Kroi i fesateve

Shtatë persona janë lënduar nga protestuesit serbë te Kroi i Vitakut në Mitrovicë. Serbët kundërshtuan rifillimin e punimeve të shtëpive të shqiptarëve. Përpos gurëve që gjuajtën në drejtim të punëtorëve shqiptarë, ata përdorën edhe armë zjarri dhe mjete shpërthyese.

Rreth 100 protestues serbë kanë gjuajtur me gurë, me armë dhe me mjete shpërthyese në drejtim të punëtorëve shqiptarë, të cilët rifilluan punimet në ndërtimin e shtëpive të tyre në Kroin e Vitakut në Mitrovicë.

Nga hedhja e gurëve janë lënduar 5 punëtorë shqiptarë e dy serbë dhe po ashtu janë dëmtuar makineritë me të cilat punonin shqiptarët.

Kjo ndodhi të martën te Kroi i Vitakut në Mitrovicë, pasi që shqiptarët me lejen e kryetarit të Komunës, Bajram Rexhepi rifilluan ndërtimin e shtëpive të tyre të martën rreth orës 9 paradite.

Por, menjëherë ata u penguan nga protestuesit serbë, që filluan me hedhjen e gurëve në drejtim të tyre.

“Punimet për rindërtimin e shtëpive në këtë lagje kanë nisur në orën 9, në ndërkohë në njërën anë janë mbledhur rreth 100 protestues të nacionalitetit serb për të kundërshtuar rifillimin e punimeve, ku kanë filluar të gjuajnë me gurë dhe janë gjuajtur pesë punëtorë shqiptarë”, tha zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Sami Mehmeti.

Sipas tij, menjëherë kanë intervenuar njësitet speciale të EULEX-it, të cilat kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe shume shpejt situata është vënë nën kontroll.

“Pastaj rreth orës 10 është gjuajtur një mjet shpërthyes në këtë lokacion dhe janë dëgjuar të shtëna nga armë zjarri, por që fatmirsisisht nga mjetet shpërthyese dhe të shtënat me armë zjarri nuk është lënduar askush”, bën të ditur Mehmeti.

Banorët dhe punëtorët shqiptarë, pas këtij incidenti, për Express e tregojnë pak më ndryshe ngjarjen.

Sipas tyre, policët kosovarë të nacionalitetit serbë, që ishin në momentin e ngjarjes dhe Eulexi, vetëm e kanë shikuar ngjarjen prej së largu duke mos marrë kurrfarë hapash, deri në momentin kur kanë filluar të gjuajnë me mjetet shpërthyese.

“Eulex dhe policët serbë i kanë duartrokitur protestuesve. Ata asgjë nuk kanë bërë gjatë hedhjes së gurëve e armëve, derisa erdhi edhe deri tek hedhja e mjeteve shpërthyese, e cila nuk do kishte ndodhur sikur të kishin ndërhy prej fillimit”, thotë Musa Haliti, kontrollues i punimeve të shtëpive të shqiptarëve dhe banor i lagjes Kroi i Vitakut.

“Eulexi na konsideron neve sikur ne të ishim ata që kemi bërë krim, kemi kall, kemi vjedh e kemi mbyt e jo serbët. Kjo është tmerr dhe për neve banorëve të kësaj ane shumë pak është bërë, kryesisht nga komuna e Mitrovicës”, tha Haliti.

Në ndërkohë punimet filluan përsëri pas këtij incidenti, derisa erdhi urdhër nga EULEX’i, që punimet të ndërpriten të martën për të vazhduar të mërkurën, sot.

Kjo edhe më shumë i irritoi punëtorët dhe banorët e kësaj lagjeje, sipas të cilëve për një gjë të tillë është dashtë të pyeten edhe ata.

“Si erdhi ky vendim papritmas, pa ditur ne asgjë? Është dashtë të na pyesin edhe neve. Nuk shkon kështu. Punëtorët do të lodhen një ditë prej këtyre incidenteve”, u shpreh Xhafer Ibrahimi, përfaqësues i lagjes Kroi i Vitakut, pasi mori lajmin për ndërprerjen e punimeve diku rreth orës 14.00.

Halim Brahimi, njëri prej pronarëve të kompanisë “Isa 999”, që po kryen punimet e ndërtimit të shtëpive, tha se makineritë e dëmtuara nga granatat nuk dihet se a do të punojnë më. Ai më pas bashkë me punëtorët tjerë e banorët u larguan nga aty, për t’u rikthyer të mërkurën në mëngjes.

Janë vetëm shqiptarët ata që po përcillen me këtë problem gjatë ndërtimit të shtëpive të tyre, në ndërkohë serbët afër tyre po punojnë në ndërtimin e shtëpive të veta pa kurrfarë problemi.

Pas dy jave ndërprerjeje, të martën ishte paraparë rifillimi i punimeve të shtëpive të shqiptarëve për çka u vendos në një takim të Komitetit për Siguri.

”Serbët janë duke punuar pa asnjë problem që kur kanë filluar, andaj edhe shqiptarët duhet të punojnë po ashtu, kudo qoftë. Nëse dikush për motive politike të papranueshme do që ky proces të pengohet, që të ngrihen tensionet apo të shkaktohen trazira, atëherë ndaj atyre policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-i duhet të ndërmarrin masa energjike, në mënyrë që punët të mos ndërpriten për asnjë çast”, ka bërë të ditur pas këtij takimi Bajram Rexhepi, kryetari i Mitrovicës.

Në këtë takim ishte vlerësuar se situata e qetë dy javëve të fundit i ka kontribuar vazhdimit procesit të rindërtimit të shtëpive në këtë lagje, e që ditën e martë ndodhi e kundërta.

Reagimi i Presidencës: Dhuna e shkaktuar nga Beogradi

Presidenti Fatmir Sejdiu tha të martën se veprimet e këqija të serbëve në veri të Mitrovicës kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve janë të nxitura nga Beogradi. Ai e ftoi shtetin fqinj të mos krijojë tensione, të cilat rrezikojnë paqen dhe stabilitetin.

1 Komente

Makinat e EULEX-it dhe tanket e NATO-s duhet te shkojne tek Kroi i Vitakut sepse atje duhen dhe jo te rrine ne qender te Prishtines. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).