Krushqit me nga dy flamuj nëpër dasmat tona

Ka shume vite që dasmat në Kosovë zakonisht bëhen në muajin gusht. Në të kaluarën dasmat zakonisht bëheshin në vjeshtë, për arsye se njerëzit tanë kryesisht merreshin me bujqësi dhe në vjeshtë, atëherë kur ata mblidhnin të lashtat e tyre, pemët, perimet e të tjera, me mundin e djersën e tyre fitonin sa për të mbijetuar dhe eventualisht të bënin ndonjë dasmë, sepse zakonisht dasmat kanë shpenzime.

Pasi me kalimin e kohëve sigurimi i mbijetesës u vështirësua aq shumë, kjo si pasojë edhe e shtypjes ndër vite që i bëhej popullit tonë, shumë nga njerëzit tanë u detyruan që të marrin rrugën e kurbetit, në mënyrë që familjeve të tyre t’u sigurojnë të paktën mirëqenie ekonomike. Migrimi në shtete të ndryshme të Perëndimit i njerëzve tanë, qoftë për arsye ekonomike, qoftë për arsye të përndjekjeve, që u bëhej atyre nga pushtuesit serbosllavë, ishte më intensiv sidomos në vitet ‘80, vazhdoi në vitet ‘90 të fundshekullit që e lamë pas, e fatkeqësisht ky migrim po vazhdon edhe sot.

Sot kemi një numër shumë të madh të bashkatdhetarëve tanë që punojnë përkohësisht në shtetet e perëndimit dhe pushimet vjetore të tyre zakonisht realizohen në verë, në muajt korrik e gusht. Për këtë arsye, shumica e dasmave që bëhen në Kosovë vitet e fundit bëhen në këta muajt e verës. Kjo për faktin që jo vetëm se ata sigurojnë të ardhura për të bërë e organizuar dasma, por me shumë edhe për faktin se familjet tona e kanë për traditë të bëhen bashkë qoftë nëpër dasma e gazmende familjare, qoftë nëpër momente të dhimbshme.

Në disa nga dasmat që organizohen këtyre dy viteve të fundit, fatkeqësisht është vënë re një dukuri jo e hijshme në organizimin e dasmave, dukuri e cila nuk ka qenë e pranishme në dasmat e mëparshme dhe nuk ka të bëjë me traditat tona kombëtare. Kjo dukuri është përdorimi i dy flamujve, flamurit kombëtar dhe flamurit tjetër të imponuar nga jashtë dhe të përkrahur nga qeveritarët e tanishëm të Kosovës.

Ç`është më e keqja, dasmorët tanë po e ngjitin flamurin kombëtar me këtë flamur dhe kur po u prin krushqve po duket si një flamur, i cili nuk përngjan as në flamurin kombëtar, e as në flamurin tjetër, po shihet si një flamur pa kurrfarë nuance të dallueshme as të ngjyrës, as të simbolit që përmban ai flamur, me një fjalë, po bëhet një flamur laraman.

Po t`i pyesësh të zotët e dasmës, të cilët përdorin të dy flamujt, ata do të përgjigjen me fjalët: “Pse ore, çfarë të keqe ka, Shqipëria e Kosova bashkë”, - dhe menjëherë të vërsulen me pyetjen: “A je ti kundër që të bëhet bashkë Shqipëria e Kosova?” Në këtë aspekt, mund të themi se nuk kanë faj dasmorët, por kur ka raste që nëpër këto dasma ka të tillë që e mbrojnë me fanatizëm faktin që duhet patjetër të barten të dy flamujt, me arsyetime nga më të ndryshmet, atëherë çfarë t`u themi atyre?

Njëri prej arsyetimeve të cilin e përdorin shumica e atyre që përdorin të dy flamujt është edhe ky: Flamurin kombëtar nuk e hedhim poshtë, por ”flamurin e shtetit të Kosovës” duhet ta mbajmë, se për këtë flamur kanë dhënë jetën dëshmorët!

Me këtë rast, me keqardhje duhet të themi që është krijuar kjo bindje te një masë e popullit tonë, sidomos të atyre që bartin të dy flamujt, se dëshmorët kanë luftuar për këtë flamur! Kjo bindje te këta njerëz është krijuar nga politika aktuale që po udhëhiqet në Kosovë, dhe ne duhet të luftojmë secili që këtë bindje të keqe të kësaj pjese të popullatës sonë, ta çrrënjosim sa më parë. Politika aktuale e qeveritarëve tanë ka luajtur dhe po luan me simbolet tona kombëtare, me doket, zakonet dhe traditat tona kombëtare, ndryshe nuk ka si shpjegohet kjo.

Ata njerëz që pranuan ndërrimin e flamurit kombëtar me një flamur tjetër, ata njerëz janë prijësit kryesorë që tani të ndërrohet edhe karakteri i luftës sonë për çlirim dhe bashkim kombëtar. Janë pikërisht ata njerëz të cilët tani marrin guximin të thonë se dëshmorët kanë luftuar për flamurin me gjashtë yje, se ky flamur po përfaqësuaka Kosovën etj., etj. Janë këta njerëz që tani shkojnë edhe më larg, tek varrezat e dëshmorëve po vendosin flamurin e imponuar nga të huajt.

Ç`është kjo që po ndodh para syve tanë? Pse u duhen krushqve të dasmave tona dy flamuj? Mos ndoshta dikush po ua imponon dasmorëve bartjen e dy flamujve?! Apo, meqë qQeveria e Kosovës dhe përfaqësitë e saj me zor apo me hatër, nuk paskan çare pa e mbajt flamurin me gjashtë yje, atëherë duhet që edhe dasmorët nëpër dasma të mbajnë këtë flamur! Jo, askush nuk ua imponon sot krushqve simbolin që ata mbajnë me vete dhe asnjeri nuk ka të drejtë t`ua heqë nga përdorimi flamurin kombëtar, sepse siç thoshte edhe këngëtari ynë i njohur, Ilir Shaqiri, në këngën e tij të para shumë viteve: “Pa flamur jo s’bëhet dasmë!” Dhe se dasma jonë, si traditë e jona që është, nuk bën të njolloset me gjithfarë leckash. T`u prish krushqve me dy flamuj të ngjitur, është sikur t`u prish pa flamur!

Po ashtu, edhe varret e dëshmorëve tanë nuk duhet lejuar që të njollosen me këto lecka të përkohshme. T`u varësh pranë varreve të dëshmorëve flamurin me gjashtë yje, është në kundërshtim të plotë me përkushtimin, aspiratat, betimin dhe qëllimin e dëshmorëve të kombit. Na mbetet detyrë të gjithëve të jemi dinjitozë, të përgjegjshëm dhe në nivelin e duhur për të mbajtur qëndrim të qartë dhe të drejtë ndaj vlerave kombëtare dhe simboleve tona të patjetërsueshme. Pra, ta respektojmë të gjithë shqiptarët pa dallim flamurin tonë kombëtar, ta mbajmë lart e më lart flamurin e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sepse shekuj me radhë e ruajtën, mbrojtën, valëvitën dhe duke u prirë ky flamur, u flijuan breza të tërë shqiptarësh deri në ditët e sotme.
 

13 Komente

S'e marr vesh fare se përse qënka i shqetsuar gazetari... bile përgjigjet ja ka dhënë vetë hamëndjeve të tija.

Me dy flamuj edhe qënka shqetsuar ky... imagjinoni sikur të jetonte në Shqipëri: -Flamurin e Nato-s,
-të Pd,
-të Bashkimit Europian...
-anglezin (italianin, grekun apo gjermanin, sipas rastit se nga është dhëndrri që martohet) dhe ndoshta, diku andej nga fundi edhe
-flamurin kombëtar

E ke gabim ed.  Ne Shqiperi s'mban njeri flamur ne dasem, se s'eshte e nevojshme, per arsyet nje, dy, tre etj.  Ashtu si shqiptaret e Shqiperise ne emigracion (ketu kam parasysh US) nuk bejne tatuazhe shqiponjash, apo nuk mbajne varse floriri te shqiponjes.  Nuk kane nevoje te provojne apo te vene ne pah faktin qe jane shqiptare sepse per shume dekada nuk ua ka mohuar njeri.  Ndersa ne rastin e Kosoves apo trevave te tjera shqiptare nje gjest i tille ka qene i nevojshem.

Problemi qe ve ne pah ne autori, dhe qe ne nje fare menyre eshte i drejte eshte identifikimi deri ne kete pike (qe ne fund te fundit nuk eshte i detyruar) me flamurin e ri, ndryshe nga ai, qe le ta quajme "flamur kombetar."  Ne rangun zyrtar, duam apo s'duam ne apo dhe shume shqiptare te Kosoves, shteti i ri ka ate flamur.  Por ne festa dhe ahengje, nuk ka pse te vihet ky flamur.  Sepse si rrjedhoje dhe ndoshta me nje efekt jo te menjehershem por te ngadalshem krijohet identifikimi dhe identiteti "Ndryshe", sidomos kur kihet parasysh dhe mshimi nga qarqe te tjera i nje gjuhe "ndryshe". 

Tashme qe jemi te lire, mbase edhe pas disa vitesh, flamuri ne dasma edhe "nuk do gjendet" qe te vendoset.

Nuk di si eshte ne vendet tjera, perendimore ta zeme meqe ato i kemi si shembull.

Ilir Shaqiri e ka thene ne kenget  e tija, ne kohen kur flamuri na ndalohej nga ish okupatori.

Me rendesi eshte qe tani dasmat behen me sevda, z. gazetar.

hahhahaha me keni bere te qesh me kete shkrim. smiley

Shkrimtari mund te kete edhe nje fare te drejte ne kete shkrim dhe pranohet mbase me pak habitje kendveshtrimi i tij.  Por dasmoret me 2 flamure jane "problemi" i fundit i patriotizmit. Te fillojme me parlamentin Shqiptare qe vendosin flamujsh NATO (aleance ushtarake), Amerikane dhe BE me nje zell te tepruar entuziazmi te pa-kuptimte. Me rruget e Tiranes qe mbushen me parrulla gjigande NATO dhe BE me arsyhe te pastra politike dhe aspak kombetare.

 

 Pse u duhen krushqve të dasmave tona dy flamuj?

Une ne fakt i kam bo vedit nje pyetje tjeter: C'i duhet dasmave tuaja nje flamur?

I kam pyet edhe ca shoke kosovare, me kane thene s'di gje! Tradite ne Jugosllavi! E bejne shqiptare, serbe, boshnjake!

P.S

Ktu afer kam nje vend ku behen dasma! Shqiptaret i kam pa tu i bo dasmat me flamur edhe shqiptar edhe amerikan!! smiley

Mrroklla,

mbajtja e Flamurit per kto raste nuk osht kon tipike veq per Jugosllavi, mbasi jeton ne Amerike, pyeti amerikanet se pse cdo e dyta shtepi ka nga nje flamur amerikan ne gardh!?

Kam marre pjese ne nje dasem kosovare, nje shoqja ime martohej me kosovare. Vec ti shifje nja 15 makina me flamuj shqiptare qe valviteshin. Dukej sikur po shkonin ne festen e flamurit jo sikur po vinin te merrnin nusen. Per mua personalisht Kosovaret me duken shume ndryshe nga ne Shqiptaret. Megjithese jemi nje komb, flasim nje gjuhe, kur me pyesin je Shqiptare prej Kosove apo Shqiptare prej Shqiperie, menjehere them prej Shqiperie, se sdua asnjehere te me marrin si Shqiptare prej Kosove. 

Ketline, po ti e paske dite qe do hapet kjo tema edhe i paske numeruar sa makina ishin me flamuj shqiptare. 13, 14, hiqe mer tocin se s'shof, 15, 16 apo jo se e numerova dy here 15 qenkan, prit ta mbaj shenim.

Pastaj si ishte kjo: "shoqja martohej me kosovare", me shume se nji, apo me femer?

Millosh 15 dhe pike. Se ja kujtonte vjerra gjithmone  te kam marre me 15 makina moj nuse.

U martua me nje djale nga Kosova njeri imoral qe bridhte me te tjerat. Njeri qe i shkatarroi jeten nje vajze etj etj se sdua te zgjatem shume me keto gjera. Prandaj kam edhe nje antipati per keta njerez. Hiqen si njerez me zakone e tradita, te ndershem e te beses. Nuk dua ti pergjithesoj. Une flas per ata qe njof. Sigurisht ka edhe njerez shume te mire.

Po pse e ka kaq problem me te marre si shqiptare prej Kosove? 

Me duket se ka haruar gazetari se jo shume por 10 vjet me pare ne dasma nuk kishte flamuj fare pasi te ikte koka po te kishe flamur shqiptar.Dhe fatin te perdorim flamurin shqiptar bashme me ate te "imponuar nga jashte" e kemi dhurate nga keta imponues. Keshtu or mik, gazetar patriot pe lecke, para se te flasesh meso pak historine se per ate flamurin shqiptar ne dasma njerezit kane hyre ne burg e jane pushkatuar, ndersa sot ti ankohesh se kemi dy flamuj. Do te pelqeje me shume asnje flamur sesa flamurin shqiptar bashke me ate te perkohshmin, flamuirn e dyte, pa te cilin nuk do e ishte as flamuri shqiptar?

kur me pyesin je Shqiptare prej Kosove apo Shqiptare prej Shqiperie, menjehere them prej Shqiperie, se sdua asnjehere te me marrin si Shqiptare prej Kosove. 

 

Kurse une nuk i them as prej Shqiperie e as prej Kosove .

I them jam shqiptar Kalabrie dhe pastaj me buzeqeshin te gjithe...

Shqiptar Kalabrie? I've been to Colombia too. Goverment is dangerous there but the the girls are damn hot.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).