme garanton kapacitetet e plota për aplikim, duke u kërkuar të gjithë qytetarëve t'i drejtohen zyrave përkatëse për t'u pajisur me këto dokumenta të standardeve të larta. Nëse të gjithë shtetasit shqiptarë do të tregoheshin të vullnetshëm për ta përmbushur këtë standard, brenda një viti, shqiptarët do të kenë mundësinë të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Europian. Burime nga firma franceze, Sagem, deklarojnë se janë kapacitetet për të prodhuar 20 deri në 30 mijë pasaporta në ditë. Lidhur me projektet e Drejtorisë së Gjendjes Civile, Teliti tha se, shumë shpejt do të jetë gati regjistri i adresave, paralel me atë të çertifikatave.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).