"Një pyetje-përgjigje mbi paranë ... dhe pak Shekspir"

"...Ju lutem, përcillini si media Kryeministrit të vendit, rezervën e madhe timen si qytetar për demencën e tij, të paprecedentë në fushën gjuhësore. Në konferenca shtypi, duket sikur alfabeti shqip i ka ndonjë borxh, se ca shkronja i shton e ca s'i thotë fare. I përdor edhe germat e alfabetit sikur i ka pronë personale.
Edhe në konferencën e sotme për shtyp, për policët e ndjerë, fliste një shqipe përçart. Nuk besoj se ka Kryeministër të Europës që ka kaq shumë mangësi (ose kaq pak respekt!!) për gjuhën e vendit të vet.
Po të isha në këtë konferencë shtypi, do ngrihesha dhe do t'i thosha: Ore lum miku, mëso njëherë të flasësh e pastaj lufto krimin.
E nëse do isha familjar i atyre të ndjerëve policë, nuk do t'i pranoja as nderimet e as paratë e këtij shteti.
Sepse shteti këtu në Shqipëri është tutori kryesor i krimit. Nuk luftohet krimi kur kriminel je vetë. As nuk nderohen viktimat e krimit, kur nuk je vetë i ndershëm. Nëse do isha gërdecar, do t'i pështyja në sy dhe nuk do merrja kurrë asnjë qindarkë nga vrasësit e fëmijëve të mi.
Në një opinion tuajin, ju shkruanit se zotëria në fjalë Kryeministër ka nxënë në moshën 64-vjeçare një mësim të keq: "që të blejë me para atë që nuk mundet ndryshe ta ketë, përfshi pushtetin dhe dashurinë e popullit të vet". Deri kur kështu? A nuk është fyerje që injoranca të na kapë kështu për flokësh e të na fyejë të gjithëve me para?
Arsyeja pse po ua shkruaj këtë letër, i dashur z. Thano, nuk është të fyej ndokënd. Dua vetëm të bëj një apel, duke përfituar nga hapësira që na jep rubrika e gazetës suaj.
Po shit-blejmë gjithçka dhe ata që kanë para, nuk preken as nga drejtësia, as nga shoqëria. Apeli im është ky: Rezistojini parasë, bashkëqytetarë...!"

E nënshkruar, "tiranalb"
Marrë nga reagimet e lexuesve në (Shekulli On-line) për artikullin:
"Berisha: Lufta ndaj krimit ka një çmim. PS: Berisha liroi kriminelë për zgjedhje"

**********

I dashur lexues! Ka një shprehje në shënimin tuaj, që më pëlqen vërtet shumë: "deri kur injoranca do të na fyejë të gjithëve me para..".
Korrektori letrar këtu në redaksi, mendoi ta fshinte, pasi besoi se shkruanit "të na blejë të gjithëve me para". Por shprehja korrekte besoj është: "të na fyejë me para". Ndoshta për shumë njerëz janë fjalë pa kuptim, por në fakt arrijnë të thonë sa një libër i tërë.

Nuk do bëj përpjekje t'i shpjegoj ato, sepse nuk mundem të çoj askënd atje ku sikush duhet të arrijë vetë. Por kërkoj leje që nga reagimi juaj, të merrem më gjatë, jo me shqipen e Berishës, por me Paranë. (për demencën gjuhësore të Kryeministrit, kam shkruar dy ose tri herë. Ndoshta e ka një sens bajraktarizmi edhe mbi shqipen. Eshte ashtu si thoni ju: I përdor edhe germat e alfabetit shqip, siç përdor gjithçka "shqip" të këtij vendi: sikur i ka pronë personale. Po shqipja e tij e çartur ndoshta është e keqja më e vogël).

Ju më citoni një shënim ku kam shkruar se Kryeministri ka nxënë në moshën 64-vjeçare një mësim të keq: që të blejë me para atë që nuk mundet ndryshe ta ketë, përfshi pushtetin dhe votën e popullit të vet.

Në një mur të lagjes sime, shkruhet: "Kush e ka fajin që jemi vendi më i varfër në Europë"? Pyetje e bukur. Përgjigje e thjeshtë: Jemi kështu, sepse kemi patur qeveri të këqija. Kjo e 4 viteve që shkuan, nuk bën përjashtim. Por kjo do mbahet mend edhe për diçka tjetër: Është qeveria që boshatisi arkën e shtetit për Dukjen.
Shpenzon miliarda për t'u Dukur ashtu siç nuk Është. Është qeveria që bën sikur qeveris, njësoj si doktor Berisha bën sikur noton.

Për shkak të këtij shkëlqimi në fushën e gënjeshtrës, sot kemi një lloj rekordi kombëtar për falsitet dhe hipokrizi. Dëshmitë për këtë janë shumë. Aq shumë saqë i janë kthyer vetes kundër. Aq shumë saqë renditja do na kërkonte faqe të tëra gazete. Por ndoshta do ishte i mjaftueshëm edhe një krahasim i vetëm:

Krahasimi mes Shqipërisë (së bler&eumlsmileyDukjes - brenda saj kemi fjalime idiote për suksese pa fund dhe tele-reklamime të qeverisë të mbushura me përdredhje kurbash e tabela plot shifra - dhe Shqipërisë që Është - këtu kemi numrin e qytetarëve shqiptarë që humbin jetën përditë, numër që i ngjan një buletini lufte.
Vërtet shumë për një vend kaq të vogël. Dhe qindra prej tyre janë viktima (të drejtpërdrejta ose si pasoj&eumlsmiley e krimit dhe korrupsionit të shtetit.

"Deri kur?", - pyesni ju. Dhe jo vetëm ju.
Deri kur Perëndia jonë të jetë Paraja. Po sjell në përgjigje disa pjesë të Shekspirit. Nuk vlejnë vetëm për një individ, (do ishte e tepërt, ju e kuptoni) ashtu siç - me sa duket - nuk vlejtën vetëm për kohën e tij, por për të gjitha kohërat.

Shekspiri ka një tragjedi që quhet "Timoni nga Athina", me përkthim të shkëlqyer në shqip nga Vedat Kokona dhe me një parathënie të Myzafer Xhaxhiut.

Timoni ishte qytetar me influencë në Athinë. Duke kërkuar ushqim në një pyll, ai gjen rastësisht një thesar përrallor. Me paratë e florinjta ndër duar, i drejtohet qiellit me këto fjalë:

Këtu ka aq flori sa mund ta bësh
"Të bardh' të zezën...
Shëmtimin, të bukur...
Të shtrembrën, të drejtë...
Fisnik të poshtrin..."

Është një kryevepër mbi fuqinë e zymtë të parasë, apo jo? A nuk po na ndodh edhe ne sot në shoqërinë tonë, e njëjta gjë që thotë Timoni?
Kush ia dha këtë fuqi parasë? Sigurisht që vetë njerëzit. Marksi ka shkruar: "Ajo çka mund të blejë paraja, jam unë vetë, zotëruesi i parasë...".

Pushteti i parasë është një e keqe e madhe, - nëse ajo shndërrohet në qëllim në vetvete e nëse shoqëria nuk ka antikorpe të mbrohet prej mitizimit të saj.
Ne shqiptarët pamë në gjithë këta vjet se si u shndërruam të gjithë nga pak, prej kësaj fuqie të keqe; se si përbuzim atë që s'ka para (edhe pse mund të jetë njeri i mir&eumlsmiley dhe lartojmë atë që ka para, (edhe pse mund të jetë njeri i keq).
Mbreti Lir i Shekspirit, qante:

"Veç ndër arna duken veset e këqija...
Sepse kush ka qyrk mëndafshi i mbulon të gjitha..."

Sot, në Shqipëri shohim krerë horrash e horra krerë që besojnë se duke dhënë ca para mund të mbyllin çdo dramë që ata vetë i shkaktojnë gjithë shoqërisë.

Ju keni të drejtë. Bëhen gërdecë dhe jepen para për të mos ua bezdisur më veshët autorëve, vriten policë dhe jepen para që edhe kjo të kalojë e të mos ketë ndëshkime. Derisa të mbërrijë gjëma e radhës brenda së cilës mund të jetë secili prej nesh...

Gabimi ynë ndoshta është te mbajtja e parasë si "e mira më e madhe". Dhe nga kjo na rrjedh që "më i miri është ai që e zotëron paranë". Jo!
Paraja nuk është e mira më e madhe. Lum kush arrin ta kuptojë këtë.
Kur Romeo tek "Romeo e Zhuljeta" blen helmin dhe zgjat dorën për ta paguar, i thotë farmak-dhënësit:

"Urdhëro florinë... shafranin më të lig për shpirtin njerëzor
që vret në këtë botë ca më shumë se helmi që po më shet.
Pra, helm të shita unë dhe jo ti...

***********

Ju falenderoj që shkruani në Shekulli Online
Lexohemi
Adrian Thano
Drejtor i gazetës

 

3 Komente

Berisha & co. jane te zymtë si vete paraja.

Si dhe vete shumica e shqiptarëve...

nje pytje, po koco kokedhoma, pronari i ad thanos, pse nuk citohet ne shkrim? kjo koke e mendimit ka bere dhe vepren e famshme "si te behesh milioner?", qe ne te njejten kohe eshte dhe opera omnia...

A ka bere  Letersi ne shkollene Vucidolit ,Berisha ??? E cuditeshme do te ishte po te kishte lexuar keto vargje , te cilat ne kohen qe BERISHA mesonte shkrim e kendim ishin te detyruara ti mesoje :

Kadiut ti rrefesh parane / Ja di kimene parase /  per para ce shet te ane / ja di kimene parase ....

I nerum Sol ! Ne nje shtepi ku mbizoteron plehu dhe pislleku qe hidhet vazhdimisht nga te zotet e SHTEPISE nuk pyetet se cili nga  familjaret ka morra me shume . Ata duhen shtypur dhe shtepia e perbashket duhet pastruar .

Ose dhe e perngjashme nga SAADI

Mos i thuaj te varfrit prehrin mos bej PIS / Kur ka rene i teri ne Balte...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).