Maqedonia dhunon shqiptarët, Tirana e Prishtina heshtin

Ka një të keqe që është më e madhe se gjitha të këqijat që mund të të ndodhin: e ajo është kur mësohesh të jetosh me të keqen pranë vetes, kur e ke fqinj atë që mezi pret të ta kallë shtëpinë dhe të ta shkatërrojë familjen, kur vetëm pse nuk mund të përballesh me shkaktarin e të keqes tënde, bën kinse sikur nuk e sheh. Dhe nga ky këndvështrim duhen vlerësuar ngjarjet e para disa ditëve, kur qindra huliganë maqedonas hynë nëpër oborret dhe shtëpitë e shqiptarëve të lagjes Nerez të Shkupit dhe rrahën fëmijë dhe gra të pambrojtura shqiptare. Edhe kjo para syve të policisë dhe duke i paralajmëruar maqedonasit e kësaj lagjeje t’i largonin veturat e tyre nga rrugët, duke u thënë se aty do ketë tollovi. Pra, duke mos e fshehur se ngjarja ka qenë mirë e organizuar dhe ka pas qëllim të caktuar. Qëllim që edhe nuk është gjithaq i vështirë të zbulohet: që banorët e kësaj lagjeje të vetme multietnike në komunën Karposh të Shkupit t’i braktisin vatrat e tyre. E që do të thotë se kjo ngjarje mbase është pjesë e një projekti më të madh: që “xhepat” shumetnikë të Shkupit të pastrohen nga shqiptarët. Gjë që mund të përfundojë shumë tragjikisht për tërë Maqedoninë dhe që dëshmon se ky shtet i ka xhepat e shkoqur për të ruajtur në to baraspeshën e përbërjes së saj shumetnike.

Dhe përderisa shqiptarët e Nerezit shëronin plagët e marra dhe pyesnin publikisht se pse policia nuk i mbrojti nga huliganët maqedonas, deputetët e kësaj zone - i zgjedhuri i PDSH e tani “aktivist” i Gruevskit, Imer Selmani dhe ai i BD - bënin çmos që ta qetësonin situatën dhe ajo të mos dilte nga kontrolli. Ndërkohë, atyre nuk u erdhi në ndihmë asnjë nga politikanët maqedonas. Me çka deputetët shqiptarë të krijonin përshtypjen se janë shumë naivë, se nuk e kishin kuptuar se situata është nën kontrollin e atyre që hartojnë koncepte si duhet pastruar “pjesa maqedonase” e Shkupit nga shqiptarët. Pra, ata të linin përshtypjen se nuk e kanë kuptuar se “Komitët” e përkëdhelur nga VMRO-DPMNE në pushtet, hyjnë lirshëm nëpër vendbanimet shqiptare, jo pse janë trima, por pse janë të mbrojtur nga disa struktura shtetërore të Maqedonisë.

Pra, politikanët shqiptarë i qetësonin bashkëkombësit e tyre nga Nerezi duke i bindur të ruanin gjakftohtësinë, edhe në çastet kur ata shihnin se si nënave të tyre u rridhte gjak nëpër trup. Por, ndërkohë, po ata politikanë nuk u treguan nerezalinjve pse nuk i mbrojti policia që është e paguar të mbrojë jetën dhe pasurinë e tyre. Nuk u shpjeguan si është e mundur të mbetesh gjakftohtë dhe i qetë, kur sheh qartë se dikush pandërprerë të provokon, kur e sheh ashiqare se dikush ndjehet i qetë, vetëm atëherë kur nuk ka fqinj shqiptarë. Andaj, jo vetëm për nerezalinjtë, por për gjithë shqiptarët e Maqedonisë, mbeti e paqartë pse politikanët e tyre kërkojnë përmbajtje nga populli i vet, e nuk i sigurojnë mbrojtje nga ata që, sa herë u kujtohet, të vijnë te pragu i shtëpisë e të tregojnë sa të urrejnë, sa i pengon prezenca jote fizike. Nga ata që edhe kur përcjellin ndeshje të futbollit, e ku nuk merr pjesë asnjë ekip shqiptar, brohorisin “Smërt na shiptarite!” (“Vdekje shqiptarëve!&rdquosmiley

Nuk ka dyshim se në këtë shtet dikush luan rolin e të verbrit, se dikush bën sikur nuk e sheh as atë që shihet po aq qartë sa edhe kryqi i madh mbi majën e malit Vodno, nga ana jugore e Shkupit. Njësoj siç nuk ka dyshim se shqiptarët e Maqedonisë paguajnë çmim edhe për shkak se partitë e tyre ndryshe e vlerësojnë situatën ndëretnike në Maqedoni. Kështu që, përderisa për PDSH pozita e shqiptarëve të këtushëm është tragjike, BDI atë e vlerëson si të mirë. Pra, përderisa kryesuesit e PDSH kërkojnë ndihmë nga Tirana e Prishtina, Ali Ahmeti thotë se çdo gjë është duke shkuar mirë dhe se Tirana zyrtare duhet të vazhdojë ta përkrahë Maqedoninë në ecjen e saj drejt NATO-s dhe Brukselit. E shqiptarëve u mbetet pritja, u mbetet të durojnë dajakun e “Komitëve” që të arrijë dita, kur do shohin se kush vuan nga verbëria: ata që thonë se është keq e më keq, apo ata që vlerësojnë se kësaj rruge arrihet deri tek e mira Ajo që është e qartë që tani, ka të bëjë me atë se shqiptarët e këtushëm nuk u besojnë kryesuesve të PDSH as atëherë kur ata thonë se namazi i xhumasë falet të premten. E lidhur me deklaratat e Ali Ahmetit se çdo gjë është në rregull, shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më shpesh e pyesin veten: Vallë ai sheh diçka që është e padukshme për ne apo di diçka që e fsheh nga ne?

Kur jemi te PDSH, deputetët e kësaj partie këto ditë e braktisën parlamentin republikan. Dhe kjo parti - si edhe gjithë të tjerat - këtë veprim demokratik e ka përdorur sa herë që ka qenë në opozitë. Mbase për shkak se ajo ka koncept veprimi vetëm për të qeverisur apo ngaqë larg grazhdit të pushtetit asaj i ringjallet nervi kombëtar. Sido që të jetë, mbetet e çuditshme pse kryesuesve të saj nuk u është kujtuar edhe veprimi i vetëm që u ka mbetur i paprovuar për të dëshmuar se janë partia më shqiptare në Maqedoni: në shenjë revolte për padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve të këtushëm, ta braktisin shtetin dhe të veprojnë ilegalisht nga Tirana e Prishtina. Me çka do e kishin më pranë kryetarin e tyre shpirtëror, e shqiptarët e këtushëm ndoshta do i merrte malli për këtë parti, e cila, si të gjitha partitë e tjera shqiptare, kur është në pushtet, Maqedoninë e sheh si parajsë për shqiptarët, e posa mbetet në opozitë, shtetin e përjeton si ferr e kryeministrin Gruevski - dikur të ngritur në qiell nga Arbër Xhaferi - e ndjen njësoj siç e ndjejnë çeçenët Putinin.

Sa u përket thirrjeve të shqiptarëve të këtushëm drejtuar Tiranës zyrtare, që ajo të bëjë të mundshmen që ta lehtësojë betejën e tyre me institucionet shtetërore, të cilat në pjesë të madhe janë edhe antishqiptare, kjo thirrje i ngjanë trokitjes në derën e të shurdhrit. Më në fund, krerët e Shqipërisë nuk janë si ata të Bullgarisë, të cilët për një shtetase të tyre të burgosur e çuan në këmbë tërë Maqedoninë. Mbase presidenti Topi me flokët e lyera me xhel, as që e di sa të burgosur politikë shqiptarë ka në Maqedoni e Serbi, e jo më të reagojë si kolegu i tij bullgar, i cili e detyroi presidentin e maqedonasve, Ivanov, që ngutshëm të mendojë për lirimin e bullgares së burgosur. Apo thënë ndryshe, politikanët e Tiranës janë aq “properëndimorë e aq paqedashës”, sa nuk duan që topi i tyre të njolloset nga lojërat politike ballkanase. Ata kanë drejtuar shikimin drejt së ardhmes së ndritshme, andaj ai u është mjegulluar nga shkëlqimi i saj dhe i pengon të shohin se çka është duke ndodhur sot me shqiptarët jashtë kufijve të Kosovës e Shqipërisë. Kështu që kot e ke të thërrasësh Tiranën zyrtare në ndihmë: ajo ende jeton shurdhërinë e shkaktuar nga inferioriteti politik përballë fqinjëve të vet. Kështu që nuk është e çuditshme pse huliganët maqedonas hyjnë aq lirshëm nëpër shtëpitë dhe oborret e shqiptarëve për t’i rrahur fëmijët e gratë e tyre. Ata mbase e kanë kuptuar se, sado që ata t’i rrahësh, do vijë ndonjëri që do i qetësojë e do i bindë se duhet ruajtur gjakftohtësia, të kërkojë nga ata të ofrojnë dëshmi se janë popull paqedashës, se deri në vdekje do kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë. T’i bindë se e ardhmja do jetë shumë më e mirë, duke mos u shpjeguar si ta mbijetojnë të sotmen, si t’ia dalin sot, kur përballen me ata që hapur të dëshmojnë se mezi presin çast të volitshëm të ta djegin shtëpinë dhe të ta shfarosin familjen.

* Titulli është redaksional

11 Komente

Me pelqen titulli qe tradheton artikullin vetem qe te jete ne harmoni me linjen redaksionale...

Pse, akoma presin nga Tirana ata?

Pse nuk mesojne te bashkohen e te mos kene 100 partira politike, e kur dalin ne zgjedhje, (shqiptaret) jane te vetmit qe njollosin procesin zgjedhor ne te gjithe Maqedonine, vetem nder shqiptare ka dhune, ka vjedhje dukshem...

Pse rrinin e shihnin nga Tirana gjate 2001? Cfare ndihme u dha Tirana atyre? Tirana po punon kunder Shqiperise, e jo me t'i rruhet per shqiptaret e Maqedonise. Tirana, te themi te drejten, mezi njohu Kosoven!!!

Per Tiranen, nese shqiptaret e Gaqe-donise jane ne gjendje te argasin me shuma te medha xhepat e Topit apo Berishes, atehere mund edhe te degjojne ndonje fjale ne krah te tyre, perndryshe, kembes t'ja japin!!!

E sigurisht qe kane ndjenje inferioriteti, madje me te theksuar se aq nuk do te mund ta kishin kurre; ndjenje iferioriteti ndaj Gaqe-donise... nuk bie dot me poshte se kaq; prandaj, me duket budallallek qe shqiptaret andej te presin gje nga Tirana. 

Nejse, si rregull, keshtu fillojne te gjitha kryengritjet e armatosura, mbushet kupa, nuk mban me dhe fillon e derdhet. Por medet, se perseri ka per t'u sajuar ndonje marreveshje tjeter si ajo e Ohrit, qe nuk ka per t'u zbatuar kurre, qe do legjitimoje dhunen dhe masakrat ndaj shqiptareve, dhe qe do zgjase edhe per te pakten 10 vite te tjera kalvarin e nje shtrese qe kerkon te drejta.

cikel mbas cikli, kete muhabet do bejme edhe pas 10 vjetesh.

PS: plehrat qe drejtojne partite politike shqiptare ne Gaqe-doni, i keni peshqesh nga Sllobodani. Votoni per ta, e veten ne qafe paci, o shiptari lludi.

Liri fitohet , nuk dhurohet.

Dhuna absurde etnike e detyroi NATO-n te nderhyje ushtarakisht ne Kosove. Ky ishte rast i vecante dhe unik.

Shqiptaret e ish Republikes Jugosllave te Maqedonise duhet te bashkohen, te luajne duart dhe mendjen dhe te gjejne zgjidhje. Faktoret e jashtem jane vetem ndihmes.

Mos pritni konjuktura politike, filloni sa nuk eshte vone...

Per sa kohe qe shqiptaret ne FYROM ndertojne xhami ne vend te shkollave keshtu do te vazhdojne te vuajne.

Ej shqiptare te FYROM-it

mos shikoni as xhamia e as Turqia

 se feja e shqiptarit asht shqiptaria

Peshkaqen, nuk diskutohet fakti qe shume Shqiptare ne FYROM jane praktikante te Islamit dhe qe ka prej tyre qe vene fene me siper se interesat kombetare. Kjo sigurisht qe nuk eshte pozitive, por me lejo te te siguroj se Islami atje eshte praktikuar gjithmone po nuk ka sjell ndonjehere ndarje midis Shqiptarve. Ndarjen e sjellin palaçot politike qe per nje kolltuk ne qeveri jane gati t'i bejne gjera turpe Gruevskit (po te marresh deklaratat e Ali Ahmetit sot jane fiks si ato te Menduh Thaçit kur ishte ne qeveri, dhe anasjelltas). Prandaj une mendoj se, Bubi Kaçurrel ka plotesisht te drejte dhe se Shqiptaret atje duhet te bashkohen. S'me duket pra me vend qe te fillojme ne e t'i perzgjedhim sipas paraqitjes, ti ben, kurse ti tjetri s'ben se ke mjeker.

Ndoshta kjo te ndihmon qe te mos vazhdosh te nxisesh vetem urrejtje ndaj Islamit, siç ke bere shpesh ketu.

 

Peshkaqeni megjithese permendi 'islamin' me duket se e ben si shpjegim te gjendjes shoqerore dhe jo fetare. Po nejse se me shkollimin nuk jan kerkun ato Shqiptaret e FYROMit, me perqindje popullsie kane shume pak njerez me shkollime te larta ose pertej te lartes qe te njerrin noj intelektual te mire.

Hahen e shahen perdite me njeri tjetrin per karrige. Nuk i bashkojne forcat per interesat e perbashketa te te gjithe Shqiptareve atje!

Tirana politike edhe mund te mos kete mundesi ti ndihmoje se eshte mbushe me Politikane Xhepista, por edhe mos te kete mundesis te beje haptazi se mund te duket si nxitese ne EU, dhe sahan-lepiresat e tiranes nuk kane kapacitet te argumentojne me fakte per mbrojtjen e shiptarve si te Shqiperise kur jane jashte (se u bejne zborr shqiptareve  ne Greqi dhe EU), si te trojeve te tjera jashte shqiperise

shih pak lajmin Kosovo Police: http://setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/en_GB/features/setimes/newsbriefs/2009/08/27/nb-01

Someone, mua thjesht me shqetesoi teoria se ndertimi i xhamiave pengon ndertimin e shkollave dhe eshte anti-kombetare. Ketyne teorive i kishte dale boja edhe ne monizem e jo me tani (per me teper qe ketu i has shpesh vetem ne nje "porte&quotsmiley

Po nejse se keto nuk kane lidhje me thelbin e muhabetit ketu. Dhelbi ketu duhet te jete se çfare do ndodhte nqs ajo qe ndodhi ne Shkup (apo ne Mitrovice) kunder Shqiptarve, do kishte ndodh diku ne Kosove ndaj serbve. Do ishte bere nami i zi, e do hidheshin qente te sulm duke pretendu se NE nuk bejme dot shtet qe te respektoje minoritetet (pavaresisht se NE jemi te vetmit ne Ballkan qe kemi arrit nje gje te tille).

Sigurisht qe ketu fajin kryesor e kane autoritetet, po edhe ne, poplli i thjesht, nuk jena pa gjo. Po si nuk ditem nje here te dalim e te protestojme para qofte edhe ambasades fyromse, ne raste te tilla? Biles akoma me keq, ene me dale me protestu e me thy nai xhom, shumica thone se je hooligan qe po na felliq!

Po ju pse kritikoni Shqiptaret? kur ketu ka faj qeveria Maqedonase??? C'lidhje ka ketu se si jetojne Shqiptaret ne Maqedoni? Ler te ndertojne c'te duan!!! C'kini ju???

Ku eshte Tirana, ku eshte Prishtina? Ketu behet fjale per shkeljet e te drejtave te njeriut!!! C'eshte kjo te goditen njeresit dhe qeveria te ktheje koken??? Une cuditem si heshtin keta njeres!! Duan te hyjne dhe ne BE i hengert mortja... jeni per BE juve!!

Gjithmone merreni me bishtin kur  peshku qelbet nga koka ... Per sa kohe qe shqiptaret , elitat intelektuale dhe politike te ndergjegjsohen per te ndertuar identitet te paster shqiptar kjo pune do vazhdoje pafundesisht ...

E si te nderhyjne politikanet tane?  "Diplomacia" shqiptare pa nje, pa dy i njohu emrin "Maqedonise", e shperblimi ishte tallja me vizat. 

Me Bullgarine s'ua mban se kane tjeter problem.  Ne baze te nje procedure te ngjashme me "homogjenine" me qindra mijera "maqe-bullg" kane marre pashaporta bullgare (duke pasur parasysh edhe perfitimin e nje pashaporte te BE-s.)  Keshtu qe Bullgaria i luan fort mire guret e vet.  Ndersa qeveria s'di as ku i ka.

Nga ana tjeter, domosdo qe i zoti e nxjerr gomarin nga sketerra e baltosur.  Po c'zoter?  Si ne zgjedhjet lokale ashtu dhe ne ato te pergjithshmet, shqiptaret duhet te ruajne votat nga sllavet ose nga njeri-tjetri.  Qe ne zonen e Struges, ku shumica jane shqiptare te fitoje nje "maqe" ne zgjedhje lokale, s'do shume koment. 

E hidhur ngjarja ne Shkup.  Por me e hidhur pas-ngjarja ...

 Gjykoj se para se gjithash duhet te analizohet ceshtja bukur e mire ne maqedoni e pastaj te japim vlersimet tona. Nuk shkojn analizat vetem nga informatat e mara nga mediumet. Ne maqedoni ka shume shqiptare intelektual dhe sa per informat shqiptaret e maqedonis ne shume rethana si ne luften e kosoves gjithmon kane qene ne krye te rezistences kombetare. Ketu ne maqedoni jane te perziera shume pune. Funskionin shume sherbime sekrete nga te gjitha shtete e ballkanit. Une gjykoj se per momentin shqiptaret e maqedonis jane anashkalu totalisht nga politika e shqiprise dhe nga shoqeria civile ne Shqiperi. Mos te behem edhe shume idilike, mire po me plot bindje e them se ketu shqiptaret gjithmon e kane mendjen ne bashkimin e shqiptareve, ne raste te vecanta ndofta jane edhe me "ektremistet" per ceshtjen shqitpare. 

Shqiperia po sillet shume inferiore ndaj maqedonise. Vetem ne nje rast kur Qeveria e Shqiperis ka dhene nje deklarat per nje parti politike shqiptare ne Maqedoni, me besoni se ajo parti eshte bojkotu shume nga shqiptaret ketu sa qe tani ajo parti me nuk ekziston. Dmth se ndikimi i Shqiperis mundet me qene jashtzakonisht i madhe ketu, por Shqiperia nuk ka deshire te perzihet ne maqedoni dhe bukfalisht i le shqiptaret ne maqedoni si jetim dhe te pa shprese. Momentalisht shqiptaret ketu jane pa rrugedalje. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).