Kujtesa si rezistencë

Kur dikush më pyet si ish i burgosur, “Çfarë është burgu për ty?”, sa më shumë kalon koha, aq më shumë e kam të vështirë të jap një përgjigje të shkurtër nga ato që mund ta përkufizonin me një fjali të vetme të tipit “Një ëndërr e keqe, e gjatë”. Dikur kam parafrazuar thënien e Shën Terezës në Spanjë për ferrin dhe e kam quajtur “një vend ku mungon dashuria”. Jo në mënyrë absolute si në ferr, por në thelb, burgu vërtet ishte një vend......ku kishte aq pak dashuri të njeriut për njeriun, jo vetëm pse atje njerëzit i kishte hedhur urrejtja (e pushtetit), por edhe pse në ato kushte ishte e vështirë të lulëzonte, edhe midis bashkëvuajtësve, fryma e dashurisë. Kjo shpjegon thënien e një ish të burgosuri të famshëm, Dostojevskit, se më e keqe se burgu vetë ishte bashkëjetesa e detyruar.

Megjithatë, ashtu siç e mendoj sot, duke kthyer kokën prapa, burgun nuk e shoh dot si një vend të vetëm, as si një gjendje të vetme, të përkufizueshme. E shoh si një jetë të gjatë të zhvilluar në një shumësi vendesh dhe gjendjesh. Ishte një jetë jo e zakontë nën trysninë e atij që burgun e ka përdorur si instrument për të ndëshkuar, shkatërruar, torturuar, poshtëruar, izoluar. Por ishte jetë edhe ajo, me një larmi situatash, marrëdhëniesh, miqësish, armiqësish e fatesh njerëzore. Një jetë ku kishte dhe një etje të madhe për dashuri madje. Një jetë ku kam parë kulme të degradimit njerëzor, por edhe kulme të lartësisë humane. Kush do të lexojë librin “O njeri” të Gëzim Peshkëpisë, me të cilin kam kaluar disa vjet të jetës sime të burgut në kampin e Ballshit, shpresoj se do ta kuptojë se ç’dua të them, ndonëse jam i bindur se, tamam-tamam, këtë mund ta kuptojnë vetëm ata që e kanë ngjëruar burgun. Kam dëgjuar shumë njerëz, që ndoshta, nga mungesa e kësaj përvoje apo nga një ndjenjë fajësie, me dashje apo pa dashje, e minimizojnë dramën e atyre që u tretën nëpër burgje, duke përdorur rëndom shprehjen “të gjithë kemi qenë në burg, disa në të voglin, disa në të madhin”. Diferenca mes jetës së burgut dhe jetës jashtë tij, edhe në diktaturë janë të mëdha. Për ndryshimin dhe ngjashmëritë midis tyre mund të flasin vetëm ata që i kanë provuar të dyja. “Gjëja më e thellë që ka njeriu ëhstë lëkura”, thotë Paul Valery dhe burgu është një vend ku ishte në lojë vetë lëkura. Megjithatë, sa më shumë kalon koha, aq më pak e mendoj dot burgun të shkëputur nga e tërë jeta nën diktaturë. Nga distanca e sotme kohore dhe fizike, burgun e shoh si një nga gjymtyrët kryesore, më e shëmtuara dhe më e frikshmja atij përbindëshi që sot e quajmë “diktatura e Enver Hoxhës” apo edhe “krimet e komunizmit”.

Në një farë mënyre jetën e burgut, si pjesë e jetës nën thundrat e këtij përbindëshi, fare mirë mund ta quaj një koncentrat të jetës nën diktaturë në kuptimin e një koncentrati të së keqes. Në këtë kontekst, edhe kategorizimin “letërsi burgjesh” të përdorur aq shpesh në gazetarinë tonë tejet sipërfaqësore, e shoh të gabuar. Jeta e njerëzve nëpër burgje është zgjatimi i jetës së tyre jashtë dhe përshkrimi i saj është thjesht përshkrimi i vetëm njërit prej akteve, shpesh ai më kulminanti i një drame jete të mbresuar fund e krye nga diktatura. Prandaj mendoj se është e gabuar të flasësh për letërsi burgu dhe letërsi jete të lirë, ashtu sikurse për letërsi të madhe dhe letërsi të vogël. Ka letërsi të vërtetë dhe letërsi të pavërtetë. I shkruaj këto radhë, duke e quajtur madje “jetë” atë të burgut, edhe për një arsye tjetër, që më duket se nuk vihet sa duhet në dukje kur flitet për krimet e komunizmit. Në librin “O njeri”, të Gëzim Peshkëpisë ka një moment ku përshkruhet ndarja e tij me të atin, shkrimtarin Manush Peshkëpia, që e morën një mëngjes shkurti, ndërsa gëzimi ende flinte, për ta bashkuar me 21 të pushkatuarit pa gjyq lidhur me ngjarjen e njohur si ajo e bombës në Ambasadën sovjetike. Ishte viti 1951. Gëzimi aso kohe ishte fëmijë. Njëzet e pesë vjet pasi i kishin marrë të atin, për të mos e parë më kurrë, në vitin 1976 pra, autori i librit “O njeri” e sheh veten të arrestuar. Nënës së tij, e mbetur e ve në moshë të re, me dy fëmijë e që kish përjetuar internimet, i duhet tani, në pleqëri, të përjetojë dhe arrestimin e të birit. Dhe sikurse rrëfehet në libër, ajo vdes pa e arritur ditën e rënies së këtij regjimi, ndërkohë që i biri është ende në burg. Është gati e pamundur të hysh në kohëzgjatjen shpirtërore të tragjedisë së këtyre grave dhe nënave. “U lodha bir, po shkoj të fle, i duket sikur i thotë e ëma e vdekur Gëzimit, për të cilin, siç shkruan ai në një poezi të krijuar me këtë rast, loti ka trajtën e nënës së tij.

E kam fjalën për një nga gjërat më të tmerrshme që shoh sot në krimet e komunizmit, kohëzgjatjen e tyre. Papa Vojtila duke krahasuar dy diktaturat më të egra të shek. XX, nazizmin dhe komunizmin, ka thënë midis të tjerave se Zoti ka pasur arsyet e veta që e la komunizmin të jetojë më gjatë sesa nazizmin, duke nënkuptuar se ky i fundit ishte më çnjerëzor. Duke menduar krimet e Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustin me një anë dhe komunizmin polak, që njohu destalinizmin e vendit që nga vitet 50, me anën tjetër, mund t’i japim të drejtë. Por krahasimi na fton të reflektojmë megjithatë. Dhe një nga reflektimet nuk mund të mos sillet mbi efektet e kohëzgjatjes të së keqes. Sipas meje nuk gabojmë aspak nëse diktaturën e Enver Hoxhës, do ta quanim një Holokaust që zgjati 45 vjet. Dhe efektet e një Holokausti që zgjat 45 vjet, janë të paimagjinueshme. Jam kundër idesë romantike se vuajtja të fisnikëron, të lartëson, të bën më të mirë. Burgu dhe në përgjithësi, jeta nën dhunë, frikë dhe terror, janë degradues për njeriun. Vuajtja e deformon, e shkatërron atë, i merr tërë energjitë për të mbijetuar. Merret me mend se çfarë efektesh shkatërrimtare provon një shoqëri kur kjo gjendje njerëzore vazhdon me dekada, duke goditur 2-3 breza. Nobelisti Emre Kertesz, i pyetur se pse ka zgjedhur për protagonist të librit të tij të famshëm “Qenie pa fat”, ku përshkruan Holokaustin një fëmijë, përgjigjet sepse, sipas tij, diktatura e shndërron njeriun në një fëmijë që kërkon të mbijetojë. Kjo ka bërë që disidentë të njohur të regjimeve komuniste ndaj pyetjes “Si kemi mbijetuar?”, të përgjigjen edhe me pyetje “A kemi mbijetuar vallë?”. Nga përvoja personale, gjithë duke shtuar pyetjen: a kemi mbijetuar, mund të them se burgu është një vend/gjendje ndaj të cilit qasja për të mbijetuar kërkon dy qëndrime: përshtatjen dhe refuzimin e përshtatjes, veshjen e rrobës së burgut dhe refuzimin për ta konsideruar atë si rrobën tënde të përhershme.

Vetëm përshtatja është nënshtrim, mbarim; vetëm refuzimi është dalje mendsh. Që t’i arrish të dyja së bashku dhe një ekuilibër të mundshëm midis të dyjave, duhet një orientim apo quaje, po deshe, qëllim jete. Ata që në jetën e lirë sot shkruajnë për jetën e burgut, janë dëshmi e kësaj rezistence, e këtij mospranimi, e këtij qëllimi jete. Për një pjesë jo të vogël, ky qëllim jete ka qenë të jetuarit për të rrëfyer një ditë tragjedinë tonë njerëzore. Libri “O njeri” i Gëzim Peshkëpisë është provë e kësaj mbijetese. “të ekzistosh do të thotë të mbërrish në një libër”, thotë Stephane Mallarme. Nëse di t’i vija një nëntitull këtij libri, ai do të ishte “Episode burgu”. Kjo sepse karakteret e shumtë dhe ngjarjet që tregohen në të, nuk përshkruhen duke u shtjelluar gjerë e gjatë, por në formë episodesh. Episodi është si një pikë kulminante i një ngjarjeje apo i një karakteri që ka mbetur i mbresuar në kujtesë. Është e vështirë të shpjegosh deri në fund mjetet e kujtesës që na bëjnë që ngjarje dhe njerëz t’i harrojmë dhe të tjera t’i mbajmë mend. E sigurt është se ky proces kujtese flet për ndjeshmërinë e secilit. Epidosi është kështu si perla e krijuar me guackën e kujtesës, pikërisht aty ku mbresa/plaga ka qenë më e fortë. Dhe secili ka pikat e veta të ngjizjes së kësaj perle. Nëse do të zgjidhja një prej atyre episodeve të këtij libri që më flasin për ndjeshmërinë e autorit në burg, ky do të ishte tregimi “Lupi”.

Fetah Lupi, një bashkëvuajtës rom që Peshkëpia e ka njohur që në jetën e lirë pasi kanë qenë mëhalleli, vdes befas nga një infarkt teksa ka një tas alumini në dorë që i shpëton nga dora “sikur e hedh tej me përçmim”. Kur autorit, rastësisht, i jepet mundësia ta shohë në morgun e infermierisë, vë re se fytyra e këtij njeriu të pashkolluar, që s’kuptohej se pse e kishin futur në burg, kishte marrë një shprehje sikur donte të thoshte “Hë more, se shtiresha sikur nuk merrja vesh ç’bëhej...”. Humor i zi si një vështrim ironik mbi tragjiken plekset në episodet e Peshkëpisë me nostalgjinë për të shkuarën dhe dashurinë për jetën, duke na treguar rrugët e mbijetesës ndaj së keqes. Kampi burg i Ballshit, ku kanë ndodhur shumica e episodeve që tregohen në këtë libër, sot nuk ekziston. Nëse dikush, pasi ka lexuar librin “O njeri”, do të kërkojë të shkojë të gjejë barakat e tij të gjata prej pupuriti, ku ishin vendosur dy radhë dykatëshe shtretërish prej dërrase me një korridor në mes, do të shohë se ato janë fshirë nga faqja e dheut , së bashku me kuzhinën private, mensën, birucat, rrethimin me tela me gjemba, karakollin ku qëndronte ushtari dhe shumëçka përshkruhet në këtë libër. Duket, sikur, paradoksalisht, kohëzgjatja e madhe e diktaturës, në vend që të ndikojë që të ruhet më fort kujtimi i saj, ndikon që bëmat e saj të harrohen. Ndoshta sepse e keqja e saj vazhdon në një formë tjetër, prandaj ka nevojë të kamuflohet. Ish të burgosurit dhe ish të internuarit që vazhdojnë të shkruajnë për vuajtjet e tyre në kampe, burgje e vende internimi, në këtë kuptim, i shoh ende në procesin e rezistencës ndaj së keqes. Kësaj rezistence të kujtesës i shtohet edhe libri i jetës dhe mbijetesës së Gëzim Peshkëpisë, “O njeri”.

2 Komente

Eshte bere Fatosi i teri Europian.

Une se kuptoj se si Europa kerkon te hyje ne Bashkimin Shqiptar, kur edhe pasi kane kaluar 65 vjet nga lufta e dyte boterore vazhdojne e denojne kriminelat e luftes.

Shembulli i fundit, nje nazist 91 vjeçar denohet me burgim te perjetshem.

Me kete medesi Europa mos te mendoje se futet ne BSH, ne kriminelet i falim, i intervistojme, i pyesim se ç'fare mendojne per demokracin.

Fatos, iku diktatura, nuk eshte me, pse si Europa do besh ti,?

Ne kemi 20 vjet qe dolem nga diktatura, po kriminelet nuk i kemi e nuk do i denojme, pike!

Jo vetem qe nuk do i denojme, por as qe te kerkojne falje per krimet e bera !

Jemi Shqiptar, popull trim, e sypatrembur ne brigjet e Adriatikut.

Rrofte Ramiz Alia me shoke e shoqe.

  • Reklame
  • citime
  • kujtime
  • reklame
  • citime
  • kujtime
  • NOSTALGJIK?!
     

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).