Nivica digjet, apatia fiton

“Kërkojmë ndihmë nga ministria, pasi zjarri është në zonë të banuar”, - deklaronte në një lidhje të drejtpërdrejtë për një nga televizionet qendrore, pas 8 orë përpjekjesh për shuarjen e zjarrit, kryetari i komunës së Kakomesë, Vladimir Kumi. Apeli i krye-komunarit, Vladimir Kumi, ishte për dërgimin e helikopterëve, ndërsa në gatishmëri ishin zjarrfikësit, të cilët e kishin të pamundur fikjen e tij, për shkak edhe të erës së fortë që e përhapte dhe terrenit malor. Lajmi se “Nivica digjej” u hap menjëherë. Nga Saranda, pasi kalon Qafën e Gjashtës, rruga ndahet në dy drejtime, ku ai djathtas të shpie në Delvinë e Gjirokastër dhe drejtimi majtas në Nivicë, në rrugën e Bregut.

Pasi dalim nga trafiku i ngarkuar i Sarandës, qetësia bie në rrugën e re e të pandriçuar të Bregut, ndërsa era fut brenda makinës tymin e plehrave që digjen dhe befas “mjegulla” bllokon rrugën. Është e pamundur të udhëtojmë, pasi as dritat e gjata mbi rrugën e re nuk e çajnë mjegullën e pluhurit mbi rrugë. Ndalemi aty, ndërsa tashmë jemi në Volloder. Jashtë makine pluhuri na mbulon dhe frymëmarrja na rëndohet, teksa zhurmë makinerish gërmojnë në të majtë mbi rrugë. Janë guroret e Volloderit, që të kujtojnë protestat e banorëve që flenë në të djathtë të rrugës në Shelegar. Arrijmë të nxjerrim makinën nga reja e pluhurit me “drita të forta” dhe ecim drejt dritave të Nivicës. Aty, nën rrapin shekullor në mes të fshatit, janë një pjesë e grupit që ka punuar për shumë orë në majën e fshatit, që zjarri të mos përfshinte shtëpitë.

“Lusim që era të mos fryjë, kështu zjarrit i shpëtojnë banesat”, - pohon kryeplaku i fshatit Nivicë, Klement Baxheri, nën rrapin e fshatit, në orët e vona të mesnatës, ndërsa flaka ndizte qiellin në majën e malit, aty ku dallohen edhe dritat e shtëpive më të fundit të Nivicës.

“Komunikova gjithandej, por nuk shoh reagim, qeveria është duke i bërë sehir së sotmes duke mos reaguar, po e nesërmja .. nëse pylli digjet, të gjithë duhet të ikin, është kjo kurorë që e mban fshatin”, - thotë Baxheri.

Në Nivicë janë 300 shtëpi me më tepër se 1 mijë banorë, ndërsa zjarri i rënë rreth orës 2 pasdite të së dielës, në një pyll prej 350 metrash mbi nivelin e detit, që ndodhet në shpatin juglindor të malit të Shëndëllisë, mbi gjirin e Kakomesë, përballë Korfuzit, shkaktoi dëme të mëdha.

Nga Korfuzi ishte telefonuar pasdite bashkiaku i Korfuzit, i cili priste faksin zyrtar të Tiranës për të ndërhyrë me helikopter nga ajri, ashtu si tri ditë më parë në Kodër të Livadhjasë, ku u ndërhy nga ajri për shuarjen e zjarrit. Por e diel dhe asnjë reagim nga emergjencat, përveç pranisë së dy zjarrfikësve të Sarandës.

Madje, në Nivicë kishte ardhur edhe kryetari i komunës Livadhja, Irodhi Dalani, për të ndihmuar në përkthimin e gjuhës greke, nëse do të nisej helikopteri nga Korfuzi drejt Nivicës.

Koli, një nga zjarrfikësit e turnit, tregoi se në flakë kishte edhe disa thasë me sherebelë, çka sipas tij ka stimuluar përhapjen e zjarrit. Zjarrfikësit ndërhynë, të ndihmuar edhe nga banorët, për hapjen e një brezi ndalues, po orë pas ore, pasditen e së dielës pylli i Nivicës digjej dhe nga e era e fortë zjarri përhapej shpejt. 30 hektarë të djegur rezultuan mesnatën e së dielës, ndërsa zjarrfikësit shënuan në librin e punës se “Zjarri vazhdon”.

Kurora e pyllit me drurët e rrallë gjetherënës e gjethegjelbër gjithë vitin e rrethuar nga flakët dhe lutja e njerëzve, mund të shpëtonte, vetëm nëse era të mos frynte dhe zjarri të mos përhapjes përtej brezit të hapur me krahë. Aty rreth rrapit madhështor, me moshë shumëshekullore, ata, niviciotët, flasin të lodhur nga heshtja zyrtare dhe kujtojnë se është e njëjta heshtje si për Kakomenë, dhe se ata po ndëshkohen për rezistencën e tyre ligjore në mbrojtje të pronës së shtetit dhe pronës së tyre të trashëguar. Historia e Kakomesë ngërthen ajrin, ndërsa ndihet lodhja e një dite përpjekjesh për të fikur zjarrin dhe për t’u zhytur në një lutje të heshtur, që erë të mos ketë e zjarri të mos përhapet.

3 Komente

nje nivice e djegur me e lehte per tu pushtuar. Qeveria ne rastin me te mire kolaboracioniste me pushtuesit.

dmth ksaj i bi pak a shum si ajo teoria e tokes se djegur?

Kesaj i thone te pushtosh vendin tend.....

Meqe nu ja dolen dot me force per tju marre tokat tani po ju vene zjarrin qe ti nxjerrin edhe nga shtepite.... Pse nuk shkon Sula te prese edhe aty shiritin e shkrumbosjes......

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).